SHPËRNDAJE

ProtestaShofer

Transportuesit privat, të cilët në muajt e fundit kanë transportuar refugjatët nga Lindja e Mesme përmes territorit të Serbisë, protestuan sot në Preshevë mbi vendimin e qeverisë serbe, me të cilën për këtë veprimtari kanë autorizuar vetëm transportuesin “Lasta”, raporton presheva.com.

Protesta e sotme ishte spontane, por sipas transportuesve të revoltuar, më vonë protestat e tyre do të jenë më radikale, për shkak se ata janë të pakënaqur me faktin se shumë familje do të mbeten pa punë.

“Ne nuk kemi qenë të gjithë në këtë biznes më parë. Blemë autobus, prandaj nuk e dimë se çfarë të bëjë me të”, ka thënë Zhivojin Jankoviç, njëri nga transportuesit.

Duke shtuar se për ata nuk paraqet problem që edhe transportuesi “Lasta” të transporton refugjatë, Marinko Stanislav tha se ata vetëm duan t’u jepet mundësia për të bërë të njëjtën gjë.

“Ne nuk e dimë se kush është përgjegjës për këtë, nëse është e Andrej Vuçiç (vëllai i kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç), apo dikush tjetër, por ne duam të punojmë”, tha ai.

Një nga shoferët, i cili nuk deshi të identifikohet, tha se të gjithë së bashku, si serbët dhe shqiptarët, duhet të jenë në kolonë, sepse këtë herë shqiptarët kanë të drejtë.

“Dje dolëm dhe pamë stacionin që është bërë për ‘Lasta’-n, por ata nuk kanë marrë leje për të asfaltuar vendet e parkimit. Kërkojmë që kjo të respektohet”, tha Ilir Sadriu, inspektor i trafikut në komunën e Preshevës.

Sadriu shtoi se administrata komunale është ballafaquar me probleme të mëdha kur është fjala për autobusët, për shkak se ata nuk i plotësojnë kushtet e nevojshme.

Vendimi i qeverisë serbe, që të drejtën e transportit ta ketë vetëm kompania “Lasta”, është konfirmuar edhe nga komuna e Preshevës, ku theksohet, se edhe për ta është e rëndësishme të respektohen rregullat, por edhe dispozitat e komunës së Preshevës. /presheva.com/