SHPËRNDAJE

 

Demonstratat e Kosovës na kapën në gjumë. Atë mëngjes që televizioni suedez emitoi një lajm të shkurtër mbi pakënaqsinë e studentëve të Prishtinës, shumica e malmoitëve bënin kokrrën e gjumit. Edhe më të fjetur ishin anëtarët e një ansambli “ të përzjerë” kulturo – artistik që kishte ardhur në Suedi për t’ i argëtuar shqiptarët e Jugosllavisë me këngë dhe për t’ i forcuar lidhjet e tyre me “vendlindjen”. Të paktën ashtu shkruante një palogazetar i “Rilindjes”, i cili, dy tri vjet më vonë do t’ ia mbathte vetë në Suedi për t’ i forcuar ato lidhje. Se kush i nisi demonstratat dhe cilëve “shki-pëtarë” duhej t’ u shërbenin ato, atyre të Kralevës apo Çorovodës, ate do ta dëftojë koha. Kryesorja, ne partizanët e Shqipërisë Ethnike, i përshëndetëm pa rezerva, kurse vëllezërit e Jugosllavisë i dënuan. Ne, irredentistët, siç na cilësoi shtypi jugosllav, e përshëndetëm revoltën, kurse “shqiptarët e ndershëm”, që natë për natë mblidheshin në Legatën Jugosllave, iu bashkangjitën klasës punëtore jugosllave dhe i quajtën demonstratat “irredentiste”, “separatiste” dhe “anti-jugosllave.”
Akuza e vëllezërve tonë sa ishte e ngutur, aq ishte edhe dekurajuese. Po të hyjsh në qilarin e asaj epoke dhe t’ i përshkruash fazat e saj njërën pas tjetrës është njësoj si ta zgjidhësh thesin e Zotit Ajol dhe të kërcesh në një dimenzion tjetër të mënyrës lidhore.
Qeveria jugosllave, e shqetësuar për iftibarin e saj liberal, nxorri nëpër kryeqendrat e Evropës Perendimore agjentët e saj më të regjur. Detyra e tyre ishte të përgjojnë dhe ta rilevosin hartën më të sigurtë të “ lëvizjes irredentiste ”. Kësisoji, në Suedi erdhi Beqir Hoti dhe një serb nga Peja, në Gjermani u nis Bashkim Hisari, në Belgjikë një shok i Bashkim Hisarit, por të gjithë ata dolën me qëllime të pista dhe antishqiptare. Ata “bij” të Jugosllavisë Titiste, që ushqenin averzion të madh kundrejt Lëvizjes Kombëtare, u vendosën nëpër shtëpitë e qytetarëve shqiptarë dhe natë e ditë mbanin mbledhje informative; pjesërisht për t’ i gozhduar burrat nëpër shtëpi dhe, pjesërisht, për t’ i sabotuar revoltat që zienin në të dyja anët e Ngushticës që ndanë Gadishullin Skandinav nga Danimarka.
Valavama nuk pushoi as atbotë kur e vranë Kadri Zekën dhe vëllezërit Gërvalla. Përkundrazi, gjatë asaj errësire që ziente nga akuzat, kundërakuzat, kërcnimet, diferencimet, arrestimet, gazi lotues dhe dhuna e organizuar policore, Legata Jugosllave i kishte përpunuar “shqiptarët e ndershëm” aq mirë sa që s’ bënin kabull as të ulen me ne, jo më të kuvendonin për situatën politike në vend. Ashtu e çuan ca kohë por një ditë, me nisjativën e legatës së lartpërmendur, ata na denoncuan edhe në Policinë suedeze dhe kërkuan mbrojtje prej nesh. N’ ato rrethana u arrestua Kosovë Rexhë Balë, poeti, shkrimtari dhe disidenti i moçëm politik, u shqelmuan shumë të tjerë, kurse Avni Ajdinin u katandis në Spitalin e Geteborgut, sepse e kishin kafshuar qenët e Policisë suedeze.
A merrnin pjesë të gjithë shqiptarët n’ ato demonstrata? Mjerisht, jo. Kishte në Suedi edhe shqiptarë tjerë, që kishin lidhje më të forta se unë e Kosovë Rexha, por s’ bënin kabull t’ i sakrifikonin njerëzit e tyre në Kosovë. Ata i lexonin “Stinët e Jetës” me interes të madh, por s’ ia çonin Kosovës as nga 100 krona si ndihmë humanitare. Kishte në Suedi mjekë, afaristë, teknikë të televizionit, hoxhallarë, por ata e konsideronin veten turq dhe preferonin të rrinë prapa tuçkave të motrave suedeze, se ajo jetë ishte më e mirë dhe më e rahatshme. S’ ka dyshim se Janat dhe Jovanat e tyre, që kurrë s’ e mësuan një fjalë të gjuhës shqipe, do të propagonin më mirë se unë e Ulmar Kviku, por baballarët e tyre i larguan nga balli i luftës. I tërë ai taraf i “atdhetarëve të moçëm” sikur priste që Kosova të çlirohej vetë dhe ata të shkonin e të uleshin drejt e në karrigën e Ibrahim Rugovës.
Kështu ecte jeta në kurbet. Aty nga tetori i vitit 82 përjetuam edhe një surprizë të re: erdhën “bolshevikët” e parë kosovarë dhe e sollën Lëvizjen në Suedi. Për çudinë tonë, ata s’ erdhën ashiqare, siç është zakon në Evropën Perendimore, por fshehtas, si në Avganistan. Se çka ishte ajo LPRSK-ja, cilët e kishin themeluar dhe çfarë synimesh kishte ajo organizatë për të ardhmen e shqiptarëve të Jugosllavisë, s’ dinte njeri, por vetë emri i saj i gjatë dhe ata që e sollën në mjedisin tonë, premtonin se kjo ishte një “rrymë “ e fortë patriotike dhe kërkesat e saj ishin të drejta. Ndonëse s’ isha aspak i nxehtë për ndonjë republikë të shtatë jugosllave, i prita dhe përcolla komisarët e saj me respekt, plotësisht i bindur se njëmend po shkonin në Norvegji. E vërteta është se të gjithë ata ishin nisur në Suedi, edhe ate, pjesërisht për të kërkuar strehim politik, dhe pjesërisht për ta joshur diasporën e atjeshme në demonstratat e Shtutgartit, ku do të shënohej 1-vjetori i vrasjes së Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla.
Janari i 83-shit ishte i begatë me shi e me borë. Përderisa të tjerët ikën në grupe, kush me tren e kush me furgon, unë pata kënaqsinë të udhëtoj me makinë private. Pronari i saj, Hasan Kadria, pinjoll i një dere të shquar preshevare, ishte njëri nga shokët më të ngushtë të Kadri Zekës. Ai e kishte përcjellë dhe shoqëruar Kadriun në të gjitha demonstratat e Evropës Perendimore, kishte pritur miq e kishte hedhur valle në dasmën e Kadriut, kishte marrë pjesë në ndejën ku u çfaqën tre filmat shqiptarë dhe mbante mend çdo fjalë që ishte shqiptuar para se Bardhi, Kadriu dhe Jusufi të rrëzoheshin në altarin e Mëmëdheut. Vrasja e Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla i kishte bërë përshtypje të madhe dhe ai ishte i sigurtë se prapa atij krimi nuk qëndronte vetëm Udba jugosllave, por edhe Sigurimi shqiptar.
Me të dalë nga Hamburgu ia behu një mjegullë e trashë, e mërzitshme, e cila, sa më në jug që shkonim, aq më shumë shëndrrohej në borë e skllotirë. Duke qënë se ishim rritur në të njejtën lagje, thuajse krejt rrugën e kaluam duke biseduar për dajallarët e tij dhe, posaçërisht, për Ali Aliun e Zenel Kelmendin, me të cilin isha parë në Durrës, krejt rastësisht dhe nja dhjetë vjet më parë. Biseduam edhe për Kadri Zekën e vëllezërit Gërvalla, për të cilët kishte konsiderata të larta. Biseduam edhe për të fejuarën e tij, një vajzë simpatike shqiptare, me të cilën Hasani ishte fejuar nja tri javë më parë, edhe ate në Ambasadën Shqiptare të Stockholmit. Çuditërisht, ai e kishte ndër mend ta prishte atë fejesë sepse “shokët” e Ambasadës, sapo kishin marrë vesh për gjenezën e saj, në vend se ta uronin që kishte gjetur një vajzë simpatike dhe, para së gjithash, shqiptare, i kishin dhënë “ të kuptonte” se ajo ishte bijë e një dere reakcionare dhe babai i saj, ndonëse i vdekur qëmoti, kishte qënë nacionalist.
Të nesërmen, pak para se të fillonin demonstratat, u njoha me Xhafer Shatrin. Xhaferi më la përshtypje të mira dhe aty për aty më luti ta bëja një reportazhë për “Zërin e Kosovës”. Po atë ditë do njihesha edhe me ca “baballarë” tjerë. Milaim Zekën e takova pranë Stacionit Kryesor të Shtutgartit, duke ndarë trakte dhe recituar vjersha patriotike. Me Xhafer Durmishin do njihesha më vonë, pasi të mbaronin demonstratat dhe të gjithë, ashtu siç ishim, do të shkonim në Varrezat e Qytetit. Në demonstratat që do zhvilloheshin pastaj në Suedi, Norvegji, Zvicër, Gjermani e Francë, unë do të njihesha edhe me Hasan Malën, vëllezërit Haradinaj, Xhavit Halitin, Hajdin Abazin, Ibrahim Kelmendin, Gjyle Krasniqin e shumë të tjerë që kanë figuruar dhe po figurojnë në faqet e shtypit të sotëm shqiptar. Të vetmit burra që kanë ardhur e janë prezantuar me emër e mbiemër kanë qenë Ibrahim Kelmendi dhe Sabri Novosella.
Do t’ isha shumë i ultë po të thoshja se ndonjëri prej tyre ka qenë i pasjellshëm me mua. Të gjithë ata ishin gojëmbël e të bindur me mua, sepse kishin krijuar përshtypje se unë, duke marrë pjesë aktive nëpër demonstrata, iu kisha bashkangjitur Lëvizjes Popullore pa kurrfarë rezervash. Kjo është e vërtetë vetëm deri në gjysmë, por jo plotësisht, sepse tërë jetën jam përpjekur për një Shqipëri Ethnike, një Shqipëri të Bashkuar, dhe nëse kam hartuar thirrje, trakte, memorandume, telegrame e shkresa të ndryshme, ajo ka qënë për t’ i përmbushur detyrat që m’ i ka caktuar populli im. Kushdo që dyshon në fjalët e mia duhet ta lexojë “Udhëkryqin”, romanin tim të pabotuar në Kosovë. E nëse kam ndjerë afërsi me ndonjë pjese të Lëvizjes, ajo ka qënë Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi, që aspironte një Kosovë të Pavarur e të lidhur me Evropën Perendimore.
Demonstrata e Shtutgartit mbolli ca mbresa marramendëse në kujtesën time. Në mëngjes moti ishte i mirë por pasdite qielli veshi një plaf ngjyrë katrani dhe filloi të binte një borë e përzjerë me shi. Njerëzia, të ardhur nga të katër anët e Evropës, të lodhur, të pagjumë, çapëlonin në drejtim të varrezave, por ecja e tyre ishte e ngathët, e rëndë dhe tej mase e ngarkuar me grushta, klithma, parulla e ekstravaganca bolshevike.
Papandehur, derisa po kalonim nëpër Varrezat e Shtutgartit, m’ u kujtua vendlindja ime, sheshi i saj kryesor dhe klithmat e qytetarëve preshevarë për Triesën, një liman italian që kurrë s’ e kishin parë me sy… “Zhivot – damo, Trst – ne damo”, “Zhivot damo – Trst ne damo,” “Zhivot – damo, Trst ne damo”… Edhe nuk e dinin se ku gjendej ajo Triestë e Djallit, ata thërrisnin si papagaj, sepse ashtu i mësonte Partia Komuniste Jugosllave dhe njëfarë Dragi Shoku. Po ata fshatarë e qytetarë çka kërkonin? Ata kërkonin diçka tjetër, diçka që ishte e drejta e tyre ligjore, por sipas avazit të bolshevikëve “shkipëtarë”, që një kohë e një vakt vullnetarisht, ia kishin falë Kosovën Jugosllavisë.
Sidoqoftë, Xhafer Shatrit ia nisa reportazhin e lartpërmendur dhe ai e botoi pa ndërhyrjen më të vogël. Kjo më dha të kuptoj se Xhaferri, në dorë të parë ishte nacionalist e, në dorë të dytë, anëtar i OMLK-s. Por OMLK-ja nuk lejonte saltomortale. Ajo, edhe kur vishte lëkurën e bejkës, nuk çonte dorë nga natyra e saj mortore dhe kohë pas kohe i shqyente fëmijët e saj.
Nuk shkuan as dy javë, shumë shumë tri, kur në qytetet e Suedisë Jugore zbarkuan togerët e parë të të Majtës Kosovare. Të gjithë, me përjashtim të ndonjë zangoçi që iu kishte bashkangjitur me zor, ishin anëtarë të grupacioneve të ndryshme. Për dallim nga turistat e huaj, që rëndomt vishen keq e sillen mirë, këta visheshin mirë dhe silleshin keq. Mjerisht, xhepat i kishin plot me grada e heroizma të markës bolshevike. Shihej se ishin revolucionarë të mëdhenj, se hanin pakë e vuanin shumë. Ca prej tyre, që menjëherë lëshuan mjekrra si çetnikët e Drazha Mihajlloviqit, s’ i kishin mbaruar studimet, kurse të tjerët kishin nga tre katër fakultete. Me t’ u vendosur nëpër banesat e rehatshme suedeze, ata u ngarkuan me trakte dhe dolën në popull për ta masovizuar Lëvizjen Popullore. Rrjedhimisht doli se ajo kishte shumë krah. Një krah ishte i Sabri Novosellës, tjetri ishte i Xhafer Shatrit, i treti ishte i Milaim Zekës, i katërti ishte i Ibrahim Kelmendit, ndërsa i pesti e i gjashti nuk dihej fare. Ishte dhe një krah i shtatë, të cilin e mbështeste qeveria “shki-pëtare” dhe ambasada e saj në Stockholm, ku punonin ca shoferë me prejardhje nga India.
Kështu filloi rruga e mundimshme e Lëvizjes Popullore drej Kosovës. Ku ta dijsh tani? Kosova kishte trima e liderë më të aftë se ata kapsamuna, por ata s’ i kishte bekuar Tirana. Mu për atë arsye, populli duhej shpjeguar se këta ishin avantgarda, këta dinin si bëhej lufta, edhe pse kurrë s’ e kishin prekur pushkën me dorë. Vlen të nënvizoj se dallimi midis bolshevikëve që dolën në Amerike dhe bolshevikëve që dolën në Gadishullin Skandinav, dallimi ishte fare i vogël; të parët ishin nga Korça, Vlora e Mallakastra, ndërsa të dytët ishin nga Plava, Gucia, Rrafshi i Kosovës dhe Dukagjini, por të gjithë kishin dalë nga e njëjta vezë dhe të gjithë e ndiqnin të njëjtin yll.
Akti i parë i asaj tragjikomedie ishte – përçarja. Edhepse diaspora shqiptare ishte e pakët në veri të Evropës, ajo, falë punës së palodhur që bënin disa rilindas “të vonuar”, që nga agu i viteve të 70-ta zhvillonte një jetë relativisht të gjallë kulturore me shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë. Ajo veprimtari ishte e mangët dhe e penguar nga spiunat e regjimit jugosllav, por zhvillohej në shtete që kishin përvojë të gjatë demokratike. Me fjalë tjera, drejtuesit e shoqatave ishin djem të gdhendur dhe zgjidheshin në kuvendet e rregullta vjetore, krejtësisht hapur dhe me votë demokratike. Që nga ardhja e Lëvizjes në Veri, diaspora shqiptare duhej të mësonte se zgjedhjet mund të bëhen edhe natën, në stilin bolshevik. Jo si donte populli, por si donte Lëvizja dhe “shokët” e Ambasadës shqiptare. Kësisoji, në kuvendin e Shoqatës Kulturore të Geteborgut u likuidua Kosovë Rexha Bala, njëri nga kritikët e parë të Tiranës. Ai zotëri duhej të izolohej, sepse në një ligjeratë të mbajtur në Universitetin e Geteborgut, kishte shtruar shumë pyetje provokative mbi Republikën e Shqipërisë. Pak a shumë të njejtën proçedurë duhej ta kaloja edhe unë, se kisha vizatuar ca pikëpyetje në njërën nga veprat e Enver Hoxhës. Atë vepër, ç’ është e drejta, e kisha blerë me paret e mia, por nuk e dija se ishte e ndaluar të bëj shënime në margjinalet e saj.
Në fillim komisarët e Lëvizjes Popullore na u dukën djem të mirë. Ata flisnin pak, sepse s’ dinin tjetër gjuhë pos gjuhës shqipe, por sa filluan të na ligjërojnë duke u dridhur para mikrofonave, e kuptuam se shumica ishin axhaminj dhe sapo kishin dalë nga burgjet e të miturve. Në vend se ta qetësonin popullin e revoltuar nga intrigat e përditshme, ata e kridhnin gjithnjë e më thellë në pularnikun e tyre ideologjik. Diaspora, pa marrë parasysh përbërjen e saj, nuk ishte kundër hovit revolucionar të masave, por ishte kundër miteve dhe thashethemeve që shokët komisarë fabrikonin gjatë natës dhe i lëshonin në qarkullim gjatë ditës. Mjerisht, sa më shumë që përpiqeshim ta neutralizonim situatën, aq më tepër thelloheshin pozitat tona ideologjike. Papandehur duhej të ktheheshim në Mesjetë dhe, pasi t’ i zenim drepërit e çekanat me duar, ta mësonim Evropën Perendimore se si duhej ta qeveriste veten. Jo se Evropa ishte ngushtë për opinionin tonë, por sepse ashtu mentonin jorgaqat e Partisë së Punës dhe xhavidaqat e saj kosovarë.
Aty e tutje duhej të konfiskohej çdo gjë: klubet, shoqatat, seksionet, antarsia, gjithçka. Si në kohën e pasluftës, kur milicët serbë hynin nëpër fshatra dhe konfiskonin çdo gjë: miellin, drithin, delet, lopët dhe pajet e nuseve të reja shqiptare. Çdo aktivitet i shoqatave shqiptare, qoftë ai kulturor apo sportiv, duhej të përvetësohej nga Lëvizja. Çdo mbrëmje letrare, çdo kremtim i 28 Nëntorit, çdo ditë ndërkombtare e gruas, çdo demonstratë duhej të shenohej në rabushin e saj. Aty e tutje Lëvizja vinte në vendin e parë, ndërsa Mëmëdheu duhej të katandisej në fund të tabelës.
Me pak fjalë, po atë veprimtari subverzive që dikur e kishin aplikuar bolshevikët rus, tani fillojnë ta aplikojnë bolshevikët kosovarë. Të gjithë, duke filluar nga delibezët e Mahmut Bakallit e deri te lingurat e Milaim Zekës, silleshin sikur Evropa ishte në gjendje lufte dhe ata duhej të qarkullonin me parulla e pseudonime. Edhe pse kishin kaluar goxha do vjet nga Revolucioni i Tetorit, gjuha e tyre ishte fodullake dhe plot me zhdanovizma. Për ta mbuluar mjerimin e tyre politik, shpesh herë recitonin vjersha të tipit “Ligjëro, shoku Enver” dhe i ngjisnin njëri tjetrit atribute si “poet”, “intelektual”,”atdhetar”, e ku di unë. Absurde? Më shumë se absurde. Nuk ishte parë askund në botë, dhe më së paku në Mbretërinë Suedeze, që një hampë aq e vogël shasharanësh ta uzurponte vullnetin e një populli me aq arrogancë e brutalitet. Ç’ ka se shumica, veçanërisht ata që jetonin nëpër fshatra e qyteza të vogla, i kapërdinin gënjeshtrat e tyre si llokume. Ata njerëz të ndershëm, ata prindër të rrallë, që nuk kishin haber se vëllezërit komisarë, në mbledhjet e tyre sekrete, e kishin studjuar strukturën e tyre ekonomike dhe, si revolucionarë që ishin, shpejt e shpejt ua konfiskuan goxha do marka gjermane. Ajo që i nxiti në atë hap të shpejtuar është shumë e thjeshtë: duke qënë se shqiptarët e diasporës i takonin kategorisë “reakcionarë”, resurset e tyre duheshin shfrytëzuar deri në maksimum. Në vazhdën e asaj ndërmarrje, vëllezërit bolshevikë i zunë kabinat telefonike dhe ua çuan nga një zile shokëve që kishin nëpër qendrat e ndryshme të rehabilitimit.
Kështu, pra, në mënyrë krejt spontane, në ndërgjegjen e diasporës lëshuan rrënjë akuzat, thashethemet, paknaqësitë, ngatrresat dhe zënkat e ditëpërditshme. Për çudinë time personale, ato plagë të thella të diasporës nuk i shëronte asnjë mjek i mençur suedez përpos specialistëve të Ambasadës Shqiptare, të cilët, pas një gjumi të gjatë e të rehatshëm 15-vjeçar, papandehur filluan t’ u sjellin vëllezërve “kosovarë” filma, të pinë konjak me ta, t’ u falin veprat e Shokut Enver, t’ u sugjerojnë si duhet punuar në gjendje lufte dhe t’ iu ofrojmë udhëtime speciale për në Shqipëri, ku jetonte, përpos tjerash, edhe familja e heroit Jusuf Gërvalla. Pak që ishte katandisur keq e më keq në periferi të Tiranës, veçse familja e Jusuf Gërvallës tani duhej të përdorej edhe si ngashnjesë për turistët “kosovarë”.
Ato shalakatje të diplomatëve grekë, me kombësi shqiptare, vazhduan vite me radhë. Në vitin 1993, në një darkë që shtruam për nder të Afrim Karagjozit, ambasadorit më të sinqertë që ka patur Shqipëria në Stockholm, mora vesh në konfidencë se një copë e mirë e lëndinës që gjendej brenda mureve të Ambasadës Shqiptare ende ishte e zezë nga zjarri që e kishte përvluar. Duke qënë se nuk më kishte rënë në hise të dëgjoja për shkaqet e atij zjarri, e pyeta Afrimin mbi shkaqet e asaj djegje dhe ai më dëftoi se dropullitët e Ramiz Aliut, para se të kërkonin strehim nëpër ambasadat e huaja, me netë të tëra kishin djegur dokumente të natyrës sekrete. Duke djegur raportet që kishin mbledhur mbi veprimtarinë “armiqësore” të ballistëve, zogistëve e “nacionalistëve” shqiptarë, ata dogjën edhe raportet e komisarëve kosovarë që, falas, pa kompenzimin më të vogël, ua dërgonin nga shtëpitë e tyre. Mjerisht, shumë miq të mi gazetarë, shkrimtarë e doktorë të shkencave kanë mbetur gojëmbyllur para absurditeteve që po luhen në skenat e realitetit kosovar. Ata po e shohin se kush po i vret djemt e tyre dhe – po heshtin. Ata po e shohin se kush po e vret Mëmëdheun e tyre dhe – po heshtin. Ata po e shohin se kush po e vret lirinë e bijëve dhe bijave të tyre dhe – po heshtin. Ata po e shohin se shqiptarizma, pas ecjes saj mijravjeçare, ka ngecur në zgrip të humnerës por – s’ po kanë takat të shkruajnë e të brengosen për fatin e saj.
Unë, për vete, kam provuar të rri gojëhapur. Që nga viti 86, kur e mora në dorëzim “Zërin e Kosovës” e deri në fund të vitit 2001, kur i dhash fund emisionit “ABC”, kam folur dhe kam dokumentuar të gjitha fiskulturat e boleshvikëve “shkipëtarë”. Duke mos mundur të bëj më tepër, krahas punës time si redaktor, përkthyes, kryetar shoqate dhe arsimdhënës, jam përpjekur t’ u jap shtat dilemave të mia edhe si letrar i thjeshtë. Jo tani që tradhtia ka dalë në fushë të mejdanit, por dhjetë vjet më parë. Çuditërisht, ata që duhej ta pyesnin veten se pse më “kishte rënë dielli në kokë” hidhnin valle me komisarët e Lëvizjes dhe e ndienin veten të nderuar që ata i quanin burra të mirë, popullorë dhe të mashtruar nga Fehmi Agani e Ibrahim Rugova. Pa përkrahjen e asaj hampe që, një anë kishte zaptuar “ambasadat” e Republikës së Kosovës dhe në tjetrën rrinte gju më gju me djemt e Ramiz Aliut, shumë puçe të mëvonshëm do të dështonin me turp. Sikur të isha nga soji i tyre, do ta fusja bishtin nën shalë dhe do t’ ua lëshoja rrugën engjujve të dhunës, por unë bëra të kundërtën, sepse ua pash qëllimet. Nuk është parë askund, as në trevat më të largta të Bangla Deshit, që antarsia e rregullt e një partie të shkojë në kuvendin e partisë tjetër dhe të marrë pjesë në zgjedhjen e liderve të saj. Ke shqiptarët e diasporës kjo gjë ishte dukuri e përditshme. Në vend se të rrinin atje ku i kishin caktuar “kapedanët” e tyre dhe të mësonin se si Shoku Enver, bashk me Dushan Mugoshën e Miladin Popoviçin, e kishte themeluar Partinë Komuniste Shqiptare, anëtarët e Lëvizjes, të ngarkuar me lloj lloj pretekstesh, vinin në kuvendet e LDK-s dhe zgjidhnin kandidatët që duhej ta prishnin, jo ta forconin LDK-n. Kështu nuk ndodhi vetëm në Suedi, po dhe në Norvegji, Finlandë e gjetiu. Nuk ishin, pra, serbët që luftonin kundër nesh, por kapedanët e Shqipërisë së Kuqe. Këta heronj të Partisë së Punës operonin që nga Parizi e deri në Osllo dhe kishin nën urdhërin e tyre hashima e kujtima e jetima tjerë. Më vonë do t’ iu bashkohen edhe shumë hasana e shabana tjerë që do ta presin Fatos Nanon dhe Skenderin Gjinushin në konakët e tyre. Edhe ate, gjatë kohë para se të fillonte revolucioni “i vonuar” demokratik.
Ashtu si dhe shkërbat tjera, edhe ajo rrymë kishte tiparet e saj karakteristike. Kishte kokat që villnin zjarr, kishte Partinë e Shokut Enver, kishte degët dhe ikonografinë e saj. Për dallim nga kryetarët e degëve të saj, që rëndomt ishin ish zadrugarë të Federatës Jugosllave, kokat e Lëvizjes ishin si kokat e kulshedrës. Sa e prisje njërën, dilte tjetra dhe kokat e saj ishin të ngarkuara me lloj lloj kompleksesh. Tamam si mushkat e Nasradinit. Thuajse të gjithë liderët e saj, me përjashtime të vogla, gjatë vuajtjes së denimeve kishin krijuar bindje se fati i Mëmëdheut ishte organikisht i lidhur me fatin e tyre. Me fjalë tjera, po të gabonte Sigurimi grek apo jugosllav ta likvidonte ndonjërin prej tyre, siç veproi në rastin Kadri Zekës e vëllezërve Gërvalla, Kosova do të binte në fund të pusit. Ky është shkaku pse ata burra të shtetit, me të dalë nga Kosova, jipnin intervista të gjata, pozonin para gazetarve të huaj dhe kërkonin “mbrojtje” nga Policia suedeze. Në kuadrin e asaj ikonografie hyn edhe pasioni i tyre për ta hyjnizuar veprimtarine e tyre, e cila, sipas fjalëve të Kadri Osmanit, ishte shumë larg nga qëndresa e popullit të thjeshtë.
A do të thotë kjo se ata narcisa të gjakut shqiptar, që dikur ia lëpinin thonjt Sofokli Lazrit e Paskal Milos, ishin solidarë me pikpamjet e njëri tjetrit? Kurrën e kurrës. Ka, madje, gjasa që ata më shumë e urrenin njëri tjetrin, se sa Milosheviqin. Është e vërtetë se zënkat e tyre ishin të vogla e të parëndësishme, por brenda caqeve të Lëvizjes ato ishin të kobshme dhe të rrezikshme për vdekje. Njësoj si zënkat e peshkaqenve të mëdhenj me të vegjlit. Peshkaqenët e mëdhenj janë të mëdhenj e të plotfuqishëm, kurse të vegjëlit janë të vegjël dhe parapërcaktuar për mullën e të mëdhenjëve. Rrjedhimisht, atë çast që ndonjëri nga komesarët e saj i kalonte kompetencat e veta, lëshohej urdhëri nga lart dhe ai likuidohej. Pa marrë parasysh a ishte i madh apo i vogël.
Ajo etikë nuk vlente për neve që ndiqnim rrugën e Metushit. Duke qënë se lufta e popullit shqiptar ishte një luftë e drejtë dhe nacional-çlirimtare, thuajse të gjithë ishim pjesëmarrës aktivë në demonstratat që organizoheshin në Perëndim, por nëse mentonim se jipnim ndonjë kontribut për mbarëvajtjen e tyre, Lëvizja mentonte ndryshe. Sipas prijësve të saj, që rëndomt ishin vetëm “shok” apo “ shoqe”, çdo festë që kremtohej në lokalet e ndonjë shoqate, çdo përvjetor dhe çdo demonstratë duhej të hynte në “sanakun” e Lëvizjes. Atë çast që demonstrata s’ e kishte vulën e Lëvizjes, ajo duhej të prishej ose të “përvehtësohej” me dhunë.
Kështu ndodhi me një demonstratë që duhej ta udhëhiqnin Kosovë Rexha Bala e Avni Ajdini në Stockholm. Unë s’ kisha mundësi të shkoja, se kisha emisionin e radios, por tekniku im, një ish zadrugar dhe analfabet i Lëvizjes, më njoftoi të nesërmen se demonstratën ua kishin marrë atyre “me qykë të zorit”. Për fatin tonë të keq, demonstratat ishin të domosdoshme. Në dorë të parë për ta informuar opinionin ndërkombtar me shtypjen që ushtrohej mbi popullatën e Kosovës dhe, në dorë të dytë, për ta informuar diasporën e vendit.
Një natë, derisa po bëja ca shënime të ditës, më merr me telefon një “shoqe” e Lëvizjes dhe, pasi më njofton se gjendet në afërsi të shtëpisë sime, më pyet nëse kam kohë për një konsultim të shkurtër?! Kam, i thash, dhe e ftova të ngjitej lart me personin që e kishte sjellë deri n’ atë vend.
Kjo ishte hera e parë që po e takoja Gjyle Krasniqin. Syzezë, flokëgjatë, shtathedhur, e veshur me xhinsa të gjata, Gjyla të merrte në qafë me sharmin e saj. Nëse mungonte diçka në shtatin e saj, ajo ishte kapela e gjelbër partizane, ylli i kuq dhe gjerdani i fyshekëve. Të gjitha cilësitë tjera i kishte në buzëqeshjen e çiltër me të cilën iu drejtohej njerëzve. Ashtu m’ u drejtua edhe mua, duke më njoftuar se situata politike në Kosovë kërkonte që ta organizonim edhe një demonstratë të fuqishme për ta informuar opinionin suedez me dhunën që ushtrohej në Kosovë. Ç’ ka se demonstrata donte një trakt në gjuhën e vendit, një pjesmarrje kompakte të popullatës shqiptare, një promemorje që do t’ i dërgohej qeverisë suedeze dhe, eventualisht, një çfaqje me këngë e valle popullore. Sa i përket çfaqjes, ajo kishte biseduar me ata të Shoqatës Kosova, po sa i përket traktit, fjalimeve dhe apelit, “ shokët” kishin vendosur që atë barrë të ma besnonin mua.
Se cilët ishin ata shokë që kishin aq besim të madh në mua, nuk kisha as idenë më të vogël. Megjithate, Gjyles i premtova mbështetje të plotë, edhe ate, për shumë arsye. E para, se nuk më ftonte në dasmën e saj por në një përpjekje kolektive që duhej bërë për hir të Kosovës; e dyta, unë isha vendas dhe kisha përvojë më të madhe se sa kishin ish zadrugarët e Lëvizjes. E treta, po dhe më e vërteta, ishte se atë borxh ia kisha jo vetëm Gjyles por të gjitha gjylave të reja që nuk kishin Mëmëdhe. Ajo bijë shqiptare, që s’ ishte më e madhe se bija ime, nesër do bëhej nënë. Çka ishte më e natyrshme se t’ i rriste fëmijët e saj në një Kosovë të lirë dhe demokratike?
U tha, u bë. Nëse detajet tjerë më kanë dalë nga mëndja, ata kryesorët i kam ende të freskët në kokë. Demonstrata doli e fuqishme, sepse Gjylës iu bashkangjitën të gjitha gratë dhe nënat shqiptare. Edhe çfaqja, të cilën e organizuam në Dala Plan, ishte madhështore. U recituan vjersha të fuqishme patriotike, u hodhën valle të rënda popullore dhe u prezantuan ca këngë të reja që s’ i kishim dëgjuar në Radion Lokale. Gjyla vetë e këndoi këngën “Moj Zoge, moj Zoge”, kurse komandant Lumi me shokë na ngrohen zemrat me këngën e fuqishme “Erdh Enveri”. Ec e mos e quaj taushan djalë? Unë e dija vetëm poet, po ai doli dhe këngëtar. Ne të tjerët, që s’ dinim të këndonim si vorio epirotët, dhamë një kontribut më të thjeshtë, duke brofur në këmbë dhe duke bërtitur me sa kishim takat: Kosovë – republikë! Kosovë – republikë! Jo një herë a dy herë, po sa herë që hapej e mbyllej perdja. Ajo ikonografi duket si e çuditshme, por ishte e domosdoshme për t’ i vënë në punë ca pleq si mua, Sabri Novosellën, Ibush Krasniqin e ca të tjerë, që ishim mësuar me ikonografinë greko-ortodokse.
Aty nga ora dhjetë e mbrëmjes u vendos të shkonim te një aktivist i Lëvizjes. Atbotë aktivsti në fjalë ishte varfanjak, por kishte dhënë prova të shumta si dallaverxhi e ngatrrestar i dorës së parë. Se si ia doli që t’ i hipnotizonte baballarët e kombit, të cilëve s’ ka nevojë t’ ua përmend emrat, e dinë vetëm pashtunët e Avganistanit, por fakt është se Qema, me djersën e motrave “shki-pëtare”, që natën këndonin e ditën rrogtonin në Shoqatën e Lëvizjes, si dhe pesë miljon kronave që akoma s’ ia ka kthyer qeverisë suedeze, sot është njëri nga milionerët më të rinj të Kosovës.
Në shtëpinë e të lartpërmendurit mbretëronte një gjurulldi e madhe. Banesa ishte plot me djem e vajza të reja, që hynin e dilnin nga shtëpia, sikur aty ishte Disco Labëria. Kujt i shkonte ndërmend se aty kishte lëshuar rrënjë edhe shtabi i demonstratës? Unë i njihja thuajse të gjithë, por kishte dhe ca që s’ i njihja bash mirë. Në mezin e atyre ishte dhe një kallushan i gjatë e i kursyer në fjalë. Për dallim nga tjerët, që ishin goxha të lodhur nga puna, ai më la përshtypjen e njeriut pedant. Ai ishte i mbushur dhe kishte sy të mëdhenj, qafë të trashë dhe një vështrim të freskët si acari i vjeshtës.
Pas darkës, i zoti i shtëpisë e nxorri shishen me wisky. Jo për të na dehur , siç bëjnë suedezët, por për të na uruar shëndet dhe mbarësi. Urimeve të tij iu bashkangjit edhe ai shoku, i cili – krejt shkarazi dhe kur s’ po e pyeste njeri – e përmendi emrin e mikut tim Xhafer Shatri.
Unë, ç’ është e drejta, i kisha humbur lidhjet me Xhaferin, por kultivoja një respekt të sinqertë për punën e tij. Këtë ia thash edhe atij, me të cilin po bisedoja për herë të parë.
“ Përderisa kemi një armik të përbashkët, që na ka grabitur Mëmëdheun,” i thash, “të gjitha zënkat tjera janë të dëmshme”.
“ Po harroni se ai është armik i popullit,” ma ktheu ai. “Xhafer Shatri e ka tradhtuar Lëvizjen dhe një ditë ka për të dhënë llogari para popullit.”
Unë e dija se Xhaferi ishte markisist – leninist, por jo dhe armik i popullit të vet. Ai kishte bërë burg për atë popull.
“ Ai mund të jetë i gabuar, siç mund të jesh edhe Zotrote,” i thash “ por përderisa përpiqesh për lirinë e Mëmëdheut, s’ kam të drejta të akuzoj për asgjë. S’ pari duhet ta bëjmë Mëmëdheun, pastaj t’ i hapim gjyq njëri tjetrit.”
Për arsye krejtësisht të panjohura, biseda, që deri n’ atë çast kishte qënë e gjallë dhe e hareshme, pushoi. Kjo më dha të kuptoj se as ata tjerët nuk ishin dakord me mua, por duhej të heshtnin, sepse atë plagë e kishte prekur një peshk i kategorisë së rëndë dhe nëse dikush duhej të ma këpuste një copë mishi, ai duhej të ishte i pari. Fundja, demonstrata kishte marrë fund dhe tani s’ i duhesha askujt e, më së paku, boleshvikëve të Lëvizjes.
Ai shoku e ndjeu veten të konfunduar. As më njihte, as e njihja. Nëse ishte dikush që duhej ta merrte në mbrojtje Xhafer Shatrin, ishte ai dhe jo unë. Po ja që rolet ishin ngatërruar. Në këto rrethana sikur s’ kishte prova tjera pos atyre “revolucionare”, andaj ai miku brofi në këmbë dhe iku drejt një dhome anësore. Duke ikur më pyeti nëse kisha të ngutur?!
“ Jo dhe aq”, i thash, “ po e kam djalin vetëm. ( Atëbotë isha i veteëm dhe mbaja përgjegjsi ligjore për çunin tim. Megjithate, s’ isha i prirun t’ ia prishi qejfin “shokut” të panjohur. Ora ishte vetëm njëmbdhjetë dhe s’ bëhej kiameti se rrija pak.)
Ai shoku, të cilit s’ ia dija as emrin, u kthye me një deng letrash e revistash të formatit të vogël. Me t’ i vënë pranë abazhuri të një llambe të madhe, filloi të gjurmonte diçka në faqet e një reviste që mbante emrin “Pararoja”. Kisha dëgjuar për “Pararojën”, po s’ e kisha parë ballinën e saj. S’ kisha aspak mëdyshje që ai shoku i qetë dhe i përmbajtur donte të ruante nga tradhtitë e armikut Xhafer Shatri.
Ai pa rreth e përqark dhe, pasi priti pakëz, filloi ta lexonte një artikull të gjatë e analitik mbi veprimtarinë “destruktive” të Xhafer Shatrit gjatë kohës që ky ishte ushëheqës i Lëvizjes Popullore. Ai lexonte qetë, me një zë të qartë e të kuptueshëm; gjë, që dëshmonte se ai nuk e kishte shkruar artikullin por përmbajtjen e tij e dinte përmenç.
Jam i sigurtë se e tërë skena do ketë qenë shumë e ngjashme me ato skenat e pikturës socrealiste, të cilat rëndomt e pasqyronin Enverin duke grirë pallavra para shokëve të tij dhe ata e dëgjojnë me një kurreshtje “të madhe”.
Iku një gjysëm ore. Iku dhe një orë, por veprimtaria e Xhafer Shatrit s‘ po merrte fund. Ai njëri kish qënë ortak i Djallit të Mallkuar. Edhe më i rrezikshëm se Koçi Xoxe e Mehmet Shehu sëbashku. Ai ishte spiun i Sigurimit jugosllav, sepse kishte hikur nga burgu i Prishtinës ditë më drekë dhe kishte dalë në Zvicër pa asnjë ferrë në këmbë…
Ai lexonte, ne e dëgjonim. S’ kishim çare pa e dëgjuar, sepse duke vepruar ashtu, ne dëgjonim fjalën e Lëvizjes dhe bëheshim pjestarë të historisë bashkohore. Harruam demonstratën, harruam shiun që na kishte rrahur gjithë ditën, harruam fjalimet, parullat dhe apelet që ua nisëm të gjashtë republikave jugosllave, harruam wiskyn që na rrinte përpara dhe iu turrëm një njeriu, të cilin as e kishim pranë, as e njihnim si duhet. Harruam, qebesa, edhe obligimet tona prindore.
Aty nga ora dy e gjysëm brofa në këmbë. Pa marrë parasysh kurreshtjen që kisha për fundin e asaj analize, isha i detyruar të ikja ke shtëpia. Duke dalë nga pragu i derës, i thash komisarit që po më përcillte si një shok i mirë.
“ Unë s’ e njoh Xhaferrin siç e njihni ju, por e kam lexuar aktgjykimin e tij faqe për faqe. I tërë ai dokument zyrtar jugosllav, që nga fjala e prokurorit publik e deri të vendimi i gjykatës, nuk është më i gjatë se dhjetë faqe. Aktgjykimi juaj ishte trefish më e gjatë. Pyes veten si do ta çlirojmë Kosovën kur e dënojmë njëri tjetrin tri katër herë më rrebtë seç do na dënonte Shkau?!”
Ai nuk e dinte atë punë. Ai, edhe sikur ta dinte, nuk do ma thoshte mua, sepse ashtu e kishte gdhendur Lëvizja. Lëvizja nuk i donte njerzit e sinqertë, sepse njerzit e sinqertë janë të rrezikshëm. Edhe për veten e tyre, edhe për të tjerët. Shi për ate, anëtarët e saj, sapo betoheshin në flamurin e vegjëlisë, rraseshin prapa diplomave, katedrave dhe titujve akademik, në mënyrë që populli të mos u shtronte pyetje vend e pavend.
Edhe kjo ishte një pjesë e etikës bolshevike. Sipas saj, nëse anëtarët e Lëvizjes ia lëshonin mjekrrën ndonjë tetovari apo resnjari të pagdhendur, ajo s’ ishte ndonjë mëkat i madh. E rëndësishme ishte që ata ta ruanin lojalitetin midis vedi dhe t’ i kryejnë detyrat e saj me besnikëri, pa se e mashtronin popullin nga pak, s’ bëhej kiameti.
Kjo dëshmon mizorisht qartë sa destruktive ishin demonstratat që organizonim në Perendim dhe sa kundërthënëse ishin apelet tona, kur njërës qeveri ia dërgonim një verzion të kërkesave tona, tjetrës qeveri një verzion tjetër.
Në pamje të jashtme çdo gjë ishte në rregull. Në ballë të demonstratave ishin – flamujt. Pas flamujve vinin ikonat – Bardhi e Jusufi për anash, Kadriu në mes. Pas ikonave vinte një pëlhurë e madhe ku ishte e shënuar kërkesa e popullit shqiptar – Kosova Republikë. Por sapo e kërceje kërkesën “Kosova – republikë” dhe disa nga radhët e dendura të popullit, demonstrata vishte tiparet e një plake ruse dhe shëndrrohej në science fiction. Aty valonte flamuri i Partisë Komuniste Suedeze, që kurrë s’ ka fituar më shumë se 0,03% në zgjedhjet elektorale. Aty shpërndaheshin trakte e Lëvizjes Popullore. Aty nxirrnin kokë zgjidhje të reja nga robëria e imperializmit anglo – amerikan. Dhe jo vetëm kaq. Me nisjativën e bolshevikëve suedez lëshoheshin lloj lloj parullash tjera që s’ kishin aspak të bëjë me dhunën policore që ushtrohej në Kosovë.
Kjo ikonografi e tipit “ bolje rat, nego pakt” që ishte ndërtuar mbi tabanin e filmave rus dhe shqiptar, nuk na afronte me opinionin e qytetarëve suedez. Flamujt e kuq të popullit shqiptar, aty këtu të përzjerë me flamujt e kuq të komunistëve suedezë, vigmat e thekshme që shpërthenin nga parzmi i demonstruesve, në një gjuhë që as ishte suedishte , as ishte rusishte, grushtat e ngritur përpjetë dhe traktet që ua rrasnim nëpër duar, sikur ua kujtonin një epokë tjetër, kur ata, me dashje a pa dashje, duhej të largoheshin nga rrugët dhe sheshet e qyteteve. Askush, as përfaqsuesit më të zbehtë të të Majtës Komuniste nuk solidarizoheshin me kërkesat tona, jo më të ngjiteshin në tribunë e ta thoshnin një fjalë në mbrojtje të popullit shqiptar.
A mundeshim, vallë, t’ i bënim demonstratat pak më ndryshe, fjala vjen, siç i bënin qytetarët estonë, liuanë apo kroat? Pa dyshim që mundeshim, por si populli më i vjetër që jemi, ne kemi qejf t’ i ruajmë zakonet dhe traditat e bukura. Pa marrë parasysh se cilës epoke i takojmë. Kemi qejf t’ i çojmë grushtat përpjetë dhe të bërtasim nga pak si “vëllezërit” serbë, me shpresa se duke vepruar ashtu, do ta detyrojmë Evropën të na adaptojë si evropjanë me qykë të zorit. Shi për ate, të gjitha demonstratat tona, si të mëdhatë ashtu dhe të voglat, e ndiqnin vazhdën e asaj tradite: fillonin ku fillonin, por mbaronin në ndonjë shesh të madh, ku mbaheshin fjalimet dhe shtroheshin kërkesat e popullit. Çuditërisht, ndodhte shpesh herë që rrugës, përderisa marshonim drejt sheshit që na caktonte Policia, kërkesat tona vishnin rroba të kuqe.
Kjo ndodhte veçanërisht në ato qendra ku vepronin ish anëtarët e Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe ku vazhdonte të gjallërojë fryma liridashëse e Jusuf Gërvallës. N’ ato qendra urbane demonstratat ishin krejt spontane dhe organikisht të lidhura me dhunën që ushtrohej në Kosovë. Rëndomt, zgjidhej një komision i demonstratës dhe ai kontaktonte me shtypin e televizionin lokal, hartonte thirrjen dhe traktet që do shpërndaheshin gjatë demonstratave, bënte ftesat që u drejtoheshin politikanëve vendas, vendoste itinerarin, si dhe nënshkruante kërkesat që shtroheshin në trakte, telegrame, apele dhe promemoriet e popullit.
Mjerisht, përkundër përpjekjeve të Komisionit, komisarët e Lëvizjes gjithëmonë ia delnin ta ndrrojnë përmbajtjen e tyre, qoftë duke dalë me trakte të binakëzuar, qoftë duke ndërruar përmbajtjen e kërkesave kyçe. Kështu, për shembull, aty ku antarët e Komisionit shkruanin se populli kërkonte një republikë të lirë e demokratike të Kosovës, bolshevikët shtonin se populli kërkonte një republikë socialiste të Kosovës. Çfarë mund të bënin anëtarët e komisionit? Asgjë. Sado të mençur e vigjilent që i kishte falë Perëndia, ata s’ kishin as idenë më të vogël mbi grackat që kurdiseshin prapa shpinës së tij. Shumë vjet më vonë, një ish anëtar i Lëvizjes do na dëftonte mua e Zeqir Ramës se kërkesat tona për një Kosovë demokratike nuk shkonin veçse deri në gjysmë të rrugës. Atje diku, ku duhej të dorëzoheshin kërkesat, dilnin komisarët e Lëvizjes dhe i konfiskonin zarfat e demonstratave. Rrjedhimisht, kërkesat e popullit për një Kosovë të lirë e demokratike përfundonin në shportat e Lëvizjes, ndërsa kërkesat e Lëvizjes për një republikë socialiste përfundonin në Beograd, Zagreb apo Shkup.
Populli ynë ka patur lloj lloj lëvizjesh: të majta, të djathta, feudale, borgjeze, përparimtare, reakcionare, demokratike, nacional-çlirimtare por asnjëra prej tyre s’ ka patur synime kaq të prapa dhe antipopullore. Ajo s’ bëhet dot më e mbarë sepse është ndërtuar mbi tabanin e një ideologjie që ka synuar dhe prore synon zhdukjen e popullit shqiptar nga faqja e dheut. Se sa duhej Kadri Zeka me Jusuf Gërvallën është çeshtje që e dinë pasardhësit e tyre, por s’ duhet të harrojmë se ajo “lëvizje” që pas vdekjes së tyre do bëhej “popullore”, kurrë s’ pranoi të ulej ke këmbët e popullit dhe t’ i sakrifikonte kapedanët e saj. Përkundrazi, prej se e mbaj mend, ajo e ka dashur kryet e vendit dhe, me përjashtim të Adem Demaçit, që shpesh herë e ka mohuar veten për hir të solidaritetit ndërkombtar, asaj organizate nuk iu ka bashkangjitur ndonjë poet apo shkrimtar i hajrit. Se sa ishte e gatshme ajo organizatë të ecte në gjurmët e vëllezërve Gërvalla, e dimë të gjithë, por ajo s’ kishte kundër t’ i përvehtësonte emrat e tyre për ta mbushur arkën me franga zviceranë dhe marka gjermane. Se sa ishte e lidhur ajo organizatë, që edhe sot po e quan veten “krah të luftës”, me Adem e Hamzë Jasharin, e di mbarë populli i Kosova, por ajo edhe sot po paraziton me gjakun e të vrarëve në Prekaz. Po i njejti vlad dhe po të njejtat manjolla që dikur i këndonin Enver Hoxhës me shokë, tani po u këndojnë Jasharajve dhe, kuptohet vetvetiu, po i mbushin xhepat me lekë e euro.
E këtillë ishte ecja ynë. Që nga fundi i viteve të 80-ta, kur minatorët e Kosovës zbritën nën tokë për t’ i dëftuar Evropës se ende s’ ka vdekur atdhedashuria, tifozët e bacit Enver, me ftesat e shokëve të tyre, iu turrën Evropës si minjët e trembur nga termeti. Papandehur, nëpër qendrat e mëdha urbane zbarkuan lloj lloj maniakësh, dredharakësh e politikanësh tinzarë, të cilët, para se të kërkonin strehim politik, ushtronin me ditë të tëra çka do të deklaronin para organeve policore dhe, pa marrë parasysh nga vinin, duhej të dëftonin sa kishin paguar për rrugëtimin e tyre. Ata duhej të mësonin përmenç se populli është i trashë dhe mund të bëhet kurban sa herë të jetë e nevojshme. Mu për këtë arsye, kjo hampë azilantësh mori me vete me qindra romë, turqelinj e ish ushtarakë të Shqipërisë Socialiste dhe i solli në Danimarkë, Suedi e Norvegji. Ta pasqyrosh atë epokë, se qysh shqiptarë e jo shqiptarë, derdhnin lotë në televizionin suedez për ta mohuar Mëmëdheun e tyre, është njësoj si të hysh në grykën e një vullkani dhe të dalësh përsëri.
Kështu u mbushën radhët e një organizate bolshevike që do ta çlironte Jugosllavinë nga “titizmi”. Si picirucët, ashtu dhe eneveristat, kishin nevojë për njëri tjetrin. Të parëve iu duheshin vula, “pozivnica” e falsifikate për t’ u shplarë nga vjedhjet e bëra në vendlindje, kurse të dytëve iu duheshin markat gjermane. Të parët vidhnin natë e ditë nëpër shitoret daneze e suedeze, besa nganjëherë iu turreshin edhe bankave provinciale, por Lëvizja i arsyetonte me kokën e Mao Ce Dunit. Ata gëjeshtraë e kriminel të vegjël, që nesër pas nesër do ta lëndonin për vdekje Sabri Hamitin dhe do ta vrisnin Xhemal Mustafën, Besim Kastratin e shumë tjerë të pafajshëm, me nxitjen e kapove të tyre, na ndiqnin mua, Kosovë Rexhë Balën, Avni Ajdinin e Sabri Novosellën si bisha, thua se ne s’ ishim qytetarë të Kosovës, por shkie të Pirotit. Të parëve iu duheshin aleatë, të dytëve iu duhej rrëmuja. Sa më shumë rrëmujë, aq më tepër shansa për t’ i mbushur trastat me marka.
Aleatët e tyre erdhën në Suedi menjëherë pas Apelit 212. Këta s’ pranuan ta quajnë veten picirucë, po picerastë, se ishin ish antarë të Skojit dhe e konsideronin veten më të fisëm se shaqirat e zeqirat e Lëvizjes Popullore. Me vrullin e ujqërve të uritur për krona sudeze e marka gjermane dhe me përkrahjen e bolshevikëve pleq, këta mjek, inxhinjerë, arsimtarë, profesorë, magjistra, ish deputetë dhe doktorë të shkencave shoqërore dhanë sinjalin e parë për egzodin kosovar, duke e zbrazur Mëmëdheun nga 400 mijë shqiptarë. Jazëk ju qoftë! As këta filiza të Kosovës nuk dolën më pakë të kuq se bolshevikët “shkipëtarë”. Bash përkundrazi, edhe ata e dëshmuan veten njësoj frikacakë dhe njësoj të zhveshur nga virtytet kombëtare. Sa për sy e faqe, me vrap u mobilizuan nën rrapin e Ibrahim Rugovës, por me të hyrë në banesat e ngrohta suedeze, laz hajlazat e LDK-s së brishtë kërkuan lidhje të reja me nikollaqat e Ambasadës Shqiptare. Ata kurrë s’ morën mund të dalin me pallë në dorë dhe ta mbrojnë prijsin e zgjedhur nga populli, virtyt ky ligacakëve dhe hipokritëve të dobët, dhe gërmuan vite me radhë për të krijuar ca “komisione” të cilët edhe sot, katër vjet pas mbarimit të luftës, po funkcionojnë sipas parimit të moçëm bolshevik: natën të vrasim, ditën të qajmë. Ec pastaj e mos derdh lot për atë popull të ngratë që, pranë vatanit ka mbetur i pavatan?!
Fort Lauderdale

Shkruan: Ramadan Rexhepi 
Dhjetor 2002