SHPËRNDAJE

S’do mend se zgjedhjet Presidenciale në Maqedoninë e Veriut do jenë me shumë të papritura. Ajo çka bie në sy është një kaos i përgjithshëm që e karakterizon pushtetin e sotëm, LSDM dhe patericën e saj BDI me aleatët e vegjël të saj, që devalvuan çdo proces, pasi reformat ngecën ndërsa kriminelët mbetën të lirë.

Pas një procesi të vështirë siç ishte Marrëveshja e Prespës, e cila kaloi vetëm pasi partitë opozitare Aleanca e Lëvizja ‘Besa’ e mbështetën me kushte konkrete, e kjo tregoi se këmbëngulja ndonjëherë lipset të jetë pjesë e proceseve politike, sepse shqiptarët ruajtën identitetin e tyre kombëtarë. Por, në prapaskenë të këtij procesi ndodhën disa gjëra të cilat e dëmtuan në masë të madhe demokracinë. E para, amnistimi i politikanëve maqedonas, të cilët në dhjetëvjeçarin e kaluar e deri më 2018 vodhën dhe e bënë rrumpallë vendin fituan liri. E dyta, gjyqësia e cila ishte në rrugë të mbarë që të dekriminalizohet u vu para një prove të madhe, duke luajtur tangon e pushtetit aktual, që është e palejueshme në një demokraci të konsoliduar. E treta, ligji për amnisti në Parlament ishte një veprim që e prishi imazhin e një demokracie normale dhe që nëpërmjet këtij veprimi iu hap rrugës për falje të atyre që deri dje ishin përgjegjës për këtë gjendje, edhe rasti i ish-kryetarit Trajko Veljanovski ishte një dështim i demokracisë parlamentare në Maqedoninë e Veriut dhe një lojë e pakuptimtë e BDI dhe LSDM. E katërta, ikja e ish- kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili besoj shumë se pas një marrëveshjeje sllavo-maqedone, u largua nga vendi pa probleme. E pesta, përfaqësuesit e BDI-së që ishin pjesë e pushtetit të kaluar me VMRO as që u ndodhi gërvishtja më e vogël e që ishin po aq përgjegjës sa pjesëtarët e partisë simotër VMRO në qeverisje. E gjashta, zv.kryeministri Bujar Osmani, të cilit iu ngrit aktakuzë, vazhdoi të drejtojë negociatat dhe të dëmtojë qenien shqiptare në MKDV. E shtata, kryeministri Zaev vazhdoi t’i ngjasonte paraardhësit të tij në veprime e gjykime, një tipologji e mashtrimit klasik dhe buzëqeshjes false. Kjo është fotografia e vogël e asaj që ndodhi në një proces, ku shqiptarët me 4 deputetë i rezistuan pushtetit maqedon dhe bashkëpunëtorëve të tyre me origjinë shqiptare, që ishin të heshtur e të papërgjegjshëm përballë sfidës së radhës.

Hapja e Kushtetutës ishte rast i mirë që shqiptarët të vendosin në librin më të lartë të vendit emrin e tyre si themelues, por falë padëgjueshmërisë së zërave të shqiptarëve, partia në pushtet BDI as që deshi t’ia dijë për këtë çështje dhe s’do mend se do ndëshkohet nga historia, por edhe nga shqiptarët në zgjedhjet e presidenciale, e parlamentare.

E teta, dhe e keqja e gjithë kësaj është se ky mentalitet në pushtet i përfaqësuar jodenjësisht nga kjo klasë, e cila përfaqëson shqiptarët, lejuan që pala tjetër të hajë pak nga qenie e shqiptarëve këtu. Kushtetuta u hap dhe u mbyll në dobi të palës maqedone, e cila fitoi tiparet e kërkuara, por që nuk arriti që me hilet e aksit Beograd, Athinë, Moskë, të ruajë idenë që shqiptarët ti fshijë nga analet e vendit. Shqiptarët në të vërtetë nëpërmjet partive opozitare Lëvizja ‘Besa’ dhe Aleanca për shqiptarët rezistuan i mbajtën leksion demokracisë maqedone dhe ndërkombëtarëve që ishin mësuar me një servilizëm të skajshëm deri më tash. Kjo lëvizje e kombinuar me diasporën shqiptare, atë në Amerikë arriti që procesin ta dizajnojë edhe me tipare shqiptare. Nëse partitë shqiptare që janë në pushtet do kishin lozur më mirë dhe nëse do ishte përdorur tavolina e partive shqiptare, s’do mend se sot shqiptarët do ishin themelues të Maqedonisë. Por, duke qenë të kapur e duke pasur probleme nga më të ndryshmet si me ligjin, pasurinë, interesat, e diçka të këtillë situata mbeti e papërfunduar. Ky do jetë motivi kryesor që opozita shqiptare lipset ta menaxhojë me kujdes, pasi që numrat flasin në favor të tyre. Edhe përdorimi i gjuhës shqipe që avancoi deri në përdorim publik më të theksuar i atribuohet qëndrueshmërisë së opozitës e opinionit publik, që rezistoi pamëshirshëm dhe e deklasoi mentalitetin mesnik maqedonas e servile shqiptar. Partitë në pushtet LSDM dhe BDI e ndanë përgjysmë fitoren e Pirros, duke folur i pari ministri i saj shqip, e në Parlament kryetari i Kuvendit nga radhët e partisë shqiptare në pushtet. Që të dyja veprimet kaluan pa bujë dhe nuk zgjuan kureshtje, sepse shqiptarët e realizuan vetë këtë arritje, duke u bërë presion të fuqishëm partive në pushtet dhe ata nuk u pritën si heronj, por si të kërcënuar e detyruar që ta bëjnë atë, sepse shqiptarët nuk u besojnë dyshes Ahmeti-Zaev për shumë arsye.

Po bëja një analizë dhe më dilte se tollovia e Marrëveshjes së Prespës kishte për synim t’i çajë politikisht shqiptarët në favor të partisë në pushtet LSDM, por që kjo e fundit do e ketë vështirë më të fitojë qoftë edhe një votë te shqiptarët, pasi gënjeu me të madhe. Shqiptarët në zgjedhjet e kaluara e votuan në një masë nga frika që mos fitojë VMRO, e cila ishte treguar mjaft agresive kundrejt shqiptarëve, por kjo më nuk ndodh, sepse shqiptarët kanë motiv që ta faktorizojnë opozitën shqiptare me shumë arsye, tani për ta hequr nga pushteti partinë e lodhur shqiptare BDI.

Loja e fundit e zgjedhjeve presidenciale nxjerr një pah disa momente si: pafuqinë e BDI-së që të imponojë kandidatin shqiptar, përpara e LSDM-së, e cila e kërkon larjen e borxhit nga zgjedhjet lokale, sepse e shpëtoi partnerin shqiptar nga fiaskoja. Situata është më e komplikuar se kaq pasi krejt varet a del opozita maqedonase në zgjedhje presidenciale, do nxjerrë opozita shqiptare një kandidat të fortë, i cili lirshëm mund të futet në raundin e dytë dhe të sfidojë kandidatin e LSDM. Kombinatorikat në një vend si Maqedonia e Veriut janë normale, por edhe befasitë po se po, sepse në një vend ku falen kriminelët gjithçka mund të ndodh. Shqiptarët lipset të kenë kandidatin e vetë të tipit të Blerim Rekës, sepse kjo do ishte edhe një matje e muskujve mes pozitës dhe opozitës, por edhe do vazhdohej me artikulimin e mëtutjeshëm të shqiptarëve. Mund të ndodhë që kjo të jetë edhe një lojë e partive qeveritare që të dështojnë zgjedhjet që zgjedhja të bëhet në Parlament e ku shqiptarët sërish do ishin faktori kyç pasi partitë maqedone nuk e zgjedhin kryetarin, pasi determinuese janë votat shqiptare. Në këto konstelacione Maqedonia e Veriut ka zgjedhje presidenciale interesante, por edhe të çuditshme, pasi të panjohurat nuk dihen deri në fund. E këtë pasiguri e shton unifikimi i faktorit opozitar shqiptar Alenaca për Shqiptarët dhe Lëvizja ‘Besa’ me lëvizjet e fundit shihet se do e kërkojnë fitoren e parë në Dibër e kjo do vijë pasi kandidati presidencial do jetë figurë e fuqishme dhe do jetë një strumbullar i fitoreve të ardhshme, faktorizimi shqiptar dhe s’do mend që Maqedonia e Veriut të vazhdojë me fazën e ardhshme me një elitë politike shqiptare ndryshe nga kjo që pamë 18 vite e këndej, që ishte e paaftë të menaxhojë votën e shqiptarëve. Po vjen pranvera shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe ky është lajm i mirë, sepse Zijadin Sela dhe Bilall Kasami e kanë gjetur formulën e duhur për një fitore të pritur gjatë te shqiptarët.