SHPËRNDAJE

 

kur të pyeta mbi pulëbardhat, kisha një qëllim, se edhe pulëbardhat, pa marrë parasysh ambientin ku jetojnë, janë kafshë kurrizore, kanë sqep të verdhë, sy të ndritshëm, pupla të bardha, krahë të përhimtë e këmbë ngjyrë portokalli dhe, njësoj si skifterët e shqiponjat, mund të shpërngulennga vendi në vend.
Më pëlqen natyra e tyre. Ndryshe nga pëllumbat e cirikokat, që jetojnë poashtu në tufa të mëdha, pulëbardhat janë krenare, të kujdesshme dhe të lidhura me njëra tjetrën. Ato jetojnë në viset bregdetare dhe,kur ngopen me mbeturinat që ua hedhin peshkatarët, kanë qejf të lëkunden mbi dallgët e detit, por jo dhe të kridhen nën ujë e t’ i lagin rrobat e tyre të bardha. Ato hanë gjithëçka: kothere të bukës, mishëra që u bien fëmijve nga duart, vezë, insekte, si dhe vegjlit e zogjëve tjerë. Rëndom sillen e mbështillen pranë detit, por s’ kanë kundër të ulen edhe nëpër fshatra e të vrapojnë prapa traktorëve që hapin brazda. Në këtë drejtim, ato janë si ne, shqiptarët, që s’ ngjitemi lart në qiell, por kënaqemi me ato që na japin francezët, gjermanët e amerikanët, sepse s’ kemi fuqi të matemi me bisha të mëdha.
Mos do të thotë kjo se pulëbardhat – ashtu si qyqet – janë parazitare dhe pritojnë të kujdesen për të vegjëlit e tyre? Jo, vëlla. Sa herë që vjen koha për të ndërtuar çerdhe e për të rritur zogj, ato mblidhen bashkë dhe e zgjedhin një vend të përshtatshëm për të lëshuar vezë. Ato zakonisht i përvetësojnë çerdhet e sorrave, çatitë e gjykatave, oxhaqet e kishave, nganjëherë edhe tavanet e shtëpive të zbrazta, ballkonet, si dhe shkurret e ndonjë parku. Derisa kullosin në brigjet e ndonjë ishulli të vetmuar apo liqeni malor, ato janë të përmbajtura sepse vetë heshtja që mbretëron rreth e përqark tyre e zbut shqetësimin e tyre individual. Por atë çast që tufa shpërngulet në periferinë e ndonjë qyteti si Malmja fillon një torturë e gjatë, të cilën askush – përpos malmoitëve të ngratë – s’e ka provuar si duhet. Të ngazëlluara nga ambienti i ri,pulëbardhat fillojnë të klithin e të zihen me njëra tjetrëngjithë natën e lume. Sëpari lidhur mevendin ku kanë ardhur, pastaj lidhur me mirëqenien e fëmijve të tyre.
Fëmijët e pulëbardhave janë shumë të padisciplinuar. Sa janë të vegjël e të zhveshur nga ai kostumi i verdhë, pika pika, ata rrinë urtë dhe hanë krimbat e dromcat që ua sjellin prindërit nga plehurishtet e ndryshme. Mjerisht, sa fillojnë ta marrin veten, ata, kundër dëshirës së prindërve, kërcejnë nga çerdhet dhe, nëse kanë fatin e mirë e nuk e thejnë qafën apo ndonjë gjymtyrë tjetër,përnjëherë turren drejt një bote që pak më parë ishte e largët, interesante, e panjohur, ndërsa tani është e afërt dhe e rezikshme për jetë.
Tani s’ ka kthim. Të trembura nga gjithë ata dykëmbësh e katërkëmbësh që sillen rreth e përqark tyre, pulëbardhat e vogla qajnë, vërshellejnë, i thërrasin prindërit në ndihmë dhe, duke kërkuar rrugë, vrapojnë përpara, edhe pse s’e kanë të qartë nga duhet t’ ia mbajnë dhe përse prindërit e tyre janë aq të xhindosur. Sikur të mundeshin të fluturonin, ato vetëtimthi do të ktheheshin prapa, por tani është vonë dhe shumica e atyre që rrëzohen nga lart, nëse s’ përfundojnë si drekë e maceve apo qenëve, mbeten sakate për jetë. Kjo s’ do të thotë se ato duhet të ngordhin nga uria apo të përfundojnë në ndonjë jetimore. Jo, jo. Falë mirësisë se atyre xhindëve dykëmbësh që, në vend se t’ ua këpusin kokat, i ushqejnë me fara, dromca të bukës, copa të mishit dhe ushqime tjera të shijshme, pulëbardhat e vogla i marrin këmbët pak nga pak dhe e gjejnë vendin e tyre në tufë, por edhe këto, njësoj si dykëmbëshëte hipur në qerre, kurrë s’ mundtë ngjiten në qiell dhe ta shikojnë botën nga lart. Ate mund ta bëjnë vetëm pulëbardhat krahshëndosha.
Përse, vallë,kam ardhur deri këtu, në Fort Lauderdale,dhe po i kujtoj pulëbardhat e Malmes,kur mundem të dal në Las Olas dhe ta harroj Malmen, t’ i harroj ”punëtorët e inkuadruar jasht atdheut”, ta harroj Shoqatën Kulturo-artistike ”Vëllazërimi”?
Arsyet janë të shumta. Ajo më kryesorja, më e sinqerta, më e dhembshura, është kjo: që ta pranoj se unë dhe miqët e mi, në orvatjet tona modeste,kishim vetëm nga një krah të shëndoshë, tjetrin e kishim të thyer.Ne hanim bukën e popullit suedez dhe ëndrronim se atë ditë që do na thërriste Kosova, do të ngjiteshim në qiell si shqiponja dhe do t’ i shkonim në ndihmë.Mjerisht, kjo s’ ishte e vërtetë, dhe ne s’ duhej taqortonim veten deri në vdekje. Ne s’ ishim fajtorë. Fajtorë ishin ata që na kishin thënë se Shqipëria, me gjithëçka që përfaqësonte ajo fjalë, ishte e para. Për ne s’ kishte opcione. Për ne kishte detyra. E meqë s’ arritëm t’ ivëmë në jetë, unë, me shpresa se do ta gjej një fije të kuqe të këtij misteri, kam ardhur këtu të ballafaqohem edhe një herë me veten.
Shqiptari i parë që ma ka përmendur Fort Lauderdalinquhet Nexhat Peshkëpia. Unë s’ kam shumë dituri mbi jetën e atij burri të urtë e të qytetëruar. As di se kur është lindur, as di se cilat shkolla ka mbaruar, as di se cilat arsye e detyruan të largohej Shqipëria. Atëbotë kur nisi korrespodenca ynë, isha i ri dhe sapo kisha dalë nga Universiteti i Uppsalës. Kisha mallë për Shqipërinë dhe ate përpiqesha ta shuaj duke kërkuar kontakt metë gjithë shqiptarët e botës, pra, pa i përjashtuar as ata të Amerikës.
Ai që m’ u lajmërua i pari ishte Profesor Nexhati. Shqiptar i shkollës idealiste, mik i ngushtë i Fan Nolit dhe njohës i shkëlqyeshëm i gjuhës frengjishte. Si më i ri që isha, i a ktheva letrën përnjëherë duke i çfaqur mirënjohjen më të sinqertë, posaçërisht për ato që shkruante në librin e tij ”Fan Noli si poet dhe si poet-përkthyes”.Ky i fundit sapo kishte vdekur dhe shtypi shqiptar, për qëllime propagandistike, e kujtonte herë pas here; diaspora jo, se ishte katandisur prapa diellit. Ajo ishte poaq e izoluar sa dhe rezervati ku jetonte Enver Hoxha me grekafonët e tij.
Profesor Nexhati nuk më harroi.Pakë javë më vonë ai m’ u lajmërua edhe një herë,tani meca numëra të rinj të gazetës “Dielli”, nja dy libra që kishte botuar “Vatra” dhe tekstin e një vjershe të Viktor Hugos, të cilën e kishte shqipëruar Noli. Titulli i sajmë ka dalë nga mendja, por jo dhe përmbajtja. Ajo ishte një elegji e gjatë që shkrimtari i madh ia kishte kushtuar të bijës dhe të cilën Noli e kishte përkthyer, por – para se ta botonte në “Dielli” – ia kishte dhënë Profesoritpër shqyrtim. Në po atë letër, ai më njoftonte se Noli, me të hollat që ia kishin mbledhur shqiptarët, kishte blerë një shtëpinë Fort Lauderdale, kishte mbjellë një kopsht të madh, dhe atje i kalonte Krishtlindjet. Miqët e tijkënaqeshin kur e shihnin ashtu të shëndetshëm e me një ten bojë kafe që ia kalonte asaj të Brazilit.
Ndonëse ia ktheva letrën dhe e falenderova për librat që m’ i kishte dërguar, ndonjë letër e tretë nuk erdhi. Atëbotë s’ kishte internet dhe korrespodenca donte kohë. Në pritje të një letre tjetër, fillova të kërkoja punë dhe e humba lidhjen metë. Kam përshtypje se Profesoriishte i moshuar dhe s’kishte kohë për letra të gjata. Kështu më duket, por s’ po guxoj t’ i përjashtoj edhe ca rrethana tjera, të cilat mund ta kenë ngatërruar korrespodencën tonë. Tani që jam plakur vetë,po e shoh se mocanikët e mi s’ duhet të premtojnë shumë, se dalin për ta pirë një kafe dhe, në vend se të shkojnë në shtëpi, katandisen në krevatin e ndonjë makine të Urgjencës.
Si djalë i ri dhe i sapodalë nga Universiteti i Uppsalës, kisha vënë shumë thupërra në zjarr dhe s’ isha i sigurtë meçka dëshiroja të merrem: të kërkoja punë si gazetar, të kthehesha për studime postdiplomike apo të shkoj në Shqipëri, ku ma donte qejfi të punoja si pedagog. Mjerisht, atje s’ më donte njeri. As mua, as ”kosovarët” tjerë. Më në fund, pas shumë ecejakash,që janë të parëndësishme për subjektin e këtij rrëfimi, zbrita në Suedinë Jugore dhe vendosa t’ iu përkushtohem ardhacakëve shqiptarë, të cilët atëbotë quheshin ”punëtorë të inkuadruar në botën e jashtme”. Mendova se, duke punuar me vëllezërit kosovarë, unë do ta pakësoja mallin që kisha për vendlindjendhe, në të njëjtën kohë, do t’ ia ktheja borxhin Nënës Kosovë.
Kam vënë re se shumë gazetarë të rinj,po dhe patriotë të ”ditëve të para”, që kurrë s’ e kanë luajtur një gurë për vendlindjen e tyre, po kanë qejf ta heroizojnë rolin që ka luajtur ”shkolla shqipe” për ruajtjen e identitetit kombëtar.Kjo është një gënjeshtër e pahijshme,një mit, që po aplikohet vend e pa vend dhe Ministria e Diasporës do bënte mirë ta korrigjonte veten.
Koloninë shqiptare të Malmes e gjeta të ndarë në tre tarafe.
Në tarafin e parë të këtij komuniteti bënin pjesë shqiptarët që e konsideronin veten “ shqiptarë të Shqipërisë”. Në të vërtetë, ata s’ ishin as të Shqipërisë, as të Kosovës. Ata vërtet kishin ikur nga komunistët e Enver Hoxhës, por me të mbërritur në Kosovë,kishin rënë në rrjetën e udbashëve jugosllavë. Si shpërblim për të këqiat që ua kishin bërë vëllezërve të tyre, Jugosllavia i kishte paisur me pashaporta jugosllave dhe i kishte nxjerrë në Evropën Perëndimore. Këta shqiptarë s’ lidheshin në asnjë kunj, sepse frika nga Sigurimi shqiptar i kishte shndërruar në lepuj. S’ i besonin as lëkurës së tyre, jo më neve, që vriteshim e priteshim për Shqipërinë e Kuqe.Si shqiptarë që ishim, nuk na dukej me vend ta shanim Enver Hoxhën, sepse askush s’ na lavdëronte për atë punë.
Në tarafin e dytë bënin pjesë shqiptarët që e konsideronin veten “ shqiptarë të Turqisë”. Këta shqiptarë ishin më të mirë, më të sinqertë dhe më konzervativë se të parët. Duke qënë se ishin rritur në Turqi dhe veprimtaria ynë kulturore binte ndesh medoket, zakonet dhe ligjet e fesë islame, ata preferonin të rrijnë anash, kryesisht sepse s’donin t’ i mirnin gratë dhe vajzat e tyre nëpër shoqata.
Shqiptarët e tarafit të tretë, që tani po shiten më atdhetarë se Adem Jashari, atëbotë ishin ”shqiptarë të Jugosllavisë”. Këta, pa marrë parasysh se e donin apo s’e donin Jugosllavinë, sytë t’ i nxirrnin për Josip Broz Titon. Arsyeja e vetme përse kishin ardhur në Suedi ishte që ta mbushnin xhepin me marka; pa sa për tjerët, që hanin bukë e qepë në vendlindje,s’ iu hanta palla. E vetmja e mirë me këta shqiptarë ishte se këta s’ ishin kundër këshillave, komiteteve e shoqatave, por me kusht që ato të funkciononin si vegla të Lidhjes së Shoqatave Jugosllave.
Në kishte ndonjë shqiptar, që e quante veten vërtet shqiptar, ai ishte ndonjë ish luftëtar i “Ballit”, që atëbotë s’ guxonte të dëgjohej i gjallë, se koha e “Ballit” kishte perënduar dhe vendin e tij e kishte zënë Koegzistencës paqësore…Kjo ishte koha, kur Udba i likuidonte hapur kundërshtarët e Jugosllavisë Federativedhe Policia suedeze i mbulonte gjurmët e saj… Koha, kur njëra Evropë, ajo më e pasura, i bënte pushimet në plazhet e tjetrës,dhe tjetra, ajo më e varfëra, parazitontembi djersën e klasës punëtore…Koha, kur Flamuri Kuq e Zi filloi të valonte nëpër Kosovë… Koha, kur majtistët suedezë, me pankarta në duar, ditë për ditë, duke filluar nga ora dhjetë,demonstronin simpatitë e tyre për Ho Shi Minin e Mao Ce Dunin… Koha, kur marksist – leninistët skandinavë themelonin shoqatat e para të miqësisë dhe ndonjë gazetar danez apo suedez kthehej nga Shqipëria Socialiste… Koha,kur universitetet nordike, herë pas here e ftonin ndonjë ”shkipëtar” nga Himara apo akademik nga Rrashbulli të na dëftonte rrugën më të shkurtër për në parajsë… Koha e “akullit të shkrirë”, kur Udba i ndiqte studentët shqiptarë si egërsira, i nxirte në gjyq dhe i dënonteme dënime të rënda… Koha,kur ardhmëria e shqiptarëve i përngjante një fjalie të zgjeruar, por shqiptarët e Kosovës s’ guxonin të bëhen subjekt, sepse do ta prishnin kuptimin e fjalisë… Koha, kur as Evropa, as organizatat e saj më humanitare, s’ donin të dinin për lëvizjet revolucionare apo ndryshimin e kufijve politikë…
Sapo e kisha përkthyer ”Zonjës Zhuli”, një melodrame të Strindbergut, dhe kisha uri të madhe, thuajse fizike, për t’ u angazhuar mediçka konkrete, domethënëse. Shqiptarët që gjeta në Malme ishin një rrotë mulliri dhe s’ bënin tjetër veçse shalakateshin nëpër Rusengord e pinin duhan. Edhe pse të shumtë në numër, dukeshin aq të mjerë e të humbur, sa s’ përshkruhet me fjalë. Të gjitha kombësitë tjera, që nga turqët, grekët, italianët, spanjollët, portugezët, serbët, kroatët, sllovenët e deri te maqedonasit, kishin klubet dhe shoqatat e tyre kulturore, ku njiheshin, takoheshin e kuvendonin për ardhmërinë e tyre;vetëm shqiptarët jetonin si lepujt. Ata shiheshin nëpër “kulube”. Të tillë kishte sa të duash por unë po i përmend ata më të shquarit: ”kulubi iHajros”, ”kulubii Sefos”, ”Daskalli”, ”kulubi iVaxhitit” dhe ”kulubi i Destanit. Në këta strofuj të krimit shitej amfetamina, heroina, kokaina dhe opiumi.
Më vinte të pëllcas kur i shihja ardhacakët tjerë, që hynin e dilnin nga zyrat e ndryshme komunale, duke kërkuar rrugë, lokale e informata për aktivitete kulturore, ndërsa shqiptarët silleshin e mbështilleshin si patat në mjegull. Me sa duket, robëria i kishte bindur se ata njëmend ishin nomadë dhe, nëse kishin nevojë për kafe, duhej të shkonin në shoqatat “Turk Anadolu”, “Vuk Karaxhiq” apo ”Makedonia”. Sipas asaj logjike, që s’çante kokë për përkatësinë kombëtare të mërgimtarëve shqiptarë,shoqatat ”jugosllave” dhe turke mernin shuma të konsiderueshme të hollash në emër të tyre, edhe pse s’ e luanin asnjë gurë për vetëdijsimin e tyre.
Përse, vallë, po e kujtoj atë pjesë të jetës shi këtu, në bregun perëndimor të Oqeanit Atlantik, kur vëllezërit e mi, edhe pas traumës që përjetuan gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, me këmbëngulje po insistojnë të mbeten bolshevikë?! A mos jam penduar për sakrificat që kam bërë për ngritjen e ndërdijes së tyre?Kurrën e kurrës. Po e deshti puna, unë edhe një herë do ta bëja ate që kam bërë dyzet vjet më parë.Ndërkaq, nuk është veçse përpjekje njerëzore që, pas asaj veprimtarie të gjatë, ta nxjerr veten para gjyqit dhe ta gjykoj me po ato masa që i kam gjykuartë tjerët.
Rruga ime s’ka qenë e shkurtër. Ajo ka zënë fill nën kulmin e një shtëpize të vogël shqiptare dhe ka kërkuar prej meje angazhim të plotë fizik e shpirtëror. Për hirë të rrugës që kisha zgjedhur, shpesh herë m’ është dashur ta zëvendësoj Jezu Krishtin, t’ i lë fëmijët keq dhe të çoj dorë nga letërsia. Përse kam vepruar ashtu? Për arsyen e thjeshtë se Shqipëria na obligon ta ndihmojmë njëri tjetrin. Njeriu që s’ ka atdhe është si zogu pa krah. Është Shqipëria ajo që na jep krah të ngjitemi lart dhe ta provojmë vaktësinë e diellit. Asgjë tjetër.
Po, i nderuar. Ecja ime s’ ka qënë e lehtë. Përkundrazi, thuajse çdo vend që kam shkelur ka qënë i shtruar me gjëmba.
Hapat e parë për themelimin e një shoqate i bëra në një klub që i takonte Ndërmarrjes së Banesave Komunale.Ai klub quhej ”Klubi i Safetit.” Jo se vërtet i takonte Safet Sefedinit, por sepse Safeti, nëpërmjet asaj guvetë errët, donte t’ i ripte bashkatdhetarët e tij. Ai ishte një turko – shqiptar.Turk nga nëna dhe shqiptar nga i jati. Pa marrë parasysh se ç’ thonte nëpër takime, unë që nga fillimie kisha nuhatur se ai s’ kishte lidhje measpiratat e Lëvizjes Kombëtare. Ajo që e interesonte ate njeri ishte birra dhe leku, e duke qënë se ”punëtorët e inkuadruar në botën e jashtme”s’kishin ku luanin bixhoz,Safetit i kish rënë nder mend të provonte menjë “kulub”. Duke qënë se njëri nga nëpunësit e ndërmarrjes së lartpërmendur ishte martuar me kunaten e tij, ai, sa për fillim e kishte marrë bodrumin me qira dhe kishte filluar t’ i dehte shqiptarët me birra dhe konjak.
Ajo nisjativë s’ na pëlqeu aspak. As mua, as shokëve tjerë.Ne s’ kishim nevojë për një “kulub” por për një shoqatë. Një shoqatë që kishte qëllime të caktuara kombëtarë dhe drejtohej sipas parimeve demokratike… Mjerisht, asnjëri nga ”punëtorët e inkuadruar jasht atdheut” s’ kishte haber nga qeverisja demokratike. Vëllezërit shqiptarë ishin si era.Sonte mernin një vendim, të nesërmen e mohonin.Se mos kishin mbajtur ndonjë herë procesverbal që t’ i ndiqnin vendimet e marra?!
Shpesh herë, pas zënkave dhe shamatave që mirnin flakënëpër mbledhje, shtrihesha në dhomën time, i mbyllja sytë dhe kujtoja Shqiptarët e Amerikës. Si bënin, vallë, ata burra? Sa shumë kisha gabuar që lexoja veprat e Fan Nolit dhe tani vuaja të zezat e ullirit. Sikur taleja Nolin në Uppsalë, do ta kurseja veten nga një veprimtari që ishte e paracaktuar për dështim. Ajo veprimtari s’ kishte të ardhme tjetër pos të mbetej e gjymtë, krahthyer. Dhe duke u sorollatur nëpër damarët e errësirës, kujtoja entuziazmin e Pecit dhe Nolit kur e nxirnin “Kombi-n”, kujtoja varfërinë e tyre konstante, kujtoja fushatat e gjata për të mbledhur lekë, kujtoja shkresat e gjata të Nolit e Konicës, edhe ate,vetëm e vetëm për t’ i mbajtur shqiptarët bashkë. Vetëm e vetëm për ta shpëtuar atë Shqipërinë që atëbotë ishte me katër vilajete.Kurrsesi ta harroja devotshmërinë e tyre.
Ishim larg. Ishim me mijëra kilometra larg Shqiptarëve të Amerikës.Edhe pse aktivitetet tona synonin të njejtën gjë, rezultatet dallonin si toka nga qielli.Ne shiheshim çdo ditë dhe mbanim mbledhje të njëpasnjëshme, por vendimet që mernim sot i përmbyseshin nesër, edhe ate, jo se ishin të gabuar, por se binin ndesh meapetitin e një turkofili shqiptar. Ne përpiqeshim për një shoqatë që do të ishte në shërbim tëpopullit, në shërbim të Kosovës, kurse ai miku e donte një shoqatë pianecësh, të cilën duhej ta ripte mbarë edhe prapë.
“O Zot,” i thoshja vetes. ” Pse s’ jemi edhe ne si shqiptarët e Amerikës?Edhe ata ishin analfabetë, ishin të varfër, por merreshin vesh më lehtë me njëri tjetrin.”
Ka mundësi që veprimtaria ynë do të ecte më mirë sikur “shqiptarët e Jugosllavisë” të mos na ngatërronin me politikë. Mjerisht, ata s’ ishin të kënaqur me aq, veçse kërkonin lidhje edhe më ngushta me Legatën Jugosllave, gjegjësisht me personelin e saj, që sipas të gjitha gjasave, ishte në kontakt të përditshëm me Beogradin. Sipas vëllezërve tonë, ne duhej ta njoftonim Legatën Jugosllave për çdo gjë që kishim ndër mend të bënim; në rastin e kundërt, ata iknin nga shoqata. Këto kondita navenin në pozitë.Nuk ishte lehtë të themeloje shoqatë për shqiptarët dhe pastaj t’ i largojenga aktivitetet e saj.
Rrjedhimisht, të gjitha endjet e mia nëpër zyrat komunale, shkresat që hartoja për të na njohur si shqiptarë – e jo si shqiptarë të këtij apo tëatij vendi – sikur s’ kishin destionacion tjetër pos tavolinës së zotit Lukavac. Borivoje Lukavac ishte serb. Një burrë i plotë, fytyrëvrarë dhe shumë i ngarkuar me bosnjakët. Duke mos patur tjetër punë, ai tërë kohën endej nëpër shoqata dhe,si serb që ishte, duhej tërë kohën t’ i ofendonte boshnjakët.Ku gjendet ai popull që quhet ”mysliman”, Pyeste Lukavci. Qysh mundem unë, Borivoje Lukavac, të jem mysliman, kur unë jam serb dhe ortodoks? A s’ ju duket qesharake?
Nga sa u cek më lart, del se e tërë lufta që zhvillohej midis nesh ishte e lidhur me përkatsinë e ”Vëllazërimi-it”. A ishte ”Vëllazërimi” shqiptare apo jugosllave? A punonte për ta ruajtur apo për ta shembur Jugosllavinë Federative? A synonte për ta trumbetuar kulturën e tërë popullit shqiptar apo kulturën e shqiptarëve të Krahinës Autonome të Kosovës?
Kjo çeshtje ishte e rëndësishme për mua, Hysen Çelën, Ditar Kurteshin, Skender Zariqin, Shaban Ukën, Hajdar Reçin, Kosovë Rexhë Balën, Avni Ajdinin, Nebih Bushi e Adil Zhutën. Ne s’ ishim jugosllavë dhe s’ e ndienin veten jugosllavë. Shumë shqiptarë nga Shqipëria e Turqia,burra të mirë sa të duash, më thoshin hapur se ”kanë qejf” të na bashkangjiten, por jo dhe ta quajnë veten jugosllavë në midis të Suedisë. Nëse ”Vëllazërimi” ishte vërtet shoqatë shqiptare, ajo s’ kishte nevojë të vepronte nën çatinë e një organizate tjetër vetëm e vetëm për hatrin e disa frikacakëve që natë për natë hanin petullin mezotin Lukavac dhe pinin ”llozovaçë”.
Ne kishim mbërritur në udhëkryq.Pas një veprimtarie gjashtëvjeçare, nuk shihnim opcion tjetër veçse ta zenim hurin ose tirqët. Si unë, ashtu dhe miqët tjerë, e kishim të qartë se pas asaj që kishte ndodhur në maj të atij viti,njeriu, sado tolerant që ishte,s’dilte dot nga lëkura e tij.Ne, më të vjetrit, përpiqeshim ta ndërtonim një shtëpi të përbashkët, një shoqatë që do na frymëzonte me dashuri për gjuhën dhe atdheun tonë, ndërsa vëllezërit ”punëtorë”, për arsyen e thjeshtë se na kishin mbështetur në fillim, s’i lagnin dot as këmbët për çeshtjene përbashkët.
Në këtë gjendje na gjeti shtatori. Gjykuar nga dielli që ngrohte përjashta dhe njerëzit që endeshin nëpër Gustav Adolfs Torg, bota kishtë rënë në gjumë dhe – papandehur – ishte shndërruar në një principatë të paqës. Askush s’ kishte qejf të dëgjonte për luftë, bombardime e vrasje tënjerëzve të pafajshëm. Heshtja ishte aq globalesa dhe shtypi ra në hall, se s’ kishte për çka të shkruante. Ikën skandalet, iku dramatika. Prezidenti Nikson, pas tërë atij pluhuri që kishte ngritur në shtypin amerikan, u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe afera”Watergate” u mbështoll në fasha e lykoplast.Në vend të Prezidentit Nikson erdhi Prezidenti Karter, një burrë i urtë i Jugut amerikan, që donte paqë në çdo vend të botës.Me ndërhyrjen e tij çifutët ua zgjatën dorën arabëve dhe Lindja e Afërma hyri në brazdë; të paktën për ca kohë, se ai konflikt është tepër i ndërlikuar për t’ u zgjidhur ndonjë herë. Edhe Lindja e Largët ra në heshtje. Pas tërëasaj lufte që u zhvillua në Azinë Juglindore, Viet Nami u bashkua,Laosi ra në gjumë,ndërsa Kamboxhia, dikur mbretëri e madhe, u shlirua nga kmerët e zotit Pol Pot.Herë pas here në faqet e shtypit dukej ndonjë artikull i rrallë mbi atë shtet ”gjenial”, por askush s’ e kishte parë me sytë e tij.S’ kishte më klasa, thoshin marksistët suedezë.S’ kishte më pronë private.S’kishte më fshatra e qytete. S’ kishte mëkisha e xhamia…N’ atë rrëmujë vdiq edhe Johanes Paulusi i Parë, por kolltukun e tij e zuri përnjëherë Johanes Paulusi i Dytë, i cili ishte polak dhe antikomunist i flakët.
Përndryshe, çdo gjë tjetër ishte si më parë:njerëzit ishin të njejtët, shprehitë të njejtat dhe kafeneja ku rrinin e ziheshin shqiptarët ishte e njejta. Vetëm marrëdhëniet tona ishin pak më të ftohta, më të ngurta.Me sa duket, pas vendimit të qeverisë suedeze që ta përzente zv konsullin Lukavac, Udba kishte zhvilluar një varg bisedash informative me ”punëtorët e inkuadruar jasht atdheut” dhe ata, si macet që i shmangen zjarrit, iknin diqysh anash, arsyetoheshin se ishin pa qejf, kërkonin e s’ gjenin punë. Dhe ne e dinim që ata shtireshin, launin teatër.
Në javën e dyzetë të atij viti ndodhi dhe martesa.Unë s’ dija gjë, por ata që kishin dalë në aeroportin e Kopenhagës kishin mbetur gojëhapur para bukurisë dhe plaçkave që kishte sjell nusja e re e Safet Plluqkës, Neslihani.Këtë herë ajo ishte më e gjatë, më e plotë dhe më e lyer se herën e kaluar. Ajo në fillim s’ e kishte pëlqyer Safetindhe, në hidhërim e sipër, e kish quajtur Baba Dimër. Por pastaj, pasi kishte kuvenduar me Xhavide abllën, që ishte një grua e regjur dhe përvojëmadhe, kishte ndërruar mendim. Xhavidja ikish folur pa furça. Ça dreqin do humbasësh, i kish thënë. Safeti njëmend kaqenë i martuar me një daneze, po as ti s’ e ke mbajtur me dorë. Edhe ti je ngjeshur me atë ”maqedoncin” tënd nëpër hotelet e Stambollit. Mu për këtë arsye duhet ta marresh Safetin e t’i rregullosh letrat, se këtu ku të degdisur fati, do të krimbesh më keq se buka në magje.
” S’ je ti as e para, as e fundit, që e zgjidh uçkurin,” i kish thënë. “ Ça dreqin do bësh në Tekirdag?Ti je e re dhe mund të jetosh nga djersa yte.Fundi i fundit, në Malme ke kushërinjtë, ke gjyshen, ke Socialen…”
Mjerisht, ardhja e Neslihanit nuk i zbuti marrëdhëniet midis Plluqkajve e Dallanguzëve. Si Nevzati, ashtu dhe vëllezërit e tij, s’ morën mund të shkonin dhe ta uronin kushërinën e tyre.Kjo dëshmon se Nevzati s’ e kishte ndër mend t’ ia falte Safet Selimit që kish hyrë në aleancë meatë banditin turk, Mefail Deribashin.Dhe ai kishte të drejtë, se Mefaili mbante lidhje me Fakultetin Teologjik të Stambollit, ku punonin shumë teologë e funkcionarë të organizatës Rabitat al Alamal Islamya, që kishin influence të madhe në Arabinë Saudite.Me përjashtim të Gjyshës Azize, që herë pas here shkonte dhe e vizitonte tinëz,ata tjerët s’ e shihnin me sy kur kalonte nëpër Qendrën e Rusengordit. Punë e madhe… Neslihani s’ mërzitej për atë punë. Ndryshe nga resnjaret dhe turqeleshat tjera, që mbuloheshin nga koka e deri te këmbët, ajo vishej lehtë dhe të gjithë e lakmonin si femër.E bukur ishte dreqja dhe,në cilëndo shitore që hynte, lente një erë të lehtë parfumi.Asaj i pëlqente të vishej shtrenjt dhe gjithkujt i binin në sy flokët e saj të gjatë dhe kofshët e plota.
Dikur edhe Nevzati doli në Rusengord. S’ dukej shumë i kënaqur, po me mua ishte i sjellshëm, miqësor. Ai kishte shumë punë dhe të gjithë e kërkonin: myslimanët e thjeshtë, nëpunësit e Këshillit komunal, Spitali univerzitar, Ministria e arsimit, Drejtorati shtetëror, si dhe ambasadat e shteteve islamike… Më së shumti e ndiqnin ata të Bashkisë… Ata e donin sa më parë dhe sa më shpejt projektin e xhamisë, sepse mbanin përgjegjësi për planin urbanistic.Këto I kishte feja!..Të ndërtosh xhami në Malmeishte punë e madhe dhe për ate që kërkonte truall e leje ndërtimi –ishte angazhim mbinjerëzor. Duhej të kishje vullnet, gatishmëri, dollarë. Para së gjithash dollarë… Dollarë për udhëtime… Dollarë për administratë… Dollarë për imamët e xhamisë… Dollarë për benzinë… Dollarë për përkthyesit arabë… S’ ishte vetëm ai qeni, arkitekti, që donte dollar… Dollarë donin edhe nëpunësit e Këshillit komunal, ambasadorët e shteteve islamike dhe, më së shumti myslimanët çeçenë e tatarë, që e thërrisnin nga spitalet, burgjet, shtëpitë e rehabilitimit, azilet e pleqëve, Zyra e Mirëqenies Sociale si dhe Ministria e arsimit…Si kryetar i një famullie islameai ishte më tepër babá se kryetar i atij populli. Tani, edhe kur duhej të udhëtonte, s’ kishte mundësi të ikte nga Malmja, se gjithkund e thërrisnin, gjithkund e kërkonin…
Papandehur, deri sa po merresha me qindvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më ra dhe mua një hall mbi kokë: ime shoqe donte të ndaheshim. Ashtu, sipas saj, do bëhej më mirë për të dyja palët. Ajo s’ ishte aq e sigurtë në vendimin e saj, por duke qenë se ishte e lirë dhe donte ta shqyrtonte vendimin e saj mefamiljen, i mori gocat dhe iku në Uppsalë. Unë, për vete, i premtova se, brenda mundësive që kisha, do t’ i përmbushja të gjitha obligimet materiale.Aq më tepër që kisha kaluar mirë dhe kurrë s’ isha zënë me të.
Koha është e gjatë për ate që është duke pritur.Ne që po e prisnim qindvjetorin e Lidhjes ishim larg njëri tjetrit. Kosovë Rexha e Avni Ajdini ishin në Geteborg; Ditar Kurteshi ishte në Halmstad; Hysen Çelaj ishte në Engelholm; Skender Zariqi ishte në Helsingborg; ne, të të tjerët, ishim në Malme. Më këta që përmenda më lidhnin shumë fije, se i kisha shokë dhe i kisha vëllezër. Me ata të kryesisë së ”Vëllazërimi-t” më lidhte puna, obligimi. Me përjashtim të Hajdar Reçit, që ishte shpërngulur në Oksie dhe Adil Zhutës e Nebih Bushit që jetonin në Kruksbeck, të tjerët jetonin në Rusengord dhe tërë ditën e kalonin nëpër kafene. Fadil Cfilagaishte në qiellin e shtatë.Tani që dhe Safet Selimi e kish sjellë një turqeleshë, ata shiheshin shpesh me njëri tjetrin dhe pinin çaj. Edhe Ismet Xhela u zhduk. Ata tjerët, Ajet Abdyl Latifi, Xhemal Fetiu, Sali Cfilaga, Bahri Zujferi e Ejup Tasharaba hynin e dilnin nga Shtëpia e Aktiviteteve të Lira pa u angazhuar me ndonjë detyrë konkrete.
Por unë e Nebius’ rrinim kot.Kishim dëshirë që, me ato pak forca egzistuese, ta prisnim qindvjetorin e Lidhjes së Prizrenit me faqe të bardhë. Mjerisht, egocentrizmi i ”punëtorëve të inkuadruar në botën e jashtme”, si dhe indiferenca e tyre kundrejt çdo gjëje që ishte kombëtare, na kishin dhënë të kuptonim se ne, para se të merremi me këngë e kaba, duhej ta ndanim shapin prej sheqerit. Çdo gjë ishte gati: raportet e mbledhjes vjetore ishin shkruar,mbledhja ishte thirur, salla ishte rezervuar dhe një debat i gjallë zhvillohej në kafenenë e Shtëpisë së Aktiviteteve të Lira. Thuajse të gjithë, edhe ata që s’ e hapnin kurrë një gazetë, e kishin të qartë se mbledhja vjetore duhej të merrte qëndrim: ja të vazhdonim si shqiptarë, ja t’ ua lëshonim rrugën atyre që e quanin veten shqiptaro-jugosllavë. Duke qenë se ata s’ ishin të pakët dhe tërë kohën na mbanin peng të mirëqenies se tyre individuale, duhej të uleshim dhe ta zgjidhnim atë nyjë gordiane.
Si rëndom, edhe atë mbledhje duhej ta drejtoja vetë. Kjo ishte mbledhja e pestë vjetore dhe, përpos tjerash, kërkonte përvojë në drejtimin e shoqatave.
Ishte ditë e djelë dhe Shtëpia e Aktiviteteve të Lira plot memiq shqiptarë. Në mesin e tyre ishin dhe Hysen Çelaj, Kosovë Rexhë Bala, Avni Ajdini dhe dy shqiptarë tjerë nga Helsingborgu. Duke qenë se të tjerët s’ kishin të ngutur, e zura çekanin dhe, pasi e mbusha stendën meportrete të rilindasve shqiptarë – ku dominonin vëllezërit Abdyl, Sami e Naim Frashëri – e hapa mbledhjen vjetore dhe brenda rendit të ditës shtrova tri çeshtjet kryesore që duheshin zgjidhur. Ato ishin: himnbi, emri i shoqatës dhe statusi i saj.Nëse ato tri çeshtje nuk zgjidheshin, e tërë veprimtaria ynë ishte e pakuptimtë dhe shkonte në jazin e Jugosllavisë Federative, që na kishte marrë atdheun me dhunë.
Mbledhja vjetore e miratoi rendin e ditës.
Asnjëri nga vendimet e lartpërmendur s’ ishte i lehtë. Anëtarët e shoqatës ”Vëllazërimi”, të ardhur nga fshatrat më të largëta të Kosovës, Maqedonisë e Turqisë, shumica analfabetë e tërritur nën hijen e dhunës,kurrë s’ kishin dëgjuar që ekzistonte një vjershë me titullin “Himni i Flamurit” dhe se ate e kishte shkruar një shqiptar me emrin Aleksandër Drenova.
Kërkova leje dhe, para se ta hapnim kuvendin, ua dëftova domethënien e Himnit të Flamurit. Duke qenë se asnjëri s’ e kishte dëgjuar tekstin e tij, i njoftova se himnin do ta dëgjonim nga manjetofoni. Pastaj i luta të çoheshim sëbashku. Të gjithë brofën në këmbë dhe pakëz të konfunduar, pakëz të trembur, pakëz të turpëruar,me duar gaditu, e dëgjuan tekstin që e mbushi tërë hapsirën e sallës B. Kjo ishte hera e parë që shqiptarët e Suedisë provonin ta këndonin himnin e tyre.
Tani erdhi radha e emrit.Duke qenë se të gjithë ishim kosovarë, dola me propozim që Shoqata Kulturo-artistike ”Vëllazërimi” të ndërronte emrin dhe aty e tutje të quhej ”Shoqata Kulturo-artistike ”Kosova”.
Askush s’ ma bëri fjalën dysh. Njëri nga anëtarët pasivë të Shoqatës, një parllapan i gjatë nga Shkupi, kërkoi fjalën dhetha se kishte rrezik që Legata Jugosllave do na hidhërohej për atë punë. Nebih Bushi, të cilin e kisha përgaditur me kohë,ia kujtoi se Jugosllavia përbëhej nga gjashtë republika dhe dy krahina. Njëra prej krahinave quhej Kosovë, andaj s’ prishte punë se shoqata mbante emrin e saj. A s’ ishim të gjithë nga Kosova?
Po, ishim. Megjithate, për t’ iu shmangur keqkuptimeve, pyeta edhe një herë:
” Mosështë dikush kundër që këtu e tutje Shoqatën Kulturo-artistike ”Vëllazërimi” ta quajmë Shoqata Kulturo-artistike ”Kosova”?”
Askush s’ ishte kundër.
Atëherë konstatova menjë të rënë çekani se shoqata që deri n’ atë ditë kishte mbajtur një kostum jo aq të përshtatshëm për trupin e saj, aty e tutje mbante emrin e vendlindjes tonë: Shoqata Kulturo – artistike ”Kosova”.
Shumë më e ndërlikuar ishte çështja e statusit. Sipas rregullorës që kishim patur deri n’ atë ditë,në sytë e të gjitha organeve suedeze Shoqata Kulturo-artistike ”Vëllazërimi” quhej”Albanska Föreningen”. Mjerisht, ajo ishte edhe shoqatë jugosllave, sepse vëllezërit ”punëtorë” kishin insistuar mengulm që ajo të antarsohej në Lidhjen e Shoqatave Jugosllave dhe, në kontaktet e tyre me Legatën Jugosllaveshpesh herë kishin shitur mend se kishin krijuar një shoqatë. Unë, për vete, jam i ndërgjegjshëm se Legatës Jugosllave pak i hante palla për shoqatën e vogël shqiptare, por ”punëtorët e inkuadruar në botën e jashtme”, për t’ u mbajtur mirë meUdbën,ishin këmbëngulës që janë jugosllavë dhe duhej të quhen ”jugosllavë”. Kjo, në fillim,s’ na prishte punë, por tani çeshtja ishte mbufatur, ne duhej ta zgjidhnim njëherë e përgjithmonë.
Anëtarët e Shoqatës Kulturo-artistike ”Vëllazërimi”, me përjashtime të pakëta, ishin lindur pas Luftës së Dytë Botërore. Jo vetëm ata nga Kosova, po dhe ata që ishin nga Maqedonia e Turqia. Shqiptarët e Kosovës e Maqedonisë ishin stërvitur ta quanin veten jugosllavë, por jo dhe shqiptarët e Turqisë. Këtyre s’ iu vinte mirë t’ua kujtoje atë shtet që ua kishte vrarë gjyshërit, baballarët, xhaxhallarët dhe kushërinjtë e afërm. Jugosllavia e Josip Broz Titos ua kishte marrë shtëpitë, oborret dhe tokat e të parëve. Jugosllavia, edhe kur kalonin tranzit nëpër territorin e saj, i ndiqte, keqtrajtonte dhe i dënonte megjoba të rënda. Ata donin të këndonin dhe tëvallëzonin vetëm në një shoqatë që ishte shoqatë shqiptare. Po këtë qëndrim e mbanin edhe shqiptarët e Shqipërisë, të cilët, për arsye të ndryshme, ishin pakëz më tolerantë se shqiptarët e Turqisë.
Kështu s’ arsyetonin “punëtorët e inkuadruar jasht atdheut”. Gjatë ecjes së tyre mbi tehun e shpatës, ata ishin shndërruar në njerëz të kujdesshëm dhe i shmangeshin rreziqeve.E vetmja gjë që mund t’ i joshte përtej tmerrit ishte – marka dhe, sa herë që vinte në pyetje statusi,më parë ishin të gatshëm të prisheshim për jetë, se të çonin dorë nga Jugosllavia. Kësisoj, edhe n’ atë çast që u hap diskutimi, ataia thanë vajit sejanë ”shqiptarë të Kosovës”, janë ”shqiptarë të Serbisë”,janë ”shqiptarë të “Maqedonisë”, janë ”shqiptarë të Malit të Zi”, por e ulën zërin kur Kosovë Rexha ua kujtoi se n’ atë sallë s’ kishte as serbë, as malazezë, as jugosllavë, por vetëm shqiptarë. Ishte ajo, gjuha shqipe, që dëftonte se kujt i takonim. Kaq thjesht ishte puna.
Ku ta dijsh, ka gjasa që sytë e butë të Naim Frashërit e shprishën terrin që e kish hipur në kokë. Ka gjasa që kuburet e Abdyl Frashërit e zhdavaritën frikën që ndienin në shpirt.Ka gjasa që shpresat e tyre u ngjallën kur e panë Sami Frashërin të kërrusur mbi tavolinë, duke hartuar shkresa për të ardhmen e tyre.
S’ ka mëdyshje se ai frymëzim hyjnor ishte shumë i nevojshëm. Ne, që kishim vendosur ta çonim punën deri në fund, kishim shkuar në kuvend me armë zjarri, por ata tjerët, që ishin më të shumtë e më të gatshëm për rrëmuja, na lanë me gisht në gojë. As protestuan, as kundërshtuan, as thanë plaç me gojë. Përkundrazi, kur e shtrova propozimin që Shoqata Kulturo-artistike ”Kosova” aty e tutje të jetë vetëm shoqatë shqiptare – e jo jugosllave – ata e çuan dorën dhe s’ kundërshtuan aspak. Dhe heshtja e tyre, sado e shkurtër që ishte, ishte e bekuar, se dalja e shoqatës nga Lidhja e Shoqatave Jugosllave ishte në përputhje të plotë measpiratat e Lidhjes së Prizrenit.
Mu për këtë arsye, pasi i dhamë fund mbledhjes, u ulëm në kafenenë e Shtëpisë për Aktivitete të Lira, pimë kafe sëbashku dhe u ndamë të kënaqur me njëri tjetrin. Kjo ishte mbledhja e parë dhe e vetme që kishte zgjatur veteëm dy orë.N’ atë kuvend s’ ishte i pranishëm Safet Selimi, burri i Neslihanes.Tani që po i shkruaj këto fjalë kam përshtypje se Ismet Xhela veç kishte zënë punë në Organizatën Qarkore Jugosllave, ndërsa Fadili, që ishte një mërzilavç i madh, ishte shkruar me raport dhe s’ i ndahej të shoqes nga krahu.
Në krye të javës u mblodh kryesia e re.Me pak përjashtime të vogla, ajo ishte e vjetra,por numri i saj ishte rritur me tre anëtarë tjerë nga Struga, Veleshta dhe Manastiri.Me fjalë tjera, ishimashtu siç kishim qenë, por numri i spiunëve të Legatës Jugosllave ishte më i i pakët. Para së gjithash mungonin dy myzevirë të flakët, të cilët nuk po dua t’ i përmend, se kanë ikur n’ atë botë.Mungonin edhe Cfilagajt e Zallkuqanit, Beqajt e Sarhoshit, si dhe këshilltari i tyre ideologjik, Selman Patoku, që javë për javë e njoftonte Sherif Nezën për ato që ndodhnin në Malme.
Mbledhjen e kryesisë e mbajtëm në shtëpinë time.Të gjithë ishin të qeshur, të gëzuar dhe miqësorë.Dhe s’ kishin arsye të jenë të ngrysur,se ishimvëllezër,flisnim shqip dhe përpiqeshim për qëllime të përbashkëta.
Pasi e pimë kafenë, nënshkruam proçesverbalin e mbledhjes vjetore dhe caktuam rendin e ditës. I pari që e kërkoi fjalën Nebi Bushi. Unë, krejtësisht i pandërgjegjshëm për çka ishte fjala, e zura lapsin me dorë dhe fillovatë marr shënime.
” Unë jam Nebih Bushi,” tha ky. Fliste duke më parë mua në sy, jo tjerët. ”Me prejardhje jam nga Kaçaniku… Si babën, ashtu dhe nënën, i kam shqiptarë…Edhe gjyshin e gjyshen i kam patur shqiptarë… Kur më propozuatpër në kryesi, mentova se doni të punoni për popullin shqiptar… Për Shqiptarizmën… Tani që jam bindur se kjo ishte gënjeshtër, jap dorëheqje të parevokueshme dhe s’ dua të shkel në Shoqatën Kulturo – artistike ”Kosova”… Kaq pata dhe jam i gatshëm të iki menjëherë…”
Kjo ishte vërtet një surprizë. Një rrufe e papritur. Nebi Bushi, bashkëpunëtori im më i ngushtë pas Sami Dashit,po largohej nga kryesia.Deri sa isha marrë mepërkthimin e dokumenteve të mbledhjes vjetore, me ç’ rast e njoftova Lidhjen e Shoqatave Jugosllave se – nuk ishim më anëtarë te saj – sherbëtorët e Legatës Jugosllave kishin mbajtur edhe pesë a gjashtë takime tjera… Jo takime të rregullt, por takime shtëpiake, ku ishin shoshitur e dërmonisur pasojat e mbledhjes vjetore.
” Kjo që dëgjova nuk është në rregull,” i thash Nebiut. ” E do rendi, po dhe mirësjellja e thjeshtë njerëzore, të na i thuash arsyete vërteta të vëndimit tënd.”
” Doflas shkurt,” tha ai dhe tërë kohën m’ u drejtua mua, jo atyre tjerëve. ” Dëgjo, vëllau im,” vazhdoi Nebiu.“ Unëpranova të hyj në këtë kryesi me shpresa se do punojmë për kulturën shqiptare, për Shqiptarizmën. Mjerisht, kisha qenë gabim. Ti, bac, e ke një tabiat të mirë, se s’ rri shumë nëpër kafene dhe çdo gjë që duhet bërë, na e venë tavolinë.Çka se asnjëri prej këtyre nuk është duke ta ditur… Këta po vjellin të qena e të paqena… Këta po thonë se s’ donte të ndahen nga Lidhja e Shoqatave Jugosllave… Kjo është arsyeja pse dua të largohemi nga kjo shoqatë. Përndryshe, ka rrezik ta therremi menjëri tjetrin, e kjo s’ do ta gëzojë tjetër kend pos Selim Broshajn…”
“ Amanga dolën këto fjalë,” e ndërpreva.“ Ne sapo dolëm nga një mbledhje vjetore dhe zgjodhëm një kryesi. Tani s’ kemi probleme, se të gjitha i kemi zgjidhur në kuvend. Apo edhe ky kuvend paska qenë sa për sy e faqe?”
Nebiu u bë flakë në fytyrë. Ai ishte më i ri se unë dhe s’donte të më lëndonte.
” Asgjë s’ kemi zgjidhur,” tha Nebiu. ”Unë fola një herë, po flas edhe për së dyti… Gjatë kohës që zotrote je marrë me procesverbale, rregullore, përkthime e halle tjera, këta miqët e shtrënguan radhën. Tani po thonë se paskim patur të ngutur dhe vendimet që kemi marrë në mbledhjen vjetore i dëmtojnë interesat e tyre.Me fjalë tjera, këta donë që Shoqata ”Kosova” të mbetet jugosllave dhe unë e ti, që kemi ikur nga Jugosllavia, të punojmë për namin e saj. Unës’ e bëj dot. Ti, nëse ta lejon mideja – vazhdo.”
Çka mundesha t’ i thoshja njeriut që më njoftonte se kryesia e sapozgjedhur në një mbledhje vjetore ishte kthyer prapa në pozitat e vjetra?Nebiu kishte të drejtë që largohej. Mjerisht, edhe unë duhej të merja një vendim. Një vendim të shpejtë e të rrufeshëm.
Ata tjerët pinin cigare.
” Këtu s’ paska vend për mua,” thash me zë të ftohtë.Nëse s’ kisha kuptuar gjë deri n’ atë çast, tani e kisha të qartë se ata që kisha rreth e përqark meje ishin matrapazë, besëkeqë e sherbëtorë besnikë të Legatës Jugosllave. Do t’ ishte gabim të vazhdoja si sherbëtor i sherbëtorve të armikut.Andaj vazhdova.”Ajo që vlen për Nebiun, vlen edhe për mua.Ja ku i keni dosjet…”
Ata s’ thanë gjë.Dhe s’ kishin nevojë të flisnin, se ma kishin thënë njëqind e katërmbëdhjetë herë. Ça me bo, o Ramadan.S’ i bihet murit me kokë.Jugosllavia është shtet i madh, shtet i fuqishëm, kurse ne jemi fikanakë.Kemi gra, kemi fëmijë, kemi prindër dhe s’kemi shteg të ngatërrohemi në politikë të madhe. Ti vazhdo punën, se për atë punë ke dalë në kurbet, por neve mos na merr në qafë.
Këto, përafërsisht, zienin në kokat e tyre, derisa thithnin cigaret dhe i shfletonin dosjet që ua kisha vënë përpara.Më në fund, edhe unë mundesha ta vëja lapsin anash dhe të pushoja.Prisja t’ i mirnin dosjet që ua kisha vënë përpara dhe të iknin nga kishin ardhur.
” Po ikim, pra,” tha Ismet Xhela.
” Ju qoftë udha e mbarë,” iu thash.

Atë ditë u ndamë mirë me njëri tjetrin dhe kurrë s’ do bashkoheshim në jetë.As para marsit të vitit 1981, kur ata hidhnin valle memotrat serbenë Persborg, as pas marsit të vitit 1981, kur ata njëzëri i dënuan Demonstratat e Kosovës.
Edhe atëbotë, kur erdhi Zekiria Cana e na luti të pajtohemi, neua zgjatëm dorën, por ate s’ e bëmë me gjithë zemër, sepse ai që pret një herë në besë, pret shumë herë në besë.Ata s’ kishinmëshirë për neve, se s’ kishin humbur gjë, por ne humbëm Jusufin, Kadriun, Bardhoshin, Nuhiun, Rexhepin e qindra shokë të tjerë.Ne s’ u distancuam nga kërkesat e Kosovës për liri, pavarësi e republikë dhe ua falëm gabimet me shpresa se kishin nxjerrë mësime nga pabesia e tyre.Provat që kanë dhënë më vonë dëshmojnë për të kundërtën. Mos harro, i nderuar, se ata, në vend që të kërkonin faljepër tradhtitë e tyre, sapo ktheheshin nga Kosova, me vrap shkonin te Selman Patoku dhe i dëgjonin mesazhet që ua dërgonte Udba. Mesazhet e sajishintëshkurtër: ”Punëtorë të inkuadruar jasht atdheut! Rrini urtë e mos u ngatërroni me irredentën, se ju ha gjarpëri.”
Pas dhjetorit të atij viti,Shoqata Kulturo-artistike ”Vëllazërimi” vazhdoi jetën e saj si Shoqata Kulturo- artistike ”Kosova”. Kjo shoqatë ishte po ajo shoqatë që kishim themeluar në vitin 1974 dhe anëtarët e saj pak a shumë të njejtët.
Që nga largimi im dhe i Nebih Bushitajo përnjëherë u lidh me Legatën Jugosllave dhe vazhdoi veprimtarinë e saj deri sa filloi shembja e Jugosllavisë Federative. Me darka,me mish të pjekur,me raki rrushi dhe me byrekë që piqnin motrat kosovare. Në vazhdën e atij bashkim– vëllazërimi, kryesia e Shoqatës Kulturo – artistike “Kosova”, tani e përbërë vetëm nga ”shqiptarët e Jugosllavisë”, sillte e përcillte komikë kosovarë, gazetarë të ”Rilindjes” si dhe politikanë të cilëve s’ po ua përmend emrat, se edhe ashtu e kanë menderosur emrin e familjeve të tyre. Ata pesëmbëdhjetë e sa shqiptarë, që kurrëqysh nuk çonin dorë nga Jugosllavia, qeveriseshin nga tre bajraktarë të shquar, një myzevir e dy pijanecë, dhe e përfaqsonin Kosovën si në banketet e Legatës Jugosllave, ashtu dhe në kryeqytetin e Kosovës. Sa herë që e donte nevoja, ata, pa e pyetur antarësinë e shoqatës, bëheshin zëdhënës të shqiptarëve dhe i siguronin organet e brendshme jugosllave se sa t’ ishin ata gjallë, “irredenta” s’ depërtonte dot në radhët e “punëtorëve të inkuadruar në botën e jashtme.”Në vazhdën e asaj veprimtarie, ata,pa turpin më të vogël, shkelën aspiratat më të shenjta të popullit shqiptar dhe i dënuan edhe Demonstratat e Kosovës.
A mund të nxjerrë njeriu ndonjë mësim nga këto që kam shkruar deri Në këtë çast? Po, vëlla. Ne jemi aq gjenial në veprimet tona, saqë më së pari e rrasim popullin në zjarr dhe pastaj, pasi ta zëmë fitorën me dorë,ia shesim armikut për pak lekë të qelbur.
Pulëbardha e shqiptarve të Malmes, Shoqata Kulturo-artistike ”Kosova”, mbeti përjetë krahthyer.Jo pse s’ kishte kushte për t’ u bërëmbrojtëse e interesave tona kombëtare, por për arsyen e thjeshtë se prijsit e saj ishin ca injorantë që kurrëqysh s’ndaheshin nga eprorët e tyre sllavë. Kjo romansë e abdallëve shqiptarë memafiozët serbë po e zbrazë edhe një herë vendlindjen tonë.

*
Një pyetje që s’ ma ke shtruarti pordua t’ ia shtroj vetes, është kjo:
”Kush do të shkruaj për ato faqet e panjohura të diasporës shqiptare që fillojnë në dhjetor të vitit 1978 dhe vazhdojnë deri sa shembet Jugosllavia Federative?
Më e mira do kish qenë ta bëja vetë atë punë. Mjerisht, pleqëria po më detyron t’ ua dorëzoj stafetën kolegëve më të rinj,të cilët, kam shpresa se do të vijnë një ditë në Malme dhe do ta studjojnë këtë ambient ku po shprishet gjaku i tyre.Nuk do bënin keq t’ ua hedhin një sy edhe dokumenteve që po ua lë nëpër disqe, ditare, fotografi, kaseta eprocesverbale që kam mbajtur medorën time.
Me këtë nuk po çoj dorë nga dëshira për të shkruar edhe më tutje. Paçka se edhe unë, si të gjithëtë tjerët, e kam një cak.Pastaj duhet ta bëj ate që e kanë bërë të parët e mi: të nisem prapa nga kam ardhur, hajt hajt – e hajt e hajt,dhe një ditë, pas aq vitesh sa jam endur nëpër botë, të ulem në majë të Rrethit dhe ta shikoj vendlindjen time nga lartë.
Të vdesësh duke e vështruar atë çarçaf ngjyrë smeraldi, që e lidh pambarimisht botën shqiptare, është – vdekje e këndshme.

 

Shkruan: Ramadan Rexhepi