SHPËRNDAJE

Këshilltari i kryeministrit Rama për rajonin, Shkëlzen Maliqi ka theksuar se sikur Rama mos të lejohetj të shkonte në Preshevë, vizita e Beogradit do të ishte anuluar.

“Ekipet kanë punuar intensivisht këto ditët e fundit për vizitën, janë përgatitur deri në detaje ndërsa është punuar për gati një vit”, tregon Maliqi për ATSH.

Maliqi ka nënvizuar se kjo vizitë pritet ti shërbejë normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe ka shtuar se ka dyshime se mos fjalë të Ramës nuk do iu pëlqejnë autoriteteve të Serbisë.

“Rama nuk është ndonjë eksponent i ekstremizmit që ata të frikësohen. Ata kanë frikë për çështjen e sigurisë, e sidomos në Preshevë. Nuk pres shumë, do të nënshkruhen disa marrëveshje protokollare. Më shumë është për të thyer akullin. Ka qenë anomali ajo që ka ndodhur që për 70 vjet të mos ketë këso marrëdhëniesh të nivelit të lartë. Duhet që kjo të tejkalohet”, deklaroi këshilltari i Ramës për rajonin.

Shkëlzen Maliqi ka shtuar se sa i përket Preshevës, është pjesë e politikiës së Tiranës zyrtare, që shqiptarët kudo jetojnë të kenë të drejta në shtetet respektive. /presheva.com/