SHPËRNDAJE

Ajo ishte një verë e gjatë. Për Lartmadhërinë, Karlin e Gjashtëmbëdhjetë, që sapo ishte martuar dhe tërë kohën duhej ta shfaqte gëzimin e tij të papërmbajtur para popullit, ajo ishte vera e fjalimeve pompoze, lotëve të papërmbajtur dhe sfilatave të pafund nëpër korridoret e pallatit mbretëror. Për neve tjerët, që e kishim kuletën të hollë dhe s’ kishim çifligje, pallate e prona të mëdha private, vera e 76-tës ishte një verë e thjeshtë dhe e këndshme. Çdo mëngjes, gjatë kohë para piskut të vapës, mernim bukën e pijet dhe turreshim në drejtim të Uppsalës së Vjetër, për t’ u larë e freskuar në gjolet e lumit Fyris.

Lartmadhëria u martua në javën e tretë të muajit qershor. Ndonëse të gjithë e mernin për hardall, mendjemish e injorant, ai të lente përshtypjen e një shakaxhiu të mençur. I rritur jetim dhe i mbështetur nga shtresat e larta qeveritare, Karli, kundër dëshirës së monarkistëve evropjanë, u martua me një ”vajzë të popullit”. Dhe qeveria s’ e la në baltë: me një vendim të jashtzakonshëm që mori në riksdagun e Suedisë, e nderoi me një dasmë aq të bujshme sa dhe vetë suedezë mbetën gojëhapur.

Pak ditë para asaj ”kremte” të madhe ika në fshatin Ursa. Vjehrri im më kishte ”çuar fjalë” se atje ajri ishte më i ftohtë dhe natyra më ebukur se në Uppland. Mjerisht, deri sa po i ndihmoja ta kosiste lëndinën që kishte para shtëpisë verore, e përdrodha shpinën. Ai i ngrati e fajsonte kosën që gjoja ishte topitur, i fajsonte ferrat që i kishin hipur shpatit, e fajsonte veten që ma kishte lëshuar në dorë atë kosë të flamosur, por fajin më të madh e kisha vetë, që s’ e kisha ruajtur mesin gjatë kohës së studimeve. Rrjedhimisht, kundër dëshirës time, fati më ngallmoi në një shtëpi verore, me një televizor në qoshe të dhomës dhe me një mori librash që vjehrri kishte sjellë nga Ludvika, ku punonte si drejtor. Sikur të mos vuaja nga ajo përdredhje e mërzitshme, s’ do ta përcillja as dasmën e Karlit të Gjashtëmbëdhjetë, as ngjarjet tjera që zhvilloheshin nëpër botë. Paçka se ajo fatkeqësi kish qenë e shkruar të ndodhtë pikërisht n’ atë fshat dhe unë s’ kisha mundësi as të kosisja barë, as të ngreja pesha të rënda. Tërë ditën e lume duhej të rrija shtrirë dhe t’ i riparoja fijet e një nervi që më therte si maja e një gjilpëre të duhanit.

Tani pushimet e mia verore u shndërruan në torturë. As guxoja të ulem pranë tavolinës, as guxoja të shkruaj, as mundesha të fle si duhet. E vetmja gjë që mundesha të bëj gjithë ditën e lume ishte të shtrihesha në divan dhe t’ i ndiqja mjerimet që zhvilloheshin nëpër botë nëpërmjet radios. Luftë… Bombardime… Masakra…  Nëse lufta që dikur zhvillohej në Azinë Juglindore kishte marrë fund, një tjetër luftë – luftë vëllavrasëse, luftë rrëqethëse – iu kishte qepur Libanit.  Pak vite më parë arabët ishin vëllezër, flisnin arabisht, dhe të gjithë – myslimanë e të krishterë – e  përkrahnin njëri tjetrin… Tani ndodhi e kundërta… Njëra palë zhvillonte luftë nacional – çlirimtare, tjetra palë zhvillonte luftë asgjësuese. Luftimet që zhvilloheshin rreth e përqark kampeve Sabrila e Tel el Zatar na tmerruan të gjithëve. Luftëtarët palestinez, duke mos patur tjetër rrugëdalje, duhej të luftonin edhe kundër vëllezërve të tyre libanezë, edhe kundër Ariel Sharonit, gjeneralit çifut, që e kishte rrethuar Bejrutin Lindor.

As Jugosllavia Titiste s’ ishte e qetë. Raportet metereologjike thoshin se atje bënte vapë, turistët gjermanë e kishin mbushur Adriatikun, por në Tivar zhvillohej një proces i rëndësishëm gjyqësor. Lufta e Dytë Botërore kishte mbaruar moti, por hyzmeqarët Enver Hoxhës  bënin ç’ mos që ta kthenin marksizmin autentik në Jugosllavi. Vlado Dapçeviqi, njëri nga bartësit më të njohur të asaj aspirate, u dënua me dyzet vjet burgim të rëndë…

Duket se edhe Zoti na kishte marrë inatë. Në korrik vdiq Agata Kristi dhe letërsia mbeti pa një shkrimtare të madhe. Pas Agatës vdiq edhe Çu En Laji. Agatën s’ e qau kush, Çu En Lajin e qanë tetëqind miljonë kinezë e dy miljonë shqiptarë. Sikur kjo të ishte pak, pak kohë më vonë Kina u lëkund nga një termet i madh dhe mijëra e mijëra varfanjakë përfunduan nën tokë. Shtypi i përditshëm, radioja dhe radiotelevizioni ishin plot e përplot me tragjedi.Një plaçkitje e madhe në Francë, një termet i ri në Itali…

Kjo, pra, s’ mundej të shkonte deri n’amshim. Duke mos mundur të rri i qetë, edhe pse e ndieja veten si t’ isha i paralizuar, pasi e drejtoja shtatin me mundime, bëja shetitje të gjata nëpër pishnaja, hap pas hapi e duke u mbajtur në një bastun, deri sa më gjunjëzonte rraskapitja.Pastaj shtrihesha e lexoja me orë të tëra, lexoja çkado që më sillte vjehrri nga biblioteka e fshatit: gazeta të përditshme, revista që ai blente nëpër antikvariate, romane kriminalistikë, si dhe romane bashkëkohorë suedezë.

Më në fund erdhi gushti dhe unë hipa në trenin që shkonte për në Malme. Çuditërisht, pas një vizite të shkurtër mjekësore, zonja Antonsson më njoftoi se shpinën e kisha në rregull dhe bëja mirë që ecja, i grahja biçkletës dhe i shkathja gjymtyrët e trupit. 

” E sa iu përket dhembjeve të shpinës, me ato do jetosh si të gjithë shqiptarët e gjeneratës sate, që kanë fjetur mbi hasra e dyshekë të shtrirë mbi tokë,” tha ajo. ” Shpinayte është si ato këpucët që i ke përdorur vite me radhë. Ajo s’ kthehet kurrë në gjendjen e mëparshme.”

Si rëndom, asnjëri nga shqiptarët s’ ishte kthyer prapa. Arsimtarët tjerë i hapën zarfat, i studjuan listat e dërguara nga Zyra e Shkollave dhe filluan t’ i përpilojnë oraret, por unë duhej të prisja. Duke mos patur ndonjë punë më urgjente, shkova deri në Postën Lokale dhe mora dërgesat që na kishte ardhur gjatë verës. Atje na priste një vagon me letra, kartolina, fotografi e revista të ndryshme kulturore. Se çfarë donim ne, të Seksionit ”Shote Galica”, dhe sa ia kishim dalë qëllimit tonë, dëshmon edhe kjo letër që na ishte kishte ardhur nga Nasheci i Kosovës.

” Do t’ ju shkruaj për kushtet në të cilat veprojmë e punojmë ne, anëtarët e Shoqatës ”Xhevdet Doda”, na shkruante arsimtari Mehmet Sylaj. ” Shoqata ynë është formuar rishtaz, në qershor të këtij viti. Në fillim ajo numëronte vetëm pesë anëtarë. Gradualisht, me interesimin e të rinjëve e të rejave, ajo u zgjerua edhe me anëtarë tjerë. Tani në gjirin e Shoqatës kemi tridhjetë e dy anëtarë e anëtare dhe kultivojmë  vetëm folklorin e këtyre anëve… Kuptohet të këngës dhe valles popullore… Pasiqë shoqata u krijua gjatë verës, ajo s’ hyri në planin e finansimit komunal dhe – merreni me mend – çdo koncert që e kemi dhënë në Prizren apo rrethinë, e kemi realizuar me vetëkontribut. Këtë vjeshtë po na premtojnë ca mundësi më të mëdha financiare, por se sa do t’ i përmbushin premtimet, mbetet të shohim.”

Në vazhdim, ai na informonte:

” Në grupin tonë folklorik luajnë gjashtë meshkuj dhe gjashtë femra. Prej  atyre gjashtëve katër jemi vëllezër, ndërsa dy të tjerë janë nga fshati. Vallet që i luajmë janë shumë të vjetra. Ato janë luajtur me shekuj në krahinën e Lumës. Këto valle i kemi luajtur qyshkur ishim të vegjël. Unë jam nga fshati Vërmicë. Ky fshat gjendet afër kufirit që ndanë Kosovën nga Shqipëria…

Përndryshe, sa i përket kostumit kombëtar, ate e siguron secili me të hollat e tij. Nga letra juaj e kemi kuptuar se po ju nevojiten çifteli, lahuta dhe disa palë çorapa tipike. Po ju njoftoj se një palë çorapa tipike shqiptare kushtojnë katërmijë dinarë të vjetër. Ne do të marrim kontakt me disa shokë të Pejës dhe t’ i pyesim, por lahutat janë të ralla në Kosovë. Do bënit mirë të na njoftoni si t’ ua nisim ata instrumente. Nëse ua nisim me postë, ka rrezik të dëmtohen. Mënyra më e mirë është të vinte dikush që është nga Prizreni… E dimë se keni vështirësi me intrerpretimin e valleve… Ju jeni larg burimit të valles popullore… Propozimi juaj që t’ ua dërgojmë një shirit manjetofoni është me vend, por edhe më mirë do t’ ishte të vijë dikush në Suedi e t’ ua mësojë si luhen… Unë i bie mirë defit dhe daulles… Mos u çuditni nëse nxënësit e mi ju bombardojnë me letra e kartolina… Keni shumë të fala nga Nuhi Avdyli, Miftar Nito, Drita Ymeri, Nadire Mallaku, Sabrije Thaqi e shumë të tjerë… “

Nxënësi Jonuz Kryeziu, poashtu nga Nasheci, iu shkruante anëtarëve të Seksionit ”Shote Galica”:

Unë jam në klasën e tetë të shkollës ”Aradha e Sharrit”. Në këtë shkollë vijojnë mësimet nxënësit e fshatrave Grazhdanik, Nashec dhe Atmaxhe… Shkolla nuk është e mjaftueshme për të gjithë dhe ne po mësojmë në kushte të vështira… Pa rrymë elektrike… Ne kemi krijuar seksionin dramatik, recitativ dhe folklorik. Librat që kemi në shkollë i kemi blerë me vetëkontribut. Secili ka dhënë nga njëmijë e pesëqind dinarë të vjetër… Mora vesh se, përpos Shoqatës “Vëllazërimi”, e kishit formuar edhe seksionin e të rinjëve “Shote Galica”. Unë dëshiroj të mbaj korrespodencë me ndonjërin prej jush… Gëzohem që s’ e keni harruar Kosovën dhe dëshiroj që miqësia ynë të forcohet edhe më shumë dhe – kur të vini në Kosovë – të shihemi në Prizren.”

Nja dy javë më vonë, kur do të mblidheshim në “Shkollën e pasditës” dhe unë do t’ ua veja përpara letrat, gazetat dhe revistat që ua kishin nisur shokët e tyre nga Klina, Çubrreli, Deçani, Lipkova e Tuzi i Malit të Zi, nxënësit e mi do ta ndjenin vetën shumë krenarë që po merreshin me diçka që i afronte me ata të rinj e të reja të cilët jetonin në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi. Pas kartolinave që morën nga mocanikët e tyre ata sikur e kuptuan se këngët dhe vallet që ushtronin pasdite s’ ishin vetëm pasuri e tyre, por pasuri e një populli që jetonte në tri republika të Jugosllavisë… S’ ka nevojë të shtoj se pos meje, askush s’ ua përmendte emrin e Shqipërisë… 

Djemt dhe vajzat e Tuzit shkruanin:

” Po na gëzon fakti se Shoqata juaj afron jo vetëm shqiptarë të Kosovës por dhe shqiptarë të trevave tjera. Ne mburremi me juve. Shoqata jonë është duke përgaditur dramën “Nora” të Andrea Skajetit, një tërësi folkloristike “Dasma malësore”, ndërsa shoqata e vendit e ka përgaditur dramën “ Shtatë shaljanët” të Ndrek Lucës. Jemi të njoftuar përmes valëve të Radio-televizionit të Tiranës se në Suedi ishte Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve. Me siguri që do ta keni përcjellë programin e tyre.

Ju njoftojmë se në Tuz pat ardhur klubi futbollistik ” Besa” i Detroitit dhe ai u prit me përzemërsi nga populli. Adresën e tyre po ua shkruajmë në shpinën e kësaj letre. Ju përqafojmë me mallë: Nikoll Berisha, Leonora Berisha, Lidija Dushaj, Nua Ukaj, Mehmet Çunmulaj, Vesel Sinishtaj, Elvira Ramadani, Pashk Berishaj, Gjelosh Gjoni, Sofija Lekiqi, Hava Dresheviqi dhe Fikrete Dresheviqi”.

Na kishin ardhur letra e revista edhe nga Sekiraça, Breznica, Dushanova e dy fshatra të Kalabrisë. Ato letra, që ishin të shkruara sipas rregullave të drejtshkrimit të ri, ishin shtysë e fortë që nxënësit e mi ta krahasonin veten me mocanikët e tyre dhe të shihnin sa shumë u kishte kushtuar mërgimi. Që të mos e ndienin veten inferiorë, i kopjoja letrat e tyre dhe pastaj, para se t’ ua dërgonim shokëve të tyre në Kosovë, i nxisja t’ i korrigjonin bashkarisht. Shumë prej tyre shkruanin me shqipen që flitej në shtëpi dhe dikush duhej t’ i ndihmonte me shqipen bashkëkohore.

Letrat që na vinin nga Kosova ishin shumë më interesante se tekstet që na dërgonte Qendra Informative e Legatës Jugosllave. Të shkruara nga autorë që ishin poashtu të rinj e të reja nga fshatrat e Kosovës, ato na nxitnin ta hapim atlasin e Jugosllavisë Federative, t’ i gjejmë qytetet dhe fshatrat ku jetonin autorët e letrave, të mësojmë mbi historinë e gjeografinë e vendeve ku jetonin dhe t’ i vizatojmë heronjtë e dalluar të krahinave të tyre. Kësisoj, letrat e ardhura nga Tuzi na cytnin të flasim për Ded Gjo Lulin, kryengritjen e vitit 1911, Luigj Gurakuqin dhe Shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë. Ishte detyra ynë t’ i mësojmë ”kosovarët” se ata kishin shumë motra e vëllezër nëpër fshatrat e Preshevës, Kumanovës, Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Tuzit, Plavës e Ulqinit. Vlen të nënvizoj se ato letra, përpos cilësive tjera, kishin edhe peshë të madhe informative. Ato na mësonin se pas vitit 1974, Jugosllavia Titiste kishte marrë një rrugë të re. 

Maturantja Leonora Berishaj nga Tuzi na shkruante mbi veprimtarinë që zhvillohej në gjimnazin e saj.

” Gjimnazi ynë është i ri. Ai u formua në vitin 1970 si paralele e ndarë nga gjimnazi i Titogradit. Deri në vitin e kaluar kishte vetem paralele të gjuhës shqipe, ndërsa sivjet u krijua edhe një paralele në gjuhën sërbishte. Kushtet për punë kanë qenë mjaft të dobëta. 

Sa i përket Shoqatës  Kulturore ” Ramadan Sharkiq”, ajo ka përgaditur tri drama dhe shumë pjesë folklorike. Sukseset më të mëdha i zumë me dramën ” Halili dhe Hajria”. Hajria, në garat komunale u shpall si roli më i mirë i femrave. Rolin e ”Hajries” e luajti Marie Berishaj, tani studente e psikologjisë në Lubljanë. E kemi luajtur edhe dramën ”Toka jonë”. Rolin e Lokes e ka luajtur Katrina Gjonaj, tani studente e drejtësisë në Titograd… Regjinë e dramave e ka bërë profesori ynë Fran Lulgjuraj…” 

Koha është një dimenzion marramendës. I lexoj ato letra modeste, të shkruara me kaligrafi të ndryshme, dhe ndiej një vakësi të thellë, një vakësi të çuditshme, një vakësi të paartikulluar për ata vëllezër e motra të Shqipërisë Etnike, të cilët, edhe pse vetë të varfër e të shtypur, na thërrisnin të mos e harrojmë gjuhën dhe të mos shprishemi në gjakun e huaj. Ata djem dhe ato vajza mbaruan studimet, kush në Prishtinë e kush në Titograd, por kurrë s’ patën mundësu të na vinin në Malme. Jam i sigurtë se sot ata janë gjyshër e gjyshe dhe prore s’ e kanë harruar ”besën e vjetër”. Ca prej tyre janë atje ku ishin, të tjerët janë në Angli, Gjermani apo Australi. Megjithate, në përfytyrimin tim ata janë gjithnjë të rinj dhe, ndonëse s’ i kam takuar kurrë, duke i përmendur në këto shënime, po provoj t’ ua kujtoj se dikur kemi qenë ushtarë të të njejtave aspirata dhe ato aspirata janë gjithnjë gjallë e do të jetojnë deri sa t’ i themi bukës bukë e ujit ujë.  

Siç u cek më lartë, asnjëri nga ”punëtorët e inkuadruar jasht atdheut” s’ ishte kthyer nga Kosova dhe unë, kundër dëshirës time, duhej të sorollatesha nga shkolla në shkollë pa e mbajtur asnjë orë mësimi. Të tjerët, e kam fjalën për arsimtarët e huaj, i gjetën nxënësit e tyre dhe i dorëzuan oraret e punës. Vetëm unë endesha nga shkolla në shkollë dhe konstatoja se asnjëri nga nxënësit e mi s’ ishte kthyer nga Kosova e Maqedonia. Për të mos ndenjur kot, e mora Ismet Xhelën në telefon dhe e pyeta mos kishte ndonjë ndryshim.

” Ç’ kemi,” i thash. ” Ka ardhur ndonjëri?”

” Jo, hala s’ e kanë mbledhur kallamoqin,” ma ktheu.” Po mos u mërzit, se vijnë.”

” Ani pse s’ shkojmë te Jani, ai drejtori i Lidhjes për Arsimimin e Punëtorëve,” e pyeta.

” Fjalën e ke për atë kursin e rrobaqepsisë,” më korrigjoi.

” Po, pra. Të shohim ça mundet të bëj ABF-ja.”

“ Shkojmë,” tha ai dhe e lamë të shihemi në Parkun e Popullit. 

Zoti Jan Ryberg, një burrë fisnik e i zbardhur para kohe, na priti me kafe e ëmbëlsira. Atëbotë ai bashkjetonte me një greke nga Selaniku dhe ushqente respekt të madh për shqiptarët. Mjerisht, për motrat tona s’ mundej të bënte shumë. 

“ Nëse merret parasysh honorari që do drejtuesja, makinat që duhen për atë kurs, materialet që përdoren gjatë mësimit si dhe klasa ku do të mbahet kursi, shuma që ua ka miratuar Drejtorati Shtetëror është qesharake,” tha ai. ” Mos harroni se edhe ne, që jemi organizatë jopublike, kemi obligime ndaj pedagogëve tanë.”

“ Jo, s’ do të harrojmë,” i thamë dhe ikëm të zhgënjyer.

Kështu filloi termini i parë i një viti të ri shkollor. 

Nëse s’ e kam përmendur më herët, dua ta prekë një cilësi që shpesh më ka nxjerrë telashe: mirënjohjen e përjetshme për ata që ma mësuan alfabetin e Shqiptarizmës. Duke jetuar larg popullit tim, nën hien e veprave të Naim Frashërit, Andon Zakos, Aleksandër Drenovës, Theofan Nolit e Gjergj Fishtës, unë kisha harruar se njeriu ynë, njësoj si lumi ku lahej Herakliti, kishte ecur përpara. Gjaku ynë s’ ishte më i trashë si në kohën e De Radës dhe ishte përzjerë goxha shumë me gjakun e fqinjëve sllavë. Ç’ është e drejta, distanca midis shqiptarëve që kishin pirë kafe me Pukevilin dhe atyre që e kishin sjellë Enver Hoxhën në pushtet ishte më e trashë se Muri Kinez.

Gjatë kohës që po prisja të ktheheshin nxënësit e mi shqiptarë nga Kosova, nëpër Qendrën e Rusengordit filloi të endet Nevzat Dallanguzi. Ai dukej mirë me shëndet, se barku i kishte shkuar deri te gusha dhe faqet i kishte të kuqe. Ai s’ më tha që gjë për ëndrrën që kishte parë gjatë verës, por s’ do të shkonin shumë ditë dhe ne do të mësonim që Nevzati ishte shndërruar në profet. Sipas Alixhanit, Nevzati, deri sa po flente në xhaminë e fshatit Joguntash, e kish parë një ëndërr të çuditshme. Në fillim iu kishte çfaqur një libër i madh, i shkruar me shkronja arabe, që ishte më i lartë dhe më i ndritshëm se Hoteli Hilton. Pastaj ishin hapur kopertinat e atij libri dhe nga faqja e parë kishte dalë një xhuxh i vogël, me siguri meleq i të Madhit Zot, dhe i kish thënë: ” Dëgjo këtu, Nevzat, dhe shëno fjalët që duhet t’ i mbash mend! Nuk do të shkojnë as dhjetë vjet dhe të gjithë suedezët, njëri pas tjetrit, do të konvertojnë në fenë islame dhe do të kërkojnë që mbreti i tyre, Karli i Gjashtmbëdhjetë, të shpërngulet në Francë. Shi për ate, dua të ngutesh me xhaminë që ke nisur.”

” Shi për këtë arsye duhet të japim marka,” thërriste Alixhani. ” Duhet të kontribojmë sa më shumë për ”Fondin e truallit”. Pas vendimit të Këshillit komunal që na miratoi truallin e varrezave, ka ardhur koha të mbledhim lekë e ta blejmë truallin. Mos harroni se pa truall s’ ka xhami.”

Që ta them të drejtën, shpesh herë e pyesja veten: Ku po jetoj, vallë?! Suedia, njëra nga mbretëritë më moderne të kohës, e kishte angazhuar si mësues një injorant që kurrë s’ e kishte lexuar një varg të Naim Frashërit. Ato pak shkresa që më kishin rënë në dorë dëftonin se ai xhamall hynte e dilte nga orët e mësimit pa e shqiptuar asnjë fjalë të gjuhës shqipe. Por gjakftohtësia e tij ishte përrallore. Ai manipulonte lehtë me njerëzit e padjallëzuar. I përkrahur kryesisht nga myslimanët resnjarë, po dhe i armatosur me këshillat e një çifuti suedez, Nevzati kishte hipur goxha lartë në sytë e byrokracisë suedeze. Tani ai  endej shumë nëpër Suedi dhe tërë kohën e kishte me vedi një sekretar arab, që i rezervonte bileta dhe i gjente hotele. Shi për ate, orvatjet e disa shqiptarëve që ta dëftojnë si rrapakall, nuk qëndrojnë. Nevzat Dallanguzi ka qenë psikopat dhe gjatë jetës së tij s’ ka bërë tjetër, veçse i ka përçarë shqiptarët në shumë tarafe.

Në mesin e muajit shtator, pas shkresave të shumta të Zyrës së Shkollave, në Rusengord ia behën edhe fëmijët e ”punëtorëve të inkuadruar jasht atdheut.” Të parët që u shfaqën në oborrin e Shkollës Ertagord ishin djemt Cfilakaj, pastaj gocat e Plluqkajve, pastaj fëmijët e atyre që jetonin në Preshevë, Tetovë, Llabunisht e Manastir. Shqiptarët e fundit që dolën në Rusengord ishin djemt e Zia Beqës, si dhe miku im Xhemal Fetiu. Më në fund, erdhi koha të punoj, sepse nxënësit e mi ishin shumë prapa. Si me suedishte, ashtu dhe matematikë, dituri natyre, dituri shoqërie dhe dituri mbi fêtë, lëndë kjo që s’ mësohej në Kosovë e Jugosllavi. 

Këtu dua të ndalem pak dhe, në shenjë mirënjohjeje, t’i shkruaj ca fjalë për një familje që gjithmonë më ka trajtuar si djalë të shtëpisë. Ajo ishte familja Fetiu. Mos qofsha gabim, edhe një herë më parë e kam cekur se Bujari, djali i madh, ishte shumë i lidhur me vendlindjen. Ai ishte aq i ngazllyer me bukuritë e fshatit të tij, sa shpesh herë mbyllej në klasë me mua dhe ne s’ kuvendonim për tjetër pos për shtëpinë e babagjyshit, për oborrin që kishin dhe për lepujt që ia ruanin kushërinjtë. Duke qenë se pallati ku jetonin Fetiajt ishte përballë shkollës, unë hyja e dilja nga shtëpia e tyre sikur t’ isha kushëri i parë.

Tani që shqiptarët ishin kthyer prapa, unë e Arsimi s’ pritëm shumë dhe menjëherë e hapëm ”Shkollën e pasditës”. Ai lokal që gjendej në cepin e një lëndine të madhe i takonte Shkollës Ertagord, zonja Bauth paguante qira për te, por duke qenë se numri i ardhacakëve kishte rënë, ajo, me lejen e eprorëve të saj, na kishte dhënë leje ta përdornim përkohësisht, deri sa të mos çfaqej diçka tjetër urgjente. Rrjedhimisht, sa herë që nisesha n’ atë drejtim, unë duhej të kaloja përbri dritares së tyre dhe, nëse s’ e shihja Xhemalin, gjithsesi e shihja Bahrijen, zonjën e tij. Dhe gjithmonë e pyesja veten: Si u bë, vallë, ajo puna e rrobaqepsisë? Bahria më kishte thënë se motrat gra ishin të gatshme të fillonin, por mungonte mësuesja, mungonte lokali dhe mungonin makinat e qepjes. 

“ Kam folur me drejtoreshën,” i thash një ditë. “ Ju mund ta përdorni Sallën e Punëdorës, se është e madhe dhe keni njëzet e sa makina në dispozicion… Keni vend edhe për të pirë kafe e për të pushuar kur të lodheni fizikisht. Problemi është se cila grua është e gatshme – ta hapë e ta mbyllë – atë sallë që është e paisur me lloj lloj veglash e materialesh që iu duhen fëmijve. Unë s’ mund t’ i premtoj gjë pa marrë mendimin tuaj…” 

Bahria ra në hall dhe, në vend se të ma thonte mendimin e saj, ia qepi sytë Xhemalit. 

“ Ani qysh po thua, o burrë,” e pyeti. “Mos po i bëhet prag Selmani?”

“ Krejtësisht e mundshme,” tha Xhemali. ” Për mendimin tim, Xhejlani është gruaja më e përshtatshme për atë punë, por për ta futur në valle, duhet leja e të shoqit. E keqja me Selmanin është se ai është xheloz dhe askund s’ e lë vetëm. Megjithate, mendoj se s’ guxon të ta thej fjalën… Ai po ka ymyt të bëhet mësues dhe t’ ia marrë orët Ismet Xhelës. Unë them ta pyesim… N’ daç tani, n’ daç më vonë.”

“ Pyete tani,” i thash.

Jo, ai ishte i zënë, po s’ kishte kundër të shkonim në mbrëmje, pasi t’ i përcillnim fëmijët te shtëpia dhe ta mbyllnim Shkollën e pasditës.

“ Animirë, në mbrëmje,” i tha Xhemali.

Selmani na priti me “vinjak”. Ndesh me herat tjera, kur ishim zënë për ato gjashtë orët e Ismet Xhelës, ai ishte më i matur dhe më i sigurtë në vetveten, por në sytë e tij rezatonte një dobiçllëk i fshehur. E shoqja na zgjati dorën dhe iku në kuzhinë, për të na pjekur kafet.

Unë s’ isha i prirur për hyrje të gjata.

“ Kemi ardhur të ju pyesim për punën e rrobaqepsisë,” i thash burrit të zonjës Patoku. ” Motrat gra po kanë qejf të mblidhen një herë në javë dhe të mësojnë pak rrobaqepësi, por po na mungon një shoqe që e flet gjuhën shqipe. Ato paskan folur me Xhejlanin dhe paskan marrë përgjigje positive, por mua po më duket me vend të dëgjoj edhe mendimin tënd. Kursi do mbahet një herë në javë dhe në regjinë e organizatës ABF. Ne paguajmë kursin, ABF-ja e paguan shoqen tënde… S’ po shohim asnjë të keqe se del një herë në javë dhe i ndihmon motrat e saj.”

” Dhe fiton pak pare,” shtoi Xhemali, që njihej mire me Selmanin. 

Xhejlani s’ ishte e sigurtë.

“ Me jav kallxu serin, jam me dy mendje,” tha ajo, duke na vënë kafet përpara. “ Me disa shoqe si Bahria, Hatixhja, Drita, Xhevairja e Elmia punoj lehtë, ama janë disa tjera që munden me ma tharrtu jetën. Nejse… Unë ju kam premtuar se, nëse pajtohen, të mblidhemi sëbashku dhe t’ ua qepim fëmijëve nga një këmishë të bardhë, një palë pantallonte të zeza dhe një shami të kuqe, por varet se sa pajtohen me mua. Krejt materiali, për funde, këmisha e shamia s’ kushton më shumë se 1500 krona.”

“ Do bëhet si të doni,” i premtova. ”Merre këtë zotërinë dhe bleni materialet. E vetmja gjë që dua është: një kvito.”

Me kaq i dhamë fund asaj pike.

Nëse Xhejlane Patoku dhe burri i saj e quajtën çeshtje të vogël, për mua kursi i rrobaqepsisë ishte çeshtje e madhe, sepse për herë të parë në historinë e këtij qyteti motrat shqiptare do të zhvillonin një aktivitet të organizuar. Shi për ate i cakrruam gotat dhe pasi i shoqëruam me pak djathë, kaluam në një temë tjetër. Selmani i kishte kaluar pushimet në Beçiq.

” S’ kam qenë ndonjëherë në Mal të Zi,” i thash.

” Valla, gjynah,” tha Selmani.“ Mali i Zi është vend përrallor. Unë s’ e kisha xhepin për pushime, po duhej ta qerasja Profesorin.Tis’ besoj se e njeh, po ai punon në Shkollën e Lartë Pedaogjike në Ferizaj, ku jam regjistruar dhe kam dhënë dy provime.”

” Sa mirë,” i thash. ” Urimet e mia”.

Ai u fry si gjeli dhe më pa me sy ngadhnjimtarë.

“ Valla, nderi i takon Boris Iseavskit, mikut tim maqedonas, se për shqiptarët, kurrë nuk shtyhesha me Ismet Xhelën,” tha ai. “ Tash, ama, s’ do ta ketë lehtë, se kam Profesorin dhe për çdo vit e marr nga një provim apo dy… Njëmend do kushtojë pak, ama po provimet i kam të sigurta.”

“ Sot s’ ka gjo falë,” shtoi Xhemali. “ Me marka po blehen trojet… Me marka po blehen gratë… Me marka po blehen provimet…”

Unë s’ e pashë t’ arsyeshme të hyja n’ atë temë dhe, pasi e falenderova zonjën e shtëpisë, e luta Xhemalin të më çonte deri në Stacionin Qendror. Tani lakrorin e kisha gati: Xhejlani do merrej me gratë, unë e Arsimi me Shkollën e pasditës, ndërsa Ismet Xhela, Hajdar Reçi e Sami Dashi me të rriturit.

Xhejlane Patoku kishte të drejtë.Motrat gra, pa marrë parasysh sfondin e tyre, e përshëndetën nisjativën tonëme duartrokitje dhe kursi filloi dhjetë ditë më vonë. Duke qenë se egziston një raport për atë veprimtari dhe ai konsiderohet si më i miri që ka bërë një shoqatë emogrante, nuk po hyj në detaje, por po konstatoj se motrat tona, pa marrë parasysh ankthin që kishin nga makinat e qepjes, shkonin rregullisht në Sallën e punëdorës. Kjo veprimtari nuk përfundoi me mrekulli të mëdha, por i nxori ca herë nga shtëpia dhe i bashkoi me njëra tjetrën. Nga sa do të dëgjoja më vonë,  ajo që prente e qepte ishte Xhejlani, ndërsa nxënëset e saj pinin kafe e bënin llogje, por edhe kjo ishte njëfarë veprimtarie. Ato kurrë s’ kishin patur mundësi t’ i lenin burrat në shtëpi e të shkonin në ndonjë kurs. 

Mjerisht, s’ u desht shumë kohë për t’ iu dalë gjumi shokëve burra. Papandehur, që nga ora nëntë e mëngjesit e deri më dymbëdhjetë të natës, kafenetë e Rusengordit zienin nga thashethemet. Ishte prishur ”Shoqata e shqiptarëve”… Kishte ngordhur ”Shoqata Vëllazërimi”… Kishte pushuar Seksioni i Këngëve dhe Valleve Popullore… Udhëheqësi i Këngëve e Valleve Popullore kish dhënë dorëheqje… Ramadani po e enverizon Shoqatën… Ai s’ po ka tjetër punë veç të na prishë me gratë e me  fëmijët…

Edhe pse të gjithë e njihnin trurin e asaj fushate, asnjëri s’ e shqiptonte emrin e tij me zë.Të gjithë heshtnin si mumje.Jo njëherë, por njëqind herë, më kishin thënë se klubi i Safet Plluqkës, ajo pronë ligjore e popullit suedez, ishte strofull e një antishqiptari, por asnjëri – me përjashtim të Sami Dashit, Hajdar Reçit e Ismet Xhelës – s’ i kundërvihej Ajet Abdyl Latifit. Ndryshe nga nipi i tij, ky, edhe kur ishte gabim, s’ i kursente nofullat dhe tërë kohën i trembte me sankcione të Legatës Jugosllave. 

Realiteti fliste në gjuhë tjetër. Me të ikur Safet Selimi, në klubin e shoqatës s’ pushuan vetëm fjalët por edhe vjedhja e të ardhurave të përditshme. Të gjithë, madje edhe Nevzat Dallanguzi, e kishin kuptuar se ne, përkundër vështirsive që kishim, e kishim dëshmuar me vepër se ishim poaq të aftë sa dhe serbët, kroatët e sllovenët. 

Ky s’ ishte rezultat i përpjekjeve tona individuale, por rezultat i një fryme të re që e kishte mbërthyer Kosovën. Si nxënësit e mi, që kishin qenë në Kosovë, ashtu dhe prindërit e tyre, kishin vënë re se Kosova e kishte flakur gëzofin e robërisë. Atje dasmat bëheshin me Flamurin Kuq e Zi dhe këngët e vallet që këndoheshin në Prishtinë s’ dallonin shumë nga ato që këndoheshin në Tiranë. Të gjithë e kishin nuhatur se akulli i hegjemonisë serbe ishte thyer dhe përpiqeshin, me aq sa mundeshin, të mernin qëndrim. Xhemal Fetiu, fjala vjen, që dikur e shkonte gjithë ditën duke luajtur shah, tani lexonte gjithë natën dhe fliste hapur kundër Jugosllavisë. Hoxhë Sadriu, që një vit më parë kish qenë sherbëtor i Nevzat Dallanguzit, tani pinte kafe nën portretin e madh të Shote Galicës. Që nga ai incidenti i vjetër, të cilin e kam përmendur më herët, ai ua shpjegonte shqiptarëve Kor’Anin në gjuhën shqipe dhe Nevzati, dashur e padashur, duhej ta fuste bishtin nën shalë. Njerëzia vërtet i shmangeshin klubit, por kthenin shpesh në në zyrën e Seksionit ”Shote Galica”. Edhe Ismet Xhela, të cilin e patëm zgjedhur për të mbajtur kontakte me Legatën, mirte gazeta me vedi, por të gjitha i gjuante në shportë. Ai vargoi i trashë i robërisë sllave kishte pëllcitur dhe zënkat midis kroateve e slloveneve ishin trashur. Këto të fundit u acaruan edhe më shumë kur nacionalistët kroatë e rrëmbyen një aeroplan dhe kërkuan që Kroacia të shndërrohej në shtet demokratik. ( Vazhdon )

 

Shkruan: Ramadan Rexhepi