SHPËRNDAJE

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike Sali Slihu duke parqitur qëndrimin e subjektit të tij politik rreth situatës së krijuar në Luginë të Preshevës, sidomos pas zgjedhjeve lokale në Medvegjë dhe largimit të një numri të konsiderueshëm të shqiptarëve nga lista zgjedhore edhe në komunën e Bujanocit, i ka thënë presheva.com se, “Fshirja e rreth 800 personave nga lista zgjedhore e komunës së Bujanocit është diskriminim i vazhdueshëm nga qeveritë e ndryshme në Serbi, e cila pas suksesit të arritur në Medvegjë, ku zvogëloi në masë të madhe numrin e shqiptarëve, të njejtën politikë po përpiqet ta implementojë edhe në Bujanoc”.

PD është emendimit se, një veprim i tillë sigurisht që ka për qëllim dëmtimin e procesit zgjedhor duke minimizuar rolin e faktorit politik shqiptar në Luginë të Preshevës.

“Pos qeverive të ndryshme në Serbi, nuk mund t’i ikin përgjegjësisë edhe deputetët e deritanishëm shqiptar në Parlamentin Republikan të Serbisë që janë thirrur në emër të mbrojtjes së interesit shqiptar, por që vazhdimisht kanë votuar çdo qeveri dhe çdo politikë të tyre, politikë kjo e cila na ka sjellë në këtë situate” ka thënë Salihu.

Partitë politike shqiptare sipas Salihut, kanë dallime dhe mospajtime të shumta, por nuk do të kisha thënë se janë të përçara. Dua të ju kujtoj se në momente të rëndësishme kur ka qenë në pyetje interesi kombëtar, edhe partitë edhe populli kanë marrë vendime të rëndësishme të përbashkëta.

Këtu dua të potencoj vetëm disa vendime ku partitë politike shqiptare kanë qenë unike në vendimet e tyre për interes kombëtar, si: Referendumi i 1 dhe 2 Marsit të vitit 1992, Marrëveshja e Konçulit (2001), Platforma politike e Janarit të vitit 2006, Masat urgjente për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve (Plani 7 pikësh) të Marsit 2013, Rezoluta e Parlamentit të Republikës së Kosovës e majit 2013, Vendimi mbi formimin e Asociacionit të shqiptarëve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë të shtatorit të vitit 2015, si dhe së fundmi deklarata politike e 14 korrikut 2018 drejtuar institucioneve të Qeverisë së Kosovës e aprovuar nga këshilltarët shqiptarë të tri kuvendeve Bujanoc, Preshevë, Medvegjë, ka potencuar anëtari i kryesisë së PD-së.

Ai gjithashtu ka thënë se “përkundër këtij uniteti për interesa kombëtare, sigurisht që kemi shumë dallime dhe mospajtime në mënyrën e qeverisjes së pushtetit lokal.

Partia Demokratike nuk mund të rrijë duarkryq dhe të shikojë se si keqmenaxhimi e keqpërdorimi i parasë publike e ka sjellur komunën e Bujanocit në gjendje të rëndë financiare, ku përafërsisht në çdo të 10-tën ditë komuna gjendet në bllokadë financiare.

Nuk mund t’i mbyllim sytë para vjedhjes së kafshatës së fëmijëve e amnestimit të kryerësve të këtyre veprimeve. Nuk jemi pajtuar e nuk do të pajtohemi që bujku i vërtetë të subvencionohet njejtë me një drejtor të ndërmarrjes publike apo kryeshef të administratës komunale.

Nuk mund të themi se jemi në rregull, kur mjekët shqiptarë diskriminohet po nga ky pushtet i shqiptarëve”.

Partia Demokratike do të jetë bashkë me çdo parti shqiptare që synon të punojë për interesat e përbashkëta, por do të refuzojë të bëhet pjesë e keqpërdorimeve, hajnisë dhe korrupcionit” është përgjigjur Salihu./presheva.com/