SHPËRNDAJE

Para disa vjetesh, i përcollëm me vemendje polemikat midis Ismail Kadaresë, “elefantit” të letrave tona, dhe Rexhep Qosjes, “miut” të këtyre letrave. Ky i fundit e akuzoi kolosin e letërsisë dhe të kulturës shqiptare, Kadarenë, për racizëm! Si lexues të veprave letrare dhe të shkrimeve publicistike të Kadaresë nuk gjetëm asnjë element racizmi. Në veprat dhe përsiatjet e tij Kadare fliste kundër politikave dhe regjimeve antishqiptare në Ballkan dhe më gjerë. Por në ato polemika gjetëm diçka tjetër:  pamfletisti i letrave tona sajon dhe shpifë teza dhe projekton skena të paqena. Dhe çka ndodhi: ky na del racist, e jo Kadareja!
   
Edhe tash, në polemikat midis Rexhep Qosjes dhe kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akad. Hivzi Islami, i cili e portretoi mirë e mirë “Babain” e vetëquajtur të kombit, doli në shesh sërish fytyra dhe ndërgjegja e “Babait” të kombit. Ai me dekada vetëm shpërndan sharje, akuza dhe shpifje ndaj të gjitha figurave të njohura të kulturës e të kombit shqiptar, deri te ato raciste dhe primitiviste, karakteristike vetëm për shovenistët serbomëdhenj dhe shqiptarët egoistë e narcisoidë, si pjesë të një mentaliteti të shoqërisë blegtorale të shek. 19, çfarë është Rexhep Qosja,  keqbërësi dhe racisti!
   
Lugina e Preshevës pati një fat historik që mes për mes saj kalojnë tash e një shekull e gjysëm hekurudha dhe rruga automobilistike, që i mundësuan shqiptarëve të saj të komunikonin me botën dhe të binin në kontakt me risitë e jetës bashkëkohore. Por fati i dytë i madh është se nga Lugina dolën shumë shkollarë dhe intelektualë, të cilët me punën, angazhimin dhe dijën e tyre i dhanë shumë Kosovës, shqiptarëve dhe institucioneve të tyre shkencore, kulturore dhe politike. Të fillojmë nga akademikët Idriz Ajeti, Nexhat Daci, Rexhep Ismajli dhe Hivzi Islami dhe shkencëtarët e intelektualët e njohur të kësaj ane, profesorët Shukri Rahimi, Zenel Kelmendi, Muharrem Gashi, Musa Limani, Fikret Ahmeti, Halit Halimi, Gjyltekin Shehu, Adem Limani, Shukri Fetahu, Rahmil Nuhiu, Dali Emërllahu, Nebi Islami, Hamdi Daci, Lindita Sejdiu, Nerimane Kamberi, Figene Ahmeti, Sabedin Hetemi, Nijazi Ibrahimi, Shaban Shabani, Ismet Jonuzi, Eshref Qahili, Ibrahim Behluli, Hedvig Kadriu, Beqir Hamiti etj., që drejtuan dhe drejtojnë me shumë sukses Universitetin e Prishtinës dhe fakultetet e tij, katedrat dhe departamentet, bërthamat hulumtuese-studimore dhe Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Me këta dhe emra të tjerë  mburret Lugina e Preshevës, por nuk ka arsye të mos mburret edhe e gjithë Kosova dhe i tërë kombi shqiptar. Vetëm racistët, intrigantët dhe përçarësit e kombit, si Halil Matoshi dhe Rexhep Qosja, gjetën në mesin e tyre “shqiptarë të natyralizuar”, “fshatarë”, njerëz “të klaneve”, “antikombëtarë” e çka jo tjetër! Me këtë fjalor të pistë, pezhorativist e racist, këta mburravecë i cilësojnë të gjithë shqiptarët e Luginës, të Maqedonisë, të Malit të Zi! Nga e kanë tagrin këta kaposhë t’i ofendojnë shqiptarët e trojeve etnike kur ata si pjesë e proceseve të pandashme,  edhe historikisht, edhe aktualisht, e kanë ndihmuar çështjen kombëtare moralisht, materialisht dhe ushtarakisht.
   
Kur egocentristi dhe miti i rrejshëm, Qosja, nuk pati përgjigje në portretimin dhe 55 pyetjet “e shigjetuara” të akad. Hivzi Islamit, kërkoi mbështetje te enverhoxhistat dhe sigurimcat më të rafinuar në Tiranë, përfshirë hiq më pak se vet nipin e Enver Hoxhës dhe dhëndërrin e tij, ashtu siç kishte gjetur mbështetje te komunistët serbë e jugosllavë, antishqiptarë të njohur, sa herë që kishte nevojë. Morëm vesh pak më hollësisht për takimet e fshehta të “babait” të shqiptarëve, Qosjes, dhe “babait” të serbëve, Qosiqit, inspiruesit të tragjedive njerëzore dhe materiale në ish-Jugosllavi, në Manastirin Prohor Pçinjski e gjetiu në Serbi. Kush e autorizoi këtë matufë dhe përçarës të kombit që të bëjë pazare me Dobrica Qosiqin lidhur me Luginën e Preshevës dhe shqiptarët e atjeshëm?!
   
I thërrasim shoqatat kulturore e shoqërore, partitë politike dhe organizimet e tjera që i tubojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës, por edhe në Kosovë dhe në diasporë, që ta ngrisin zërin kundër qëndrimeve të këtij racisti, primitivi, hipokriti dhe demagogu tashmë të dëshmuar.

Prishtinë, 18.03.2014                       
1. Dr. Arsim Ejupi
2. Dr. Ibrahim Ramadani
3. Dr. Isa Memishi
4. Dr. Abdullah Hamiti
4. Dr. Sadullah Avdiu