SHPËRNDAJE

Shini qëndroi në Playa del Bras tri ditë e tri netë. Nëse gjatë atij qëndrimi kishte pak dhembje të ndergjegjes që nuk mundej t’ ia plotësonte dëshirën Kasandrës, me Lukën ndodhi e kundërta. Duke pirë çaj e duke shkëmbyer mendime rreth tatëpjetës që kishte marrë feja katolike në principatat e mbreteritë e Evropës Veriore, ata u afruan edhe më shumë. Ndonëse kishin kaluar goxha do vjet nga pushtimi i Konstandinopojës, ata prore s’ e kishin të qartë si arriti një fis i vogël oriental t’ i grumbullonte gjithë ata popuj tjerë dhe me ndihmën e tyre të mbërrinte deri te portat e Vjenës.
Luka Shaub ishte një burrë i shkëlqyer. Ai ishte lindur në Milano, por shkollimin e lartë e kishte bërë në Franche Compté, krahinë kjo e vogël e Perandorisë, ku kishte studjuar dhe doktoruar teologjinë. Për të qenë aq i ri, ai posedonte dituri të mëdha mbi marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me besnikët e saj, dhe në veçanti me Filipin e Dytë, perandoria e të cilit fillonte nga qyteti Milano dhe shkonte deri në brigjet e Oqeanin Pacifik. Ajo që e bënte Lukën të afruar me njerëzit e arsimuar nuk ishin vetëm sytë e tij të qetë, të padjallëzuar, po dhe sinqeriteti me të cilin i mbronte botëkuptimet e tij. Kjo cilësi e karakterit të tij, me sa duket, kishte ndikuar edhe në vendimin e konteshës Alvarado që ta mbante afër dhe të mësonte nga ato që Luka nxirte në pah.
” E keqja me neve, katolikët, është se jemi reakcionarë,” tha të nesërmen, deri sa po pinin çaj në verandën e çiflikut . ” Jemi thartuar si turshia dhe s’ e shikojmë të vërtetën në sy. U mbushën gjashtdhjetë e sa vjet që Evropa s’ do të dijë për fanatizëm, ndjekje të shtrigave, zjarre të inkvizicionit e botëkuptime të prapa, por Ati Ynë, i lodhur nga pleqëria, gjithënjë po merret me ëndrra.”
” Prit pak, prit,” e ndërpreu Kasandra. ” Mos i jep kosës shumë, se s’ flitet ashtu për një prelat të lartë. ”T’ ishte se po merret me ëndrra, Ati i Shenjtë do rrinte në Milano dhe s’ do bëhej ipeshkv, kardinal e komisar i përgjithshëm i Inkvizicionit papal. Apo e kam gabim?”
” Ashtu mendoj edhe unë,” tha Pabllo.
” Ato që thoni ju nuk e shtojnë, por e dobësojnë shkëlqimin e tij,” ua ktheu Luka. ” Pse ndodhë kështu? Për arsye se Njeriu, që nga mosha e re, bën përpara. Nuk është detyra e Papës t’ i gjykojë njerëzit që përpiqen për dritë. Për fat të keq, ai është fanatik dhe si i tillë sot gëzon përbuzjen e të gjithë krishterëve që jetojnë në Holandë, Gjermani e Vendet e Ulta. Unë i preka protestantët, por mund t’ i prekja edhe myslimanët që, pa marrë parasysh përbuzjen tonë, kanë arritur te dyert e Vjenës.”
” Eh, tash po flet pa lidhje,” i tha Pabllua.” Ç’ lidhje ka Ati i Shenjtë me kusarët arabë apo janiçarët turq, që deri dje ishin të krishterë, ndërsa sot donë na pjekin në hell?”
” Ka, si s’ ka,” nguli këmbë Luka. ” Ati i Shenjtë, nga natyra, është asket. Kjo është fatkeqësia ynë. Sikur t’ ishte pakëz më diplomat, ai do t’ i mbante të krishterët tok dhe, nëse s’ do ta donte Evropa, do ta donte i Madhi Zot. Mjerisht, falë luftës që ka zhvilluar kundër vëllezërve ”heretikë”, luteranizmi është përhapur si zjarri. Jo të gjithë, po gjermanët, danezët, suedezet e holandezët e kanë bërë fe shtetërore. Qëndron apo po gënjej?”
” Qëndron,” tha Pabllua. ” Megjithate, t’ isha në vendin tënd, do të vazhdoja me analiza, por s’ do nxirja konkluzione. Dëgjo këtë Pabllon e marrë! Unë s’ kam ide të sakta mbi përhapjen e fesë islame, por konkluzonet tua janë të gabuar. Luteranët janë gjermanë, belg, anglez, holandez e skandinavë dhe ka mundësi që një ditë të na therrin, të na vrasin e të na hanë të gjallë, por eshtnat do na i ruajnë, se s’ kanë ku t’ i gjuajnë pos në truallin evropjan. Kjo s’ do të ndodhë me myslimanët. Ata janë të egër dhe s’ e dinë ç’ është mëshira. Ata kënaqen kur i shpojnë fëmijët me shtiza dhe i pjekin mbi zjarr.”
” Kështu është kur njerëzit infektohen me botëkuptime të prapa,” tha Shini dhe ua kujtoi miqëve të tij se edhe vetë kishte qenë robë i tyre. ” Unë kam qenë peng i tyre dhe kam vuajtur të zezat e ullirit. Megjithate, s’ e mbaj mend një rast që ta piqnin një fëmijë në zjarr. Në një kohë kur njerzia demoralizohet deri n’ atë gradë sa të besojë se përmbytja është zgjidhje të gjitha vuajtjeve të saj, në trurin e saj fillon amullia, lodhja dhe paragjykimet.”
” Këtë herë më pëlqeve,” i tha Luka. ” Prapa përçarjes tonë qëndron një dallgë e fortë pesimizmi, një histeri e ngjeshur me parashikime të rrejshme… Sipas tyre, të gjithë do të përfundojmë nën këmbët e një djalli të veshur me rroba arabe… Pastaj do të zbresë Mesia dhe me ndihmën e engjujve do ta korrë një fitore apokaliptike…”
Këtë herë Kasandra mori zjarr.
” Sa i përket paragjykimeve të fshatarve kastilinë dhe histerisë se dalë prej tyre, të jap të drejtë,” tha Kasandra. ” Kjo, pra, nuk guxon të na errësojë trurin deri n’ atë gradë sa ta përziejmë të vërtetën me gënjeshtra. Nëse djajt e veshur me rroba arabe janë shpikje të plakave, kusarët myskimanë nuk janë. Si mjerë ata bregdetarë që deri dje merreshin me tregti. Jo ti, po askush në botë nuk më bind se anijet e tyre janë të sigurta nga ata mishngrënës. Ka mundësi që egërsia e tyre egzagjerohet pak, gjë që ndodhë edhe në vendet e tyre, por e vërteta mbetet e vërtetë dhe fërkimet tona kanë filluar që nga dita kur kastilianët e shndërruan xhaminë e Granades në kishë.”
Luka Shaub e zuri kokën me duar.
“ Kjo dëshmon se kemi ngecur në baltë. Unë dua të nxjerr, ti bën çmos të më mbash në baltë. Mua më duket e natyrshme që ata na quajnë djaj, ty të duket e natyrshme t’ i quajmë mishngrënës. Kushdo që ka patur rastin ta lexoj një qarkore nga ato që varen nëpër kisha, e ka parë se Djalli gjithmonë vizatohet si arab. Edhe kjo më duket normale. Urrejtja kundër myslimanëve është një armë e fuqishme për ata që donë t’ i ushqejnë besimtarët me kashtë, edhe pse Ati i Shenjtë nuk duhej ta lejonte atë herezi. Paçka se trimi i fortë me shokë shumë, thotë proverbi. Pa Lartmadhërinë, Felipen e Dytë dhe – pa Serenisimon, Alvace Mocenigon dhe – pa fisnikët e Maltës e Doriat e Gjenovës, Ati i Shenjtë do t’ ishte një murg i mjerë. Fatlumnisht, ai sot është kleriku më i fuqishëm në botë dhe unë e lus Zotin të jetë gjithnjë i tillë. Kjo është n’ interesin tonë.”
Në mëngjesin e ditës së katërtë, deri sa po udhëtonin për në Tup Talë, Shini propozoi të pushonin pak në Firgas, ku dilte një ujë i tharrtë dhe i shëndetshëm. Vendasin thonin se ai ishte i mirë për shëndetin.
Luka s’ kishte asgjë kundër dhe propozoi të uleshin nën hijen e një druri të trashë, që vendasit e quanin dru kulshedre.
” Dje na the se zotrote ke qenë peng i barbarëve arabë,” tha Luka. ”Vërtetë janë të egër apo neve na duken të tillë?”
Shini e spërkati me një buzëqeshje të lehtë.
” Herodoti i quante barbarë të gjithë ata që s’ e flisnin greqishten. Nëse e ndjekim atë vazhdë, ne mund t’ i quajmë barbarë por jo të egër e mizorë siç i përshkruajnë fshatarët gjermanë. Ç’ është e drejta, ka në mezin e tyre barbarë, tregtarë skllevërish, plaçkitës, kusarë e dreqër me të bijt, po shumica janë si ne. Në mesin e tyre ka dhe zemërbardhë, burra të fisëm e prelatë shumë të ditur. Unë, madje, do të thosha se Libri i Shenjtë i tyre s’dallon shumë nga Bibla ynë. Bash përkundrazi.”
Luka përpak s’ e gëlltiti me sy.
” Po ti ke mësuar ta lexosh?”
” Kuptohet që kam mësuar,” tha ky dhe i dha Lukës të kuptonte që s’ donte të hynte më thellë.
” Dhe tani do të kthehesh në Fajakë, ku je lindur e je rritur?” e pyeti tjetri.
” Atë dëshirë e kam patur me vite, por mundësitë e mia kanë qenë minimale,” tha Shini. “Tani që kam mësuar se Lartmadhëria, Filipi i Dytë, do t’ i shkojë Papës në ndihmë, më kanë premtuar që dhe unë, si vullnetar, mund t’ iu bashkangjitem detarëve niranakë si kuzhinjer, pjatalarës apo lundërtar.”
Luka Shaub u mentua pak. Ai sapo kishte mbërritur në Tup Tala dhe dinte gjëra që Shini s’ i kishte parë as në ëndërr. Mjerisht, ky i fundit ishte tepër i varfër të studjonte në Gjenevë, Salsburg e Vendet e Ulta. Luka shtirej modest por përderisa ishte farefis me bankierin Le Guise, ishte i lirë si kryearteza në degë të mënit.
” Unë mendoj që s’ ke nevojë t’ i bashkangjitesh kujt si kuzhinjer apo pjatalarës,” i tha Luka. ” Me ato që ke mësuar në Venedik dhe ato që ke përjetuar si peng dhe ato që ke bërë në këtë ishull, ti meriton të ngjitesh në cilëndo varkë të Flotës Perandorake dhe të ikësh drejt vendlindjes sate. Po kështu s’ arsyetojnë kokboshët kastilianë. Ke ndonjë idé se në cilin vend do të mblidhen vullnetarët?”
“ Ate duhet ta dinë ata të ishullit Tan Tarot, ku gjendet komanda e Flotës Perandorake. Unë mund ta pyes Hirësinë, ipeshkvin Velasquez de Kastro. Mund ta pyes edhe komandantin e Gardës… Nga sa kam marrë vesh nga një miku im, shumë galera të Flotës perandorake janë mbledhur në Puerto del Tambor.”
” Atëherë, mos humb kohë, por shko në Komandën e Flotës Perandorake dhe paraqitu si përkthyes. Për mendimin tim, janë të pakët ata detarë që mund të maten me ty. Ti je shkolluar në Venedik dhe e flet italishten. Ti ke qenë peng i kusarëve dhe e flet arabishten. Ti ke jetuar këtu dhe flet të dyja gjuhët e vendit. Ku do ta gjejnë kapedanët një detar si ti? Ti s’ ke nevojë të bësh gjë pos t’ u dëftosh se çfarë ke bërë dhe çfarë mund të bësh, nëse paraqitet nevoja,” i tha Luka. ” Kurse ajo do të paraqitet… Mba mend fjalët e mia…”

*
Dhe Shini i mbajti. Gjatë kohës që Euzebi e ngante kalin dhe dëftonte mbi çifligjet që gjelbëronin majtas e djathtas, ai i përtypte fjalët e Lukës dhe i krahasonte me qarkoret që rektori Romeral gjithëmonë ua lexonte para orëve të mësimit. E dinte ai se me ndarjen e Kishës protestante nga kisha mëmë, Kisha katolike ishte dobësuar. E dinte poashtu se fama e Atit të Shenjtë, pas bulave dhe artikujve që kishte lëshuar mbi çelibatin, izolimin e priftërinjeve, etjera, etjera, nuk ishte më ajo që kish qenë. Për të qenë e keqja edhe më e madhe, papandehur kishte dalë një Superfuqi e re ushtarake dhe ia kishte shembur planet që kishte mbi çlirimin e Vendit të Shenjtë.
Papandehur kishte ndodhur Nikozia.
Tronditja ishte e madhe. Qiproja ishte shumë e rëndësishme për pozitën e saj gjeopolitike. Ajo ishte i vetmi ishull i lirë i Krishtërimit dhe e vetmja bazë operimi për kryqzatat e ardhshme. Tani që osmanllinjtë e kishin pushtuar kryeqendrën e atij ishulli dhe kishin vrarë njëzetmijë mbrojtës, dikush duhej të thërriste për hakmarrje. Shuplaka që kishin marrë të krishterët, si dhe përbuzja me të cilën flitej për ta, ishin të padurueshme.
Kjo ishte ora kur Krishtërimi duhej të bashkohej dhe, nën komandën e amiralit Huan de Austria, t’ u shkonin në ndihmë vëllezërve qipriotas. Ata duhej ta shpartallonin njëherë e përgjithmonë flotën e barbarëve myslimanë që ishte bërë pengesë serioze për tregtinë e vendeve të krishtera me tregtarët hindus e kinezë.
Ata folën edhe për gjëra tjera, por Shini – për arsye të panjohura – nuk i ka shënuar në ditarin e tij. Me sa duket, diçka e natyrës urgjente e nxiti të çonte dorë nga stili i vjetër i rrëfimit dhe të shënonte vetëm ca fjalë – e ca emra – e ca punë që duhej t’i bënte gjatë ditës. Në këtë aspekt, faqet që janë gjetur në fund të ditarit të tij, edhe si të tilla, janë poaq informuese sa dhe pusulla e një shtëpiaku që del për të blerë zarzavate.
Kjo nuk duhet të na dëshpërojë se, edhe si të tilla, ato na japin të kuptojmë që Shini kaloi menjëherë në veprim, shkoi në bashkinë e Tup Talës, takoi njerëzit që i duheshin, gjeti qarkoren e Atit të Shenjtë dhe, pas një vizite të shkurtër në Alta Lucia, u nis për në Puerto del Tamburon. Në këtë aspekt fjalët – a jutamiento, baho de gran vale, puerto del rosario, korraleho, puerto del tamburon, ministerio de gerra, oficina maritima, salida, once junio, llegada, alakran, la real, ekselencia, senjor marcantonio, senjor sebastian, pabellon nacional, costa brava, medina e golfo de arta – nuk janë tjetër por kapituj të cilët e kishte ndër mend t’i shkruante në ditar, por ngjarjet që zhvilloheshin rreth e përqark tij nuk i miratonin kohë për t’ i shkruar në letër. Të tilla dhe kanë mbetur.
S’ ka dyshim se ai, gjatë kohës që mblidhte të dhëna dhe përgaditej për rrugë, nuk u largua nga katedra të cilën ia kishte besuar rektori Romeral dhe i përmbushi obligimet e veta. Por ajo periudhë kohe s’ ishte veçse tri javë e gjatë.
Më 16 maj të atij viti mbaroi termini shkollor dhe Shini iku në Alta Lucia. Se sa qëndroi n’ atë fshat të largët, çfarë ndodhi midis tij dhe Ter Nindës, nuk dihet me siguri, por Sili Dede, miku i tij i ngushtë, në fletoren e tij ka shenuar tri fjali që dëftojnë goxha shumë. Këtu poshtë po i japim në gjuhën shqipe, edhe pse ato janë të shkruara në gjuhën kastiliane.
” Sot pasdite hëngra drekë me Shinin. Ai iku për në Alta Lucia dhe një Zot e di kur do të shihemi.”
Mjerisht, ata dy nuk u panë më në jetë.
Tani kushtrimi ishte dhënë. Kushdo që besonte në Krisht dhe e mbante veten të krishterë duhej të rendte drejt Qipros. Papa Piu i Pestë, përfaqsuesi i të Madhit Zot mbi Tokë, i kishte njoftuar bijt e tij se Nikozia kishte rënë dhe njëzetmijë të krishterë e të krishtera, shumica gra e fëmij, ishin there si qengja. I vetmi qytet që mbahej në këmbë ishte Famagusta, po dhe ai mund të binte në duart e barbarëve.
Kërkesa e tij ishte e arsyeshme. Pas disfatave që kishin pësuar në Jerusalem, Konstandinopojë, Rodo, Lepanto e Nikozia, të krishterët duhej t’ i ndihmonin vëllezërit venedikas dhe ta ripushtonin Qipron. Kjo s’ duhej bërë për hir të Venedikut, po për hir të Krishtërimit, të cilin e përbënin Kastilja, Venediku, Savoja, Vatikani dhe fisnikët e Urdhërit Maltez. Pas një konsultimi të përshpejtuar nga selia e Atit të Shenjtë, këto superfuqi themeluan Ligën e Shenjtë dhe i shpallën luftë Perandorisë Osmane.
Pa marrë parasysh qarkoret që shpërndau Ati i Shenjtë nëpër kryeqendrat e Evropës së Krishterë, lufta e Ligës së Shenjtë nuk ishte fetare. Bash përkundrazi, ajo që i afroi fuqitë e lartpërmendura ishin interesat e përbashkëta ekonomike. Flota Osmane përfaqsonte një rrezik të ri per tregtine që me qindra vite kishte qenë në duart e venedikasve, gjenovezve dhe kastilianëve. Humbja ishte tepër e madhe dhe të gjithë, pa marrë parasysh qysh i shtronin arsyetimet e veta, e dinin se Mesdheu ishte një udhëkryq dhe shumica e incidenteve që kishin ndodhur në ujrat e tij kishin të bëjë me tregtinë që zhvillonin me Indinë dhe Iranin. Njëra nga ato superfuqi ishte Republika e Venedikut, por as Perandoria Kastiliane s’ i mbetej prapa.
Tani të gjithë kastilianët e dinin se rruga ishte falë. Çdo vullnetar që kishte përvojë lufte dhe donte të vriste djaj ”musulmanë” mundej të ngjitej në cilëndo anije që shkonte për në Malaga, Valencia apo Barcelona dhe të hante falas. Mjaftonte të paraqitej në një qendër rekrutimi dhe të nisej me anijen e pare.
Vlen të ceket se numri i anijeve që filluan të vinin nga Nuevo Mundo nuk ishte i pakët. Liga e Shenjtë përbëhej nga pesë fuqi detare por ajo që qëndronte në ballë të tyre dhe paguante shpenzimet e luftës ishte La Kastilia. Shi për atë arsye, flamuri i saj u bekua nga vetë papa, Piu i Pestë, dhe pas një udhëtimi të shkurtër nëpër Dy Siciljet, iu dorëzua amiralit të përgjithshëm Huan de Austria, që ishte gjysëm vëlla perandorit. As bashkpunëtorët e tij s’ ishin më pak të fisëm. Sinjor Markantonio Kolona ishte amiral i Flotës papale, ndërsa Shkëlqesia Sebastian Venier ishte kapedan i përgjithshëm i Flotës detare të Venedikut.
Data e saktë kur Shini e la Tup Talën nuk është e sigurtë. Ka gjasa që ai qëndroi pak ditë në Alta Lucia, ku gjithënjë jetonte Ter Ninda, dhe pastaj doli në Puerto del Rosario dhe q’ atej vazhdoi për Puerto del Tamburin. Ka mundesi që ai doli në ishullin Tura Tura dhe, pasi e gjeti një kalë të lirë, vazhdoi për në Puerto del Tamburin.
Sido të ketë qenë puna me qendrën e rekrutimit, ngjarjet që zhvillohen në çerekun e tretë të atij viti dëshmojnë se Shini ishte me fat dhe merita që nuk përfundoi në fund të detit, siç ndodhi me mijëra e mijëra të tjerë, i takon lektorit Luka Shaub, që e këshilloi të kërkonte punë si përkthyes. Duke qenë se ishte venedikas dhe n’ atë qytet i kishte mbaruar studimet, ata të Flotës detare ia vunë në dispozicion kapitenit të Fregatës kastiliane, zotit Hose Luis de Selva, që aty për aty ia gjeti një gabinë pranë vetes. Përndryshe, dy galeasë tjerë, të ardhur nga ujrat e Atlantikut, si dhe shumë galera tjera ishin nisur për në Palermo. Sipas një plani të përbashkët, anijet luftarake të Vatikanit, Gjenovës dhe Maltës duhej t’ iu bashkangjiteshin atyre të amiralit de Austria në Palermo. Ndërkohë, ai dhe forcat tjera detare do ta ndiqnin bregdetin dhe do t’ i prisnin në Ngushticën e Mesinës.
Gjithëçka dukej në rregull. Ishte verë, moti ishte i ngrohtë dhe faqet e bardha të ditarit dëshmojnë se Shini kishte aq shumë të bënte, sa që harroi se egzistonte fjala pendë e fletore. Është krejtësisht e mundshme që tani, si përkthyes i një kapedani të fregatës, duhej t’ i përkthente në gjuhën italishte, në mënyrë që dhe ata të forcave jokastiliane t’ i kishin urdhërat të qarta. Tania i s’ kishte kohë as për veten, as për ata me të cilët e kishte kaluar një copë të jetës.
Ndërkohë ndodhi ajo që as vetë papa, Piu i Pestë, nuk e priste: pikërisht n’ ato ditë turqit e pushtuan Famagustën, kështjellën e funtme të Krishterimit. Katrahura e krijuar nga ajo disfatë u shtua edhe më shumë kur u mor vesh se të gjithë oficerët venedikas u torturuan deri në vdekje, ndërsa komandanti i kështjellës u rop i gjallë. Aty e tutje s’ bëhej më fjalë për ndonjë mbrojtje heroike të Qipros por për një hakmarrje kundër padrejtsive të bëra nga ”musulmanët”. Ndonjë frikë se turqit do ta pushtonin Evropën dhe do t’i skllavizonin popujt e krishterë nuk egzistonte. Ç’ është e drejta, ishin të krishterët ata që, me arsyetime të ndryshme, donin ta pushtonin Lindjen e afërme dhe t’ i shfarosnin popujt që jetonin atje. Kryqzatat ishin kujtime të hidhura dhe shembull i dyfytyrsisë evropjane. Genocidi dhe shpërngulja e dhunshme e murëve andaluz, ku kishin jetuar me qindra vite, ishin gjithnjë të freskta. Amirali Huan de Austria ishte njëri nga ata që i kishte duart të përlyera me gjak.
Pas pushtimit të Qipros, amirali turk Ali Pasha dha urdhër që flota e tij, e përbërë nga dyqind e pesëdhjetë anije e 30 mijë detarë, ta ndiqte bregun e djathtë të Adriatikut dhe të pushonte në Gjirin e Artës, ku gjithmonë e kalonte dimrin. Itirenari që zgjodhi ai ishte në përputhje të plotë me arsyen e shëndoshë. Gjiri gjendet përballë thembrrës së Italisë Jugore dhe sinjalizonte praninë ushtarake të osmanllinjëve në Mesdheun Perëndimor. Ndërkaq, lëvizja e flotës turke u bë shkas për një nervozitet të tepruar. Ku ishte nisur, vallë, Ali Pasha dhe mos kishte plane të zbarkonte në Italinë Jugore?
Në fillim, derisa nuk dihej fati i mbrojtësve të Famagustës, të gjitha forcat e Ligës ia kishin mësyer ishullit Qipro. Tani që Qiprua ishte e humbur dhe forcat detare turke po e ndiqnin bregdetin e Epirit Perëndimor, amirali Vieri u dha urdhër që forcat e tij detare të dilnin në detë dhe t’ i pritnin forcat tjera afër ishullit Zakinto. Ai ishte i mendimit se forcat e përbashkta të Ligës, para se të vazhdonin drejt Egjeut, duhej të furnizoheshin me ushqime në ishujt Lefka, Qefalonia dhe Zakinto.
Sapo erdhën lajmet e para mbi dukjen e Flotës së krishterë, shtabi i Flotës osmane u tubua dhe vendosi të dilte e ta priste në detë të hapur. Ishte ky një gabim fatal. Vetë Myzeinzade Ali Pasha ishte i mendimit ta joshte armikun brenda në Gjirin e Artës dhe pastaj ta asgjasonte me zjarr nga të gjitha anët, por vartësit e tij thanë se, n’ atë mënyrë, do ta turpëronin Sulltanin.
Në mëngjesin e datës 7 tetor të dyja palët ishin gati. Më në fund kishte ardhur dita kur do të vendosej se cila fe ishte zonjë e Mesdheut: feja islame apo feja e krishterë. Të krishterët kishin shkuar aq larg saqë edhe velat e anijeve i kishin ngjyrosur me kryqa të kuq.
Vlen të ceket se në atë orë, kur rrezet e diellit sapo kishin rënë nga qielli dhe e kishin veshur Jonin me dritë, Shin d’ Abati gjendej në mesin e detarëve të anijes ”Real”. Pas shërbimeve që kishte bërë si përkthyes, ai, me urdhër të kapedanit de Selva, kishte mbetur aty më shumë për t’ u gjetur, se për të luftuar.
Këtë herë Zoti ishte me të krishterët. Ndryshe nga galerat e shumta turke, bashet e të cilave ishin të veshura me hekur dhe manevroheshin nga skllevër të stërvitur për atë punë, inxhinjerët venedikas e kishin shpikur një tip të ri anije që pezullonte më lart mbi detë, manovronte me ndihmën e velave dhe ishte i pajisur me topa të montuar në bash, kiç e të dyja anët e kuvertës.
“Reali” ishte galera me e madhe e kohës dhe përdorej si flamurtar i betejës. Edhe ashtu i rëndë e i ngarkuar me topa të madhësive të ndryshme, ai drejtohej nga treqind lundërtarë të shkathët dhe mbrohej nga katërqind detarë e ushtarë që kishin detyra të caktuara për ta manovruar, për të qëlluar me topa dhe për ta mbrojtur flamurin e betejës. Liga e Shenjtë dispononte me gjashtë galeastë të tillë, Ali Pasha me asnjë.
Beteja filloi me një surprise.
Duke e vëzhguar radhën e parë të anijeve të armikut, amirali Ali Pasha vuri re diçka që s’ i përngjante ikonografisë së moçme: përpara vijës së gjatë të galerave luftarake kishin dale gjashtë velanije të mëdha. Në fillim ai dhe anëtarët e shtabit të tij mentuan se ishin të ngarkuara me ushqime dhe gabimisht kishin hyrë midis palëve të luftës. Në të vërtetë ato ishin luftanije të sapodala nga duart e mjeshtërve venedikas dhe secila ishte e paisur me nga pesëdhjetë topa të kalibrit të madh, të vendosur në të dyja anët e kuvertës dhe me mundësi të qëllojnë në të gjitha drejtimet.
Mu n’ atë çast ato hapën zjarr. Oshtima e topave të tyre ishte rrëqethëse. Për veshët e palës së krishterë ajo ishte si një melodi e këndshme, një mot me shi e murmurima; për veshët e palës osmane ajo ishte si orkan biblik që kishte ardhur me breshër e gjyle që copëtonin gjithëçka që u delte përpara. Si për inatin e myslimanëve, edhe moti ishte me topxhinjtë venedikas që qëllonin me një saktësi të përsosur. Për një kohë fare të shkurtër u copëtuan dhe u nxorën nga lufta më shumë se shtatëdhjetë luftanije osmane. Njerëz të vrarë e të plagosur, vela të këputura e të përcëlluara nga zjarri, varka të shpuara e të dala nga përdorimi, i mbushën ujrat që gjendeshin midis anijeve që gjithnjë ecnin përpara, për pa gjuajtur mbi luftanijet e krishtera. Kur erdhën fare – fare afër, galeasët filluan t’ i qëllojnë me gjyle rrushi, një municion tjetër që i gymtonte të gjithë ata që provonin të ngjiteshin në kuvertën e tyre.
Galerat osmane u shndërruan në therrtore. Kuvertat e tyre u mbushën me të vrarë e të lëndur. Nga dallgët e detit, që ishin mbushur me të plagosur e lënduar, vinin çirrma të ngjethshme për ndihmë. Shumë prej detarëve që kishin rënë poshtë u thyen dhe copëtuan nga anijet që s’ dinin nga t’ ia mbanin. Bashk me anijet që zhdukeshin nën faqen e detit iknin dhe qindra e mijëra lundërtarë të krishterë, të cilët s’i këpusnin dot prangat e duarve.
Koha kishte ndryshuar. Nëse s’e kishte ditur më parë, Ali Pashë Myezinzade do ta mësonte ate para se të vinte mesdita. Ai kishte dyfish më shumë ushtarë se armiku dhe 750 topa. Armiku, n’ anën tjetër, kishte dyfish më shumë topa dhe më pak ushtarë. Megjithate, armikut i shkonte puna mbarë, pashait prapësht. Galerat që Pashai kishte nxjerrë në ballë ishin bërë jahni. As galerat e atij qymyrxhiut, Shulukut, s’ i kishin punët si duhet. Ai qeni italian, amirali Babarigo nga Venediku, bënte kërdi. Ali Pasha kishte patur, por s’ kishte më luftëanije në krahun e djathtë. Ushtarët e tij nuk i kursente njeri dhe i vriste deri më një. Atij i duhej të bënte diçka dhe ta ndërronte fatin e luftës. E ndiqte ai luftën nga ” Sulltana” dhe, krejt rastësisht, e pa flamurin kastilian që shquante në kiçin e galerës ”Real”. Atje ishte armiku i tij. Ai qeni kastilian duhej vrarë dhe ai flamur duhej ulur, duhej coptuar, dhe kryqi i tij duhej flakur në detë. Ai kishte nëntëdhjetë e shtatë galera në dispozicion, me qindra janiçarë dhe, atë çast që ta shtinte ”Realin” në dorë, të krishterët do të kërcenin vetë në ujrat e detit.
Sa hap e mbyll sytë dha urdhër për sulm. Janiçaret tij, shumica të krishterë nga prejardhja, por të stërvitur nga Sulltani, duhej të çanin rrugë e ta shuanin luftanijen e amiralit de Austria, që gjithnjë villte gjyle e bënte kërdi mbi flotën turke. Ata e thirrën në ndihmë Mëshiruesin e Madh, Allahu Ekber, dhe në gjuhë të ndryshme u turrën drejt luftanijes së armikut.
Ja tash, ja kurrë.
Detarët e ”Realit” u bënë gati për mbrojtje. Në të dy krahët e kuvertës dolën priftërinjtë dhe filluan t’ u jepnin zemër ushtarëve. Edhe vetë ishin armatosur me shpata. Njëri prej tyre ia zgjati Shinit një shtizë të gjatë dhe e urdhëroi ta mbronte anijen, t’ i mbronte shokët.
” Ja tash, ja kurrë,” i tha me zë të lartë.
Lufta bëhej fyt më fyt. Detarët turq vinin valë valë dhe provonin të ngjiten në luftanije, këta i shponin me shtiza, thua se ishin thasë. Aty s’ ishte vendi të mendoje se sa e drejtë apo e padrejtë ishte vrasja. Nëse nuk vrisje, të vrisnin. Fatlumnisht, për dallim nga armiqët që ishin të armatosur keq, bashkluftëtarët e tij ishin të paisur me kokarda, harneska dhe hekurishte tjera. Ato ishin mbrojtje e mirë kundër shigjetave, shpatave dhe pisqollave, por jo dhe efektive për ata që binin në detë. Të armatosur me kobure e shtiza të gjata, kastilianët kishin përparsi në mbrojtjen e luftanijes. Luftonte kapedan de Selva, luftonte Shini, luftonin të katërqintët.
Papandehur u bë një kaos i madh. Të dyja radhët e galerave u ngatërruan në një përqafim rrëqethës të barkave, rremave e njerëzve që fluturonin në detë. Me thika në dhëmbë e palla të zhveshura u turrën janicarët e Ali Pashës, por u thyen nga zjarri i topave të amiralit de Austria. Rreth e përqark galerës ”Real” ushtarët e kishin shtrirë një rrjetë telash të trashë që i pengonte sulmuesit të ngjiten në kuvertë. Dhjetra e dhjetra ushtarë u vranë e u therrën si qengja. Pakëz më vonë ndeshja kaloi në kuvertën e luftëanijes ”Sulltana”, të cilën e sulmuan ushtarët kastilianë. Ata u zbrapsën dy herë, të përgjakur e të lënduar, me humbje të mëdha, nga janiçarët e Ali Pashës, por në sulmin e tretë ia dolën ta thejnë qëndresën dhe – falë të Plotfuqishmit – ”Sulltana” ra në duart e tyre. N’ atë valavamë që zhvillohej fytafyt, Ali Pasha u vra para ushtarëve të tij dhe koka e tij u ngrit në ajr. Edhe kjo një shenjë që Flota osmane ishte duke e humbur luftën. Ndërkohë, ushtarët kastilianë e ulën flamurin e gjelbër dhe, në vend të tij, e ngritën flamurin me kryq të zi. Kjo gjë e theu moralin e trupave osmane dhe ata, në tërheqje e sipër, filluan të kërkojnë rrugëdalje… Beteja që duhej të mbaronte me një triumf të ri të Flotës osmane ishte humbur. Si mjerë ata që do t’ i dilnin Sulltanit përpara…
I pari që iku me bisht nën shalë ishte amirali Ulluç Ali Beu, për të cilin flitej se ishte italian. Ai arriti ta thente vijën e luftanijeve malteze dhe, pasi e mori galerën e tyre si plaçkë, iku me fregatën e tij drejt Detit Egje.
Kështu mori fund ajo betejë e madhe. Më e madhja që mbahet mend pas luftërave të zhvilluara midis Romës dhe Kartagjenës. Në atë betejë Flota e krishterë e theu njëherë e përgjithmonë hovin e Flotës osmane drejt Mesdheut jugperendimor. Deti Jon s’ i përngjante më vetes dhe atë ditë veshi një ngjyrë të purpurtë. Hiç më pak se njëqind e tetëdhjetë anije të paisura me rrema, topa, gjyle e amunicion tjetër u morën si plaçkë. Një shtresë e trashë dërrasash e mishi, e gatuar nga lundrat e coptuara, kufomat e njerëzve, velat e litarët e trashë, i kishte hipur detit. Me ditë të tëra dallgët e detit nxorën kufoma në bregdetin e Artës.
Që nga fillim, amiralët e Ligës, për ta nënvizuar karakterin e asaj lufte, vendosën që të mos marrin skllevër dhe çdo mysliman që do të binte duart e tyre do të therrej si qengj. Rrjedhimisht, menjëherë pas betejës, u lëshua në detë një varg patrullash që duhej ta vrisnin çdo detar e ushtarë turk që kishte shpëtuar i gjallë. Çdo varkë, galeast e galerë merrej si plaçkë lufte. Përafërsisht tridhjetëmijë detarë e ushtarë e lanë kokën n’ atë vend dhe një e treta ishin të krishterë. Çdo oficer e kapedan i flotës turke sëpari u var, pastaj u hodh në detë.
Ajo pasdite ishte e gjatë dhe e tmerrshme. Jo për të gjithë, kuptohet, por për ata që e kishin mbledhur gjithë atë flotë luftarake. Të gjithë amiralët e Ligës së Shenjtë u ftuan për drekë në “Royal” dhe nga nënkuverta e saj u soll vera që ishte rezervuar për atë ditë. Në po atë drekë u bë dhe ndarja e plaçkës, me ç’ rast palët morën një pjesë të barabartë. U vendos që të gjithë kastilanët e lënduar në luftë të liheshin në ishullin Malta.
Po atë pasdite, deri sa po dilnin nga salla ku kishin ngrënë bukë, kapedani de Selva e pa dhe përkthyesin e tij. Ai ishte aq i kënaqur me guximin e tij, sa që nuk dijti se me çka mundej ta nderonte atë venedikas që ishte edhe venedikas, edhe kastilina.
” Çfarë mund të bëj për ty,” e pyeti Shinin e veshur me rroba të përgjakura.
” Fare pak, senjor,” ia ktheu ky. “ Nëse më leni në një galerë të Venedikut, do më nderoni shumë. Unë s’ dua tjetër pos të vete në Fajakë dhe q’ atej ta shikoj vendlindjen e të parëve të mi. Nëse s’ e keni ditur, ju njoftoj se malet e atij vendi janë gjithnjë të veshura me borë.”

Shkruan: Ramadan Rexhepi