SHPËRNDAJE

Presheva – binjakja ime siameze, që e dua dhe e urrejë njëkohësisht. Ku realiteti më shtyen të iki, e ku kthehem sapo të largohem. Presheva që më rriti me shkronjat e para shqipe, me familjen dhe miqësinë, me frymëzimin për diturinë. Jo vetëm vendlindje, Presheva më mësoj atdhedashurinë, ku mësova dhe bashkëjetova me flijimin e brezave për liri. Presheva e artistëve, akademikëve, shkrimtarëve, veprimtarëve, luftëtarëve etj. Presheva e Bardhyl Osmanit. Është kjo Presheva që e dashuroj; ajo që diti të jetë solidare me bashkëkombasit, që ndihmonte refugjatët dhe të pastrehurit. Që ndihmonte të shtypurit, duke qenë vetë e shtypur. Presheva, që prodhoj vlera njerëzore, shpirtërore, bashkëkohore. Jo ajo që duket sot! Me pamjen e një vendi që nuk duket se ka dalur nga lufta, pa asnjë gjurmë se ka luftuar ndonjëherë. Me hije të rëndë dhe me aromën e pacientit para vdekjes, ajo ka marrë gradualisht trajtat e Trojës historike, të harruar nën gërmadha dhe me kalin e tij të pavlerë. Krahasimet në kohë, të nxisin pesimizëm dhe frustrim kolektiv. Mbase, me çmendurinë e një mentaliteti “à la Shkupi 2014”, nuk është kursyer as Çarshia e vjetër me kalldërmat, blinjtë dhe pishat e saj. Me kioskun e saj, ku nuk blihen pothuajse më gazetat, apo edhe nuk vijnë fare. Me të vetmën bibliotekë publike, ku ka më shumë punëtorë partiakë, se libra cilësor. Me më shumë magjistra dhe doktora shkence; e me më pak njerëz mendjendrritur, që braktisin vendlindjen nga diskriminimi shtetëror serb dhe nga partitokracia injorante shqiptare. Me kinemanë, teatrin, shoqëritë kulturo–artistike dhe shkollën muzikore të mbyllur, apo jonfunksionale. Ende pa pallat sporti. Me korzon e dikurshme familjare, tanimë rrugë e boshatisur, plotë e përplotë bastore dhe kafiteri maskuliniste. Sot, një qytezë kornizë pa pikturë. Ku nuk janë të kërkuara, e mbase as të dëshiruara, vlerat e mirëfillta. Ku artistikja dhe kulturorja po humbin kuptimin. Ku migrimi perceptohet shpëtim, për t’u bërë nesër “i huaj” jashtë vendit dhe “i huaj” në Preshevë. Kjo është Presheva ime që dua dhe që urrejë; për atë që ishte e do të duhej të ishte, e për atë që është bërë.

Tradita – Sa paradoksale duket se si përpiqemi ta krijojmë sot modelin e shoqërisë sonë moderne. Duke e përmbytur traditën. Duke e hyjnizuar të huajën dhe injoruar vetëvetën. Një “civilizim” i rrejshëm, i përfituar shpeshherë nga absorbimi i tipareve negative të huaja, që dallojnë prej realitetit të përditshmërisë së tyre. Qasja e gabuar dhe keqkuptimi i modernizmit ka ndikuar fatkeqësisht që të humbim virtyte, mbase të turpërohemi nga ato, duke i trajtuar si të prapambetura. Të indoktrinuar jo pak herë nga kjo logjikë, po humbim edhe më të bukurën të dokeve dhe zakoneve tona tradicionale, si pjesët më të pasura tradicionale të dasmave, të morteve, të veshjeve etj. Kjo mendësi pasqyrohet edhe në hapësirat private; ku nuk ruhet më as ora e stërgjyshit, apo tëpini i gjyshes që e ka tundur bylmetin. Njëlloj me mikëpritjen dhe solidaritetin. Dy vlera të shoqërisë shqiptare. Të njohura dhe të pranuara edhe nga të huajt. Dy pasuri që sot rrezikohen nga modeli i modernizmit, që po e dominon shoqërinë shqiptare. Tipare të dëshmuara edhe gjatë luftërave të fundit, që e shpëtuan realisht popullatën dhe që po i asgjësojmë gradualisht. Ato po zhduken në heshtje, sikurse objektet e trashëgimisë kulturore. Si në Preshevën e sotme, ku mezi identifikohen gërmadhat e Kalasë, “Guri i bollës”, Vila “Letafet”- mësonjëtorja e parë, apo edhe janë zhdukur fare gërmadhat e kishave dhe shumë monumenteve të tjera kulturore.

Atdhedashuria – Është e dhimbshme, trishtuese, e mbase e turpshme; se si gjatë tërë këtyre viteve të fundit, segmentet e caktuara të shoqërisë shqiptare kanë instrumentalizuar dhe keqpërdorur ndjenjat dhe simbolet kombëtare; duke e zbehur madje në sytë e shoqërisë edhe madhështinë e himnit kombëtar dhe të flamurit shkabë. Si u harruan kaq shpejtë vuajtjet, krenaritë dhe idealët e dëshmorëve të kombit? Madje edhe një minutat e dikurshme të heshtjes nëpër tubime përkujtimore janë shndërruar në dhjetë sekonda. Simbolikë e zbehjes së projektit të tyre, ose keqinterpretim i tij, që ishte në thelb emancipues. Modern. Sikurse mëtonin ta trasonin Fishta, Noli, De Rada, Bogdani, Kazazi, Gjeçovi; që njomën themelet dhe orientimet e kulturës sonë me gjakun e tyre.

Femra – mbetet ende e diskriminuar dhe e nënshtruar, veçmas në zonat rurale. Me fajin e të tjerëve, por edhe të saj. Femra që shpeshherë vetëkënaqet duke qenë numër, e jo emër. Por, gjithnjë kam një respekt të veçantë për femrën “luftarake, guximtare”, që ka arritur ta fitoj pavarësinë e saj në një shoqëri në thelb maskuliniste. Për atë femrën, vuajtjet dhe vështirësitë e së cilës “harrohen”, sepse ka ngadhënjyer ta fitoj barazinë me mashkullin, duke u dalluar nga femrat e nënshtruara. Model shoqëror emancipues, kjo femër meriton edhe më shumë respekt, ngase në luftën e saj për të mos qenë “model serik”, ajo përballet vazhdimisht me barriera të shumta penguese, etiketuese, shantazhuese etj. Ajo është sot pa dyshim, një nga flamurtarët kryesore të emancipimit dhe progresit tonë.

Barazia – Personat me nevoja të veçanta, njërëzit në moshë, bonjakët, varfënjakët – janë të harruar çdo ditë e më shumë. Sikur krijohet përshtypja se nuk është detyrë e jona qytetare që t’ua mundësojmë një jetë të dinjitetshme dhe të barabartë. Trajtohen ende sikur raste sociale dhe humanitare. Në botën tonë të “luftës së gjithëve kundër të gjithëve”, në një treg që po quhet konkurrues dhe liberal; ata janë harrruar krejtësisht, vetëm se janë të dobët. Këto grupe shoqërore të margjinalizuara vazhdojnë të ndjehen të vetmuar, vetëm nga shkaku se janë të “tjetërsueshëm”, të “jashtëzakonshëm”. Nëpërmjet tyre mund ta kuptojmë më së miri funksionimin tonë, fatkeqësisht, më afër kuptimit vulgar të shoqërive të mbyllura dhe të pabarabarta.

Vetëdijësimi – gjithnjë disi përpiqem të kuptoj se si nuk arrijnë mjaftueshëm të gërshëtohen vetëdijësimi individual dhe ai kolektiv. Individualizmi i skajshëm shoqëror duket se po ndikon edhe në këtë aspekt. Përderisa hasim vazhdimisht në individ të talentuar, mendjehapur dhe mendjendrritur; nuk duken rezultate të mjaftueshme në vetëdijësimin kolektiv shoqëror. Tërë zhvillimet e njëzetëvjeçarit të fundit në hapësirat tona ilustrojnë nevojën e investimit në ngritjen e vetëdijes shoqërore; duke investuar në fushat e caktuara, që do të mundësonin rimëkëmbjen psikologjike kolektive në raport më kolektivën, me publikën. Duke filluar nga uji që pijmë, ushqimi që hajmë, ajri që thithtim e deri në cilësinë e qeverisjeve, arsimit, mirëqenien ekonomike dhe ekologjike etj.

Arti – në përgjithësi ka mbetur në harresë; sidomos në Preshevë. Mbase, një nga fushat që do të mund ta ringjallë shoqërinë shqiptare dhe që po injorohet nga vendimmarësit, të zhytur në obsesione private financiare. Duhet rikthyer namin dhe cilësinë e aktiviteteve kulturore dhe artistike, si dhe nëpërmjet riaktivizimit të festivaleve të recitatorëve, shoqërive kulturo-artistike, komedive, debateve, tryezave, ekspozitave. “Arti dhe kultura si oksigjen”, kjo është deviza ime shpresëdhënëse.

Shkruan: Drita Osmani

/psikologe, psikoterapiste nga Presheva. Trajnere për të drejtat e grave, punon me persona me nevoja të veçanta. Veprimtare e shoqërisë civile dhe veprimtare kulturore, ajo ka qenë ushtare e ish-Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc./