SHPËRNDAJE

Partia Demokratike në Bujanoc ka akuzuar rëndë pushtetin lokal për largimin nga puna të antarëve të saj nga administrata komunale.

Më poshtë lexoni komunikatën e plotë:

Pushteti lokal vazhdon me avazin e vjetër të hakmarrjes ndaj anëtarëve të PD-së që punojnë në administratën komunale. Kësaj here, në fokus ishin dy anëtarët e PD-së Agim Haliti – inspektor i mbrojtjes së ambientit dhe planifikimit hapsinor, dhe Basri Memeti – bashkëpunëtor i mbrojtjes së ambientit dhe planifikimit hapsinor.

Derisa Basri Memeti gjendet në pushim vjetor, kurse Agim Haliti me leje të kryeshefit ishte për vizitë mjekësore në Shtëpinë e Shëndetit, zyrtarë të pushtetit me urdhër nga lart, kanë thyer derën e zyrës dhunshëm dhe kanë ndrruar bravën e derës duke ia pamundësuar hyrjen në zyre.

Partia Demokratike e vlerëson këtë veprim si akt qyqar, të pamatur dhe plotësisht denigrues. Kjo ndodh vetëm pak ditë, kur kryetari i komunës kishte deklaruar në Kuvendin komunal se nuk është hakmarr ndaj asnjë punëtori. Ky është vetëm rasti më i freskët për hakmarrje ndaj anëtarëve të PD-së, kur dihet se që në fillim të mandatit hakmarrje të ngjajshme kishte kryer edhe ndaj dhjetëra të tjerëve anëtarë të PD-së punonjës të administratës komunale dhe ndërmarrjeve publike.

Të gjitha këto veprime po bëhen me qëllime të caktuara, duke u munduar që në këtë mënyrë të ulin autoritetin e këtyre personave. Ju kujtojmë se Agim Haliti përveç aktivitetit të tij politik, ka qenë edhe bartës i shumë proceseve kombëtare, si pjesëtar i UÇPMB-së, bashkëpunëtori më i ngushtë dhe shoku i idealit të Komandant Lleshit, sekretar i Shoqatës Humanitare ”Nëna Terezë” në kohërat më të vështira, kryetar i Bashkësisë Lokale Tërnoc për 9 vjet, kryetar i Këshillit Organizativ ”Ditët e Komandant LLeshit” për më shumë se një dekade, drejtor i NP “Direkcioni për Ndërtim” për 4 vite, etj.

Personat me një beground të pasur kombëtar si duket nuk po i pëlqejnë këtij pushteti.