SHPËRNDAJE

Qyteti i Pukës këtë fundjavë u kthye në mikpritësin e talenteve të rinj nga Shqipëria dhe viset e saj. 516 artistë të vegjël nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Presheva, të veshur me kostumet shumëngjyrëshe që përbenin një kolorit ngjyrash në qytetin mes bjeshkësh, performuan në instrumente, valle popullore, e lojëra të traditës, pjesë e gëzimeve në odat e shqiptarëve këndej e matanë kufirit, një tregues ky se traditat e shqiptarëve po transmetohen nder breza.

Artistët e ardhur nga Medvegja, Bujanoci, e viset e tjera shqiptare, i konsideruan veprimtari të tilla si mbajtje gjallë të lidhjeve mes shqiptarëve të shpërndarë padrejtësisht në copëza trojesh, pjesë e vendeve të huaja, por që s’e harrojnë gjuhën e traditat kombëtare.

Folku ka qenë gjithnjë pjesë e shpirtit burimor të trevave shqipfolëse, të cilat fal artit dhe kulturës popullore, kanë mbajtur gjallë traditat e bukura të shqiptarëve, të cilat tashmë fatmirësisht në aktivitete të tilla si ky i organizuar nga QKF e Pukës, po tejçohen ndër breza duke mbajtur gjallë një pjese të identitetit kombëtar./Balkanweb