SHPËRNDAJE

Kryesia e Partisë Demokratike Shqiptare, në mbledhjen e mbajtur, më 27 mars 2018 shqyrtoi situatën aktuale politike dhe të sigurisë e cila po zhvillohet në vend dhe rajon.

Pas debateve dhe diskutimeve të zhvilluara, kryesia e PDSH-së doli me këtë:

KOMUNIKATË

Në kuadër të festimit të vitit marëkombëtar të Skenderbeut me datë 24 mars 2018 nga autoritetet serbe të Komunës së Medvegjës u ndalua aktiviteti për fëmijë i Teatrit të Kukullave “Xixëllonjat e Lezhës”, akt ky i radhës kundër shqiptarëve që jetojnë në Medvegjë.

Kjo sjellje e autoriteteve serbe për Partinë Demokratike Shqiptare është e papranueshme dhe nuk i kontribuon paqes e stabilitetit në Luginë të Preshevës.

Ngjarjet e datës 26 mars 2018 në veri të Republikës së Kosovës, për këtë kohë bëjnë që shqiptarët e Luginës së Preshevës të jenë syçelë dhe PDSH fton shqiptarët të mos të bien pre e provokimeve eventuale të organeve shtetërore serbe për të nxitur situatë të padëshirueshme që rrezikojnë stabilitetin rajonal.

Partia Demokratike Shqiptare u jep mbështetje të plotë të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës në ushtrimin e sovranitetit shtetëror si dhe në zbatimin e marrëveshjevjes së arritur në Bruksel për vizitat e zyrtarëve shtetëror serb.

PDSH i denon provokimet e vazhdueshme të qeverisë së Serbisë dhe sidomos thirrjen e liderit serb të bosnjës i cili me gjuhë fyese dhe të urrejtjes bën thirrje për arrestime të shqiptarëve që gjenden në serbi në shenjë hakmarrjeje, prandaj fton komunitetin ndërkombëtar Brukselin zyrtar dhe SHBA-të që të shtojnë presionin e tyre politik ndaj Beogradit zyrtar për qasjen transparente e demokratike ndaj zgjidhjes së problemeve edhe në raport me shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke implementuar principin e reciprocitetit.

Në këto situata të rënda politike, Partia Demokratike Shqiptare bën thirrje subjekteve politike shqiptare për mbajtjen e seancës së Kuvendit të Këshilltarëve shqiptar të Luginës së Preshevës për të sjellur vendime kruciale për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke fuqizuar dhe sinkronizuar dokumentet e mëhershme të miratuara në këtë organ të shqiptarëve të Luginës së Preshevës përfshi dhe asociacionin e komunave me shumicë shqiptare autoktonë në Luginë të Preshevës.

Kryetari i PDSH-së
Dr.sc. Ragmi MUSTAFA