SHPËRNDAJE

Kufiri
Rruga rajonale Bujanoc – Gjilan, përshkohet nga kolonat e gjata të automjeteve të mërgimtarëve, të cilët po kthehen në vendet perëndimore, prej nga kanë ardhur për t’u çmallur në vendlindje.
Me largimin e bashkatdhetarëve, po zbrazen rrugët, trotuaret, sheshet, restorantet, duke lënë prapa jehonën e dasmave, gazmendeve dhe takimeve të përmallshme familjare e shoqërore.

Lamtumirë kurbetçarë!
Një përshëndetje e tillë, nuk vihet në pëlhurë, apo pano në hyrje-dalje të vendbanimeve tona, ashtu siç priteshin ata gjatë sezonit të pushimeve: “Mirë se vini bashkatdhetarë!”.
Pse nuk është e njëjta ndjesi dashurie?!
Nuk është ngase ndjenja e dashurisë kur vijnë bashkatdhetarët, është paksa më e fort se ndjenja e largimit nga vendlindja. E para ndoshta se të dashurit tanë nga diaspora kur vijnë i kanë xhepat plot me lek e dhurata, apo ndoshta kur shkojnë ata krijohet një dhembshuri e përzier me mallin e mërzitjes.
Pa u ndalur në konstatimet se mërgimtarët, nuk janë si ata të parët, të vaktit të moçëm, kur vinin me pampurë, trena e sillnin para të thata nga kursimet, por janë bashkatdhetarët e sodit të tepruar nga luksi dhe jeta ekstravagante, shumica prej të cilëve janë të zhytur në borxhe e kredi bankare.
T’i lëmë anash konstatimet e tilla, po edhe sikur të jenë të vërteta! Mërgimtarët tanë janë kategoria më vitale e shoqërisë sonë. Ata u larguan nga vendi i lindjes, për të siguruar kafshatën e gojës në vendet perëndimore, dikur si punëtorë krahu e sot edhe si mjekë, profesorë, afaristë e diplomatë.
E veçanta e bashkatdhetarëve, është se ata asnjëherë nuk e kanë harruar vendlindjes, qoftë në kohë lufte, qoftë në kohë paqeje. Ata, thjesht, nuk ia kanë kthyer shpinën vendlindjes përgjithmonë. Vijnë në vendlindje gjatë sezonit të pushimeve, pastaj gjatë festave shtetërore, nacionale e fetare. Vijnë sepse ndjejnë dashuri e mall për të gjallët dhe të vdekurit. Sjellin me vete makina, dhurata, para. Ardhja e tyre hijeshon rrugët sheshet, trotuaret. Gjallëron jetën me dasma, gazmende e ahengje familjare.
Me qindra dasma shqiptare, gjatë këtij sezoni veror, u organizuan në Luginë nga mërgimtarët, e me dhjetëra lidhje të tjera fejese u bënë mes të rinjve e të rejave shqiptare. Kjo është ajo filozofia se ne nuk bëjmë dasma gjatë sezonit pranveror, vjeshtor a dimëror, sikur që bëjmë gjatë sezonit veror. Pse? Sepse mërgimtarët tanë na i pasurojnë dhe zbukurojnë ato, na i bëjnë më madhështore, besa edhe më luksoze.

Prandaj, mund të themi lirisht se korriku dhe gushti, në janë muajt më atraktiv të kalendarit vjetor, falë bashkatdhetarëve.
Po e mbyllim këtë opinion me vargjet e bukura të një poeti të mrekullueshëm shqiptar:
Me gushtin bashkë,
Iku dhe vapa,
Një zot e di
Ç’dimër vjen prapa!

/Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc/