SHPËRNDAJE

Sociologu Ibrahim Berisha ka shkruar se ideja e Serbisë për marrëveshje me Kosovën bazohet para se gjithash mbi idenë e ideologut serb, Dobrica Qosiq, i cili qysh më 2003 kishte dhënë identnë e tij për marrëveshje me shqiptarët bazuar në ‘përkufizimin’ etnik.

Berisha ka shkruar se e gjithë ideja për ‘përkufizim’ është pasi ka dështuar plani serb për spastrim etnik të shqiptarëve të Kosovës. Ka thënë se qëllimi final i politikës serbe është zhbërja e shtetit të Kosovës dhe bashkëngjitja me Shqipërinë pa pjesën e Veriut dhe pjesët e pavarura që do të krijoheshin nga manastiret dhe enklavat serbe.

““Razgranicenje” pra ky përkufizim, si e paraqet saktësisht Qosiqi nënkupton: Në Kosovë, përreth manastireve dhe enklavave serbe, duhet të formohen shtetëzet e pavarura, sikur janë San Marino, Andora, Vatikani, Litenshtajni; pastaj të tilla të ngjashme, me të drejtë të përafërta juridike-shtetëror sikur janë bashkësitë e pavarura në Evropë, si është Alanda në Finlandë; pjesët me serbë në Kosovën e Veriut, të cilat edhe i takonin deri në vitin 1958 t’i bashkangjiten (rikthehen) Serbisë, kurse pjesët jugore të Kosovës, ku jetojnë me shumicë shqiptarët, t’i bashkangjiten Shqipërisë o shtetit të pavarur shqiptar, nëse këtë e duan vetë shqiptarët e Kosovës”, ka shkruar Berisha.

Sipas profesorit të UP’së, presidenti aktual i Serbisë po e çon përpara këtë ide, duke marrë përkrahjen edhe ndër disa shqiptarë me idenë se kjo do të prodhonte zgjidhje për të dy shtetet.

“Edhe presidenti serb Vuçiç, në pesë vitet e fundit, ka provuar kudo, në botë dhe fatkeqësisht, edhe ndër shqiptarë, të mbjellë këtë agjendë, ta shtyejë përpara me arsyetimin se nuk mund të ketë zgjidhje, nëse ajo nuk përfshin ndarjen apo marrjen e një pjese të territorit të shtetit të pavarur të Kosovës nga shteti serb. Edhe sot, shihet, asgjë e re në politikën e Serbisë ndaj Kosovës: Qëllime të vjetra, politika të vjetra, në kohëra të reja”, ka shkruar ai.