SHPËRNDAJE

Të mërkurën, në Bilbiotekën Kombëtare të Kosovës është promovuar libri më i ri “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, nga autori i njohur shqiptar, Stefan Çapaliku. Ky është vëllimi i tretë, njëherësh pasues i dy vëllimeve të para shumë të suksesshme të autorit shkodran. Vëllimi i parë i shtjellon ngjarjet në qytetin e Shkodrës, aty ku autori ka kaluar fëmijërinë e vet, duke shënuar kështu kontributin e tretë të rëndësishëm mbi qytetin. Te pjesa e parë e librit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” janë dy ngjarje kulmore të Shqipërisë komuniste që i japin kthesat e romanit. E para është shpallja e Shqipërisë shtet komunist në vitin 1967 dhe e dyta vdekja e Enver Hoxhës në prill të vitit 1985, që ishte personi i cili e shpalli Shqipërinë shtet komunist. Pjesa e parë e romanit është e ndarë në tri pjesë e ato janë: “Para”, “Gjatë” dhe “Mbas”. Ndërsa romani i dytë i ciklit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” i vendos ngjarjet jo vetëm në Shkodër, por veçanërisht në Tiranë, si dhe në Tropojë e në jug të Shqipërisë. Ato nisin në prill të vitit 1985 dhe mbarojnë në fund të vitit 1990. Njësojë si pjesa e parë edhe pjesa e dytë e romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” është i ndarë në tri pjesë: “Fundi i tunelit dukej i errët dhe i pafund”, “Midis të metave kemi edhe dobësi” dhe pjesa e tretë “Sistemi ndërroi si të ishte një fletë libri”.

Të dyja këto romane mund të cilësohen si rrëfime të thjeshta të një epoke të komplikuar për qytetarin e thjeshtë shqiptar. Kur flasim për kohën, këto romane shtrihen në tri dekada dhe në hapësirën shqiptare mes Shkodrës e Tiranës. Gjatë promovimit është zhvilluar edhe bashkëbisedim mbi veprën nga gazetari Agron Shala, në bashkëpunim me shkrimtarin Çapaliku. Ndërkohë që takimi u shoqërua edhe me lexime të pjesëve të caktuara të romanit, nga aktori Enver Hyseni. Redaktori i rubrikës së kulturës , Agron Shala, ishte ai i cili bëri hapjen e promovimit, duke shtjelluar në pika të shkurtra analizën e veprës dhe përshtypjet e tij mbi të.

“Pjesa e tretë e këtij romani shtrihet në vitin 1997, është fjala për rënien e komunizmit dhe ngritjen e demokracisë, një pjesë e shokëve të autorit që kanë qenë pjesë e vëllimit të parë dhe të dytë largohen nga Shqipëria, fatkeqësisht disa nga heronjt e vëllimit të parë ikin nga kjo botë. Tri vëllimet të cilat lexohen në një frymë dhe të cilat janë të shkruara në një gegërishte për lakmi, shquhen edhe për një detaj tjetër, sepse i takojnë një zhanri ndër shqiptar që është pak i prekur”, ka thënë ndër të tjerash Shala. Tutje, promovimi vazhdoi me disa vargje të veprës të interpretuara bukur dhe emocion nga aktori i njohur shkodran, Enver Hyseni, për të cilin edhe vet autori Çapaliku pati fjalë të mëdha, duke e cilësuar si ndër të rrallët artistë që arrin vërtet ta kuptojë thelbin e veprës dhe ta interpretojë atë në formën më emocionale të mundshme. Radha erdhi për vet autorin, i cili para dhjetëra të pranishmëve foli në detaje rreth vëllimit të tretë të tij, “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”.

Ai tha se me të shkruar vëllimin e dytë, i treti ishte thuajse gati, gjersa mendon ta përfundojë me gjithsej katër vëllime. “Njëherësh ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur dhe keni ndarë kohë me mua. Nuk ka më bukur se sa të takohesh për një libër në të vërtet, edhe pse ky libër mundet me qenë edhe larg pritëshmërive tuaja. Libri fillimisht, libri i parë ka nisë si nevojë për të nxjerrë jashtë vetes disa kujtime, që gjithë secili prej nesh i ka në të vërtetë, shpesh nevoja për me e nda këtë eksperiencë me njëri-tjetrin bëhet një barrë e rëndë, gati si një proces shtatzënie ku ti duhet ta “lindësh” atë fëmijë, sepse po nuk e linde rrezikon të abortohet. Mendoj dhe mbetet me shpresë se te romani i parë e kam gjet kohën se kur me e “lind” këtë fëmijë, mandej kam kujtuar se ndoshta për shkak te miqve, lexuesve, reagimeve të mira që kam pasur, kam menduar se mund ta vazhdoja me roman e dytë, dhe pastaj kur e shkrova të dytin, i treti ishte mbas dere si me thënë, e tani që e shkrova të tretin e di që do ju ‘mërzis’ edhe më të katërtin, mirëpo i katërti do të jetë i fundit i kësaj serie”, tha autori Çapaliku.

Më pas promovimi ka vazhduar me bisedë pyetje-përgjigje mes gazetarit Shala dhe autorit, të cilët edhe më tej në detaje shtjelluan ngjarjen që trajton vepra. Mes shumë të rinjve të pranishëm në promovimin e këtij libri, Stefani thotë se ngjarjet e rrëfyera nga ai mund të duken të gjitha surreale, por në të vërtetë ato janë tregime të vërteta të vet autorit, të cilat ai i ka përjetuar në kohën kur këta të rinj mbase edhe nuk kishin lindur. Duartrokitjet e shumta dhe vlerësimet e larta nga gjithë të pranishmit i dhanë një atmosferë të mirë kësaj vepre, e cila për secilin që do ta ketë në duar, gjendet në shitje në të gjitha libraritë e kryeqytetit.