SHPËRNDAJE

Takimi i sotëm bashkëbisedues në mes strukturave qendrore të PDSH-së ishte me anëtarët e Forumit Rinor të Partisë Demokratike Shqiptare i cili u mbajt në amfiteatrin e RTV Presheva.

Në këtë takim ishin prezent një numër i madh i të rinjve të PDSH-së, të cilët patën rastin të komunikojnë drejtpërdrejtë me kryetarin e partisë dhe strukturat tjera udhëheqëse të subjektit.

Fjalë rasti në këtë takim kishin anëtarët e kryesisë Mustafë Shaqiri, Dr. Agim Sabedini, Ajet Hajrullahu, anëtari Këshillit Qendror Astrit Ramizi, kryetari i nëndegës Rahovicë Pajtim Rexhepi si dhe nënkryetari i PDSH-së Ilir Sadriu.

Të pranishmit lidhur me situatën aktuale politike por edhe për periudhën e kaluar kohore në Komunën e Preshevës i njoftoi Kryetari i PDSH-së Ragmi Mustafa, i cili i inkurajoi të rinjtë që të vazhdojnë të jenë afër PDSH-së, sepse është subjekt i të vërtetës, i ngritjes së zërit dhe hallit të qytetarit shqiptar në Luginë të Preshevës dhe subjekt me të cilin janë rritur breza të shumtë të të rinjve.

Kryetari Mustafa para të pranishmëve foli edhe për platformën zgjedhore që së shpejti do të jetë gati për qytetarët e Komunës së Preshevës, ku theks i veçantë do t’i kushtohet rinisë.

Gjatë këtij takimi një numër i madh i të rinjve u përfshinë në bashkëbisedim, ku shprehën gatishmëri më shumë se kurrë më parë që të jenë pjesë aktive në çdo proces dhe aktivitet të Partisë Demokratike Shqiptare.