SHPËRNDAJE

Shkruan: Fatos ALIU – KELMENDI

Më 7 tetor 2018, pata postuar shkrimin me titull ‘Referendumi dhe opsionet e zgjidhjes së çështjes së Luginës së Preshevës’ (‘LP’), ku kam theksuar alternativën e ribashkimit të kësaj krahine shqiptare të vënë nën administrim dhe kontroll direkt të politikës shoviniste të Beogradit në vitin 1959, duke i vendosur si ‘zëvendësim’ nën administrim të Kosovës tri komunat me shumicë serbe, Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin Potokun.

Kjo hile ishte e qartë: sundimi dhe spastrimi etnik i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nga etniteti shqiptar në një anë dhe forcimi i faktorit serb në Veri të Kosovës, për të arritur në kohë më të volitshme ndarjen dhe copëtimin e Kosovës, synime të sotme të Serbisë, përkundër krimeve dhe gjenocidit të zhvilluar antishqiptar përgjatë historisë, dhe në luftën e fundshekullit XX.

Cila do të mund të ishte alternativa e ribashkimit siç po quhet në mënyrë të reduktuar/përgjithësuar ‘Lugina e Preshevës’?

Meqenëse Referendumi i vitit 1992, që ishte shprehje e vullnetit të popullit të kësaj treve (PBM) para më se 28 vitesh, i shprehur unanimisht në procesin e shkatërrimit të ish Yu, po ka vështirësi mirëkuptimi e koncenzusi ndërpartiak në Republikën e Kosovës, shqiptarët e kësaj ane, bazuar edhe në historikun e fakteve në të kaluarën, mund të kërkojnë edhe alternativa të zgjidhjes politike dhe territoriale.

Aktualisht po dominojë interesat partikulare për supermacion të grupeve politike, në vend të mirëkuptimit e koncenzusit të interes nacional për zgjidhjen e kësaj çështje. Si pasojë është krijuar e përhapur amulli e mjegulli në opinion, përderisa Serbia që nga 1999 ka arritur të pozicionohet thellë në brendi të Kosovës, duke sabotuar vazhdimisht shtetndërtimin e Kosovës, të minuar fillimisht nga korniza kushtetuese e Hakeruppit të UNMIKut, së fundi me kushtetutën sipas Planit të Ahtisarit, dalë nga negociatat e Vjenës për një ‘pavarësi sui generis’, të leopardizaur në baza etnike në një të tretën e territorit nga një pakicë deri 5% serbe të privilegjuar jashtë çdo standardi ndërkombëtar.
Atëherë, pse u dashka serish ‘Lugina e Preshevës’, Bujanoci dhe Medvegja ta paguajë faturën e diskriminimit dhe spastrimit të vet etnik nga Serbia? Cili qenka interesi i Kosovës, kur edhe 20 vjet pas luftës nuk po arrin të ushtrojë sovranitetin e vet në pjesët e kontrolluara nga pakica serbe, në të cilat nuk respektohen as ligjet, as kushtetuta, as simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës, pos të Serbisë!

Pra, meqenëse procesi mbi 20 vjeçar i bisedimeve Kosovë – Serbi, nuk dha fryte për ushtrimin e sovraniteti të Kosovës në tërë territorin, dhe meqenëse në këto negociata nuk u potencua as u mor parasysh kurrë përmirësimi i gjendjes së shqiptarëve në Luginë të Preshevës, mbetet për tu riaktualizuar alternativa e ribashkimit me Kosovën, ideja që nga koha e LDB – riorientimi i kësaj treve kah Lugina e Vardarit LV), opsion i natyrshëm gjeografiksht dhe etnikisht, për të qenë pjesë e Maqedonisë Veriore (MV), e cila duket se ka hyrë në fazën e relaksimit të marrëdhënieve ndëretnike, në rrugë të integrimit verio atlantik dhe në NATO, çka jep më shumë garanci e siguri edhe për prosperitetin e popullatën shqiptare në këto hapësira.

Nga historia e Luftës së Dytë Botërore (LDB) në këto treva, ‘Lugina e Preshevës’ ka qenë pjesëmarrëse e luftës antifashiste si pjesë e ‘Banovinës së Vardarit’, në krah të Aleancës ës Atllantikut, edhe në suaza të aktiviteve të përbashkëta antifashiste si element konstituitiv i Republikës së Maqedonisë, ruan vazhdimësinë e natyrshme me Shkupin dhe popullatën shqiptare në Maqedoni, ashtu siç e kishte theksuar edhe Abdullah Krashnica, strategu shqiptar – përfaqësues nga ‘LP’ në presidiumin e ASNOM-it (Asambleja Antifashiste Çlirimtare e Maqedonisë), duke pasë parasysh rëndësinë gjeopolitike të kesaj treve me Luginën e Vardarit, dhe integrimet e tjera më të përshtatshme në suaza të zhvillimeve globale.

Për këtë flasin dokumentet e kohës, tjetër gjë që Serbia pas lufte e kishte marrë kontrollin dhe i lëvizte pastaj gjërat, njerëzit e territorin sipas interesit të saj, duke dëmtuar shqiptarët në vazhdimësi dhe në çdo aspekt.