SHPËRNDAJE

Futbollisti i Bayern Munchen, Arjen Robben, iu rikthye edhe një herë përballjes së parë të 1/8 të Champions League me Arsenalin në “Emirates Stadium”, ku të besuarit e Pep Guardiolës morën një fitore të pastër 2-0. 29-vjeçari, i shtyrë nga deklaratat e teknikut të “Topçinjëve” Arsene Wenger, që e akuzon se ka aktruar duke fituar një 11-metërsh të padrejtë, që u shoqërua gjithashtu me daljen me karton të Szczesny iu kundërpërgjigj ashpër francezit.

“Komentet e Wenger janë tipike të një trajneri humbës. Nuk e vras shumë mendjen se çfarë thotë ai, sepse nuk është hera e parë që reagon në mënyrë të tillë”, ka thënë hollandezi.

Në fakt irritimi i Robben lidhet edhe me deklaratën e fundit të Wenger, sipas të cilit skuadra më e rrezikshme në këtë sezon të Champions League është Real Madrid. Përsa i përket kontaktit me portierin e Arsenalit, futbollisti i Bayern-it këmbëngul se ishte një ndërhyrje që mund ta kishte dëmtuar rëndë.

“Kur pashë pamjet filmike të ndërhyrjes së Szczesny u drodha i gjithi. Gjërat mund të kishin shkuar tmerrësisht më keq. Mund të them se kam qenë me shumë fat. Ishte një moment i frikshëm. Dhjetorin e kaluar pata një dëmtim serioz në një rast të ngjashëm kur u përplasa me portierin e Augsburgut”, vijoi Robben.

Sfida e kthimit e Champions League, Bayern Munchen-Arsenal, do të luhet më 12 mars në “Allianz Arena”, një mundësi tjetër kjo për Robben për t’i treguar trajnerit të Arsenalit se nuk është aktrues në fushën e blertë.