SHPËRNDAJE

Real Madrid nuk i lejohej një tjetër hap fals. Do të kishte qenë fatal. Pasi Barcelona fitoi ndaj Sevilla-s të shtunën për Los Blancos fitorja ishte një detyrim dhe të besuarit e Zinedine Zidane kanë arritur të marrin tre pikët falë një rezultati të pastër 3-0 ndaj Las Palmas.

Në minutat e para dukej tensioni në këmbët e lojtarëve të Real. Por me kalimin e minutave ata dolën në lojën e tyre megjithëse mundësitë për gol mungonin. Duhej pritur minuta e 41’ për të parë golin e parë të ndeshjes. Ishte Casemiro ai që falë një goditje fantastike me kokë kalon në avantazh të tijtë.

Pas pushimit Real doli në fushë me më tepër vetëbesim dhe Asensio dyfishon rezultatin me një predhë nga 30 metra. Një e majtë perfekte e mesfushorit spanjoll siguron fitoren dhe goli i Isco-s në të 74’ ishte qershia mbi tortë pas një pasimi të artë të Ronaldo-s. Kaq mjaftuan që Real të merrte një fitore jetësore në luftën për titullin kampion.