SHPËRNDAJE
Që nga dita kur Kosova do të pajiset me kodin treshifror telefonik, Qeveria e Kosovës është e obliguar që brenda 12 muajve t’i mundësojë operimin me licencë të përhershme operatorit të telefonisë mobile Telekom Serbia. Kështu janë zotuar dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Serbisë të cilat për këtë ujdi më 13 shkurt do t’i hedhin firmat në Planin e Veprimit të Telekomunikimeve, një kopje të secilës e ka siguruar gazeta Tribuna.
Megjithatë, operatori i telefonisë mobile serbe do të hyjë në Kosovë me një licencë të përkohshme edhe para marrjes së kodit, ku më pas do të hapet tenderi për licencë të përhershme “Për telefoninë mobile, autoritetet e Kosovës do t’i japin kompanisë së re një autorizim të përkohshëm, sipas kornizës së rregullatorit të Kosovës, për operimet aktuale, të kufizuar me infrastrukturën aktuale në terren. Ky autorizim i përkohshëm nuk do të përfundojë përpara janarit 2015. Autorizimi i përkohshëm do të përfundojë sapo autoritetet e Kosovës të nxjerrin licencë telefonie mobile të re të plotë, të pakufizuar si rezultat i një tenderi/ankandi. Tenderi do të organizohet në përputhje me standardet e BE-së”, thuhet në dokumentin që posedon gazeta.