SHPËRNDAJE

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski thotë se opsioni i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë përmes shkëmbimit të territoreve është një precedent i rrezikshëm për Ballkanin.

“Nuk është gjë e mirë që të mbyllësh një problem, problemin e Kosovës dhe të hapësh dy apo tri probleme të tjera në rajon”, tha Pendarovski në RTSH.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut u shpreh se pa ndërhyrjen e SHBA-ve vështirë se kjo çështje mund të gjej zgjidhje.

“Pa një përfshirje serioze të SHBA-së nuk është e mundur që BE e vetme të zgjidhë krizat dhe problemet e kësaj natyre. Ne patëm një krizë tonën në vitin 2001, patëm konflikt në territorin tonë dhe pas kësaj nënshkruam marrëveshjen kornizë të Ohërit dhe atëherë ndërmjetësuesi i BE-së punonte ngushtësisht me ndërmjetësin amerikan. Unë nuk mendoj që pa një përfshirje aktive nga Uashingtoni, do të shohim një zgjidhje të qëndrueshme të këtij procesi”, tha Pendarovski.

Ai ka shprehur rezerva sa i përket idesë së Mini-Shengenit Ballkanik. Pendarovski tha se një alternativë mund të jetë rigjallërimi i marrëveshjes CEFTA mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Nëse Shengeni apo Mini-Shengeni, sido që ta quajmë, do të na ofrohet nga Brukseli si një lloj kompensimi në këmbim të anëtarësisë së plotë në BE, do të isha kundër kësaj ideje. Sepse e kam dëgjuar diçka të tillë nga disa cepa të shoqërisë europiane se EEA (zona europiane ekonomike) plus mini-shengeni mund të jenë një zëvendësues për anëtarësimin në BE. Duke patur parasysh këtë kontekst nga vendimi i fundit i Këshillit Evropian-së do të isha shumë kujdesshëm për këtë çështje”, u shpreh Pendarovski