SHPËRNDAJE

Kosova ka luajtur baras ndaj Danimarkës 2-2 në një ndeshje miqësore të zhvilluar në Prishtinë.

Përtej asaj që u pa në ekranet televizive, u sjellim disa nga prapaskenat më interesante të kësaj ndeshje.

Nga topi i shpërthyer, tek iluzion goli dhe talljet e tifozëve vendas me trajnerin mysafir, më poshtë mund t’i shihini prapaskenat më interesante të kësaj ndeshje.

 

Ekrani në stadium nuk i tregonte minutat e ndeshjes

Në të gjitha ndeshjet që Përfaqësuesja e Kosovë i ka zhvilluar në stadiumin Fadil Vokrri është shfaqur rezultati dhe minutat e ndeshjes në ekranet gjigante të vendosur në tribunat prapa golave. Në ndeshjen ndaj Danimarkës, në dy ekranet gjigante nuk shfaqeshin minutat e ndeshjes dhe pyetja më e shpeshtë në stadium ishte ‘Edhe sa minuta kryhet ndeshja’?.

Muriqi dhe Jorgensen e filluan ndeshjen me zënka

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi dhe mbrojtësi danez Mathias Jorgensen kishin shumë duele gjatë ndeshjes, por në fillim të saj patën një zënkë mes vete. Mbrojtësi danez në minutën e dytë e shtyu sulmuesin prizrenas i cili e goditi me dorë, por intervenoi gjyqtari anësorë për t’i qetësuar dy futbollistët.

Schmeichel kërkon ndërrimin e topit pasi ishte shpërthyer

Portieri mysafir Kasper Schmeichel në minutën e 23-të kërkoi nga gjyqtari që të ndërrohet topi, pasi ai që ishte në fushë ishte shpërthyer dhe kishte filluar të shfryhet.

 

Iluzion goli në minutën e 28-të

Vedat Muriqi u shërbye bukur në zonë nga Arbër Zeneli dhe goditi me të parën për ta përqafuar topi vetën rrjetën e jashtme. Por nga gjuajtja e sulmuesit shtatgjatë u krijua iluzion goli në stadium nga tifozët të cilët e duartrokitën Muriqin për goditjen e bukur.

Nuk munguan thirrjet kombëtare nga tifozët

Si në çdo takim tjetër të Kosovës edhe ndaj Danimarkës nuk munguan thirrjet kombëtare. ‘O sa mirë me qenë shqiptar’, ishte thirrja më e shpeshtë nga Dardanët.

Challandes dhe Sahiti reagojnë ashpër ndaj gjyqtarit të katërt që ishte Besfort Kasumi

Futbollistë danez bënë dy ndërhyrje të njëpasnjëshme në sulm por gjyqtari kryesor turku Palabiyik me vonesë akordoi faull në të mirë të Përfaqësueses sonë. Vendimet e vonshme të gjyqtarit kryesor i acaruan trajnerin Bernanard Challandes dhe ndihmësin Muharrem Sahiti të cilët reaguan ashpër ndaj gjyqtarit të katërt që ishte Besfort Kasumi nga Prishtina. Gjithsesi Kasumi i qetësoi trajnerët duke i thënë se ndeshja është duke shkuar mirë.

Ujkani futet me shirit në krah, Schmeichel ia dorëzon Kjaerit

Mesfushori fantastik i Kosovës, Herolind Shala ishte për herë të parë kapiten i Kosovës në takim me Danimarkën. Shala shiritin e kapitenit e mbajti vetëm 45 minuta edhe pse ishte në fushë gjatë gjithë ndeshjes. Në pjesën e dytë u inkuadrua në lojë Samir Ujkani në vend të Arijanit Muric, ndërsa vushtrriasi u fut në fushë me shiritin e kapitenit në krah. Tek danezët si kapiten e nisi ndeshjen portieri Kasper Schmeichel, por ai ia dhuroi shiritin Simon Kajerit pas inkuadrimit të tij në lojë.

 

Kosova me tika-taka, tifozët në trans

Ishte minuta e 55-të e ndeshjes kur futbollistët e Kosovës bënë mbi 30 pasime të njëpasnjëshme. Pas çdo pasimi tifozët brohoritshin dhe duartrokitshin yjet tanë.

Vërshëllehen yjet e Danimarkës

Trajneri i Danimarkës, Age Hareide vendosi që t’i fuste në fushë në 30 minutat e fundit yjet si Christian Eriksen, Simon Kajer dhe Kasper Dolberg, por tifozët e pranishëm në Fadil Vokrri nuk i mirëpritën këto zëvendësime duke vërshyller yjet nordik.

 

FFK i kishte ndaluar Vuvuzelat, por një e tillë ishte e pranishme në stadium

Federata e Futbollit të Kosovës kishte lajmëruar se nuk lejoheshin futja e Vuvuzelave në stadium. Por një tifoz kishte arritur ta fuste në stadium dhe vazhdimisht e përdorte atë. Sigurimi ‘në nivel’.

Rrahmani e dërgon topin te ‘Kafet e vogla’

Amir Rrahmani ishte fantastik në këtë takim, pasi shënoi golin e parë dhe ishte i pakalueshëm në mbrojtje. Në minutën e 75-të prishtinasi e largoi me fuqi topin duke e dërguar krejtësisht jashtë stadiumit në pjesën lindore. Topi i larguar nga Rrahmani u nis drejt ‘Kafeve të vogla’.

‘Kush po bënë stërvitje’

“Pranuam të luajmë kundër një ekip të renditur më ulët dhe kemi gjashtë zëvendësime. Kështu që do të jetë një stërvitje e mirë për ne”, kishte deklaruar trajneri danez Age Hareide. Kjo deklaratë nuk i ka pëlqyer tifozëve kosovarë që në minutën e 88-të brohoritshin ‘Kush po bënë stërvitje’, duke ironizuar me trajnerin danez.

Tifozët pushtojnë fushën, njëri kapet nga sigurimi, tjetrin e shpëton Ujkani

Në minutat e fundit të ndeshjes në fushë u futën dy tifozë. Njëri arriti që të shkonte dhe ta përqafonte yllin e Danimarkës, Christian Eriksen, por që u kap nga sigurimi i stadiumit. Ndërsa tifozi i dytë që u fut në fushë shpëtoi pa u kapur nga sigurimi pasi atij i ndihmoi të largohej drejt tribunës kapiteni Samir Ujkani.

KFOR-i danez i pranishëm në stadium, lojtarët i shpërndajnë fanella

Danimarka në këtë takim kishte përkrahjen e dhjetëra tifozëve që kryesisht ishin nga KFOR-i danez. Në fund dy futbollistët e Danimarkës, Christian Eriksen dhe Jorgensen i dhuruan fanellat e tyre ushtarëve danez.