SHPËRNDAJE

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me ndihmëssekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchel, ku kanë diskutuar për përmirësimin e mëtejshëm të raporteve bilaterale ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së, por mbi të gjitha për rrugën evropiane të Prishtinës dhe Beogradit. Me të njëjtin person kishte biseduar edhe dje Hashim Thaçi, por asnjëri nga dy liderët nuk kanë guxuar t’ia përmendin idenë e tyre të përbashkët për shkëmbim territoresh.

Siç raporton agjencia e lajmeve serbe, në këtë bisedë është thënë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkrahin plotësisht dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian.

Gjithashtu pritet të gjendet një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate ndërmjet të dyja vendeve.

Në këtë bisedë as Vuçiq nuk e ka përmendur çështjen e shkëmbimit të territoreve ndërmjet dy vendeve, njësoj sikurse presidenti Thaçi i cili po ashtu sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me Wess Mitchell.

“Ne u pajtuam që t’i intensifikojmë përpjekjet për të arritur një marrëveshje, e cila njëherë e përgjithmonë do t’i mbyllë armiqësitë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një marrëveshje, e cila i hap rrugë njohjes reciproke dhe perspektivës së qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO, BE, OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Ndihmës-Sekretari Mitchell u zotua se Kosova do ta ketë mbështetjen e palëkundur të SHBA-së në këtë proces”, ka shkruar Thaçi.