SHPËRNDAJE

RizaHalimi

Në situatën aktuale kur po pritet që së shpejti të shpallen zgjedhjet lokale dhe parlamentare po paraqiten në forma të ndryshme manipulative kalkulimet për koalicione të ndryshme para dhe pas zgjedhore.
Është krejtësisht e qartë se sa i përket zgjedhjeve lokale në Preshevë e Bujanoc, si çdo herë deri më tani, PVD është duke përgaditur programin e vet zgjedhor me të cilin do ta paraqes ofertën e qëndrueshme dhe konkrete për shpëtimin e këtyre komunave dhe daljen e tyre nga gjendja aktuale katastrofale.

Andaj i vetmi koalicion parazgjedhor që do ta ket Partia për Veprim Demokratik do të jetë marrëveshja, përkatësisht kontrata me të gjithë votuesit e interesuar për ta tejkaluar gjendjen aktuale të pa shpresë të shkaktuara nga udhëheqja e stërkequr e PDSH – së në komunë të Preshevës dhe e PD – së në komunë të Bujanocit.
Ndërsa, për partner të koalicioneve eventuale paszgjedhore PVD do t’i zgjedh vetëm ato subjekte politike që tregojnë seriozitet dhe gadishmëri për ta ndërprerë degradimin e mëtejmë të pushteteve lokale në Preshevë e Bujanoc.

Sa i përket zgjedhjeve parlamentare edhe pse deri më tani nuk ka përgjigje konkrete në ofertën e saj, PVD edhe më tutje është e hapur për biseda me të gjithë subjektet tjera politike të Shqiptarëve për pjesëmarrje eventuale në këto zgjedhje me listë të përbashkët në kuadër të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke rrespektuar forcën zgjedhore të subjekteve politike të arritur në zgjedhjet lokale të vitit 2012 si dhe rezultatet që do të arrihen në zgjedhjet vijuese lokale.

Mirëpo për PVD – në, duke e pasur parasysh obligimin e rëndë të grumbullimit të 10.000 nënshkrimeve, afati i fundit i arsyeshëm për arritjen e marrëveshjes eventualepër zgjedhje parlamentare duhet të jetë 7 marsi, kur pritet të shpallen zgjedhjet lokale dhe parlamentare.

Këto ditë në mjetet e informimit u paraqit lajmi se kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa është pranuar me marrëdhënie të rregullt të punës si ligjerues në Univerzitetin e Gjilanit.
Nëse ky lajm është i vërtetë është shumë e qartë se duhet të inicohet urgjentisht seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Preshevës për ta shkarkuar kryetarin aktual dhe të emërohet kryetari i ri i KK të Preshevës. Është e qartë se edhe në aspekt ligjor edhe në aspekt praktik nuk është e mundur që i njejti person t’i kryej dy punë shumë të rëndësishme në të njejtën kohë, posaçërisht kur dihet se edhe zëvendës kryetari i komunës në të njejtin orar të punës është i angazhuar me punë të rregullt në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë, thuhet në deklaratën e PVD-së, me kryetar Riza Halimin.