SHPËRNDAJE

e di, vëlla, e di se embrioni të cilin po e shtroj para lexuesit nuk është as ditar i ndërtuar nga shënimet që mbaja dikur si mësues, as biografi e një veprimtari që përpiqej t’ ua nxirte gjumin ”shqiptarëve të Jugosllavisë”, as autobigrafi e ndërtuar mbi kujtimet e një plaku me hemorragji cerebrale. Që ta them të drejtën, më me qejf e konsideroj këtë krijesë letrare si përrallë fantastiko-shkencore se sa roman të mirëfilltë, pasi për herë të parë në veprimtarinë time letrare, njerëzit e vërtetë komunikojnë  me personazhe fiktive, edhe ate, për shkaqe thjesht njerëzore dhe përdëllestare. Këtu s’ ka shumë përshkrime, alegori, metafora e koncepte të paqarta mbi moralin e një shoqërie të caktuar dhe ngjarjet zhvillohen në një kohë e hapsirë të prapë. I tërë skeleti i ngjarjes pushon mbi një renditje të saktë kronologjike dhe ate e kam ndjekur me besnikëri të madhe. Iku koha kur shkruheshin rrëfime të mirfillta shqiptare – Konica, Kuteli, Kokona, Koliqi – dhe autorët e soçëm s’ po ndiejnë nevojë t’i shtrojnë ngjarjet mbi altarin e pikëpamjeve estetike, morale apo filozofike. Tek se rruzulli tokësor është përmbysur dhe secili dallkakuk që ka mbaruar tri klasë të fillore e quan veten shkrimtar, filozof e doktor i shkencave, më duket se koha për një vetëvrasje kolektive të  shkrimtarëve të vjetër është rrugëdalja më e arsyeshme e dilemës shqiptare.
Mos shko më larg se te shkallët e Kuvendin kombëtar. Ata që kanë hyrë brenda  dhe po na shiten shkrimtarë, filozofë, çlirimtarë, nobelistë e shpëtimtarë të kombit s’ janë veçse pasardhës të atyre që dikur i kapërcyen Bjeshkët e Nëmura dhe, pasi e qëruan Kosovën nga bijt e saj më të mirë, ia bën Serbisë peshqesh në shenjë të një aleance të përjetshme politike. Prindërit e atyre që sot po shiten deputetë të arsimuar, politikanë të përgaditur evropjanë e qeveritarë largpamës, në rininë e tyre endeshin si zangoçë nëpër bulevardet e Moskës e Lenigardit dhe hanin piroga të mbushur me mjaltë deri sa populli i ngartë digjej nëpër ara për hir të mustaqeve të Stalinit. Ishin prindërit e tyre – dhe jo prindërit ”kosovarë” – që na e sollën zaptuesin në shtëpi dhe, për hir të miqësisë së përjetshme, i furnizonin milladinat e mugoshat me partizanka shqiptare, ndërsa vëllezërit e tyre ”kosovarë”, i deportonin drejt Tivarit e Vojvodinës. Kuptohet, pa na lënë kujtim asnjë raport, qoftë edhe më të shkurtin, mbi krimet e tyre.
Me që ra fjala për nocionin ”raport”, po vazhdoj me kopjen e atij që ma dërgoi zoti Vintzel për ta studjuar me syrin e një shqiptari autokton dhe për t’ sugjeruar nëse duhej të shtonte diçka mbi ato që u thanë në takimin e tij me të burgosurin Alijevski.
Ç’ është e drejta, edhe sikur të kisha diçka, s’ mora mund as t’ i kthej përgjigje sepse drogat i takonin sektorit të tij dhe mua pak më interesonin rrugët si hynin dhe si shpërndaheshin ato të menderosura nëpër Gadishullin Skandinav. Unë duhej të mbaja gjashtë orë mësim në ditë dhe rrallë se dilja nga shkolla para orës katër. Duke qenë se isha pa familje dhe drekën e haja me nxënësit, unë, me t’ i mbaruar orët e mësimit, shkoja drejt e në zyrën e Seksionit ”Shota Galica” dhe pasi e pija një kafe të fortë, ulesha e kuvendoja me Ismet Vrellën, Ajet Abdyl Latifin, Ismet Reçin e anëtarët tjerë që ushtronin për çfaqjen e 28 Nëntorit. S’ do mend se shumica e atyre që dërsinin duke hedhur valle e duke kënduar mbi shegat e portokallet s’ kishin as më të voglën ide për ato që kishin ndodhur 63 vjet më parë, por e mbanin mend se aty nga fundi i nëntorit Jugosllavia kishte një të kremte dhe shkollat mbylleshin nja tri katër ditë.
Dhe puna ecte mirë, kryesisht sepse nëntori mori i lagësht dhe propaganda që bënim unë e Hajdari e Samiu e Ismeti i ngrohu relacionet e ftuhura. Ata që kishin mallë të vallëzonin vinin drejt e në Shtëpinë e Aktiviteteve të Lira; të tjerët, që preferonin të luanin bixhoz e ta zbraznin nga një gotë, shkonin në klubin e Safet Plluqkës. Të gjithë e shihnin që Shoqata po ndahej në dy taborre por askush – me përjashtim të lartpërmendurve – s’ e luante një gurë për ta ndërruar drejtimin. ”Vëllazërimi” bënte jetën e riksdagut suedez, ku njëra palë apelonte për liri të aborteve, pala tjetër apelonte për të kundërtën. Por ne kishim një problem të përbashkët dhe ate e kishte marrë përsipër Musa Kryeziu. Do vinin apo s’ do vinin para 30 Nëntorit? Kjo ishte pyetja e secilit anëtar. Ne ia kishim nisur lekët atij shokut, por deri në javën e katërt të nëntorit s’ kishim marrë veçse premtime të thata. 
Një ditë, e kjo ishte e enjtja e katërt e nëntorit, ishim mbledhur në një qoshe të sallës dhe pinim kafe. Të gjithë ishim të dëshpëruar si pulat në shi, se katër ditë më vonë do të dilnim para popullit, mjerisht me një çfaqje poaq të zbehtë si dhe ajo e para. Si të rinjtë, që do të dilnin nesër në sallën ”Amiral”, ashtu dhe ne, që do të këndonim e vallëzonim në Shtëpinë e Aktiviteteve të Lira, ishim gati por kostumet s’ dukeshin askund. Si s’ kishim provuar të bisedonim me Musánë, por ai na shmangej disi; herë ishte në Pejë për ta hapur një kafene, herë ishte në Budva për të gjetur punë, por çeshtja e kostumeve s’ luante nga vendi. Që do na i dërgonte, s’ kishim as më të voglin dyshim, por neve na duheshin për ditën e djelë. Jo për ditën e hënë apo ditën e martë pas asaj të diele.
Përjashta binte një shi i hollë dhe s’ na lente t’ i përmbushnim detyrat që kishim marrë në mbedhjen e fundit. Unë duhej të bëja ftesa, Rasimi duhej t’ i nxirte afishet në Qendër, Ismeti duhej të shkonte në Shoqatën “Turk Anadollu” dhe ta paguante një dajre, ndërsa Hajdari po bëhej gati ta shkruante pastër programin e çfaqjes. Opinioni i të gjithë të pranishmëve ishte i qartë: Fama e madhe n’ katund, por puna askund.
Papandehur hapet porta e Shtëpisë së Aktiviteteve dhe brënda hynë një taksist me valixhe të madhe në dorë. Ai s’ është i vetëm. Prapa tij hynë një burrë i gjatë në shtat, me qeleshe të bardhë në kokë, dhe një tjetër valixhe në dorë. Ai është i lagur keq dhe mezi qëndron në nga pesha që ka në dorë.
Taksisti e shkund kapelën në dysheme dhe, pasi e vendos valixhen pranë vetes, e nxjerr një letër dhe shikon rreth e përqark. Edhe ne e shikojmë si bufat, me një parandjenjë të pacaktuar hutimi.
” Mos jeni shqiptarë?” na pyet taksisti.
” Po,” i përgjigjemi njëzëri dhe brofim në këmbë. Ai s’ mundej t’ ishte tjetër njeri pos farefis i Musa Kryeziut.
” Ky zotëria kërkon dike nga Shoqata Shqiptare,” tha taksisti duke na zgjatur një letër në dorë. Aty figuronin vetëm dy fjali dhe ishin në suedishte. ” Unë jam Miftar Kryeziu dhe dua të shkoj te Shoqata Shqiptare në Rusengord.”
” Jemi ne ata që kërkon zotëria,” i tha Rasimi. “Ik pa marak, se këtu e tutje e ndihmojmë ne.”
Ai dukej mjaft i lodhur dhe i hutuar. Duke qenë se kjo ishte hera e parë që kish dalë jasht vendit dhe s’ dinte gjuhë tjetër pos serbishtës, ai kish vepruar siç e kishte mësuar i biri: e kish marrë një taksi dhe kish ardhur në Rusengord.
” Po ju mos u shqetësoni shumë, se xhepin e kisha të ngrohtë,” tha xhaxhi Tare. ” Njëmend u laga pak, po s’ ka gjë. Mbasi erdha shëndosh e mirë dhe ua solla kostumet që kishit porositur, çdo gjë tjetër është e parëndësishme.”
“ Ty të lumshin këmbët,” i tha Ismeti, duke i ndihmuar me pallton. “ Ani qysh kalove rrugës? Dhe pse, bre vëlla, nuk na njoftoi Musai?”
Plaku sybardhë e fytyrthatë, me mustaqe të shkurtëra, u mbështet në kolltukun që e kishte pranë, na pa me një krenari që ishte tipike vetëm për racën e tij, dhe shtoi:
” E, u përpoqëm t’ ua nisim me postë, por ata të doganës na thanë që s’ do t’ ju vijnë me kohë. Sëpari do ngecnin në doganën jugosllave, pastaj do ngecnin edhe në doganën suedeze dhe ju s’ do t’ i mernit para Vitit të ri. Atëherë i thash Musait: Shko, babës, e nxirma një biletë, se ua çoj vetë. Dhe ja që ju gjeta e i gëzofshi ata kostume kombëtare. Janë të bardhë si faqja e Kosovës Nënë.”
Ardhja e xha tares na gëzoi të gjithëve. S’ dinim a të qanim a të qeshnim nga gëzimi. Ai s’ ishte si Musai, që fliste tamam ulqinakçe, por toskërishte e bukur, e tharrtë si aguridhja. Ndonëse gjysmë analfabet e i varfër, ai s’ kishte harruar se kostumet na duheshin dhe, pa e lodhur kokën për peripecitë që e prisnin rrugës, ishte ngjitur në tren dhe erdhi në minute e fundit.  Pesë minuta më vonë, pasi morëm leje nga Jan Folke që ta përdornim sallën B, hapëm valixhet dhe nxorëm mitanat, tirqët, jelekët, xhurditë e çorapat e gjelbra, me lule, që na kujtuan lëndinat e Rugovës. Bardhëtia e mitanave, vezullima e ylbertë e shoqave dhe petalet e kuqe që kishin vizatuar duart e motrave shqiptare na mbushën me një eufori që s’ kishim përjetuar gjatë kohë.
Përjashta binte shi por brenda pëllciti kënga. Ismeti e zuri fizarmonikën dhe shqiptarët, falë gabinës që gjendej pranë banakut, e njoftuan shoqi shoqin se xha Tarja kishte ardhur dhe ne duhej të zgjoheshim nga kllapia. Të gjithë erdhën për ta përshëndetur. Erdhi edhe Sali Gashi, që e njihte nga Ulqini. Mjerisht, ai ishte i lodhur nga rruga e gjatë dhe Saliu, pasi na pa me keqardhje, brofi në këmbë.
“ Mos na merni për të madhe, por ne do t’ ju lëmë vetëm,” tha ai. ”Axha Tare është i lodhur dhe ka nevojë të pushojë. Ju vazhdoni se – nesër kismet – shihemi prapë. Ja këtu, ja në klubin e Safetit.”
… Të nesërmen, që për mua ishte kremte e madhe, më e madhe se Viti i Ri, më e madhe se Shën Gjergji, më e madhe se Bajrami i Madh e më e madhe se Bajrami i Vogël, unë duhej të punoja. As tjerët s’ ishin të lirë. Sipas fjalëve të Ajet Tetovës, Safeti kishte ndërrimin e tretë, Fadili duhej të shkonte në Geteborg, Samiu kishte ndërrimin e parë, ndërsa Ismet Vrella dhe Rasimi duhej të shkonin në koktejin që do ta shtronte Legata Jugosllave për nder të qytetarëve jugosllavë. Më këtë rast ata do të mirnin edhe informata se kur – saktësisht – duhej të fillonte ajo çfaqja ”e përbashkët”, që iu kishte dedikuar 29 Nëntorit, ditës së çlirimit të Jugosllavisë.        
Më kishte dalë gjumi herët dhe pija kafe në ballkon. As kisha mallë të shkoja në shkollë, as kisha mallë të rrija në shtëpi. Gjashtëdhjetë e tri vjet… Aq vite kishin kaluar nga kremtja e Vlorës, kur Shqipëria e shpalli veten të lirë e të pavarur, por ajo ishte gjithnjë e gjymtë, e paralizuar dhe timonin e saj e mbanin ish sherbëtorët e Titos që tani – për inatë të Krushevit – ishin lidhur me Mao Ce Dunin. Çka kishim arritur gjatë asaj kohe që ishim “të lirë”? Një hap para, dy hapa prapa, do të shonte shoku Lenin. Ndonëse bota kishte përjetuar dy luftëra botërore, gjysma e Shqipërisë dergjej në robëri. Të gjithë popujt tjerë, vietnamezët, palestinezët, angolezët e mozambikasit, bënin  luftëra nacional – çlirimtare, ndërsa ne prisnim mëshirë nga ata që na kishin vrarë shekuj me radhë. Haxhi Zeken na e vranë në Pejë… Isa Boletinin në Podgoricë… Çerçiz Topullin në Shkodër… Ismail Qemalin në Perugjia… Bajram Currin në Dragobi… Azem Bejtën në Drenicë… Luigj Gurakuqin në Bari… Hasan Prishtinën në Selanik… Abdullah Krashnicën në Vranjë… Mulla Idrizin në Gjilan… Xhem Gostivarin në pyjet e Sharrit… Dhe këta ishin vetëm maja… Ishin më të njohurit… Pas tyre vinin me qindra, me mijëra dëshmorë të tjerë… At ana vranë, ndërsa ne, duarthatët e një apokalipse absurde, vazhdonim të jetonim me pasardhësit e tyre në paqë, thua se s’ ka ndodhur midis nesh asgjë… Sikur t’ isha analfabet dhe të mos i dija ato që dija, dhembja do t’ ishte më e lehtë. Por unë i dija të gjitha dhe për hatrin e vëllezërve punëtorë, për hatrin e një patriotizmi të rrejshëm, i haja argumentet e tyre si llokume.
Ne mundeshim edhe ndryshe, po s’ donim. Data 28 Nëntor, kur përfaqsuesit e të gjitha trevave të Shqipërisë Etnike e ngritën flamurin Kuq e Zi në Vlorë dhe e shpallën Shqipërinë të pavarur, binte atë ditë, por sypetritat e Shoqatës “Vëllazërimi” donin ta kremtonin dy ditë më vonë… Sëpari duhej kremtuar çlirimi i Jugosllavisë Titiste, pastaj çlirimi i Shqipërisë Nënë. Dhe unë, duke mos mundur ta kremtoja me vëllezërit e mi, do ta kremtoja Ditën e Flamurit me Isperin, mikun tim palestinez. Edhe ata të ngratë kishin vëllezër të pasur, miliarderë, por asnjëri prej tyre s’ mirte mund t’ i ndihmonte e t’ i punësonte në emiratin e tij. Edhe ata, njësoj si ne, ishin të vetmua në përpjekjet e tyre për liri.
Pastaj vajta në punë e punova deri më katër e gjysmë. Duke qenë se provat e asaj dite ishin anuluar, hyra në Qendër për ta blerë një këmishë të bardhë dhe për të verifikuar nëse afishet ishin aty ku i kishin vënë një natë më parë.
Çdo gjë ishte në vendin e vet. Mungonte vetëm afishi që duhej vënë në dritaren e Bibliotekës Lokale. Deri sa po kuvendoja me kujdestarën, zonjën Çeçilia Frederikson, pash se Epa ishte plot e përplot me shqiptare. Në njërën nga tavolinat më të para ishin ulur Hajdar Reçi, Nazim Çajani, Selim Brahaj dhe Sali Gashi. Nazimi, një tip i thatë e i hidhur si xhenxhefili, fliste me duar e me sy, ndërsa tjerët shtireshin se dëgjonin por kjo s’ kishte nevojë të jetë e vërtetë. Mjerisht, pa e mbaruar bisedën si duhet, Saliu dhe Selimi brofën nga tavolina dhe ikën drejt vendparkimit. Po xha Taren vallë ku e kishte lënë?
Mora një kafe dhe, pasi i përshëndeta ata tjerët, zura vend pranë derës së hapur. Ata dërdëllisnin diçka në turqishte, une e shfletoja gazetën ”Aftonbladet”. Sikur ishin zënë për diçka, se Nazimi shante të gjallë e të vdekur, ndërsa Hajdari i mbante iso. Ai tjetri dukej i mllefosur, I revoltuar, edhe me Açikgjozët, edhe me Gashët, edhe me Plluqkajt, edhe me Kolgjinët. Më së shumti me Gashët, që e kishin ”Çamin” te shtëpia dhe s’ e çonin te krushku, Asllan Brisku. Ky i fundit kishte shkuar deri në Titograd për të kuvenduar me te, po Çami “ s’ kish bërë kabull” të ulej me të.
“ Këta njerëz s’ janë normalë,” tha Nazimi, duke na spërkatur me atë buzëqeshjen e tij prej ujku.  “ Se të kishin pak kulturë, do ta mernin plakun e do të shkonin në Avesta, do ta pinin një kafe dhe – si shqiptarë që janë – do t’ ia gjenin një çare atij djali që pranë nënës ka mbetur i panënë. Nuk e dijnë Gashët që malsorët janë idhnakë dhe s’ ia falin askujt? Ai fëmi që sot po rritet në duar të huaja nuk është pa nënë dhe Jugosllavia, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, duhet t’ iu përmbahet konventave që ka nënshkruar… Kaq di të them unë…”
“ Ja që s’ po bëjnë gjë,” tha Hajdari.
Ora ishte shumë dhe duhej të ikja. Rrugës, deri sa po ecja drejt shtëpisë, po e pyesja veten çka e kishte sjellë xha Taren kaq larg: dëshira për t’ u pajtuar me krushkun e tij apo obligimi që kish marrë Musai për të na i sjellë kostumet kombëtare? Kish mundësi që kostumet ishin dora e djathtë dhe kjo duhej ta lante të majtën. Unë, për vete, s’ shihja gjë të keqe n’ atë veprim. Miftar Kryeziu ishte prind dhe mbase i vinte keq për nusen e djalit. Nëse kishte ardhur vetëm për ta mbajtur fjalën, ajo ishte në rregull dhe duhej t’ia dinim për nder. Po nëse kishte ardhur për ta mbyllur edhe plagën e tij familjare, duhej t’ i dëftonte ndonjërit prej nesh. Jo se kishim përvojë n’ ato punë, por do ta lusnim zotin Nevruz, që ishte burrë i nderuar apo Hysen Çelajn, që ishte vetë çam, dhe ata do na ndihmonin me gjithë qejf. Paçka se plaku s’ kishte thënë gjë dhe ne, pa marrë parasysh se kishim pirë një kafe me të, nuk guxonim të hynim në çeshtje familjare. Ne kishim njëfarë opinioni, na dhimbseshin të dyja palët, veçanërisht Besarti i vogël, por s’ kishim të drejtë t’ i kalojmë kufijt e mirësjelljes.
Pikërisht m’ ora shtatë të mbrëmjes dola nga shtëpia dhe mora tridhjetegjashtën. Ajo linjë e ndjek rrugën Amiralsgatan, kalon urën me po atë emër dhe qëndron në sheshin Gustav Adolf Torg. Duke e kaluar udhëkryqin Amiralsgatan – Fereningsgatan vura re se Policia e kishte bllokuar rrugën dhe autobusi duhej të lakonte më të djathtë, drejt Sheshit Vernhem, pasiqë pjesa tjetër e rrugës ishte mbushur me demonstrantë. Autobusi ngeci në vend. Demonstrantët, një turmë e pafund grash e burash e fëmijsh, me qirinj, pankarta e flamuj në duar, e kishin mbushur rrugën nga trotuari në trotuar dhe ecnin me hap të ngadalë drejt kompleksit Hansa Kompaniet. Atejpari s’ kalonte njeri pos atyre që ecnin në këmbë.
E luta shoferin të ma hapte derën. Me të dalë përjashta e kuptova se gjendesha në vorbullën e një demonstrate kroate. Ajo kishte për qëllim t’ ua kujtonte malmoitëve se në Jugosllavinë Federale nuk mbretëronte paqja e harmonia deri sa burgjet jugosllave ishin të mbushur me punëtorë, studentë, intelektualë e ushtarakë të lartë për të vetmin faj se kërkonin liri, demokraci e vetvendosje. Herë pas here, sa herë që fliste një djalosh me altoparlant, ata thërrisnin në kor emrin e një njeriu që quhej Tugjman. Kisha lexuar diçka për atë njeri por s’ e kisha të qartë nëse zoti Tugjman ishte profesor apo ushtarak. Ndryshe nga demonstrantët arabë, që shpërndanin trakte dhe këndonin këngë revolucionare, kroatët ecnin në radhë dhe vetëm kohë pas kohe thërrisnin me zë të lartë. Por çirrmat bëheshin gjithnjë e më të larta sa më afër Legatës që vinim. Atje, në Stura Nygatan, shquante një mal flamujsh dhe pankartash… Poshtë Poshtë Josip Broz Tito… Poshti regjimi komunsit… Lëshoni djemt dhe vajzat tona nga burgjet… Poshtë Diktatura…
Dikur, kur turma arriti në Stura Nygatan, dola nga radha dhe u ngjita në katin e dytë të hotelit ”Sankt Jorgens”, sepse s’ atejmi mundesha t’ i shikoja më mirë ”armiqët e popujve jugosllavë”.
Edhe tani që e kujtoj atë demonstratë pyes veten me sa fytyrë i quante regjimi ata njerëz të kulturuar ”armiq të popullit”? Ata ishin të veshur si zotërinj dhe me qirinj në duar kërkonin për popullin e tyre paqë, liri e pavarsi, deri sa mysafirët e shokut Konzull, si minjt e bodrumeve, pasi ndërronin fjalë me policët që e kishin rrethuar Legatën, përvidheshin nëpër derën e saj si hajna e personazhe të filmave komikë. Njëherë kaluan përfaqsuesit e Shoqatës Jugosllave ”Vuk Karaxhiq”, pastaj përfaqsuesit e Shoqatës ”Makedonia”, pastaj përfaqësuesit e Shoqatës ”Trigllav” dhe, në fund, përfaqsuesit e shoqatave  ”Ballkan”,”Serbia” dhe ”Vëllazërimi”. Përfaqsuesit e ”Vëllazërimit” s’ ishin vetëm. Atyre iu kishte bashkangjitur një serbe që punonte në Radio Malmohus dhe Nevzat Shakiroski.
Demonstrata vazhdoi deri m’ ora tetë. Jehona e kërkesave të popullit kroat u dëgjua deri vonë rreth e përqark sheshit Gustav Adolfs Torg. Pastaj, deri sa ”përfaqsuesit” e Jugosllavisë Federative hanin  pinindhe çonin dolli për shëndetin e shokut Josip Broz, para Legatës lexoheshin peticione, mbaheshin fjalime, dënohej regjimi policor i atij vendi komunist dhe kërkohej që Suedia të mos e ndihmonte duke i shitur anije dhe mjete të blinduara. Pak para orës tetë demonstrata mori fund dhe njerëzia ikën në drejtime të ndryshme. Disa prej tyre u rrasën në katin e parë të hotelit Sankt Jorgens për ta lagur fytin, të tjerët vazhduan drejt Sheshit të Madh, ku duhej ta gjeja Isperin.
Isperi ishte i pikëlluar. Edhe ai, njësoj si unë, e kishte parë demonstratën prej së largu. Kroatët, edhe nëse kishin ndonjë komunist në mesin e tyre, kishin të paktën orgaznizata të mëdha, patriotike, që mblidhnin lekë, botonin libra, hartonin trakte, organizonin demonstrata dhe e përgadisnin popullin për një luftë nacional – çlirimtare. Ça bënin popujt tanë? Popujt tanë ishin të paralizuar nga frika. Ata s’ ishin tridhjetë vjet – por njëqind e tridhjetë vjet – prapa popujve tjerë. Diaspora palestineze endej midis marksistëve të PFLP-s dhe ryshfetllinjëve të Al Fatahut, ndërsa diaspora shqiptare midis ca organizatave balliste e zogiste që s’ i njihte asnjë qeveri e botës, sepse ishin reakcionare e nacionaliste. Ato jo vetëm që s’ bënin gjë për popullin, por edhe neve të rinjëve na joshnin nëpër këneta e moçale…
Jo, mbrëmja kishte bërë para dhe ne duhej të porositnim diçka. Gjoja ishim takuar për ta kremtuar përvjetorin e shpalljes së pavarsisë por ende s’ e kishim zbrazur një gotë në kujtim të atyre që e ngritën Flamurin Kuq e Zi në Vlorë. Ata bënë të vetën dhe shpallën një Shqipëri të lirë e të pavarur në Gadishullin Ballkanik por, për fatin tonë të keq, ajo ditë shenonte agun e një robërie të re. Si sllavët, që i kishim fqinj, ashtu dhe grekët që i kishim dyfish fqinj, për gjashtëdhjetë e sa vjet do përpiqeshin të na qërojnë nga faqja e Dheut. Veç i Madhi Zot që ishte me ne. Gëzuar, pra… Gëzuar për një Shqiperi të Lirë… Gëzuar për një Shqipëri Demokratike… Gëzuar për një Shqipëri Shqiptare…
Aty nga ora nëntë e gjysmë na u bashkangjitën edhe ”përfaqsuesit e Shoqatës Vëllazërimi”. Si Ismeti, ashtu dhe Rasimi, ishin të entuziazmuar. Aq mirë e aq përzemërsisht i kishte pritur shoku Konzull sa s’ kishin fjalë për ta çfaqur entuziazmin e tyre… Ama edhe s’ ishte çudi, se shoku Konzull ishte nga Kroacia dhe sa t’ ishte Kroacia dhe shoku Tito,  Kosova do t’ ecte përpara… Sëshpejti Kosova do bëhej “dërzhavë më vete” kishte thënë shoku Sinan. E rëndësishme ishte që kosovarët të rrinim urtë. Ashtu iu kishte thënë edhe shoku Konzull. Mu për ate djemt dhe vajzat e Kosovës duhej të mirnin pjesë në çfaqjen solemne… Duhej ta dëftonim veten në skene… Duhej që edhe Suedia ta kuptonte se Jugosllavia ishte një formacion modern… Një parajsë e ”vëllazërim-bashkimit”… Jugosllavia ishte kundër atyre që villnin vrer dhe urrejtje, se ishte ndërtuar në flakën e një lufte nacional – çlirimtare, kur popujt e Ballkanit kishin luftuar krah për krah me popujt liridashës dhe e kishte mundur Gjermaninë fashiste…
Pastaj shoku Konzull i kishte njoftuar shokët përfaqsues se ato bishat që çirreshin e ulërinin përjashta jo vetëm që i kishin dërguar protesta e peticione por ishin kërcënuar se nesër, kur qytetarët jugosllavë do ta kremtonin 31-vjetorin e republikës së tyre, ata do ta rrafshonin ”Amiralin” me tokë. Dhe mirë bënin që kërcënoheshin, se n’ atë mënyrë ia bënin të qartë Suedisë që prapa asaj demonstratet ë ashtuquajtur ”demokratike” fshiheshin nacionalistët dhe ustashët e Paveliqit..
Unë s’ kisha tjetër opcion pos të dëgjoja. Çdo fjalë që e kishte thënë shoku Konzull i takonte një zhargoni politik që e dija përmenç. Pas atij vërshimi lirik që sollën admiruesit e Jugosllavisë Federale s’ mbetej tjetër veçse ta mirja Isperin e të ikja te shtëpia, se ata tjerët kishin pirë goxha shumë dhe donin të vallëzonin me flokëverdhat që ishin ulur rreth e përqark nesh.
” A dini çka,” iu thash miqësisht.” Shkoni e vallëzoni, se unë e Isperi kemi familje. Nesër, si të jetë kysmet, shihemi në Zyrën e Seksionit të Rinisë.” 
Si për hatrin e tifozëve jugosllavë, që atë natë do të hanin e do të pinin e do të deheshin për nder të 31-vjetorit të Jugosllavisë Titiste, e shtuna ishte me diell. Ato retë e murrme, që rëndomtë pezullojnë mbi pallatet e hotelet e këtij qyteti të rrafshët, kishin thyer qafën diku dhe të dy stadiumet e Rusengordit zienin nga klithmat e të rinjëve ardhacakë që kishin dalë për të ushtruar.
Duke marrë parasysh se një ditë më parë isha i nxënë me punë dhe s’ e pashë fare xhaxhi Taren, piva kafen e rëndomtë dhe, pa humbur shumë kohë, dola në zyrën e Seksionit ”Shote Galica”. Nuk deshta të shkoja në ”klubin” e Safet Plluqkës sepse aty diku, pas orës njëmbëdhjetë, në njërën nga sallat e Shtëpisë së Aktiviteteve të Lira anëtarët e Shoqatës do të vinin për të ushtruar me kostumet kombëtare. Të gjithë ishin pak të brengosur, se kostumet që na kishte nisur Musai ishin të mirëfillta, që do të thotë tepër të trashë dhe të papërshtashëm për të vallzuar në skenë. Unë s’ mora mund të zbrisja në ”klubin” e Plluqkës por kisha informata se ai, pas mbledhjes së përbashkët, ishte ringjallur pak dhe, me nisjativën e Ajet Abdyl Latifit, të rriturit e kishin blerë një daulle të re dhe rolin e daullexhiut ia kishin dhënë Xhemal Fetiut.
Pak pas orës një të pasditës, korridori i Shtëpisë së Aktiviteteve u mbush plot me të rinj e të rritur shqiptarë. Të gjithë e dinin se nesër, më ora katër pasdite, në sallën më të madhe të atij lokali, do të jepej një program i pasur me këngë e valle popullore. Për të qenë e mira edhe më e madhe, ata kishin dëgjuar për kostumet që na kishin ardhur me xhaxhi Taren dhe donin ta shuanin kurreshtjen e tyre para kohe.
I pari nga ata që ia behu në derën e Seksionit ”Sote Galica” ishte aga Vesel. Vesel Bajrami. Pas tij, njëri pas tjetrit, erdhën Xhemal Fetiu, Zia Beqa, Ajet Abndyl Latifi, Sami dashi, Hajdar Reçi, Jakup Gashi dhe Bahri Zujferi. Të gjithë ata, me përjashtim të bacit Vesel dhe Ismet Vrellës, që erdhi i fundit, vajtën brenda, pranë banakut të Shtëpisë dhe u ulën të pinin kafe. Vetëm Ismeti që kishte blerë një çj dhe erdhi të rrinte me mua. Ai ishte gjithnjë i kënaqur me veten dhe tani që jetonte me Karinën, një kolege të shkollës Krydgord, insistonte ta shoqëroja edhe unë deri në Parkun Popullor, ku do të jepej çfaqja e përbashkët. Jo se donte të më vente në pozitë të keqe, por  sepsae kishte një parandjenjë që ata majmunat e Suha Rekës do t’ i dilnin duarsh dhe ai do të turpërohej para gjithë atij populli.
” Ti s’ ka nevojë të bësh asgjë,” më tha Ismeti. ”Mjafton të jesh atejpari dhe atë çast që ta shohësh të domosdoshme, të ndërhyjsh me vendosmëri. Se ti je mësues i tyre dhe ta kanë frikën.”
” Mos ki dert, se s’ të lë në baltë,” i thash.
Tani ai dha urdhër të nxireshin kostumet kombëtare dhe të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, të shkonin në sallën A. Kjo ishte dyfish provë, edhe provë, edhe provë gjenerale, sepse valltarët duhej ta provonin daullen dhe kostumet kombëtare, Vetë Ismet Reçi, që kishte përvojë të madhe me vallet, qysh pardje mbrëma i kishte deklaruar si ”të papërshtashme”.
Shi n’ ato çaste, kur unë dhe xha Vesel po kuvendonim për diçka të parëndësishme, triviale, në pragun e zyrës ia behu xhaxhi Tare, babai i Musa Kryeziut, i shoqëruar nga Ibrahim Gashi.  Këtë herë ai m’ u duk më i gjatë dhe më i pashëm. Ai ishte larë, ishte rruar dhe kishte veshur rroba të reja. Vetëm pallton, ate që pardje ia kishte lagur shiu, gjithnjë s’ e kishte hequr nga trupi.
” A mujte, o Miftar Kryeziu,” e përshëndeti baci Vesel. ” A pushove ndopak? A të mbajtën me llafe këta miqët?”
Xhaxhi Tare ishte shumë i kënaqur.
“ Unë jam shumë – shume i kënaqur,” tha duke nxjerrë kutinë nga xhepi. ” Dje kam qenë gjithë ditën te krushku dhe më ka mbajtur me shumë muhabet. Sot në mëngjes kemi pirë kafe dhe vetë më ka sjellë në Malme. Nuk hyri brenda se kishte punë në Helsingborg. Nga sa kuptova, emigrantët shqiptarë paskan vendosur ta kremtojnë Ditën e Flamurit n’ atë qytet. Më luti edhe mua të shkoj, por i thash se dua të rri pak me Saliun. Ju e dini që im bir dhe Sali Gashi janë mbajtur shumë me njëri tjetrin”.
” Po, ate e dime,” i thash unë.
Edhe pse plaku s’ na tha më teper, gjegjësisht as kush e kishte marrë me telefon, as kush e kishte shpënë atje, as për çka kishin kuvenduar, unë s’ e pash me vend të shkoja më larg. Por me gëzim të madh u turra drejt banakut dhe mora dy kafe të reja. Një për Miftar Kryeziun, një për Ibrahim Gashin.
Xha Veseli, Vesel Bajrami, që njihej me plakun e Briskajve, ia hodhi një cigare mbi tavolinë dhe e pyeti për shendetin e tij.
“ Ani qysh ish zotni Sulejmani, be Tare? Se goxha do vjet i ka?”
” Shumë mirë ishte,” tha xha Miftari. ”Kemi ndenjur gjithë natën e  lume. Jo dhe aq me Asllanin, sa me të. Ai më ftoi në besë, se për atë bagatellën e tim biri nuk do të shkoja fare. Dua të dini një gjë: Unë jam çam dhe s’ merrem me punë të grave, por mikun e trajtoj sipas Kanunit që na ka lënë Skenderbeu. Ama edhe zoti Sylejman është zotëri burrë.”
Kjo s’ ishte e mjaftueshme për bacin Vesel. Ai kishte filluar të plakej dhe s’ dëgjonte mire. Ai ia zgjati mikut shkrepsen dhe e pyeti pa të keq:
“ Ani si u bë puna, o vëlla? A veç u takuat apo edhe u ndreqët?”
“ U ndreqmë për pesë dekika,” ia ktheu xhaxhi Tare, duke e tundur kokën rëndë rëndë, si për të dhënë sinjal se s’ donte të hynte më thellë. Megjithate, ai vazhdoi edhe pak.  “ Andaj edhe lakova te ju, që t’ ju falenderoj nga zemra, se nesër – jo, por pas nesër, pasi të buaj edhe një natë te krushku, bashk me nusën e Musait, do të kthehem në vendlindje. Edhe krushkut iu bë qejfi. Shyqyr që i solle ato veshje kombëtare dhe u pamë, më tha.”
“ Hajde, hajrli qoftë,” tha xha Veseli.
“ Të shkuara,” i thash edhe unë, pa dashur të gërmoja më shumë.
Ata nuk qëndruan shumë. Duke qenë se të rinjtë hynin e dilnin nga zyra, provonin kostumet, kërkonin ndonjë spagë, rregullonin ndonjë mitan, tërë kohën duke ia zgjatur dorën plakut fytyrthatë, Ibrahim Gashi dha sinjal se do të shkonin për drekë. Ai as na ftoi, as na dëftoi se ç’ plane kishin për atë mbrëmje.
Atë mbrëmje, pak para orës gjashtë, unë dhe Ismet Vrella dolëm para Sallës së Sporteve për t’ i mbledhur të rinjtë që do të këndonin e vallëzonin në programin e përbashkët të shoqatave jugosllave. Salla e lokalit “Amiral” gjendej pranë Parkut Popullor dhe neve s’ na duheshin më shumë se njëzet minuta për të shkuar atje. Mjerisht kjo vlente për fëmijët suedezë e italianë, por jo dhe për lepurushat shqiptarë që tërë kohën ziheshin dhe e shqelmonin njëri tjetrin. Falë Xhemal Fetiut, që ishte i rrebtë, gojëprishur dhe arrogant, arritëm t’ i bëjmë rresht dhe të nisemi dalëngadalë. Sipas marrëveshjes, unë e Xhemali duhej t’i përcillnim  deri te hyja, pastaj ishim të lirë të përzihemi me popullin dhe ta ndiqnim spektaklin prej së largu.
Por aq e rehatshme s’ do na dilte rruga. Ndonëse ecnim me hap të ngadalsuar, në mbërritëm në Parkun Popullor më gjshtë e gjysmë dhe pritëm që kujdestar të na hapte derën e skenës. Salla ku do të mblidhej populli dhe do të çfaqej ai program ishte jashtzakonisht e madhe, jashtzakonisht e ndritshme dhe – jashtzakonisht e zbrazët. Përjashta mbretëronte një errësirë e trashë, por brenda mbretëronte një shkreptimë e hollë. E tejdukshme. Askush pos të rinjëve pjesëmarrës s’ kishte ardhur dhe një zot e dinte kur do të fillonte ajo çfaqje. Skena ishte e madhe, altoparlantët ishin në vend, por ata s’ funkciononin si duhet. Anëtarët e shoqatës “Vuk Karaxhiq”, që do të vallëzonin me manjetofon, kërcenin nga pak dhe donin të bënin një provë gjenerale, por udhëheqësi i tyre, një garravel i gjatë, s’ ishte i kënaqur me disciplinën e tyre. Ai i ndërprente çdo çast dhe, në praninë e të gjithë fëmijve, i quante derra, i quante kafshë, i quante bij kurvash, deri sa njëri nga anëtarët e kryesisë e detyroi të ikte përjashta.
Gjatë tërë asaj kohe në sallë zhvillohej një komedi tjetër: dy specialistë të Policisë suedeze, të armatosur deri në dhëmbë e të përcjellë nga dy qen të races “shefer”, silleshin e mbështilleshin nëpër çdo skutë të asaj hapsire. Ata e kontrolluan skenën, panë mos ishte montuar diçka prapa perdeve, kontrolluan tavolinat ku do të ulej populli, e morën në pyetje kujdestarin e banakut dhe i lëshuan qenët në të trija banjot e mëdha. Ku ta dish si arsyetonin nacionalistët kroatë? Askush s’ ishte i gatshëm të fluturonte n’ ajr dhe, më së paku, një konzull që sapo e kishte filluar karrierën e tij n’ atë vend. As altoparlantët s’ dukeshin në rregull. Një djalë i ri, i gjatë e i sjellshëm, frynte e shfrynte në mikrofonat e zinj, por zëri i dilte copa – copa, qesharak. Sipas afishes, programi duhej të fillonte m’ ora shtatë, por spektatorët s’ dukeshin askund. Fundja, cili serb donte të kremtonte me nacionalistët kroatë? Dhe cili kroat donte të kremtonte me nacionalistët serbë? Vetëm ne, shqiptarët, djemt besnikë të shokut Tito, s’ kishim kundër t’ i harronim plagët e moçme dhe të uleshim me ata që gjithmonë na kishin sharë e keqtrajtuar. Ne ishim të zhveshur nga gjaku arbëror dhe krenaria kombëtare.
Më në fund u hapën dyert. Të parët që shkelën në sallë ishin “shqiptarët e Jugosllavisë” të përfaqsuar nga Açikgjozët e Lipjanit. Vala e dytë përbëhej nga boshnjakët, në mesin e të cilëve shquante zonja Arza, dikur e martuar me një turk tani përsëri beqare. Pas kësaj të fundit vinin Beqajt, Bajramajt, Plluqkajt, Tasharabajt, Zujferrët dhe Beqirajt e Bella Cërkvës. As këta s’ ishin të gatshëm të armiqsohen me shefin Legatës Jugosllave, që nëpërmjet Arzës i kishte ftuar të gjithë me radhë. Ashtu e donte rregulli; tek se ishin lindur brenda kufijve të Jugosllavisë duhej ta dëshmonin dashurinë e tyre për atë vend edhe nëse do të vdisnin në Suedi. Deri sa po e kërkoja një vend për  vete e Xhemalin, erdhi zoti Darko dhe i njoftoi Gashët se Legata kishte shtruar një tavolinë nderi dhe dikush nga shqiptarët duhej të ulej pranë zotit Konzull. Kush tjetër e meritonte atë post  pos Ibrahimit tonë që ishte më i madhi i një familje të madhe? Ai i la çupat dhe djemt të lodronin nëpër sallë dhe vajti e ul pranë zonjë Jurka, një kroate të ndarë nga burri saj boshnjak.
E tërë ajo hallakamë, me tarakakaçe e pijanecë, do ta bënte dikend të çmendur, por unë i kisha paraparë të gjitha dhe, për të mos e humbur davanë, e lash Xhemalin vetëm e ika t’ i ndihmoj Ismetit. Ai s’ e kishte lehtë me ata djem e vajza që sapo kishin hyrë në pubertet dhe s’ i zente vendi vend. Me një valle që do ta luanin n’ ”Amiral”, ata duhej t’ ua plotësonin dëshirën prindërve të tyre frikacakë… Përndryshe, vaj halli… Të prisje diçka më të madhe prej tyre ishte njësoj si të prisje që Naim Frashëri të kthehej midis të gjallëve.
”Amirali”, një sallë e madhe dhe e rrafshët, u mbush shpejt, por spektatorët pritonin të uleshin nëpër vende. Përkundër dëshirës së zotit Konzull, që kishte pritur rregull e harmoni, asgjë s’ funkciononte si duhet. Ata më të këqinjtë ishin altoparlantët… E kjo s’ ishte aspak në rregull nëse merret parasysh që asnjëra nga shoqatat tjera s’ kishte muzikë të gjallë dhe të gjitha grupet vallëzonin me manjetofonë…
Dhe ja ku erdhi radha e Shoqatës ”Vëllazërimi”. Të parët hynë muzikantët, Ismet Vrella, Ajet Abdyl Latifi dhe Myxhait Ohri, pastaj djemt dhe vajzat tona. Prania e këtyre të parëve ishte një mbështetje e madhe për të rinjtë dhe unë isha i sigurtë që ata do ta shfrytëzonin përparsinë që kishin. Sëpari e nisën me këngë – Në bahçe me portokalle, Vajta n’ Elbasan e Mora mandolinën – dhe e mbaruan me Shotën, të cilëne e zgjatën deri sa u lodh orkestrina. Si me putpurinë e këngëve të dasmës, ashtu dhe me ”Shotën” ata u ndanë shqkëlqyeshëm. Duartrokitjet e të pranishmive, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, ishin të ngrohta dhe të sinqerta.
Të nesërmen, kushdo që e hapte të përditshmen “Arbetet” mundej të mësonte se dje mbrëma, në sallën e madhe të lokalit “Amiral”, punëtorët jugosllavë, të inkuadruar përkohësisht jasht atdheut të tyre, e kremtuan tridhjetenjëvjetorin e Republikës së Jugosllavisë me këngë e me valle. Kremtimin e hapi Shkëlqesia, Zoran Veoçiq, konzull i Jugosllavisë në Malmö, dhe në praninë e qindëra qytetarëve jugosllavë iu uroi shendet e punë të mbarë. Në ballë të fotografisë dukeshin vallëtaret tona të vogla, të veshura me çitjane, prapa tyre një fotografi e madhe e Josip Broz Titos…
Ta thotë mendja që të nesërmen isha i lodhur. Sapo isha gdhirë në mengjes dhe po e kujtoja cirkun e natës së kaluar kur pingërron zilja e telefonit që kishim në korridor dhe komshiu im, një sudent iranez, trokiti në derën time. Kush më kërkonte, vallë, aq herët? Samiu jo se jo. As Hajdari. Pas vendimeve që u morën në mbledhjen e fundit, këta vinin në zyrën e Seksionin e Rinisë, mernin pjesë në diskutime, por ishin të bindur se Shoqata na kishte dalë nga duart. Une mendoja ndryshe dhe isha i sigurtë se një ditë, kur do të vinte dita e saj, Shoqata do ta plotësonte detyrën e saj. 
Ai që më thërriste me “sabah” ishte kryetari. Unë s’ e kisha parë, po Safet Selimi paskësh ardhur në “Amiral” dhe e paska parë spektaklin. Mjerisht, ai paska qenë në shoqërinë e dy miqëve suedezë dhe s’ paska gjetur rast të na ndihmonte me fëmijët. Nejse, xhanëm, falë dy Ismetave që kishte Shoqata, ne kishim dalë nga balta. Ai e kishte në dorë të përditshmen “Arbetet” dhe ishte i kënaqur me artikullin e saj. Mos për tjetër, të paktën për atë fotografinë që e kishte zënë gjysmën e gazetës me ato çitjanet e gjëra kosovare që për herë të parë po dilnin në shtypin suedez.
“ Po më vjen keq që s’ i the nja dy fjalë,” tha ai.
S’ e kisha të qartë ku donte të dilte. Me sa duket, artikulli që kishte nxjerrë gazeta ”Arbetet” e kishte frymëzuar për ironi.
” Gabim e ke,” iu përgjegja. “ Nëse duhej dikush t’ i thonte nja dy fjalë ishit ju që votuat për pjesëmarje. Për mua 29 Nëntori simbolizon fitoren e komunistëve jugosllavë dhe shqiptarë. Ajo datë shënon agun e një robërie të re që do mbetet e shquar për arrestime, dënime, pushkatime, mbledhje të drithit e gjenocid të shqiptarëve. Ti duhet t’ i dish këto punë, se je pjesmarrës i demonstrative të të 68-it. Apo i ke harruar ato?”
” Mos i shiko punët gabim,” m’ u arsyetua ai. ” Shifi nga pikëvështrimi i fitoreve të arritura. Nëse ma ke hatrin, do t’ i thuash ca fjalë edhe sot, se hiç s’jam në formë.”
” Ai është problem i yti,” i thash. ”Si të jetë për të folur, s’ kam nevojë për letra dhe, sa herë që i kam përdorur, ka qenë për ta fshehur turpin tonë të përbashkët. Ne, sikur t’ ishim burra si ata të motit, do t’ ia thoshnim popullit të vërtetën dhe s’ do ta fusnim nëpër këneta si ai qorri i Radoje Domanoviqit.”
Ai s’ ishte i prirur për debat. Heshti një cope dhe, pasi lëshoi një ofshamë të thellë, më dha shenjë se donte të mbaronte.
”Sonte paske fjetur në krah të majtë,” tha. “Hajt se shihemi pastaj.”
Unë, edhe sikur të kisha diçka të them, s’ e kisha publikun me vete. Një ditë më parë, duke e prezantuar grupin e të rinjëve e të rejave shqiptare, spikeri suedez e ceku se “shqiptarët e Jugosllavisë” për herë të parë çfaqeshin në sallën “Amiral”. Ate s’ e tha nga cmira apo inati, por nga të dhënat që kishte nga Zyra e Emigracionit dhe vetëdija se, ndonëse ishim të shumtë në Malme, për herë të parë çfaqeshim bashkë me jugosllavët. Kjo ishte – sipas tij – prova më e mirë se të gjitha kombet e kombësitë që jetonin në Jugosllavi  kishin të drejta të barabarta dhe jetonin në harmoni me njëri tjetrin. Tani çka duhej të shtoja dhe sa do më kuptonin ata vëllezër e motra, që s’ dinin t’ i shkruanin as emrat e tyre?
Sikur t’ ishte Salla A në qendër të Prishtinës, do t’ ju thoshja spektatorëve se shqiptarët kanë qenë moti në skenën e popujve evropjanë. Jo si vrasës, plaçkitës e zullumqarë, por si një popull fatkeq që me qindra here është prerë e përgjakur për hir të popujve më të mëdhenj. Do të filloja me të parët tanë, të cilët Herodoti herë i quan ilirë, herë here i quan pelazgë, por që ishin burra të ndershëm dhe krenarë. Ata popuj që disa here e lëkundën Romën, Bizantin e Stambollin, s’ ishin të përunjur si ne, ngaqë s’ vuanin nga kompleksi e vlerave të pakëta. Kushdo që ka shkruar një libër mbi trojet e të parëve tanë, s’ e ka harruar Bardhylin, Agronin, Teutën, Pirron, Olimbinë e Aleksandrin e Madh… Mjerisht, ne krenohemi me bëmat e tyre, por s’ kemi zemër për t’ iu përngjarë… Ai popull që sapo kish ardhur nga Sojeva, Manastiri, Tetova, Presheva e Varoshi kurrë s’ ia kishte dëgjuar emrin Bajronit të madh. Ata burra e ato gra që ditë për ditë e mbushnin barkun me groshë e me turshi s’kishin as idenë më të vogël për një shqiptar që quhej Ali apo për një tjetër që quhej Muhamet Ali. Unë s’ i përbuzja pse ishin të paditur, por i përbuzja se ishin kryefortë dhe puthadoras. Kujtesa e tyre ishte plot me presh, kunguj, pastërma e bishtcigare dhe në shpirtin e tyre s’ rritej asnjë kokërr e rezistencës. Ajo që ata fikanakë ishin pasardhës të Pirros ishte poaq e vërtetë sa dhe parashikimi i  Gjyshës Azize që im atë ishte stërnip i Sulltan Abdyl Hamitit.
Një ditë më parë ne dolëm si legjionarë të Josip Broz Titos. Manjetofonët që kishim blerë me dromca të Zyrës për Mirëqenie Sociale punonin mire, por jehona e tyre s’e çante dot betonin e pallateve që kishte ndërtuar Skandia. Me ecjen e kohës, memorja ynë do të shndërrohej në Gobi dhe ne do të hanim e do të pinim e do të zbardheshim sikur kurrë s’ kishim dëgjuar për do burra si Hasan Prishtina, Mit’hat Frashëri, Shaban Polluzha, Zef Sereqi, Idriz Gjilani e shumë… e shumë… të tjerë. Çdo varg i tragjedisë tonë po zbehej, po tëhollohej, po shuhej, dhe një ditë, kur do të na pyeste dikush mbi gjenezën tonë, ne do të mendonim se kemi rënë nga qielli.
Me këto mendime u nisa drejt Qendrës thellësisht i bindur se ajo ditë s’ ishte e përshtashme për qortime. Pa marrë parasysh ato që ndodhnin rreth e përqark nesh unë s’ guxoja ta largoj popullin nga vetja. Përkundrazi, duhej ta afroja me Shoqatën, edhe pse kjo ecte në drejtim të gabuar.
Çfaqja që ia kishim kushtuar 28 Nëntorit duhej të fillonte n’  ora tre pasdite. Ashti si dhe një here tjetër, kur s’ ishim të sigurtë se sa veta do na vinin, populli na befasoi me besnikërinë dhe përkushtimin e vet. Gjatë kohë para se t’ i hapnim dyert, Shtëpia e Aktiviteteve të Lira u mbush me gra, burra, pleq, plaka e të rinj që lodronin nëpër korridoret e Shtëpisë së Aktiviteteve të Lira. Pak para ores tre i hapëm dyert e Sallës A dhe ata u sullen drejt karrigeve që i kishim radhitur në formë harku. Duke qenë se këtë herë s’ kishim përfaqësues të huaj apo diplomatikë, në radhën e parë e ulëm xhaxhi Taren, Hysen Çelajn, Emro Kolgjinin, Avni Prespanin dhe të gjithë ata që, hapur apo fshehur, na përkrahnin me gjithë zemër.
Si moderator që më kishin caktuar, i thash edhe unë nja dy fjalë të cilat ia ngrohën zemrën xha Miftarit, xha Hysenit dhe atyre tjerëve që e kishin lexuar Historinë e Popullit Shqiptar, vëllimi numër dy. Unë dhe Hysen Çelaj e kuptonim njëri tjetrin, se ai ishte çam e unë preshevar, të dy dëshmitarë dhe përfaqsues të Shqipërisë Etnike.
Programi ynë, sado i thjeshtë që ishte, ua ngrohu zemrat të gjithëve. Populli sikur i shihte vështirsitë tona dhe u kënaq me këngët që interpretuan të rinjtë e të rriturit e Shoqatës. Ato përpjekje tona të përditshme, të gdhendura e të latuara ndy Ismetat, farfuritën si një lëndinë e veshur me trëndelina e lulëradhiqe. Të gjithë, si emigrantët, ashtu dhe punëtorët ishin të kenaqur. Me putpuritë e këngëve kaluam mirë, gjë që u pa nga duartrokitjet e popullit, ndërsa me vallet, të cilat i kishim pritur me gëzim e kurreshtje të madhe, dolëm më keq. Unë isha relativisht i kënaqur por valltarët, me të mbaruar programi, i  trashën fjalët me njëri tjetrin.  Jo se kishin vallëzuar keq, por donin të vallëzonin më mirë dhe, për t’ iu shmangur ndonjë zënke më të madhe, ikën pa u sqaruar me njëri tjetrin. Çka kishte ndodhur,vallë? Përse gjithë ai hidhërim i panevojshëm?
Shkaku ishte krejt i thjeshtë. Si skena, ku do ta çfaqnim programin, ashtu dhe salla ku ishte publiku është e veshur me parket. Duke qenë se veshjet kombëtare na kishin ardhur vetëm dy ditë më parë, asnjërit s’ i kishte shkuar ndër mend se çorapat e leshta të Malsisë nuk janë aq të përshtatshme për të vallëzuar në një skenë. I pari që do ta vërente këtë gjë ishte Ismeti, valltari më i aftë i Shoqatës, i cili, duke dashur t’ ua komunikonte këtë valltarëve tjerë, nuk i luajti vallet me gjallërinë e rëndomtë, gjë që e dëshpëroi shumë Bahri Zujferrin, valltarin e dytë dhe njërin nga toskët më të disciplinuar që ka patur shoqata.
Nëse i mbyllim sytë para nënave që harruan se kishin nga katër pesë fëmij dhe ata fëmij kishin qejf të luajnë, të vrapojnë, të ngjiten në skenë e të na i prekin altoparlantët – dhe nëse i mbyllim sytë që Shtëpia e Aktiviteteve të Lira kishte nja katër pesë banjo – dhe ato banjo, pas vizitës së kalamajve tanë dukej si Beteja e Kaçanikut, me topa letrash nëpër dysheme e dyer të hapura si n’ Aradost, programi ynë ishte ishte shumë i mirë dhe këte na thanë të gjithë mysafirët që na kishin ardhur për të na nderuar me praninë e tyre. (vazhdon)

Shkruan: Ramadan Rexhepi