SHPËRNDAJE

ShqiperimArifi

Zgjedhjet e 24 prillit 2016 në Luginë të Preshevës, padyshim se kishin rëndësinë e vet si për faktin e riciklimit të ashtuquajtur demokratik në Serbi, por edhe në komunat shqiptare në jug të saj, si në Bujanoc dhe Preshevë. Në Bujanoc kishte një ndryshim të konceptit politik, por jo dhe të figurave politike, ndërsa në Preshevë ndodhi si në koncept, por edhe në figura dhe karaktere politike.
Meqë, Presheva është ajo palca kurrizore e politikës së Luginës, këtu janë thyer shtizat kryesore të një ndryshimi politik të dëshiruar dhe kërkuar që moti, por i arritur vetëm gjatë zgjedhjeve të fundit. Koncepti politik i vjetër politik i “bërjes së punëve të vogla” dhe “rrethit vicioz politik”(sillu dhe qëndro në vend) në këtë vend kishte mbretëruar një kohë të gjatë që prej viteve 1990.
Dy subjektet kryesore politike të kësaj qyteze, dhe më vonë disa të tjera të vogla për një kohë të gjatë nuk kishin arritur të zhvillonin ndonjë politik të kënaqshme konform kërkesave të qytetarëve të saj, por as të programit të tyre politik. Ata nuk kishin realizuar në masë të duhur zgjidhjen e problemeve të qytetarëve dhe këto probleme vetëm sa ishin shtuar më shumë.
Në Preshevë gjendja ishte rënduar më keq. Gjatë qeverisjes së tyre kishte një degradim të keq politik, arsimor, shëndetësor, ekonomik, papunësisë së madhe, ikje të rinisë, paperspektivë totale në të gjitha poret e jetës. Hiq situatën së krizës në Kosovë dhe periudhën e luftës së vitit 2000-2001 këto subjekte politike nuk mundën ta tejkalojnë interesin e tyre personal, veten e tyre dhe të shndërrohen në subjekte të qytetarit dhe problemeve të tyre.

Ragmiu-Shqiprim

Koncepti i ndërtimit të tyre politik se duke zgjidhur problemet personale dhe grupore mund të zgjidhen ato kolektive dhe nacionale nuk kishte dhënë rezultate. Bile, shpesh ju kishte ndodhur që koncepti nacional politik i tyre ishte përdorur më shumë si marketing politik se sa vërtet ndonjë qëllim politik e programor. Rasti i Lapidarit të Dëshmorëve të luftës së UÇPMB-së këtë më së miri e kishte treguar se politikanët e “vjetër” të Luginës nuk kishin asnjë koncept të mbrojtjes së kësaj vlere kombëtare. Rastet tjera janë të shumta, por ky ishte më i rëndi në historinë e saj, të cilin Beogradi ua kishte “imponuar”, i cili mund të kishte pasoja të mëdha në Luginë dhe rajon.
Dështimi i së kaluarës politike në Preshevë ishte sidomos në mosarritjen e formimit të një elite me vetëdije politike e publike dhe të përgjegjshme. Politika lokale kishte një koncept ad hoc politik, sot për nesër, apo koncepte shumë të shkurtra dhe jo të ndonjë politike me plan, si me plan afat mesëm, apo afatgjatë. Planet dhe konceptet e tyre ndryshonin brenda natës dhe për këtë arsye qëndrueshmëria politike e tyre ishte jo e sigurt dhe jo konstante.

Jeta në Komunën e Preshevës kishte një degradim profesional, por edhe sistemor. Serbia si një shtet që njihet si diskriminuesja më e madhe ndaj pakicave në Evropë këtë Komunë e ka zhveshur nga të gjitha kompetencat kryesore të vetëqeverisje lokale autonome dhe moderne mu ashtu siç janë shumë komuna dhe regjione të Evropës. Në Preshevë ka shumë probleme të pazgjidhura kombëtare, si problemi i simbolit kombëtar, dygjuhësia, arsimi, shëndetësia, gjygjësia, policia, ekonomia e pazhvilluar, papunësia dhe këto probleme duhet të jenë sfidë për të ardhmen e lidershipit të ri politik.

Jo vetëm këto, kur kësaj i shtohet edhe mossiguria e rajonit, sidomos militarizimi i skajshëm nga forcat e ndryshme ushtarake e policore serbe, trysnia ditore, mossigurim në lëvizje dhe prona, kompetencat e pakta të mbetura të Komunës së Preshevës, atëherë padyshim se sfidat do të jenë shumë të rënda.
Tani, kur kemi një ndryshim politik në Preshevë, bazuar në programin e subjektit më të ri politik Alternativës për Ndryshime (APN-së), një grup të rinj dhe entuziastë për të ndryshuar diç më shumë në jetën e njerëzve të këtushëm, atëherë padyshim se ka një motiv shtesë për gjeneratat e reja, të cilat shumica e tyre përkundër shkollimit të kryer nuk po mund të gjejnë perspektivën e tyre në këtë vend.

Edhe pse të rinj në moshë, ndoshta edhe të papërvojë, por energjia dhe motivi për të punuar dhe ndryshuar një realitet me shumë probleme nuk mungon dhe kjo është ajo çfarë shton vullnetin dhe dëshirën e tyre dhe të qytetarëve për të jetuar në këtë vend duke mos menduar për ndonjë plan tjetër.
Presheva ka kapacitete intelektuale dhe njerëzore për një ndryshim më të madh, të asaj çfarë mund të ndryshohet në këto rrethana në këtë shtet, i cili në vend të ofrimit të dorës për të ndihmuar, ofron diskriminim e mos siguri dhe që nuk do të jetë lehtë për këtë brez të rinjsh të punohet dhe të arrihen rezultate të kënaqshme.
Shansi i dhënë nga qytetarët e Preshevës, që për mes punës të tregojnë aftësitë e tyre do të jetë matësi kryesor për të ardhmen e tyre politike. Mirëpo, kësaj klase të re politike i duhet një ndihmë e gjithanshme e gjithë brumit intelektual dhe ekonomik të Luginës, si në Kosovë dhe diasporë, por dhe mbështetje e fuqishme nga dy Qeveritë, ajo e Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa komunikimi dhe bashkëpunimi me faktorin ndërkombëtar duhet të jetë permanent dhe i rëndësisë kapitale për arritjen e rezultateve sa më të mëdha në interes të qytetarëve të Preshevës dhe Luginës në përgjithësi.

Kjo klasë e re politikë në formim e sipër në Preshevë do të mund të shërbej në të ardhmen edhe si model për Kosovën, Maqedoninë dhe Shqipërinë, por dhe të tjerët që të ndryshojnë vetveten, të mos presin nga dikush ndryshimin, sepse shoqëria jonë shqiptare ka nevojë të madhe për ndryshime rrënjësore në të gjitha aspektet dhe vetëm me ndryshime pozitive mund të arrihen rezultate të duhura dhe ndryshime të kënaqshme tjera shoqërore.

Andaj, Presheva e theu ‘politikën e vjetër” e mitit të “pandryshueshmërisë politike”, të “riciklimit të politikës së rrethin vicioz”, por në fund, qytetarët e Preshevës do të jenë ata që do të vlerësojnë punët e kësaj klase të re politike, e cila pësimet duhet t’i bëjë mësime, t’i përvjelin mangët dhe shtrëngojnë rrathët të punojnë ashtu siç kishin premtuar, ndryshe shumë shpejt vijnë zgjedhjet tjera dhe mund t’i gjejë i njëjti fat sikur pararendësit e tyre të mëhershëm. Më 24 prill 2016 qytetarët e Preshevës me vullnetin e tyre ndryshuar të kaluarën e tyre politike duke zgjedhur një kahe tjetër politike dhe duke kthyer shpresën te gjenerata e re, se mu kjo do të jetë ajo që do të punojë, si për të ardhmen e tyre, por dhe të gjithë qytetarëve të saj pa dallim etnie, të cilët jetojnë që moti në këto troje.

Fehmi Ramadani,
sociolog dhe publicist i pavarur
Kontakti: (fehmi.ramadani@hotmail.com)