SHPËRNDAJE

Real Madridi vazhdon të jetë lider i La Ligas dhe tani ka rritur sërish diferencën e pikëve kundrejt rivalëve për titull, Atletico Madrid dhe Barcelona.

Los Blancos regjistruan fitore prej 3-0 përballë Levantes në ndeshjen e javës së 27-të që u zhvillua në Santiago Bernabeu.

Nikoqirët nuk ishin në lojën e tyre më të mirë gjatë gjysmës së parë, mirëpo arritën të shënojnë një gol. Një harkim të Di Marias e priti Cristiano Ronaldo për të realizuar me kokë (11’).

Karim Benzema humbi një rast shumë të mirë pas disa minutash, ndërsa në fund të pjesës së parë goditi shtyllën. Francezi e goditi shtyllën edhe në pjesën e dytë.

Goli i sigurisë për vendasit erdhi në fillim të gjysmës së dytë (49’). Ronaldo u angazhua nga e majta dhe dërgoi një pasim te Marcelo, i cili e dyfishoi epërsinë.

Një harkim të Marcelos e dërgoi në portën e gabuar mbrojtësi i Levantes, Nikos Karabelas (81’).

Pas javës së 27-të, Real Madridi numëron 21 fitore, katër barazime dhe dy humbje dhe ka 67 pikë – tri më shumë se Atletico Madridi dhe katër më shumë se Barcelona.