SHPËRNDAJE

Konferencat përgjithësisht organizohen në kuptimin e mobilitetit fizik, të bashkëpunimit akademik, institucional dhe individual dhe te bartjes e të shkëmbimit të dijes ndërmjet studiuesëve dhe bashkëbiseduesëve, audiencën së interesuar.

Së këndejmi, konferencat kanë rëndësi të veçantë për zhvillimin shoqëror, akademik dhe shkencor e kulturor të individit dhe të shoqërisë, të zhvilimit të një komuniteti e të një vendi të caktuar, ose të një hapësire të gjerë gjeografike.

Në Konferenca zakonisht ndodhin forma të bashkëpunimt tejkufitar dhe tej kulturor, ndodhin forma të reja të komunikimit, të interaksionit shkencor ndërmjet kulturave të ndryshme, por edhe brenda një kulture të njëjtë.

Konferenca Shkencore e Trashëgimisë Kulturore dhe e Turizmit, që u mbajt në Preshevë më 26.10.2019, mrekullisht ofron elemente të dy dukurive.

Formalisht dhe fizikisht në aspektin e kufinjve zyrtar ndërshtetëror dhe administrativ, kjo Koferencë përfshiu një gjeografishtrirje tejet të gjerë, ndërsa në aspektin esencial të materies shkencore dhe kulturore, ajo kishte një bashkëpunim ndërkulturor brenda një etnie e një kulture të vetme e të njëjtë, respektivisht brenda kulturës shqiptare.

Konferenca Shkencore ishte ftuar dhe organizuar nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës, ndërsa punimet i zhvilloi në Sallën e Kuvendit Komunal të Preshevës.

Natyrisht, Konferenca hapet me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Shoqatës, Profesor Xhemaledin Salihu.

Zaten si do të ishte ndryshe, kur dihet fakti se meritë kryesore e organizimit të kësaj Konference është pikërisht e Profesorit Xh. Salihu.

Ky shkurtimisht njohton për punën e Shoqatës që nga viti 2010, duke potencuar të arriturat në evidentimin, fotografimin dhe inçizimin e vlerave trashëgimore të Preshevës dhe më gjerë të këtyre viseve.

Theksohet fare mirë bashkëpunimi me organizatat simotra, si dhe organizimi i takimeve të tjera natyrash e temash të ndryshme.

Pas fjalës së hapjes, Konferenca vijoi me ndarjen e Mirënjohjeve kontributdhënësve e mbështetësve finansiar e moral të Shoqatës e të Konferencës: Qenan Haxhi Vlora Hamdiu, Selajdin Sinani Çajani, Bunjamin/Emin/ Ademi dhe Flamur/Skender/Sylejmani, pastaj me nënshkrimin e një Marrëveshje bashkëpunimi kulturor ndërmjet Shoqatave kulturore Tiranë-Tetovë-Preshevë-Bujanoc dhe Mitrovicë.

Ishte ngjarje e rëndësishme, duke qenë se në Konferencë, pjesëmarrës ishin studiuesë nga Lugina e Preshevës, nga Kosova, nga Shqipëria dhe nga Maqedonia.

Konferenca zhvilloi punimet në dy seanca, mbrenda një dite të vetme. Ishte Program i ngjeshur, me tema të ndryshme, por edhe interesimi për të dëgjuar e diskutuar ishte mjaft i madh.

Programi pësoi pak ndryshime nga Programi i hartuar paraprakish, meqë munguan disa referues, sakaq Seancën e parë shkencore e drejtuan Prof. Dr. Agron Xhagolli, Prof. Dr. Drita Halimi-Statovci dhe Dr.Sc. Shefki Selami.

Në Seancën e parë u lexuan kumtesat sipas kësaj radhe:

1. Trajtimi i mjedisit dhe kultura popullore-shfrytëzimi i kulturës popullore për zhvillimin e një turizmi cilësor (Prof. dr. Agron Xhagolli);

2. Trashëgimia kulturore dhe turizmi përballë aktualitetit (Prof. dr. Drita Halimi-Statovci);

3. Bletaria si një kult, traditë dhe mundësi për turizmin në përshtatje me resurset e pasura e të veçanta natyrore të florës në Malësi të Gjakovës, kryesisht trumëza, bushi dhe gështenja (Avokat Agron Isa Gjedia);

4. Vendi dhe roli i punimeve artistike popullore në turizmin kulturor (Dr. Fejzulla Gjabri);

5. Trashëgimia kulturore në Drenas-mundësi e mirë për turizëm (Dr. Sc. Besim Morina); 6. Trashëgimia kulturore në Gollak dhe turizmi (Xhafer Cakolli).

Pas leximit, si zakonisht tablloja e seancës u plotësua edhe me diskutime, çfarë Konferencës i dha shije edhe më serioze e shkencore.

Pas një kafe-pushimi relaksues, Konferenca vazhzdoi me Seancën e dytë, të cilën e drejtuan: Prof. Dr. Nebi Dervishi, Phd. Shpëtim Memishi dhe Dr.Sc. Mustafë Haziri dhe me kumtesat sa vijon:

1. Objektet kulturore të Tetovës me rrethinë si dhe mundësitë e zhvillimit të turizmit në Tetovë (Dr. Sc. Shefki Selami); 2. Trashëgimia kulturore dhe turizmi në Mitrovicë (Dr. Sc. Mustafë Haziri;

3. Roli i trashëgimisë kulturore dhe natyrore në zhvillimin e turizmit në Komunën e Preshevës (Phd Shpëtim Memishi);

4. Monumentet kulturore-historike në Fushëgropën e Ohrit-thesar për zhvillimin e turizmit në këtë rajon (Prof. dr. Nebi Dervish);

5. Trashëgimia kulturore dhe turizmi në trevën e Karadakut të Kumanovës (Doc. Dr. Minir Ademi;

6. Trashëgimia kulturore dhe turizmi në fshatrat e Malësisë së Bujanocit (Ismet Tafili);

7. Turizmi rural dhe trashëgimia kulturore në Shalën e Bajgorës-realiteti dhe perspektiva (Phd Hajrullah Mustafa;

8. Promovimi i turizmit natyror dhe kulturor në Preshevë (Msc.Shkëlzen Limani;

9. Trashëgimia kulturore dhe natyrore e Malësisë së Preshevës, joshëse për pushime dhe tërheqëse për turizmin malor (Xhemaledin Salihu, Profesor). Dhe natyrisht , pasuan edhe diskutimet për Seancën e dytë.

Përveç renditjes së kumtesave në Programin e Konferencës, temat e tyre sikur të akorduara e të lidhura tematikisht u radhitën për tu lexuar njëra pas tjetrës me një logjikë të konsideruar.

Zaten vetë karakteri dhe natyra e trashëgimisë kulturore gjithnjë shfaqet me vend e me rend.

Drejtpërdrejtë me referimin e kumtesave, fill pas trajtimit të mjedisit dhe të kulturës popullore, fare natyrshëm vendoset paraqitja e trashëgimisë kulturore përballë aktualitetit, për tu pasuar më tutje me tematika të larmishme dhe për të përfunduar sërish me trashëgiminë kulturore si joshje për pushime dhe tërheqëse për turizë natyrash të shumta.

Përveç 15 kumtesave të lexuara në dy seancat e Konferencës, në Program kishte edhe tema dhe studiuesë të tjerë, që për arsye të ndryshme nuk morën pjesë drejtpërdrejtë në Konferencën e Preshevës.

Mirëpo pritet, madje kjo u kërkua edhe në diskutimet e disa studiuesëve. që në Përmbledhësin e Konferencës si një botim i veçantë, të zënë vend edhe kumtesat e pa lexuara, sa vijon:

1. Veçoritë etnologjike në tregimet e Koliqit, pjesë e trashëgimisë kulturore të jetës së shqiptarëve ( Dr. Rovena Vata);

2. Promovimi i trashëgimisë kulturore dhe zhvillimi i turizmit në Kosovë (Dr. Qazim Namani);

3. Historiku-Harabati baba teqe në turizmin e Tetovës ( Mr. Sc. Ismet Jonuzi-Krosi);

4. Trashëgimia kulturore në Dragash dhe turizmi (Dr.sc. Muharrem Qafleshi);

5. Zhvillimi i turizmit në Artanë (Ma Emin Sallahu);

6. Cikli i festave të pranverës si atraksion turistik edhe në Luginën e Preshevës (Prof. dr. Mustafë Ibrahimi);

7. Larushia e kulturës Çerkeze në rajonine Vushtrisë dhe kontaktet e saja me kulturën shqiptare-si mundësi e të bërit turizëm (Mr. Jeton Sallahu); dhe

8. Trashëgimia kulturore e qytetit të Suharekës me rrethinë dhe mundësia e të bërit turizëm (Phd Kastriot Veselaj. Po të vendosen bashkë të gjitha këto kumtesa, ato që u lexuan e degjuan dhe ato që nuk u prezantuan, Përmbledhësi do të përfshijë 23 tituj të ndryshëm për trashëgiminë kulturore dhe për turizmin në Preshevë, në Luginën e Preshevës, por edhe më gjerë.

Mbrenda kumtesave të lexuara, ose të pa lexuara, reflekton se të gjitha së bashku mbajnë në vete një gjeografishtrirje tepër të gjërë të etnisë shqiptare, në njëren anë, dhe në anën tjetër shpërfaqin e manifestojnë një tematikë të bollshme e të nduarduartë për trashëgiminë kulturore, të lidhur ngushtë edhe me zhvillimin e turizmit.

Natyrisht nuk mungojnë edhe tema të fushave të tjera trashëgimore. Me një natyrshmëri të lehtë, disi të pahetueshme, për veç kumtesave për trashëgimi kulturore si veçanti, dhe të funksionalizimit e të revitalizimit të trashëgimisë kulturore për zhvillimin e turizmit në përgjithësi, në Konferencë pati kumtesa që flasin edhe për dukuri të veçanta.

Veçanësi të këtilla reflektojnë fjala vjen: tema për dukuritë etnologjike në tregimet e Koliqit, tema për bletarinë si kult dhe si resurs ekonomik, tema për Harabati teqenë e Tetovës, tema për rite të ciklit të festave pranverore, e të ngjashme.

Nuk mbeten pa u përfshirë edhe artefaktet natyrash të ndryshme që të vendosen në muzeume, veçanërisht për arsye se këto ofrojnë shije të pëlqyeshme historiko-kulturore.

Nuk do ndalem në detaje, por lypset theksuar se temat e këtilla komunikojnë, ndërthurren dhe informojnë për një trashëgimi të begatë kulturore, dhe natyrisht se ndihmojnë njohjen sa më të mirë të saj, nxisin funksionalizimin e saj në dobi të zhvillimit ekonomik.

Gjeneratat e ardhshme do të kenë një pikënisje dhe një bazë të mirë studiuese për fushat që u trajtuan në Konferencën e Preshevës, duke u njohur me segmente të ndryshme të trashëgimisë kulturore dhe të së kaluarës.

E bukura e takimeve të këtilla shkencore, paraqitja dhe botimi i kumtesave në një përmbledhës, është se do të shërbejnë si material studimor për studiues të ndryshëm të shkencave të ndryshme shoqërore dhe më gjerë.

Mbi të gjitha, takimet e këtilla gjithnjë frymëzojnë për arritje të reja shkencore.

Në fjalën përmbyllëse të Prof. dr Drita Halimmi-Statovci dhe të Prof. dr. Agron Xhagolli u theksua se mrekullia e kësaj Konference qëndron në faktin se ajo tuboi e takoi studiues e hulumtues të viseve të ndryshme etnike shqiptare dhe se shtroi e debatoi tematika të ndryshme të trashëgimisë kulturore dhe të turizmit pikërisht të Preshevës, të rrethinës së saj e më gjerë të botës shqiptare. U potencua ajo që reflektoi edhe në Konferencë – kultura dhe trashëgimia kulturore shqiptare shfaqet e ngjashme ose e njëjtë kudo ndër shqiptarët, prandaj duhet të trajtohet si një dhe e pa ndarë, përkundër kufinjëve të shumtë që rrethojnë botën etnike shqiptare.

Por, duhet pasur kujdes dhe konsideratë për prurjet e reja kulturore në botën globaliste, për diversitetin dhe nuancat kulturore, që realisht janë pasuri dhe mrekullia e një kulture, në këtë rast të kulturës shqiptare.

Më tutje, Profesoresha Halimi-Statovci u shpreh se takimet e këtilla janë shumë të rëndësishme.

Momenti kur vijmë dikund, takohemi e bashkohemi japim dhe marrim emocion të veçantë, sikur edhe ndarja që ka emocion të veçantë.

Prof. dr. Agron Xhagolli në fjalën e vet përmbyllëse dëshiroi që kumtesat e punimet shkencore të mos kenë vetëm enkonterim, por edhe shkoqitje e vlerësime cilësore shkencore, të shtrohen zgjidhje të problematikave të caktuara.

Në përmbyllje të Konferencës u shtrua kërkesa që për botim, punimet të përgatiten në mënyrë sa më cilësore dhe sa më shkencore. Gjithashtu u shtrua e nevojshme dhe e dobishme që për botim të përgatiten edhe diskutimet e secilit studiues.

Dhe, në fund vjen falënderimi e mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit, si kontribues të Konferencës e të trashëgimisë kulturore lidhur ngushtë me turizmin. Me këtë rast në rend të parë duhet falënderuar organizatorët e takimeve të këtilla, në krye me studiuesin dhe kryetarin e SHTK të Preshevës z. Xhemaledin Salihu, por edhe sponzorizuesit që me vullnetin dhe dëshiren e tyre largpamëse ndihmojnë studimin, përjetësimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Puna ekipore është gjithnjë frytdhënëse.

Mirëpresim dhe mirëupafshim edhe në takime të tjera shkencore e plot humanitet njerëzor./presheva.com/

Prof.Dr. Drita Halimi-Statovci