SHPËRNDAJE

…Arritëm në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, respektivisht në Amfiteatrin e madh të kësaj biblioteke, ku kishte filluar ceremonia e promovimit të librit të Isa Alibalit. Moderator i kësaj ngjarjeje ishte Sulejman Pireva, ndërsa referues ishin: Prof. Dr. Haki Kasumi, recenzent i librit, Prof. Dr. Izber Hoti dhe veterani i njohur i gazetarisë, Ramiz Kelmendi.
Pas referimeve mora fjalën dhe përshëndeta autorin e librit, Isa Alibali, në emër të Preshevës, në emër të Shoqatës dhe në emrin tim personal. Posa u përmend Presheva, menjeherë erdhi aplauzi i publikut, i cili kishte mbushur Amfiteatrin e Bibliotekës.

Fjalët e mia miradije ishin në drejtim të autorit, Isa Alibalit, ish drejtorit të Teatrit “Migjeni” në Shkodër, njohja me te në Preshevë, Isa Alibalin e njoha të sjellshëm, intelektual dhe të urtë. Këto virtyte të ish drejtorit të Teatrit, Isa Alibali, ishin edhe të gjithë kolektivit të Teatrit, i cili na solli jo vetëm një shfaqje të shkëlqyer, por edhe një kulturë, një mirësjellje dhe urtësi.Atëherë edhe publiku preshevarë patë mbetur jashtëzakonisht i kënaqur me shfaqjen e Shkodranëve
Pasi mbarova fjalën përshendetëse, përmallimi i madh, nuk ishim takuar me Isa Alibalin plotë 32 vjet, edhepse gjithnjë, nga shumë preshevarë kam marrë selame të dërguara nga Isa Alibali. Gjithashtu i kam përcjellur selame dhe e kam ftuar në telefon, mirëpo takimi i ynë nuk ndoshi 32 vjet dhe ndodhi mu në Prishtinë. Ndodhi përqafimi i dy miqëve dhe në këtë takim rrodhën lotët e gëzimit, që ishim gjallë dhe shëndoshë e mirë.
Pra, ndodhën përqafime të sinqerta dhe rrodhën lotët e mallëngjimit, të dy miqëve që nuk ishin takuar për 32 vjet.
Ajo që më befasoi, edhepse isha më i ri, mbushur 65 vjet, ndërsa miku im 72 vjet, mbamendja dhe kujtesa e tij. Në fjalën përshëndetëse të tij më tha jo miku im, Xhemaledin, neve jemi njohuar më herët, më 1979 në Shkodër.

Për këtë mora bllokun e shënimeve nga vizita e grupit të drejtuesve të Arsimit dhe të Kulturës të Preshevës, në Shqipëri, respektivisht në Shkodër:
Më 2 gusht 1979, në ora ll arritëm në Shkodër. U vendosëm në hotelin “Rozafa” dhe dhoma e imja dhe e Riza Halimit ishte në katin e pestë. Pasi u vendosëm, vizituam Muzeun Ateist, at të Pashko Vasës dhe Pallatin e Sporteve, e cila më parë ishte xhami.
Më pastaj e vizituam Shtëpinë muze të Luigj Gurakuqit. Në hotel njoftova Shpresa Badallima, artiste e re dhe Tinka Kurtin, Artiste e Popullit.Atëherë xhironin filmin: “Në atë pranverë”, sa më kujtohet dhe sipas shënimeve në bllokun tim.
Në mbrëmje, mikpritësit na organizuan një eveniment me këngë popullore, ku kënduan: Bik Ndoja, artist i merituar dhe dy Florinda, Florinda Gjergji dhe Florinda Preni, njëra më e vjetër, ndërsa tjetra më e re. Në bllokun tim kisha shënuar se në atë ngjarje ishin prezent edhe grupi i anëtarëve të Partisë komuniste të Gjermanisë.
Isa Alibali shkruan në librin e tij për këtë vizitë:
“Mendja më shkoi menjëherë tek ato ditë gushti 1979, kur në Shkodër erdhën një grup mësuesish nga Presheva…
Ishte hera e parë që vinin në Shkodër.
-Sa dini për Shkodrën dhe si e njihni atë?- I pyeta jo pa qëllim.
E njihnin nëpërmjet gojës së prindërve të tyre, që dikur kishin ardhur shpesh në Shkodër për tregti apo për shumë punë të tjera. Shkodrën e kishin dashur dhe e donin shumë.
Ra fjala për artistët tanë:
-Mbi të gjithë na pëlqejnë këngëtarët Bik Ndoja dhe Shyqyri Alushi, thanë pothuajse të gjithë. Radio-Tiranën e dëgjonin gjithnjë, ndonjëherë edhe Radio-Shkodrën.
-Si thoni, keni dëshirë që sonte këtu në sallën e hotelit, Biku dhe Shyqi të vijnë e të kalojnë natën sëbashku, duke kënduar?!
Ata mbetën të habitur. Të befasuar. Nuk e besonin që këta dy këngëtarë të mirënjohur të vijnë këtu e të këndojnë për ta. Sytë u ndritën nga gëzimi.
Erdhi mbrëmja.
Mësuesit nga Presheva nuk përmbaheshin nga gëzimi. Atë natë do të jetë dhënë koncerti më madhështor që mund të bëhet ndonjëherë…
Xhemaledini, drejtori i Shtëpisë së kulturës të Preshevës, më tha të nesërmen:
-Kemi kaluar një natë të veçantë mbrëmë, të jashtëzakonshme, të mrekullueshme. Si asnjëherë tjetër në jetën tonë. Ky është mendimi i të gjithëve. Një natë e paharruar. Ju jemi tepër mirënjohës. Dëshirojmë t’ju shpërblejmë… kur të vini në Preshevë.

Vizita e Teatrit “Migjeni” nga Shkodra

Po citojë librin : “ Kultura shqiptare në Preshevë 1945-1995” të autorit Xhemaledin Salihu:
“Në programin e punës së Universitetit të Punëtorëve për vitin 1980, 1981, 1982 dhe 1983 u paraqit nevoja që përveç Manifestimit të aktiviteteve kulturore nga Presheva, Kosova, Maqedonia dhe Mal i Zi, të planifikohen edhe programet e importuara nga jashtë, sidomos në gjuhën shqipe, përkatësisht Universiteti i Punëtorëve në Preshevë planifikoi programet kulturore nga Shqipëria. I njëjti planifikim u bë edhe në Bashkësinë komunale për Kulturë të Preshevës. Këto programe iu përcollën Qendrës Krahinore të Kulturës në Prishtinë, e cila ishte bartëse dhe realizatore e këtyre programeve nga Shqipëria në Kosovë e më gjërë. Mbështetje të këtyre programeve nga bota e jashtme i dhanë edhe Seksioni për Arsim, Kulturë dhe Kulturë Fizike i KK të LSPP në Preshevë, Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Kulturë i KK të Sindikatës në Preshevë dhe Komisioni për marrëdhënie ndërnacionale i KK të LK të Preshevës.
Përveç programeve të Universitetit të Punëtorëve që iu përcollën Qendrës Krahinore të Kulturës, por edhe në biseda me përgjegjësit e kësaj Qendreje dhe në Sekretariatin për Kulturë të Kosovës u kërkua që nga këto subjekte në këtë drejtim të përfshihet edhe Presheva me vizitat e ansambleve nga jashtë, në veçanti të atyre nga Shqipëria. Fryt i këtij aktiviteti të subjekteve të Preshevës /në këto biseda mori pjesë Hasan Hajrullahu, kryetar i Seksionit për kulturë të LSPP në Preshevë, Xhemaledin Salihu, drejtor i Shtëpisë së Kulturës, ndërsa nga Kosova, pos drejtuesve të Qendrës Krahinore për Kulturë edhe Shefki Stublla, sekretar i Sekretariatit Krahinor për Kulturë të Kosovës-vërejtje e autorit/ ishin edhe realizimi i disa vizitave nga Shqipëria, Turqia dhe Gregia.
Më 12 qershor 1980, në orën 16 dhe 19, në sallën e madhe të Shtëpisë së kulturës “A. Krashnica” në Preshevë, Teatri Popullor “Migjeni” nga Shkodra shfaqi dramën “Baca i Gjetajve” të Fadil Krajës, në regji të Serafin Fanko. Shfaqjet u mirëpritën, sa që në të dy shfaqjet, shikuesit e mbushën përplot sallën”
Isa Alibali në librin e tij vazhdon:
“Ato ditë kishim biseduar për turneun tonë në Kosovë:
-Kur të vini, ejani edhe te ne-më pat thënë Xhemaledini-po ndërtojmë një pallat kulture, me një sallë shumë të madhe e moderne. Kurt ë vini ju, besoj se do të jetë e përfunduar./Edhe pse ende punonim në ndërtesën e vjetër të Universitetit të Punëtorëve dhe ende zyrtarisht nuk patëm filluar punën në Shtëpinë e kulturës, ansambletë e Shqipërisë i pritëm aty-vërejtje e autorit/.
Dhe kështu ndodhi…
Një ditë e nxehtë qershori. Të dy autobusët tanë rrëshqasin në rrugën e shtruar drejt Preshevës. Është hera e parë që një grup artistik nga Shqipëria i drejtohet këtij qyteti.
Zbresim përpara pallatit të kulturës. Na presin vajza të reja me karafila në dorë dhe i vendosin në gjoksin e secilit prej nesh. Pastaj pritja nga autoritetet shqiptare të Preshevës. Ngrohtësi e jashtëzakonshme. Njohje shumë e shpejtë, sikur të ishim miq të vjetër.
Në krye të këtij organizimi miku ynë Xhemaledini.
Dreka ishte madhështore. E jashtëzakonshme, mund të thuhet. Pastaj menjëherë dy shfaqje rresht. Salla e re njëmijë vendesh, tepër moderne, u inaugurua nga trupa e teatrit “Migjeni” të Shkodrës me dramën “Baca i Gjetajve”. Publiku-i mrekullueshëm.

Pastaj darka. Atmosfera u krijua tepër e këndshme. Vendasit i përgjigjeshin kaq bukur këngëve shkodrane, sa që u bindëm të gjithë se kënga jonë e bukur dhe e magjishme shkodrane këndohet kudo ku ka shqiptarë.
Kënga që thuhet se është shkodrane : “Moj lulja e gemit” është preshevare, këndohet në Preshevë dhe autor i saj është Haki Tali nga Rahovica-vërejtje e autorit.
Isa Alibali vazhdon:
“Në shfaqjen e dytë, ndodhi një ngjarje jo e zakonshme. Kur në fund të shfaqjes aktorët dalin për të përshëndetur spektatorët entuziastë, një plak, me hap të ngadaltë i ngjitet skenës, i mbajtur nga dy nipat e vet. I afrohet Ndrekë Lucës, i heq qeleshën nga koka dhe i vë të veten. Sala nuk përmbahet më. Duartrokitjet e fuqishme, të cilat u shtuan tepër nga shpërthimet e papërmbajtshme, u dukën si një shpërthim i shpirtit të kombit tonë.
Plaku nuk lëvizi nga skena. Ishte bërë pjesë e trupës së teatrit, si të ishte një nga aktorët më të vjetër. Herëpasherë i fryhej gjoksi dhe dukej se donte të shfrynte diçka që e kishte mbërthyer të tërin.
Të gjitha shfaqjet e tjera Ndreka i bëri me qeleshen, që i dhuroi plaku patriot nga Presheva.
E ruajti përgjithnjë këtë relikë të rrallë.
Kur në vitin 1994 i ra infarkti i dytë, para se të ndahej prej nesh, porositi të shoqen dhe të birin që ta varrosin me atë qeleshe, të dhuruar aq bujarisht dhe aq solemnisht nga vëllezërit e një gjaku.
Amaneti u zbatua. Ndrekë Luca u nda nga jeta me qeleshen e plakut nga Presheva, për ta ruajtur e për ta mbajtur pranë vetes përjetësisht.”
Në mbrëmje u kthyem në Preshevë, të kënaqur se takuam miq të dashur, të kulturës, arsimit dhe shkencës. Dita e sotme ishte kujtesë personale, por do të mbetet kujtesë e miqëve dhe kujtesë kombëtare.