SHPËRNDAJE

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez e ka krahasuar Carlo Ancelottin me legjendën e Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson.
Viti 2014 ka qenë i paharrueshëm për Florentino Perez si president i Real Madridit. Katër trofetë e fituar dhe kryesimi ne La Ligë e bëjnë këtë vit më të suksesshëm në historinë e klubit më të titulluar në Spanjë.

Këto arritje i faturohen kryesisht punës së jashtëzakonshme të Carlo Ancelotti, i cili ka fituar mbështetjen e plotë të numrit një të klubit për të qëndruar gjatë në Santiago Bernabeu.

“Dëshirojmë që Carlo Ancelotti të jetë Aleks Fergusoni i Realit të Madridit.” Kështu mësohet të jetë shprehur 67-vjecari në qarqet më të larta të klubit kryeqytetas, një e dhënë kjo që sugjeron një bashkëpunim shumë më të gjatë se kontrata aktuale, raporton Marca.

Ancelotti-Perez

Starti i 2014 nuk ka qenë aspak i lehtë për Realin, që ishte në konstruksion e sipër pas epokës Jose Mourinho. Mirëpo, trajneri italian e drejtoi skuadrën drejt triumfit në Kupën e Mbretit, Ligën e Kampionëve, Superkupën e Europës dhe së fundmi në Botorin e Klubeve.

Lidhja mes presidentit Perez dhe trajnerit italian i ka tashme rrënjët e forta. Nga 14 trofetë e fituar nga Reali në dy epokat e ndryshme me president Florentino Perez, 4 i përkasin vetëm skuadrës së drejtuar nga Ancelotti, i cili mbërriti në Santiago Bernabeu në verë të 2013.

Kontrata aktuale përfundon në verë të 2017, por gjasat janë që bashkëpunimi të vijojë edhe më gjatë. Të dyja palët janë shprehur pozitivisht për zgjatjen e kontratës, që pritet të zyrtarizohet brenda sezonit aktual.