SHPËRNDAJE

AsgjeSikurDielli

Grupi i mirënjohur kosovar ‘Asgje sikur dielli’ ribashkohet me vokalin Alban Nimani dhe rikthehen në skenë me albumin e ri, transmeton atsh.

Pas një ndërprerje prej 4 vitesh, kur Alban Nimani provoi karrierën si solist, grupi ‘Asgjë sikur dielli’ vendosi të ribashkohet për të publikuar albumin e ri, të tretin me radhë.

Grupi rikthehet në përbërjen e Bujar Hudozi në kitarë, Alban Nimani në vokal, Fatos Berisha në timpane, Labinot Krasniqi në bas dhe Faton Dolaku në tastiere. Albumi i ri që pritet të publikohet së shpejti do të ketë 8 këngë. Alban Nimani pas publikimit të lajmit për ribashkim është shprehur se ‘Jam i gëzuar që rikthehem në grupin ku kam filluar karrierën. Jam kthyer në shtëpi, dhe adhuruesve tanë do t’u sjellim këngë që i kanë pritur gjatë’.

Kitaristi dhe bashkëthemeluesi i ‘Asgjë sikur dielli’ Bujar Hundozi me këtë rast tha: ‘Po vazhdojmë së bashku aty ku ndaluam para disa vjetësh. Por, tani me energji të re, me këngë të reja. Po punojmë që sa më shpejtë të caktojmë datën e koncertit të parë’.

Para publikimit të albumit, grupi ka vendosur të publikon edhe video klipin e ri të këngës ‘Unë të dua ty’ që gjendet në albumin e ri.

Basisti i parë i grupit Visar Qeska gjendet në Gjermani, ndërsa Kushtrim Hoxha që zëvendësoi shkurt Alban Nimanin gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. ‘Asgjë sikur dielli’ është formuar në vitin 1996, dhe deri tani ka publikuar dy albume, me titull ‘1’ në vitin 1999 dhe ‘Ndodhemi’ me 2004.