SHPËRNDAJE

Presidenti Hashim Thaçi kohëve të fundit ka provuar ta bindë secilin se në planet e tij është vetëm që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, e kurrsesi që të ndahet vendi apo të shkëmbehen territoret me Serbinë. Por, ai sot në Twitter ka shpërndarë një shkrim, editorial të “Financial Times”, që mbështet pikërisht shkëmbimin e territoreve me Serbinë, ku pjesë të Veriut do të kalonin në Serbi dhe copëtimin e Luginës në mënyrë që një pjesë t’i takojë Kosovës.

Ditë më parë, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Hashim Thaçi iu drejtua opinionit publik me një shkrim që e botoi gazeta prestigjioze “Financial Times”. Publikimi në këtë medium të njohur u mundësua nga Kompania “Chartwell Strategy Group”, që Kosovës i merr 600 mijë dollarë në vit, si pasojë e një marrëveshjeje që e ka bërë Ministria e Punëve të Jashtme  e Kosovës.

Rreth dy muaj më vonë Bordi Editorial i po kësaj gazete ka  publikuar një shkrim me të cilin mbështet ndarjen e Kosovës

Në analizën sipërfaqësore të FT, të titulluar si “Një plan për Ballkanin që meriton të mbështetje të kujdesshme” thuhet se propozimi ka disa rreziqe por mund të sjellë edhe përfitime.

Më pas FT zbulon se Thaçi dhe Vuçiq kanë zhvilluar bisedime për shkëmbimin e territoreve.

“Detajet nuk janë zbuluar, por dy burrat mësohet se kanë diskutuar shkëmbimin e pjesëve të banuara kryesisht me serbë në Kosovën Veriore me pjesë të Serbisë në Luginën e Preshevës e populluar kryesisht me shqiptarë”, shkruan FT.

E shkrimi si duket i ka pëlqyer Thaçit.

“Analizë e rëndësishme e bordit editorial të Financial Times mbi rreziqet dhe përfitimit e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – që duhet të çojë në anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe Ballkanit në BE”, ka shkruar Thaci në Tëitter.