SHPËRNDAJE

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka njoftuar se nga sot ka hyrë në fuqi Udhëzimi Administrativ të cilin e ka nënshkruar para disa ditësh në lidhje me përdorimin e flamujve afër çmimit të secilit produkt që shitet në tregun e Republikës së Kosovës.

“Flamuri duhet të jetë i vendosur në anën e majtë, afër çmimit të produktit, në madhësi të çmimit, por jo më i vogël se 4 cm me 2cm”, tha Shala në rrjetin social Facebook.

Gjithashtu ai i ftoi të gjithë shitësit që ta respektojnë këtë udhëzim dhe të jenë bashkëpunues, sepse ky është edhe një hap në vetëdijesimin e konsumatorit, për mënyrën e blerjes së produkteve në tregun e Kosovës.

“Tashmë secili konsumator dhe qytetar i Kosovës do ta dinë saktë se produktin e cilit vend do ta blen. Ne po punojmë çdo ditë që të rrisim prodhimin vendor, të përmirësojmë cilësinë e prodhimit vendor, prandaj ky është edhe një hap tutje për inkurajimin e qytetarëve të Kosovës që të konsumojnë sa më shumë prodhime vendore”, tha ndër tjerash ministri.