SHPËRNDAJE

Privatja është e kundërta e publikes, na thoshte akademik Esat Stavileci. Publikja përfundon aty ku nis privatja. Dhe e kundërta, publikja nis aty ku përfundon privatja. Prej nocionit “privat” ka lind edhe nocioni tjetër “privatësi” e që, ndërlidhet me individin. Ose për të plotësuar pak më mirë: me të drejtën e individit për të pasur qasje dhe liri në atë që i takon, për pa pasur brengën që, dikush të ndërhyjë nga jashtë për t’ia prishur atë.
Mbrëmë, gjatë pritjes së ndërrimit të motmoteve, a na u prish privatësia, a na prekën në intimitet? Është një pyetje mbase në dukje e pa menduar mirë, ose, që nuk do tëhuhej trajtuar fare, por ama, kur kihet parasysh që, pavarësisht krejt asaj, në këtë shoqëri, pos atyre që festuan ose që ishin të gatshëm dhe të aftë për të festuar, kishte dhe ka edhe individë, që mbase u pengonte ose u pengon zhurma, krismat, zëri i lartë i muzikës, fshikullimat, etj. Dhe ata, edhe pse nëpër banesat a shtëpitë e veta ishin të dhunuar. I ishte prishur privatësia. Privatësia e ndjekjes së programit festiv. Privatësia e pritjes së ndërrimit të moteve…
Akademik Artan Fuga, në një shkrim të titulluar: “Fjala e shenjtë “Privatësi”. Sa mendoni se njihet dhe respektohet kjo në Shqipëri?”, e të edituar në profilin e tij të facebookut, trajtoi çështjen e privatësisë dhe respektimit të tij. Ndër tjerash, ai thekson se “Shqiptari nuk e respekton shumë privatësinë. Nëse më lejon të bëj një truk verbal, mund të them se ne i fusim shumë hundët te punët e njëri-tjetrit – kjo është shprehja shqiptare. Marrim, për shembull ndërtesat e banimit: sa ngushtë i kemi me njëri-tjetrin. Çfarë është kjo? Sigurisht, mosrespektim i privatësisë. Jetojmë në banesa 8-10-15 katëshe, një gjenialitet i ndërtimit. Të futesh në një shkallë s’ka privatësi. Shikon mjetet e transportit publik, të ngjeshur njerëzit njëri me tjetrin. Privatësia është edhe një lloj distance”. – thotë më tutje, akademik Fuga.
Duke u ndërlidhur me thënien e Kantit, që “publikja ndalon te dera e shtëpisë”, e që do të thotë se prej aty nis privatja, ne publiken e kemi edhe brenda në shtëpi. Është media që na ka hyrë në shtëpi dhe na ka rrënuar privatësinë. I këtij mendimi është edhe akademik Artan Fuga. Nuk mund të kemi privatësi, kur në radio e televizion dëgjojmë lloj-lloj informatash a muzikë sipas qejfit dhe joqejfit të akëcilit individ brenda familjes.
Nuk mund të kemi privatësi, kur, përderisa qëndrojmë para kompjuterit (e hymë në e-mail adresat tona) pas shpine na rrinë të tjerët (privatësi është paswordi).
Pra, siç thotë edhe akademik Fuga “i rrasim hundët kudo” dhe pa nevojë.
E mbrëmë, nuk kishte privatësi as në banesat tona. As në familjet tona.
Çdo gjë u bë publike.
Edhe qetësia bile.
Po, po, edhe qetësia i takoi publikut.
Nuk kishim qetësi në dhomat tona.
Nuk kishim qetësi në sofrat tona.
E gjithë ajo krismë.
E kush nuk e çoi mendjen (nga ata që përdornin fishekzjarre e bombola të ndryshme):
“A thua ka ndonjë të sëmurë?
A thua ka ndonjë foshnje që do të flejë?
A thua ka ndonjë shtatzënë që mund të frikësohet?
A thua ka dikush pikëllim?
E drejtë, sëmundja me sëmundje, pikëllimi me pikëllim, e gazmendi me gazmend.
Po, por çdo gjë ka karar, e mbrëmë, duket që nuk pati karar.
Lajmet e sotshëm na bëjnë me dije që, Emergjenca ishte mbushur përplot raste.
Më së paku dy veta kishin humbur shikimin, e shumë të tjerë kishin marrë lëndime trupore, kush më të vogla e kush më të mëdha.
Edhe kjo ishte një prishje e privatësisë, dhe prekje në dinjitet e personalitet të vetë individit. Mbase, prishje e privatësisë është edhe kjo që po trajtoj unë tashti.
Por, ç’e do, privatësia edhe ashtu nuk njihet e as respektohet, pavarësisht që është diçka që i takon vetëm një individi.

Shkruan: Ferid Selimi,
Doktor i komunikimit dhe informimit