SHPËRNDAJE

Ai është vdekjeprurës nga goditjet e lira. Mund ta gjuajë topin mbi murin, nën të, në anën e djathtë apo të majtë të portierit. Nuk ekziston asnjë manual udhëzimi për si ta presësh një top të gjuajta nga goditja e lirë nga Lionel Messi.

Portierë dhe ish-portierë të ndryshëm kanë rrëfyer për përvojat e tyre kur ishin përballur me sfidën e madhe për ta pritur një gjuajtje të lirë të goditur nga argjentinasi.

Sergio Asenjo – Portier i Villarealit

“Shumëllojshmëria dhe natyra e paparashikueshme e tyre është ajo që i bën gjuajtjet e lira të Messit aq të rrezikshme. Ai ka shumë vetëbesim dhe e godet topin aq natyrshëm saqë e bën gjithçka më të komplikuar për ne, portierët”.

Sergio Rico – Portieri i Sevillës, i huazuar në Fulham

“Ai është futbollisti më i mirë për goditjet e lira sepse ai punon në to çdo ditë dhe është natyrshëm i talentuar për këtë gjë”.

Adrian- Portier i West Ham Unitedit

“Ai e godet topin me aq fuqi dhe aq lart saqë ti e ke të vështirë ta arrish topin. Edhe nëse e prek me dorë, topi përsëri futet brenda portës. Trajektorja dhe shpejtësia me të cilën e gjuan ai topin e bën shumë të vështirë t’i mbrosh goditjet”.

Esteban – Ish-portieri i Oviedos, Almerias, Atleticos dhe Sevillës

“Gjëja më e rëndësishme për ta mbajtur në mend është se ai është më i miri në botë dhe për një portier është një sfidë madh të luash kundër tij për shkak të opsioneve të ndryshme në të cilat ai mund të gjuajë”.

“Ai mund të shënojë mbi dhe nën mur, kështu që është e rëndësishme që ta organizosh murin mbrojtës mirë. Mirëpo, nëse topi futet në qoshen e portës, atëherë mund vetëm ta duartrokasësh”.

Pacheco – Portier i Alavesit

‘Goditja e tij është e jashtëzakonshme. Ai është veçanërisht i mirë pasi që i ndërron mënyrën se si i gjuan ato dhe kjo e bën punën tonë edhe më të vështirë. Është jashtëzakonisht e rrallë që ai ta gjuajë topin shumë keq”.

“E gjithë bota e di këtë gjë, ka shumë video që e dëshmojnë një gjë të tilla dhe madje edhe trajnerët të paralajmërojnë për këtë. Megjithatë, është një çmenduri që çdo goditje e lirë që ai e gjuan është një mundësi shumë e mirë për të shënuar gol”.

Dudu Aouate – Ish-portier i Deportivos dhe Mallorcës

“Ti kurrë nuk mund ta dish se ku do ta gjuajë ai topin. Saktësia e tij është e pabesueshme; ai pothuajse gjithmonë qëllon në shenjë. Çfarëdo lloj goditje e lirë kundër tij është e rrezikshme”.

“Nëse i shikoni ato raste nga afër, është e qartë se portieri nuk di se çfarë të bëjë, pasi që duhet të jesh i vetëdijshëm për shumë gjëra të ndryshme në të njëjtën kohë. Kur e vendos veten në vend të tyre, e kuptoj se sa e vështirë është”.