SHPËRNDAJE

Libra

Edhe pse më 09.09.2015 u lejuan dy maunë të kalonin kufirin e Konçulit, të cilat bartnin 103222 tekste shkollore, të parapara për nxënësit e shkollave fillore me mësim në gjuhën shqipe në Luginë, ende nuk është gjetur zgjidhje e kënaqshme për arsimin shqip në këto hapësira.

Shkruan: Zejni Fejzullahu

Pra, tekstet e dhuruara nga Qeveria e Kosovës, të cilat kushtojnë mbi 200000 euro, ende nuk janë në duart e nxënësve shqiptarë. Më 27.10.2015 është bojkotuar ora e parë mësimore në shkolla fillore dhe të mesme, me mësim në gjuhën shqipe në Luginë, në shenjë revolte për moslejimin e shpërndarjes së këtyre teksteve. Kërkesa e Këshillit Nacional dhe e spektrit politik shqiptar në Luginë gjithënjë ka qenë që të vlejnë të njejtat rregulla të lejimit të përdorimit të teksteve, sikur nxënësit me mësim në gjuhën serbe në Kosovë, ashtu edhe nxënësit me mësim në gjuhën shqipe në Luginë. Të vlejë zbatimi reciprok i përdorimit të teksteve shkollore për të dy komunitetet, si zgjidhje afatgjate e kësaj problematike. Me rregullat në terren palë e dëmtuar është vetëm ajo e nxënësve shqiptarë në Luginë.

Qeveria e Serbisë furnizon me tekste shkollore të gjithë nxënësit e të gjitha niveleve në Kosovë, pa u penguar nga autoritetet e Kosovës, madje nxënësit që mësimin e zhvillojnë në gjuhën serbe mësojmë me planprogramet e Serbisë. Vallë, pse kjo e drejtë mos të vlejë edhe për nxënësit e nacionaliteteve joserbe në Serbi? Ministria e Arsimit , Shkencës dhe Teknologjisë kërkon kthimin e teksteve shkollore në Kosovë, e revoltuar me qasjen e palës serbe për zgjidhjen e problemit të teksteve për nxënësit shqiptarë të Luginës, e drejtë elementare e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare. Me kërkesë të faktorit ndërkombëtar dhe Këshillit Nacional, është shtyrë afati i kthimit të teksteve edhe për një kohë. Shpresojmë të gjendet zgjidhje e drejtë.

(Autori është drejtor i Sh. M “Sezai Surroi” në Bujanoc)