SHPËRNDAJE

Akti i tretë
Skena
Një sallon elegant në qendër të qytetit. Në ball të sqenës kuqërron dukshëm një qilim i kuq persian, i qëndisur me lule, zogj e figura tjera orientale. Me tutje, e ngjitur me sfondin e sqenës, gjendet një vitrinë e drunjtë, ngjyrë kafe, e ndërtuar sipas stilit rumun. Karshi, në skutën trekëndëshe, është vendosur një sergjen i gjatë, përtej qelqeve të të cilit duken pjatat dhe filxhanat e një servisi rus dhe fletat e një lule të bërë nga guaskat. Midis vitrinës dhe sergjenit janë varë tre pejsazhe me korniza të trasha.
Krahu i mëngjër i skenës është i ngarkuar tepër. Librat e renditur në vitrinë, përmbledhjet, volymet e një enciklopedie të trashë, pjatat e verdha japoneze, gotat, filxhanat, mësallat dhe orenditë e ndriçuara me llamba diskrete, dëshmojne qartë se n’ atë hapsirë jeton një shpirt i paqetë. Atë përshtypje e përforcon edhe më shumë divani dhe një shkëmb marokan mbi të cilin janë hedhur dy gazeta ditore. Kolltuku, që pushon mbi faqen e një qilimi tjetër dhe tavolina duken shkarazi, sepse konturat e mobiljeve tjera i zapton faqja e një muri anësor.
Krahu i djathtë është i hapur dhe kateta e tij zgjatet pjerrtas në drejtim të një hajati oval, ku duket dera e hyrjes, një sirtar dhe një orë muri. Është edhe një raft tjetër, i stilit italjan, mbi të cilin i zoti i shtëpisë ka varë portretin e një shkrimtari suedez dhe dy llamba anësore. Mbi faqen e tij pushon telefoni.
AKTI I TRETË

PAMJA E PARË
(Në skenë mbretëron errësira. Papandehur heshtjen e then një thirrje e gjatë telefonike).
ARSIMI
( hyn në sallon me pantollone në dorë. Përgjigjet.)Alo?
LEJLA
(në telefon,me zë të lodhur) Hej! A hala s’ qenke zgjuar?
ARSIMI
Ç’ është e drejta, jo.Po matesha të kërcej nga shtrati po pritoja.Po ti, moj shoqe, ku je?
LEJLA
(qeshë) O, në botën e çudirave. Pash se më kishe thërritur.
ARSIMI
(Gjithnjë i përmbajtur) Gabova? Ka dy ditë që të kërkoj, ama kot. Të thirra pardje mbrëma, s’ ishe në shtëpi. Ç’ është e drejta, flisje me dikë, por atë çast që u lirua lidhja, humbe si shurra e pulës. Nga ishe?
LEJLA
( Duke gogësitur) Eeeh, nga isha…Thuaj nga s’ isha!.. Gjoja dola ta shoh djalin, po rastisa Arzë dhe dreqi ma theu mendjen. Shkuam te shtëpia e saj dhe atje mbeta deri më tetë. Ti e di si jam… Jo ta shihja atë serialin që quhet “Glamur”, jo ta shihjaatë tjetrin që quhet “Dinasty”, por koha iku shpejt. Pastaj lakova në ”Mobilia” dhe u sëmura keq. Çka të shikoshmë parë? Lloj lloj gjërash, po xhepi bosh. Dikur vajta te Irfetja.
ARSIMI
E mora me mend. Ti jetonedhe pa bukë, por jo pa Irfeten. Po dje ku ishe?
LEJLA
Te Halimja. Ia ktheva atë borxhin e rrugës. Po ti ke ngrënë mëngjes?
ARSIMI
Jo, jo. Mbrëmë prisja se po dëgjohesh, po kot. Të thirra nga ora dhjetë. Thirra edhe nga ora njëmbëdhjetë e gjysëm, po zotrote s’ e zure kufjen. Dikur u dorëzova. I mbarove ato punët tua?
LEJLA
Çfarë, ti. Valixhet e mia janë tamam siç i solla, se s’ kam patur kohë të merrem me to. Q… nënën, se i rregulloj.Hej, a do të shkosh diku?
ARSIMI
Jo, se poe pres Azizin.
LEJLA
Atëherë dil e meri nja dykifla. Ti e di cilat i pëlqej. Tani ora është njëmbëdhjetë. Unë do të lahem, do të krihem dhe pastaj do të vijë. A është në rregull?
ARSIMI
Mirë, de.Po e vë gjygymin e çajit e po dal.Mos u vono.
LEJLA
Edhe nëse vonohem pak, s’ prish punë.Mirupafshim.
ARSIMI
Mirupafshim, pra!
(E vë kufjen në vend dhe fillon të vishet.)

PAMJA E DYTË
(Në sallon ka rënë një gjysëm-errësirë.Arsimi , i veshur në kostumin e përditshëm, bredh poshtë e lartë nëpër ballë të skenës dhe shfleton gazetën. Nga ana e mëngjër e prapasqenës, ku duhet të jetë radioja, vjen një valë e lehtë muzike.Bredhjet e tij nëpër skenë, mënyra si e shfleton gazetën dhe uljet e ngritjet e befasishme nga kolltuku, dëftojnë se është ishqetësuar dhe – definitivisht – nervoz.Diçka s’ është në rregull.
Papandehur, derisa është duke e ndezur një cigare, nga distance vjen një piptimë e shkurtër dhe zëri monoton i “ zonjës Kohe”. Piiiip…Pesëmbëdhjetë dyzetenëntë e pesëdhjetë e shtatë… Pesëmbëdhjetëdyzetenëntë e pesëdhjetë e tetë… Pesëmbëdhjetë dyzetenëntëe pesëdhjetenëntë… Gjashtëmbëdhjetëzero zero…
Pastaj vjen një frymëmarrje e lehtë dhe zëri i lehtë i spikerit suedez… Ora është gjashtëmbëdhjetë, zero zero. Radiodëgjues të dashur: lajmet më të fresketa të ditës. Ministri i financave të Suedisë, zoti Jöran Persson, iku në Bruksel. Ai kërkon sakrifica edhe më të mëdha nga qytetarët suedez… Forcat paramilitariste serbe e goditën edhe një lagje të Sarajevës… Përpos njëmbëdhjetë vetave që u vranë në vend, u lënduan edhe dyzet e dy të mitur. Ministresha e punëve të jashtëme e Suedisë, zonja Hjelm – Wallén, e kritikoi ashpër prezidentin Zhak Shirak…
Arsimi, dukshëm i nevrikosur, e ul zërin me pult dhe e zë kufjen me dorë.Para se ta kërkojë lidhjen, e lëshon një pshertimë që bie erë dëshprimi të madh.
Dëgjohen pastaj tri piptima të njejta, si në aktin e parë, dhe mesazhi i njejtë i Lejlës.“Hej.Ky është përgjegjësi telefonik i Lejla Kemalpashës. Unë s’ jam brënda, por do të thërras nëse ma le numrin.Ditën e mirë dhe falemnderit”.”Pastaj vjen piptima e përgjegjësit telefonik.
ARSIMI
(le mesazh. Nevrik) Ora vajti katër… Ku djallin e theve qafën?.. Ato kiflat tua, jo që u ftohën, por janë shëndrruar në eshka…
(Pamja përsëritet edhe një herë më vonë.Spikeri, njësoj si më parë, komunikon të njejtat lajme dhe Arsimi, thellësisht i dëshpruar, le mesazhe të njejta në përgjegjësin telefonik.Me në fund, skena errësohet fare dhe i lëshon vend pamjes se re.

PAMJA E TRETË
(Tani errësira është kompakte. Kur hapet pamja, Arsimiendet pareshtur mbi qilimin persian dhe pi cigare. Pastaj shkon dhe i hap llambat anësore, të cilat e bëjnë fytyrën e tij edhe më të qartë. Ai ndalet dhe e studjon gjatë gjatë… N’ atë çast bie zilja e derës dhe ai shkon për ta hapur.
Hyn Azizi. Një bjond i gjatë, me syza të trasha. Ai seç i thot Arsimit në derë dhe, me të hyrë brenda, ulet në ballë të skenës.
ARSIMI
(ia zgjatë një cigare) A je për kafe?
AZIZI
Jo, falem nderit. Kam të ngutur. Megjithate, deshta të di se si do t’ ia bëjmë asaj demonstratës që po organizojnë boshnjakët. S’ di a i dëgjove lajmet, por bombardimi i Sarajevës po vazhdon.. Sot u masakruan me dhjetra të pafajshëm. Mendoj se dikush duhet të shkojë dhe ta çfaqë hapururrejtjen e popullit shqiptar kundrejt mizorive që po ushtrohen mbi popullin boshnjak…
ARSIMI
Duhet.Por edhe më mirë do t’ ishte sikur populli shqiptar, me burra e me gra, të dilte në demonstratë. A nuk është turp që përballë qindra e qindra bosnjakëve, në Sheshin e Madh të dalin vetëm dy veta?
AZIZI
Ate, po se po. Çka të bëjsh që demonstrata fillon më ora njëmbëdhjetë e, n’ atë orë, me përjashtim të tetës Bahtije, asnjë shqiptar s’ ka brofur nga krevati?! Vëllezërit tonë bien vonë dhe çohen vonë. Atë faj s’ e kam unë, po ato shoqatat akcionare, që po e mbajnë popullin me “pevaçica” deri në mëngjes.
ARSIMI
Ende po vazhdon eksport – importi i motrave tona?
AZIZI
Si kurrë më parë. Sipas fjalëve të Elmiut, të gjitha shoqatat janë dhënë me qira. Kur i shikon nga jashtë, çdo gjë të duket në rregull. Mjerisht, thika ka vajtur deri n’ asht: Shoqatën “Liria” e ka marrë Gjyndyz Pitja, shoqatën “Vëllazërimi” e ka marrë Fadil Hasi, ndërsa Shoqatën “Nëna Terezë” po e kullosin vëllezërit Beqa. Shkurt, shoqatat tona kulturore janë shëndrruar në firma private dhe s’ kanë tjetër funkcion pos t’ i shplajnë markat e pista gjermane. Kaq e thjeshtë është puna.
ARSIMI
Haj, bre nënën e nënës!..Sa poshtë kemi rënë… ( I kujtohet diçka) A je i sigurtë se nuk do kafe?
AZIZI
Të thash se do vete në kino. Sidoqoftë, po hedh ca fjalë në letër, ndërsa tjerat mund t’ i shtojmë nesër.Si thua?
ARSIMI
S’ ka problem.Ato që kam në zemër, do t’ i them edhe para popullit.
AZIZI
(Niset në drejtim të hajatit) D’akord, pra. Pse s’ po vjen edhe ti me mua?
ARSIMI
( i pezmatuar) Do të vija me gjith qejf, por kam lënë takim me Lejlën. Ka katër orë që duhej të hanim mëngjes.
AZIZI
Mëngjes?S’ kam dëgjuar që mëngjesi hahet pasdite?!
ARSIMI
(dëfton në drejtim të orës) Ora do ketë qënë njëmbëdhjetë kur më mori në telefon. Dil, tha, e blej ca kifla… Se sa t’ i laj flokët do vij në qytet. Ja ku presin kiflat, ja ku po pres unë, po ajo s’ po duket gjëkundi. Ç’ është e drejta, jam bërë për dreq, por po e mbaj veten..
AZIZI
(e nxjerr kutinë e cigareve nga xhepi dhe, pasi e zhvesh xhaketën, ulet në shkëmbin marokan.) Mirë, o dost, mund ta shtroj një pyetje? Ti e di që s’ e kam zakon ta rrasi hundën kudo, aq më pak në punë private, por diçka s’ e kam të qartë. Jeni apo s’ jeni bashkë? Kjo është pyetja.
ARSIMI
(duke ia ndezur cigaren) Mirë kish qenë ta dija.
AZIZI
Të thash. Jam pakëz i trashë, por jo krejtësisht. Përgjigja yte po ma kujton atë çardakun që s’ gjendet asnë qiell, asnë tokë.
ARSIMI
Ashtu qëndron puna.As jemi që merremi, as jemi që lihemi. Ka ca kohë që ecim dorë për dore po njeri tjetrin s’ e mbajmë dot. Jo që s’ kemi dëshirë, por s’ e gjejmë dot atë shkallën magjike që na afron.Do thuash: pse? Fare thjesht: unë s’ kam atdhe, ajo s’ ka pare.Unë e kam mendjen në Kosovë, ajo e ka mendjen te fustanat, qaforet dhe markat gjermane. Midis nesh ¬qëndron humnera…
AZIZI
(e merr kokën në duar) Puna qënka mut. Pse nuk shqiteni atëherë? Do t’ ishte më mirë edhe për ty, edhe për të.
ARSIMI
(bredh poshtë e përpjetë.) Pse nuk shqitemi?Sepse nuk është aq thjeshtë.Ti je pedagog, unë jam zanatli.Për ty jeta është plot e përplot me tabula rasa, klasa e fëmij të shkollës fillore.Për mua, jeta është si Lejla.E poshtër.E ndyrë.Huqemadhe. (Ofshan) T’ ishte e kundërta, unë e ti s’ do të ishim këtu, por atje ku po derdhet gjaku. Mjerisht, çeshtja jonë po vete keq dhe ne, në vend se të merremi me liri, po merremi me kurva. Ç’ është e drejta, mund ta shporr kurdo që dua, por ajo është njësoj si t’ i shlyej masakrat që po ushtrohen në Sarajevë.A shlyhen ato?
AZIZI
(me keqardhje) Jo, nuk shlyhen. Dëgjo këtu! Unë s’ i dua zjarret, aq më pak ata që janë familjarë, por do t’ isha I keq të mbaj secrete.Unë Lejlën e kam parë, por vendi ku e kam parë dhe njerëzit me të cilët e kam parë, nuk më kanë pëlqyerfare…
ARSIMI
( indiferent) Ku e ke parë?
AZIZI
Para picerisë ”Piccolo Mondo”.Atij që gjendet pranë shoqatës boshnjake.Ora do të ketë qënë një e natës dhe unë prisja të m’ i sillnin traktet e demonstratës. Krejt papandehur, nga ”Yelo Melo” dalin Lejla, Irfetja, një kroate, një suedeze dhe një narkotrafikant turk. Atë njeri e njoh mirë, sepse e kam parë nëpër klubet e shoqatave emigrante.
ARSIMI
Po, mirë, ç’ kërkonte ajo n’ atë orë të natës?
AZIZI
Ku di unë?! Dhe ishte në qejf. Si ajo, ashtu dhe miqët e saj. Mentova njëherë se do të shkonin në Shoqatën Turke, se atje e ka kotecin zonja Irfete, po jo. Folën seç folën dhe, pastaj, u rrasën prapë në ”Yelo Melo”.
ARSIMI
(me zë të hidhur) Jashtëzakonisht interesant…
AZIZI
(i penduar) Me vjen keq, por të mos ma çilje, belqi nuk do të dëftoja. Të betohem në kokën e fëmijve.
ARSIMI
S’ ka nevojë të betohesh.
AZIZI
E ndjeva veten keq. S’ kishte gjetur tjetër njeri pos asaj lavires, që martohet e shmartohet një herë në muaj. Kend s’ e ka marrë më qafë ajo stërvinë?! E nisi me Fisnikun tonë dhe mbaroi te një kurd.O vëllai im! S’ mundej Lejla të dilte me shoqën time? Mundej, por ate s’ e bën kabull. S’ mundej Lejla të dilte me ty?Mundej, po ti s’ je narkotrafikant. Mua më duket se po ec në drejtim të greminës…
ARSIMI
Dhe ke frikë që do të rrëzohem?.
AZIZI
Çdo gjë është e mundur.Dëgjo këtu.Ne s’ kemi rënë, por jemi në gurmaz të greminës. Shiko popullin tënd, njëherë! Jemi me qindra në këtë vend, por po sillemi si mizat pa kokë. Boshnjakët, të paktën, po luftojnë, po mbledhin ndihma, po grumbullojnë armë.Ça po bëjmë ne? Po merremi me kurva dhe maniakë…
ARSIMI
Qëndron. E tërë egzistenca jonë është e mangët… E pakuptim… Megjithate, ne s’ guxojmë t’ i fajsojmë tjerët për pasivitetin tonë. Lejla është e poshtër, e pashpirt dhe e qelbur si kërma. Ajo s’ ka tjetër mision pos të na kujtojë që jemi keq, jemi para greminës… Ne jemi që njëzet vjet në udhëkryq, pa lëvizur as majtas, as djathtas.As të gjallë e as të vdekur. As në qiell e as në tokë..Shi për këte, nuk duhet ta ngatrrojmë dështimin tonë me tjerët. Nëse e bëjmë një gjë të tillë, vajzat tona do të bien edhe më poshtë… Sidoqoftë, duke u nisur nga gjërat që mësova tani, më duket që s’ paska nevojë ta pres.Po vij edhe unë.Më duket se kemi kohë për seancën e filmave që fillojnë më nëntë.
AZIZI
Pse jo? Edhe ecim, edhe bisedojmë.Mos harro ta marrësh një çadër, se ka gjasa që bie shi.

PAMJA E KATËRT
(Një ditë më vonë. Pasdite. Arsimi ka ngrënë drekë dhe lexon gazetën. Duket i qetë, i përmbajtur. Shfleton faqet e saj dhe ia ngulë sytë ndonjë artikulli. Nuk është në pritje të askujt.
Papandehur hapet dera dhe brenda ia beh Lejla. Ka veshur një palë pantallona gri dhe një xhemper italjan. Bien në sy faqet e pudrosura, sytë e nxirë dhe një palë vëthë të mëdhenj e të rrumbullakët. Është goxha në qejf.)
ARSIMI
(i kapur në befasi) O, erdhe zotrote?..
LEJLA
Erdha, por s’ jam mirë. Po e ndiej veten si muti në shi.
ARSIMI
(buzëqeshme ironi). Duket sikur distanca që na ndanë mua dhe ty është më e largët se ajo që e ndanë Tokën nga Qielli. U deshtën plot njëzet e gjashtë orë për t’ i bërë njëzet minuta me autobus. Apo e kam gabim?
LEJLA
S’ e ke gabim, po puna erdhi qashtu.M’ u desht të kthej te Irfetja dhe ta pi një visky për të dalë në sy. Beson se jam hala jam e dehur?…
ARSIMI
(prapë buzëqesh.) Mos e qorto veten, se nuk të bën mirë. Kjo dëshmon se ende ke pakdhembje të ndërgjegjes. ( Brof në këmbë.) Edhe unë do ta marr një visky, se plasa nga kurreshtja. Ta mbushi edhe ty?
LEJLA
(e vendosur) Për Zotin, mbushe, se s’ di ku të filloj. Fundja, edhe nëse dehem, krevatin s’ e kam larg.
ARSIMI
(nxjerr nga vitrina dy gota, i mbush deri në gjysmë dhe ia zgjat njërën.). Do diçka për ta shplarë gojën?
LEJLA
Jo, do ta pi puro.
ARSIMI
(e merr shkëmbin dhe ulet karshi saj.) Mirë, po çka ndodhi?
LEJLA
(bën me dorë). Mos pyet, se është përrallë e gjatë. Dola m’ ora njëmbëdhjetë me nijet të kthej te Gjergjevica e t’ ia kthej borxhin, po ajo s’ ishte te shtëpia. Ktheva pastaj në Sofielund. Thash mos po e shoh djalin n’ oborr të shkollës, por ata ishin brenda klasë. Rrugës, tek po vija në këtë drejtim, e shoh Mustafën. Ishte bërë ujë e djersë. Hë, more, ku po shkon kështu, e pyes. – Jam nisur te ti, më thotë. – Na kanë ftuar në dasmë, po s’ ka kush na i ruan fëmijët. – Ani ? – Po ja, sikur të na e bëje një nder e t’ i shikoje, do na shpëtoje. – Hajt, i thash, se do t’ ua ruaj. Me atë mendje hyra te Irfetja dhe mentova të të marr me telefon po s’ të gjeta te shtëpia.A sheh sa hajvan që jam?
ARSIMI
(e çon gotën.) S’ je hajvan, por goxha e regjur si gënjeshtare.Çuditërisht, vetë më thirre dhe më the të hamë mëngjes.Prita deri më ora tre, prita deri më gjashtë, prita deri më tetë, por ti ike nga të gjallët… U zhduke… Duhej të kesh patur arsye të madhe që nuk more mund ta zësh kufjen me dorë. S’ po flas nga xhelozia, por me fakte në dorë. Ka ditë që s’ ke qënë te shtëpia. Shtrohet pyetja: ku po e kalon kohën?Ti s’ e ke zakon të flesh te ai trangulli yt, Mustafai yt…
LEJLA
(evituese) Jo, jo. Pastaj shkova te Eminja… Unë e di që e bëra mut me mut, po ja që ndodhi. Ku ta di pse po sillem kështu? Thash: i kanë hipur xhindet dhe do më çojë në rrotë të s’ëmës. Unë të njoh. Ti, kur të kërcen delli, je në gjendje të bëjsh gjithçka. (Me ton pajtues) Unë kam problem, o njeri. Ti s’ ke tjetër hall pos demonstratave – dhe hajde. Unë po vij, ama çka djallin të bëj këtu? Të kishe të paktën një antenë, do të shikoja ndonjë film turqisht, po ti s’ ke. Pastaj, edhe sikur të kishe, prapë do të mërzitesha.Cilin hajr e kam prej teje? Ti po ma rrasë barkun me qofte dhe – pastaj – po më lavron falas…
ARSIMI
(nxihet në fytyrë. Pasi hesht një çast) Falas, ha? Do të pyes diçka.
LEJLA
(kurreshtare ) Urdhëro!
ARSIMI
Qe sa kohë që jemi bashkë?
LEJLA
(buzagaz). Goxha do kohë.Ama për t’ u dashur, jemi dashur gjithmonë.
ARSIMI
Mrekulli. Edhe një pyetje, se është shumë…shumë…e thjeshtë?
LEJLA
Varet se çka. (Duke e shikuar në bebzën e syrit) Nëse do t’i heq brekët, duhet të shkojmë në dhomën e fjetjes.
ARSIMI
Pse të mos i heqësh këtu dhe pa – pjesëmarrjen time?! Por t’ i heqësh dalëngadalë, si ato pristitutat e shquara turke… Më së pari t’ i heqësh ato pantallonat e ngushta, pastaj bluzën, pastaj kraholin dhe, më në fund, tangat. Ato tangat e zeza… ku e ke fshehur atë xhankulën kanakare…
LEJLA
(me të qeshur) Fy fan! Të paska shkuar mendja për striptiz, ha? Tamam si Izetit, që tërë kohën dontestrip tiz…
ARSIMI
Atij i ka shkuar mendja ditë për ditë, kurse mua vetëm sot. Zhvishu një herë si duhet dhe nxirre xhankulen në ledinë!..
LEJLA
Dreq o punë!..Po unë jam zhveshur me qindëra herë para teje. Pak ma ke parë atë postaqen e leshit? S’ besoj se ka shumë qime që s’ i ke prekur me dorë e me sy.
ARSIMI
(pajtohet ) Ashtu është… Megjithate, dua të di se çfarë ke përtej atyre qimeve të famshme…Dua të di se çfarë fshihet përtej asaj bubunjzës sakate.O zonja Lejla! Dëftoma unin tënd! Edhe nëse është shumë i ultë – dhe shumë i qelbur dhe – shumë oriental… Të shohim se ç’ kam unë, ç’ ke ti dhe ç’ kanë këto suedezet e gjora, që janë pak më të shëmtuara… Dhe më të sinqerta se ne…
LEJLA
(me të qeshur) Hej, unë jam pastruese dhe s’ i kuptoj fjalët që ke mësuar nëpër libra.Shpesh thua që po më kupton, por kjo s’është e vërtetë.O Arsim! As’ po sheh që jam e dërmuar…Që jam gjysmë njeri? Ti po çuditesh që ende s’ i kam hapur valixhet, por ashtu është. Kurse ti, një, dy– hajde. E si të vi që po sëmurem në qytet?! Po shoh fustana, po shoh vëthë, po shoh këpuca dhe, duke mos patur pare, po më pëllcet xhani… Për ate më ka leçitur baba…
ARSIMI
Po mirë, kush të solli në këtë gjendje? Unë të solla?
LEJLA
Jo, Sevdia më solli.Ajo më ka bërë sakat.A e pe si më rrinte?
ARSIMI
Po, e pashë… E pash një ditë, e pash dy ditë, e pash çdo ditë… Por kjo s’të jep të drejtë të shtiresh si prostitute.Si thua ti?S’ kanë suedezet qejf të blejnë unaza?..Kanë, motër, po e mbajnë veten. Kurse ti je e papërmbajtur. Çkado që sheh në qytet, do ta çosh në muzeumin tënd. Po pe fustana, do t’ i blesh.Po pe unaza, do t’ i blesh. Po pe burra, do t’ i shtiesh në dore… Paçka se këtë veprimin e fundit do ta bësh me dredhira. Rëndomt, kur të mbërthen kjo dëshira e fundit, ti fillon të lodhesh…të ankohesh… të derdhësh lot…dhe, pak ditë më vonë, do turresh te motra Irfete. Tek pasi bie në gropë, vjen e më njofton se ke rënë në hall dhe se dje, pardje, ke qenë me Irfeten në ndonjërën nga ato diskot e njohura boshnjake.Jazëk të qoftë… Vjen dita e enjte – ti je e lodhur; vjen dita e premte – ti je e lodhur. Por ate çast që të lajmërohet Irfetja – ti je e pushuar. Apo s’është kështu?
LEJLA
(qeshë )Mirë më paske studjuar.Syrit tënd s’i shpëton gjë…
ARSIMI
Atëherë hiqi brekët,motër.!Nxirre bythën në rreze të diellit dhe mos e fsheh me lutje e hajmalia. Banesa, që thua, antenat, borxhet, perdet, mitra, çdo gjë është blof. Unë s’ e kam të qartë pse gënjen. Thua se paske qenë të kushërira, apo jo? Mrekulli, po ajo…
LEJLA
Të betohem që s’kam qënë me njeri…
ARSIMI
Në çka do të betohesh? Prapë në kokën e Metinit të ngratë? Po unë s’ jam aq i trashë, sa të mos e tejshikoj këtë punë.( Çohet) Thua se ke qënë te Mina. Po ajo s’ kishte telefon te shtëpia? Sëpaku ta leje një mesazh… Veç ta hapje gojën e ta leje një mesazh… O Arsim Filani! Kështu dhe kështu qëndron puna… Po ty s’ të ra ndër mend kjo gjë… Se sikur ta çoje kufjen, ty do të dilnin rrenat për hava…Do të dëgjohej muzika…Do të prishej ahengu… Do të zemrohej Irfetja… Jo, motër Lejla. T’ i lëmë gënjeshtrat e të ndahemi si shokë, se kjo çorbë që kemi përpara, le vend për shumë spekullime. Mos më le të shpekulloj, por zhvishu njëherë si të gjitha gratë e rruzullit tokësor!..
LEJLA
(ngryset) Do të zhvishem, po s’ ka gjë për të parë. Ate që e kam ndën brekë, e ke parë me dhjetra herë…
ARSIMI
E kanë parë dhe tjerët.
LEJLA
(e mbërthejnë lotët.) Dhe thua, pastaj, se më do e më ke xhan?
ARSIMI
Të kishja. Sinqerisht të kishja. Se më vinte keq për ty… Se ta doja të mirën… Por kjo s’do të thotë se jam i detyruar t’ i miratoj kapriçet e tua. Të deshta, se më kishte rënë hise të kalojame ty, por kjo s’ do të thotë se duhet t’ i fsheh poshtërsirat… Të deshta për plagët që kishe marrë, por s’ të fal për plagët që po ua shkakton tjerëve… Ti po më quan të vrazhdë… Ka gjasa që jam i vrazhdë, por dikush duhet të t’ i shparthakojë pantallonat. Ti po sillesh si e pacipë. Ti – sa je e sëmurë, aq edhe gënjeshtare… Sa je e mirë, aq edhe mizore. Thua se unë – që të kam mbajtur me bukë e me gjithç tjetër – të shfrytëzokam pa pare. Mrekulli…Po pse s’ thua gjë për të tjerët?..Sipas teje, ata tjerët, që ta japin nga një darkë e ca gota me verë, qenkan më të mirë… Ata mund të të rrokullisin edhe pa pare, kurse unë, për ta ndarë natën me ty, u dashka të të mbuloj me unaza, marka e qafore të arta. Apo shtova diçka?
LEJLA
(ngryset. Qanë heshtazi.I fshinë faqet me faculetë) Ketë drejtë.Do t’ ishte mirë të dija ça po dua, po s’ e di.Po ti ça po do, Arsim aga? Thua se më do, se më kupton, por kjo s’ është e vërtetë. Ja, çunin s’ po mundem ta shoh, se ia kanë ndaluar çdo kontakt me mua. Dola ditën e enjte, nuk e pashë. Dola ditën e premte, nuk e pashë. Deshta ta shoh ditën e shtunë, por të shtunën duhej të vija te ti. Çdo ditë e pyes veten kush më dënoi kështu? Pse më nxorri Zoti kaq telashe? Dhe ç’ kanë gratë tjera më shumë se unë? Ika për Fadilin, e lashë. E mora Selmanin, e lashë. E mora Izetin, më përzunë. Kend leshin s’ e mora dhe, prapëseprapë, jam e vetmuar.Prej teje s’ dua të ndahem, se kam kujtime të mira, por diçka më thotë se është më mirë të jetoj si kurvë, se sa t’ i duroj fyerjet e tua. Fundja, ku është kufiri midis kurvës dhe gruas së ndershme? Prapa shpine, të gjithë më thonë kurvë…
ARSIMI
(me zemërim) Jeto si të duash, por mos mos më ngatërro mua.Unë s’ po ta rekomandoj kurvërinë. Ate po ta rekomandojnë shoqet dhe shokët me të cilët po shkon në disko gjatë natës.
LEJLA
(e rezignuar) E di, por s’kam ndonjë zgjidhje më të mire.Unë s’ jam ajo që isha dhe memzi po shkoj në punë. Çfarë hajri kam prej teje?Se mos ke zotrote ndonjë biznes të madh? Jo. Duhet të çohem më ora pesë për t’ i fshirë nevojtoret e botës.Gabova shumë që e lash atë punën e zezë…
ARSIMI
Pse gabove?
LEJLA
Sepse kisha pare më shumë dhe mund të bleja gjithçka… Rroba…Unaza… Gjithçka… Prej se jam me ty, po më duket që kam rënë në pus. Mba mend si më thoshje? Lere punën se do të kesh gjithçka. Kam leshrat e b… time…
ARSIMI
(çohet në këmbë me rrëmbim. Vërtitet.) Pallavra, motër, pallavra. Të gjitha janë pallavra.
LEJLA
Jo pallavra, por fjalë të njëmendta.
ARSIMI
Ç’ është e drejta, s’ e pata ndërmend ta prek atë plagë, po ti, kur e kruan duqinme dorë, i nxjerr edhe qimet përjashta… Sa herë që kujton ato kohërat e argjenta, kur gjezdisje meato shoqet e tua, thua se kishe pare, kishe unaza dhe kishe parfume. Sipas teje, katastrofa yte paska ndodhur atë ditë që më ke njohur mua…Ç’ është e drejta, ajo s’ qëndron aspak, se ti, që nga ajo ditë s’ ke paguar as qira, as telefon, as elektricitet. Ke kursyer nga pesë – gjashtëqind dollarë në muaj dhe ato i ke futur në bankë.Është e vërtetë se here pas here leje nja njëqind dollar për bukë, por atyre ua gjeje vendin sapo dilnim në qytet.Të gjitha shkonin në kostume, xhaketa, brekushe e harna të ndritshme.
LEJLA
(çohet e vete te vitrina dhe i bie parmakut të saj me dorë) O, sikur ta dije se sa jam e lodhur?! Ti po flet, por unë s’ e kam mendjen këtu.
ARSIMI
Fajet s’i kam unë, por docentja e veprave penale dhe kriminelët boshnjakë, me të cilët po rri natë e ditë.
LEJLA
(e mllefosur) Prap Irfetja, ha? A di çka? Ti ke krijuar bindje që ajo po më heq për hunde, por kjo s’ është e vërtetë. E vërteta është gjetiu. Çë djallin ka Irfetja me mua?
ARSIMI
Ka, si s’ ka. Të enjten ishe te Irfetja – mezi flisje nga lodhja. Të premten ishe prap te Irfetja – mezi të zura në shtëpi. Lidhja, veç, ishte e nxënë. Sa u hap lidhja, kishe dalë… Prapë te Irfetja. Normal, shtëpia e Irfetës nuk është doçkado, por qendra më e sigurtë për ndërlidhje me kriminelët turq, serbë e boshnjakë, kurse ata që shqetësohen për shëndetin e zotrote, nuk egzistojnë fare. Ata janë njerëz të bezdisur…
LEJLA
(me averzion ) Eeeh, tash po flet nga xhelozia. Vallahi! Ti kujton se ato gratë që dalin nëpër klube s’ kanë tjetër punë pos të ngjishen me hajnat.Ama gabim e ke, se njerëzit nuk ngjishen me sy…
ARSIMI
(me mllef) Jo me sy, por me mend. Një fjalë e urtë induse thotë: mendja ec përpara, robi i shkon pas. Hajni, para se të vjedhë me dorë, vjedh me mend. Ai me ditë të tëra i sillet objektit që do ta fusë në dorë. Për fat të keq, përderisa s’ e ka vjedhur, ainuk e gëzon titullin hajn. Tek pasi ta kapin me kopresh për dore, ai e fiton titullin e merituar dhe q’ aty e tutje mund të krenohet me zanatin që ka.Njësoj qëndron puna edhe me të përdalat.E përdala, para se të bëhet kurvë, me javë të tëra, mbase dhe me muaj, mendjen e shpie te unazat, qaforet dhe kuletat e burrave të huaj….
LEJLA
Do të thuash që edhe koka ime vepron ashtu?
ARSIMI
T’ ishte e kundërta, s’ do ta bëje Irfeten nënë e babë e vëlla e motër. Ndryshe, çfarë të lidhë me atë grua? Zotrote ke gjithçka që i duhet një gruaje moderne. Ke banesë, ke rrogë për të paguar qiranë, elektricitetin e telefonin, dhe ke pare për të blerë ushqime. Megjithate, sytë e tu janë të përvajshëm… Zemra yte gjithnjë qanë… Qanë edhe atëherë kur ia bën qejfin asaj bashkës që ke nën gaqe. Pse ndodhë kjo? Sepse truri ytgjendet në një shprishje totale dhe ti, për disa krona të flliqura, je në gjendje të shesësh gjithëçka. Merre me mend, goja yte është tharrtuar deri n’ atë gradë, sa që ke harruar se je grua, seje nënë… O, shoqe! Ti je në gjendje ta shkelësh çdo të afërm… Babën, nënën, djalin, burrin… Gjithkend… Dhe habitesh, pastaj, që evlati s’ do ta shohë surratin… Kush i ka fajet për këtë gjendje tragjike? Kush e tradhtoi atë çun të vogël? Ti, zonja Lejla.Askush tjetër.Lere Arsimin mënjanë, se me mua s’ të lidhë asgjë pos shpresave sesot do më rjepësh pak, nesër pak më shumë…
LEJLA
(i bie kokës me dorë .) O, sa i padrjetë që je! O, sa shpirtzi që je. Dhe ti thua se më ke dashur ndonjëherë?!..
ARSIMI
Dikur të kam dashur , tani jo. Tani të urrej si plagën, se po e shoh që je tamam polake. Madje trefish më e keqe se polaket. Ti do të jesh edhe kurvë, edhe e ndershme. Ç’ ka se të iku iftibari, Lejla. Nuk mu deshtën as dy ditë për t’ i hequr tangat dhe tani po e shoh se ai peri i hollë të ka mbetur në lug të bythës.Merre me mend! Ke ardhur e po më shtiresh engjull, po nuk më dëftove me kend po endesh nëpër disko… S’ ke dëshirë të dijë njeri se ku hynë e kur del zotrote… Kjo, shpirti im, nuk është rastësi. Këtë rol e ke luajtur qe dhjetë – dymbëdhjetë vjet dhe viktimat tua – nëse s’ janë shqiptarë – janë turq, arapë apo bosnjakë…
LEJLA
(e mllefosur. E papërmbajtur.) Ke të drejtë. Unë jam kurvë!
ARSIMI
S’ ka nevojë ta nënvizosh pohimin tim. Unë s’ jam kodoshi yt.Ke filluar të trembesh nga xingona, ha?
LEJLA
(me zë të ngjirur) Përse te mos trembem? Edhe unë jam njeri. Edhe unë kam ndjenja. Herë – here më vjen keq për çka kam bërë. Herë – here them qija nënën. Pse t’ i kursej tjerët, kur askush s’ më kursen mua? Kështu kam qënë nga fëminia. Kështu e shkela edhe çunin tim, që s’ i kishte as dy vjet kur e lashë. ( Qanë ) Mentoja: pse ta përcëlloj veten, kur mundem t’ i përcëlloj të tjerët?! Pse ta ruaj zverkun e tij, kur mundem ta ruaj timin?! Hah, tani po e ha vetveten, po kot. Ke parë diçka të këtillë Po të jetë për të ikur, tani po ikë çuni im prej meje, thua se jam qenia më e shëmtuar në botë… Vetëm ti më ke ndenjur besnik, më ke dashur verë e dimër… Mjerisht, pas fjalëve që m’ i the sot, çdo gjë është e kotë. Zemra ime është akull… Ashtu jam: edhe qorr, edhe fodull. Shamë një herë dy – dhe ftohem. Do kalojnë pastaj me muaj, do kalojnë vite, deri sa ta ndiej veten grua…
ARSIMI
(me shpoti) Po e sheh se prapë po gënjen? Mba mend kur u takuam në Sheshin e Blinave? Unë s’ deshja të flas, por ti erdhe e më fole. Të kujtohet? Erdha pastaj te ti, ndenja sa ndenja dhe, para se të ikja në shtëpi, pata nderin të katandisem midis shalëve tua… Aq kohë u desht që të shkrihen viset tona polare… Mjerisht, atë punë s’ e bëre se kishe mallë për mua, por sepse e dije që mashkulli është si qeni…Me të parën i nxorre dy unaza. Ty të duken pak, por dikush dikush do ta kalonte dimrin me to… Për pa kaluar as dy javë të plota, ti prapë e veshe këtë surratin e brengosur. Po pse? Sepse të dyve na mbanin shpresat…
LEJLA
(Çohet e mbush edhe një gotë me visky.I fshinë lotët me dorë.) Dhe unë të merja për njeri të mirë!..Të ndershëm!..Tek tani…Tek tani po e shoh që je një gjarpër i vërtetë.Ti s’ paske pritur tjetër veçse rastin kur do më kapërdish si miun e arave. Mba mend? M’ i bleje këpucat, fustanet, brekushet dhe, sa të mbërthente ai inati i mallkuar, m’ i hidhje në plehurishte. Fy fan, kurrë s’ do ta harroj atë ditë nëntori, kur erdhe e m’ i more fotografitë e ku di unë dhe i hodhe në kontejner…
ARSIMI
Dhe kush më bëri gjarpër? Eventualisht, zotrote.Prej teje mësova se njeriu duhet të rrojë edhe si gjarpër për t’i parë djallëzitë e njerëzve.Edhe ajo është art, zonja Lejla.Të shohësh se si njeriu i dashur po të gënjen, po të vjedh, po të godet me thikë prapa shpine dhe, prapëseprapë, të buzqeshë.Përndryshe,tido t’ ikje larg e më larg prej meje… S’ do ma çaqje unin e vërtetë… Fatlumnisht, tani që e pashë, s’ ka nevojë të buzqeshë… Ti di të qash edhe për një palë sandalle, por s’ di të derdhësh një lot për evlatin që ia ke lënë vjehrrës… Ty të duket normale t’ i mbash ato unazat e blera me qejf, por s’ di se ato janë të lidhura me njëmijë e një mallkime.( Qesh me hidhërim.) Ty të duket normale të kërkosh këpuca me taka, por ato s’ i veshë kurrë me njerëzit që t’ i kanë blerë.A s’ ti mora një palë në Las Palmas? Mos shko më larg, por njëzet e katër orë më parë kishe qenë me to në Yolo Molo. Me mua s’ i bëre sefte, po me ca tjerë…
LEJLA
Aty ke të drejtë.
ARSIMI
Ani përse të të dua?Tek se po të pëlqen të kesh shumë burra,vazhdo punën tënde.
LEJLA
(i bie kokës me dorë) O, sa të urrej kur po më quan grua të shumë burrave! T’ urrej dhe t’ urrej si gjarpërin!..
ARSIMI
Unë jo. Sikur ta bëja një gjë të tillë, do ta ofendoja veten.
LEJLA
(me pezm) Irfetja është shoqja ime.Plas, po deshte!
ARSIMI
Pse të plas? Një kohë, kur ajo s’ egzistonte, unë isha qiell. Isha ajr i pastër. Por ka ca muaj që Irfetja ma ka nxjerrë gjumin dhe, sa më shume që po shikoj rreth e rrotull, s’ po shoh tjetër pos kriminelë, kurdë dhe evgjitë të Sllovakisë.Shi për ate nuk po e dua askend. Më ka mbetur vetëm trazira. Kaosi. Poshtërsirat. Deri tani kam falë, por s’ po mundem më. Mbaju me Irfeten, se ate e ke burrë dhe grua.Ajo ditën të ushqen, natën të shet. Ia pafsh hajrin dhe, ishallah, bëhesh çirak…
LEJLA
Fyfan! Pak tjerat, tani edhe Zotin po e mohon…
ARSIMI
Lere Zotin ku është. Ai s’ do të ketë punë me mua dhe ty…

PAMJA E PESTË
(Arsimi do të shtojë edhe diçka, por shi në ate çast bie zilja e derës dhe ai shkon në drejtim të saj. Te dera dëgjohen disa fjalë, shpjegime, fraza të këputura, të cilat Lejla i përcjell me shqetësim të madh.Papandehur, ate e mbërthen një frikë dhe sytë e saj sikur kërkojnë rrugëdalje. Shpëtim.Pak çaste më vonë, në paradhomën e banesës ia behë një polic i uniformuar, i cili, me ta parë Lejlën, e përshëndet me kokë dhe vazhdon të shënojë diçka. Arsimi është i konfunduar.Lejla krejtsisht e ngrirë).
ARSIMI
Urdheroni brënda, atëherë!…
POLICI
(ia dëfton kartidentitetin dhe prezanton vetveten ) Falem nderit! Unë jam Per Johansson, inspektor, departamenti për ndjekjen e narkotrafikantëve.
ARSIMI
(gjithnjë i konfunduar) Më falni, po sikur keni ardhur gabim. Unë jam qytetar i thjeshtë dhe s’ merrem as me blerjen, as me shitjen e drogës…
POLICI
S’ e kemi hallin tuaj, zotëri. Më falni por, para se të vazhdojmë më tutje,natyra e punës po më detyron t’ ua shtroj nja tri katër pyetje. ( Ai nxjerr një fletore nga xhepi ). A jeni ju Arsim Gjata?
ARSIMI
Unë vetë.
POLICI
Gjendja civile?
ARSIMI
I pamartuar.
POLICI
Po zonjën Kemalpasha e njihni?
ARSIMI
E njoh. Përse po m’ i shtroni këto pyetje, ju lutem? Çfarë ka ndodhur?
POLICI
T’ i mbarojmë formalitetet, ju lutem. Ju thatë se e njihni të lartpërmendurën, apo jo? Është parë duke hyrë e duke dlaë nga kjo banesë.
ARSIMI
Ajo që thoni është e vërtetë. Këto tri katër ditë s’ ka qenë këtu. Përndryshe, ja ku është e lartpërmendura.
POLICI
Mos m’ i mësoni detyrat! Kjo do të thotë, se zonja Kemalpasha nuk e ka kaluar natën këtu?
ARSIMI
Jo, ajo ka shtëpinë e saj. Ka disa ditë që s’ jemi parë.
POLICI
A ka gjasa që zonja të ketë lënë diçka në banesën tuaj?
ARSIMI
Nuk besoj. Ju thash se ka shtëpinë e saj.
POLICI
(e fut bllokun në xhep.) Mirë. Dini ju se zonja Kemalpasha përdorë amfetamina?
ARSIMI
Jo, zotëri.Ajo është një qenie e çuditshme, kapriçioze, gojëpalarë por jo dhe konsumuese. Ate s’ e besoj kurrë…
POLICI
Dakord, po ne kemi të dhëna se zonja ka qënë në Kopenhagë dhe ka blerë një sasi të konsiderueshme me marka gjermane. Ju njoftoj me keqardhje se ajo duhet të vijë me ne.Sëpari do shkojmë në shtëpinë e saj, pastaj në qendrën e Policisë Rajonale. Tani për tani ajo ndiqet për sjellje ilegale të lëndëve narkotike… ( Ai drejtohet Lejlës) Zonja Kemalpasha, kini mirësinë e hajdenim e mua.
ARSIMI
(gojëhapur) Kjo s’ është e mundur… S’ është e mundur…
(Lejla e merr xhaketën dhe kapelën e saj e niset në drejtim të paradhomës.Ajo është aq e humbur, sa harron edhe të vishet. Pastaj, pasi e sheh Arsimin në sy, gjatë gjatë, e hap derën dhe del përjashta. Polici e përshëndet me dorë.)
POLICI
Me vjen keq, zotëri. Ditën e mirë!
ARSIMI
S’ ka pse t’ u vijë keq. Lamtumirë, zotëri!
(Arsimi i vetëm. Edhe pasi dalin ata tjerët, ai nuk luan nga vendi. Gjatë kohë. Pastaj shkon në drejtim të vitrinës. Ndalet para saj, i sheh titujt e librave dhe përsëri ec në drejtim të skenës. Më në fund, qëndron para portretit të shkrimtarit dhe e prekë në ballë…e prekë në mollëza…dhe i flet sikur të ishte i gjallë.) O, August i dashur!..Unë s’ kam parë gjë… Asgjë s’ kam parë unë… Në krahasim meZotrote…

( Bie perdja e aktit të tretë).

 

Shkruan: Ramadan Rexhepi