SHPËRNDAJE

Qeverisja lokale, në Bujanoc, po tregohet e suksesshme në fushën e kultivimit të multietnicitetit, duke filluar nga pozitat udhëheqëse e deri te ndarja e tenderëve dhe ahengjet e kafiterive.

Pushtetarët multietnikë, të lodhur dhe të raskapirur, gjatë punëve të përditshme, gjejnë kohë për t’u relaksuar në ndonjë nga restorantet e qytetit të Bujanocit.

Një nga vendet më të preferuara, më ideale, joshëse dhe atraktive për vizitorët “komunarë” të Buajnocit, është “Oaza”, pronar i së cilës është një serb radikal, ish kandidat i dukrshëm për kryetar komune.

Në këtë “Oazë” të shpirtit dhe qejfit, mbidhen shqiptarë dhe serbë bashkë, pa dallime partiake dhe kombësie. Aty, njeriu më shumë mëson për “punët e komunës”, se sa në Qendrën shërbyese të saj!

Krahas ushqimeve dhe pijeve të preferuara, gjatë pauzës dhe orarit të punës, këta nëpunës të komunës, argëtohen dhe bisedojnë se kujt duhet t’ia kurdisin për të paguar faturat e “Oazës” dhe ta trashin miqasinë për punë më të mëdha në nivel qeverie.

Jeta institucionale, në këtë komunë multietnike, nuk ka kuptim pa “Oazën”, e cila i frymëzon për vepra të përbadhkëta nga bashkëjetesa deri te bashkëqeverisja.

Sloganet me të cilat fillojnë punët e mëngjesit në Komunën e Bujanocit, janë me plot humor si: “Ku është leku, është bureku!” dhe “Gde je pecenje, tu je Resenje!”(Ku është skara, është Vendimi!”.

Sa do të zgjas ky bashkëpunim në nivel pushteti dhe restoranesh, varet nga qevrisja lokale multietnike, e cila ka rrezikuar shumë deri te “Marrëveshja” për përfshirjen e të gjithë këshilltarëve serbë në institucionet komunale.

Kjo ndjenjë kaq bujare dhe fisnike e një bashkëjetese institucionale shqiptaro serbe, do të ishte shumë më e lartë dhe më jetëgjatë, sikur të shtrihet edhe në institucionet shtetërore, në të cilat shqiptarët nuk duken fare.

Po rastisi njeriut t’i vizitoj restoranet në nivel komune, nga qendra deri në periferi të qytetit, rrallë gjenë ndonjë si kjo e “Oazës”, që josh shqiptarët e serbët me “qebapë”, “shopska sallatë” dhe raki shlivovice! 

“Bujrum” te Oaza, ati ku jeta ka kuptimin e bashkëjetesës multietnike!

Nga Shpëtim Kodra