SHPËRNDAJE

Vlora Çitaku, ministrja mbase më e angazhuar në Qeverinë e Hashim Thaçit dje në Kukës ishte përlotur derisa në ekran shfaqej dokumentari për “Eksodin 99”. Kamerat e kapën atë imazh dhe më nuk përbënte lajm fakti që u dha filmi në fjalë sa lotët e Vlorës në Kukës! Po pse qau Vlora, është pyetja që një ditë mëpas mund dhe duhet t’i shtrojmë vetes?

Ngase poqese do ta pyesnim vet Vlora Çitakun ajo me siguri që do përgjigjej shkurt: sepse është ndjerë e prekur nga ato skena brutale kur shihte shqiptarët e vitit 1999, të detyruar që me “tesh’ e kotesh”  t’i lëshonin vatrat e tyre dhe ashtu të mbërthyer e stërkequr nga bajonetat serbe të niseshin drejt paqartësisë së madhe, dhembjes dhe tmerrit… për të cilin dje me një orgji politiko- mediale u raportua gjithandej.

Prandaj, përtej lotëve të Vlora Çitakut, të cilët, nuk duhet të kemi fijen e dyshimit, nuk ishin as të shtirur as të aktruar, duhet parë (edhe) diçka tjetër. Mërzinë dhe vetminë e saj të madhe. Për mossuksesin e Qeverisë në të cilën ende vazhdon të jetë Ministre në punët e lirisë së lëvizjes për këtë popull. Në punët e imazhit katastrofik që vendi i saj ka. Në “qetësinë para stuhisë” që na pret!

Si të mos i shkojnë lotët Vlorës kur sot, në vend që me studentë e studente të Republikës së Kosovës, pa viza dhe me këtë edhe me lëvizjen e lirë për të gjithë qytetarët e vendit, të qëndronte në Bruksel, Berlin, Romë, Vjenë e gjetiu në Europë, i duhet që me një autobus të cilin e ka donacion nga zyra zvicerane, të udhëtojë nëpër qytezat e thella të Kosovës. Të takohet me Kryetarin e Drenasit, Skënderajt, Vushtrrisë dhe fare në fund edhe atë, të famshmin e këpurdhave, Bahtirin… Si të mos përlotet Vlora kur e din që Ministria e saj, Qeveria e saj dhe vendi i saj, jo vetëm që janë larg liberalizimit të vizave por i ka marrë të gjitha informatat- zyrtare e gjysmë zyrtare, private e gjysmë-private, se Kosova jo vetëm që është larg liberalizimit të vizave, por nëse “vazhdon kështu” nuk do të ketë kurrë lëvizje të lirë për qytetarët e saj. Si të mos përlotet Vlora, ajo pra, e cila ditët kur u kap Natalia me kolegët e saj sesi prekën në “shpirtin e shtetit”- tenderin e pasaportave, mallkoi nga fundi i barkut me fjalët “iu thaftë dora” atij që e bëri këtë.

Vlora Çitaku ka patur pra një mori arsyesh pse dje u përlot. Sepse, si pak kolegë e kolege të saj e din fare mirë sesi Qeveria, pjesë e së cilës ajo është, mentaliteti qeverisës, pjesë e të cilit ajo është, jo vetëm që nuk i ka plotësuar kushtet për liberalizim e proces të integrimeve të vendit në BE por në fakt nëse vazhdohet kështu çdo portë është dhe do jetë e mbylllur.

Dhe para së gjithash, Vlora Çitaku duhet të jetë përlotur edhe për faktin se e din se me urdhërin e shefit, u kacafyt dhe tash do t’i duhet të kalojë në sulme frontale kundër miqve e mikeshave, kolegëve e kolegeve të saj në Bruksel e Berlin: Fuehles, Malstromit, Fajonit, Lunacekut… etj.etj. Apo s’e keni parë dhe ndier pafuqinë me të cilën para mediave thoshte: “Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave por Brukseli nuk po na trajton siç duhet!”… Janë fjalët e saj të thëna me gjysmë zëri. Dhe gjysmë zemre.

Por ja që ajo duhet ta këndojë këtë “suadë”. Sepse s’ka nga t’ia mbajë. Dhe para së gjithash sepse shefave të saj ua ka bërë të qartë atë për dhe me të cilën ata në çdo fushatë dhe paraqitje përpara mbledhnin vota dhe bënin propaganda: edhe kaq e kaq muaj do ta kemi liberalizimin. E din Vlora dhe e dijmë ne: këso radhe jo pse nuk munden apo nuk duan, por thjesht nuk do t’u lejohet që të bëhet fushatë me liberalizimin. E din Vlora dhe e dijmë ne që prejse kemi këtë Qeveri dhe Qeverisje rreth 10 përqind e popullsisë kanë ikur jashta vendi. Përmes Tisës tragjike e deri tek urat gjarpërore të Francës e Bahnhof-ëve gjermanë e austriakë.

Të gjitha këto duhet t’i kenë kaluar nëpër mend Vlora Çitakut dje derisa përlotej. Derisa shihte sesi në vitin 1999 populli pjesë e të ciilit ishte edhe ajo ikte nga dhuna e çizmes serbe, sot, një dekadë mëpas, po ky popull provon të bëjë çdo gjë që të arratiset nga qeveria dhe qeveritarët e saj. Mes izolimit dhe dëshpërimit.  Dikur me imazhe apokaliktike. Sot me realitet rrënqethës. Kjo është Kosova e sotme në të cilën Qeverisë (edhe) Vlora.

Shkruan: Beqë Cufaj