SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot dhe zhvilloi një takim, Kryetarin e Partisë “Alternativa për Ndryshim”, njëkohësisht kryetar i emëruar i Komunës së Preshevës, zotin Shqipërim Arifi.

Presidenti i Republikës vuri në dukje interesimin e tij të vazhdueshëm ndaj problemeve dhe kërkesave për zgjidhje, të cilat ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Komunës së Preshevës dhe shqiptarëve të Luginës në përgjithësi.

Presidenti Meta vuri në dukje rëndësinë që ka bashkëpunimi mes faktorit politik shqiptar në Preshevë dhe në të gjithë Luginën, për realizimin e nevojave dhe interesave politike, ekonomike dhe të të gjitha fushave të jetës për shqiptarët atje.

Presidenti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të bashkive të ndryshme të Shqipërisë me Komunën e Preshevës për realizimin e projekteve të përbashkëta kulturore, arsimore, sportive me synim edhe zhvillimin ekonomik të Preshevës.

Presidenti i Republikës nënvizoi rëndësinë e madhe që ka integrimi i shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës vendore dhe qendrore. Kjo do të ishte një ndihmesë e madhe për zgjidhjen e problemeve të shumta që kanë banorët e Luginës duke krijuar një perspektivë më të mirë, në veçanti për të rinjtë.