SHPËRNDAJE

Kohë më parë subjektet politike në Luginë të Preshevës qenë dakorduar për të mos marrë pjesë në zgjedhje, për shkak të shkeljeve të drejtave kombëtare dhe njerëzore nga pushteti serb. Për këtë qëllim,partitë politike patën hartuar edhe një deklaratë për publikun, por ajo duket që është harruar, pasi PVD është certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhje me kandidatin e saj historik, Riza Halimi.
Përkundër ndasive për apo kundër pjesëmarrjes së spektrit politik shqiptarë të Luginës në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, si dhe vështirësive të sigurimit të dhjetë mijë nënshkrimeve përkrahëse të listës zgjedhore, megjithatë lista e vetme shqiptare ‘Partia për Veprim Demokratik – Riza Halimi” ka arrit të certifikohet në Komisionin Republikan të Serbisë.

Bartësit e saj presin që qytetarët e Luginës të i japin përkrahjen e nevojshme për të siguruar një ulëse në Parlamentin e Serbisë.

Lista e vetme shqiptare e cila do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, tashmë është certifikuar në Komisionin Republikan Zgjedhor, përkundër vështirësive dhe problemeve teknike të grumbullimit të dhjetë mijë nënshkrimeve përkrahëse.

Qytetarët për ta votuar listën e titulluar “Partia për Veprim Demokratik – Riza Halimi”, do të duhej ta rrethojnë numrin 19 në listën votuese, në krye të së cilës është Riza Halimi – deputet i deritashëm dhe ish kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi. Ky i fundit, pret që kjo listë të siguroj edhe në këto zgjedhje një ulëse në parlamentin republikan, transmeton RTK.

Përderisa PVD garon e vetme në këto zgjedhje, subjektet tjera politike shqiptare janë deklaruar për bojkot të zgjedhjeve, ndërkohë që përfaqësuesit e tyre për asnjë moment nuk e kanë ftuar elektoratin e tyre për mos pjesëmarrje në zgjedhje.