SHPËRNDAJE

Thotë All-llahu xh.sh. në Kur’anin kerim – “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”   (Al bakare 183)
Në fenë Islame  adhurimet ( ibadetet) janë të ndryshme.
1. Prej tyre të cilat janë me fjalë : si leximi i Kur’anit, lutjet, përmendja  e Zotit, te urdhërohet për të mirë, të ndalohen të këqijat, te mësohen të padijshmit, përshëndetjet mes njerëzve etj. 
2. Dhe prej tyre që paraqiten ne vepra dhe pasuri: Me trup si p.sh. Namazi –  me pasuri zeqati,  – dhe në kombinim prej të dyjave ( me trup dhe pasuri) PELEGRINAZHI ( Haxhi), xhihadi etj.

3. Dhe prej adhurimeve që nuk përqendrohen as ne vepra dhe as në fjalë. Por : me ndalesa    dhe ndërprerje, si p. sh. Agjërimi i cili është edhe ndalim prej ushqimit, pijes, dhe te tjera.

Kjo ndalesë dhe lënie e ushqimit, nëse duket negative në formën e saj, ajo është shumë pozitive me brendësinë dhe shpirtin e saj.
Sepse kjo ndalesë në gjithçka që dëshiron trupi i njeriut , bëhet me qëllim ( me nijet) të afrimit të tij te Zoti i madhëruar.
Vendosja ose nijeti pra eshte ndermjetese mes vepres dhe lenies se saj.
Agjërimi është adhurim i vjetër ku e njohën te gjitha  fetë qiellore para fesë Islame, mirëpo agjërimi i fesë Islame dallon nga cdo agjerim tjeter.
Me kete kuptojme se agjërimi nuk është adhurim vetëm i myslimanëve  që erdhi me shpalljen e Islamit, ku Zoti xh.sh. deshi ti mundojë dhe të hakmerret ndaj myslimanëve, por është një adhurim që u obliguan me të, te gjitha fetë qiellore para fesë Islame.
Agjërimit Zoti xh.sh. në fenë Islame i dha formë të veçantë  dhe kohë të caktuar. Forma e tij është që asgjë të mos futet  në barkun e njeriut edhe nëse është e padobishme për të, prej mëngjesit e deri në mbrëmje.
Kurse koha e tij është tridhjetë dite të muajit të ramazanit, muaj i cili filloi në të shpallja e Kur’anit.
Thotë Zoti xh.sh. për këtë. “Muaji i ramazanit që në të filloi të shpallet kur’ani.” 
(Al bakare 185
Ku me anë të kësaj shpallje bota filloi një histori të re.
Muaji i ramazanit është , i cili në të u urdhërua njeriu në mënyrë obligative për lexim dhe njohuri, e këto fjalë të para të Kur’anit janë:
“ Lexo  me emrin e zotit tënd, i cili krijoi çdo gjë. “
Allahu xh.sh. na obligoi agjërimin ne muajin e ramazanit për qëllime dhe sekrete me vlerë të madhe, i dimë ne disa prej këtyre qëllimeve, disa nuk i dimë, dhe disa të tjera koha do t’i zbuloje, ku prej neve kërkohet që me mençuri, ta kuptojmë qëllimin e
All-llahut xh.sh. prapa kësaj urie dhe etje, dhe ta kuptojmë fshehtësinë e Zotit në agjërim, që ta kryejmë obligimin e agjërimit ashtu si kërkon Zoti prej neve e jo si dëshirojmë ne.
Ne nuk mundemi ta e kuptojmë fshehtësinë e agjërimit, vetëm atëherë kur e kuptojmë fshehtësinë e njeriut.
Kush është njeriu dhe e vërteta e tij? A është ai vetëm ky trup i gjallë, dhe ky grup e gjymtyrëve prej mishit, gjakut, kocit etj.
Nëse është njeriu vetëm ky, atëherë ai është shumë i pavlerë.
Njeriu nuk është vetëm ky trup i dukshëm. Por ai është: “ Shpirti qiellor qëndron në këtë trup tokësor”.
Kjo është e vërteta e ekzistencës së njeriut  në këtë botë.
Mirëpo një numër i njerëzve i kanë lënë pas dore obligimet dhe përgjegjësitë ndaj shpirtrave të tyre dhe i adhurojnë vetëm trupat e tyre.
Vetëm per kënaqësitë e trupit ata punojnë, dhe nxitojnë për ngopjen e tij me instiktet  e kësaj bote, dhe gjithnjë sillen rreth barkut dhe kënaqësive te tjera të trupit.
Njeriu pra është”Shpirt dhe trup”. Për trupin e tij ka obligime dhe kërkesa prej vetë botës së tij tokësore, ashtu edhe për shpirtin ka kërkesa dhe obligime prej vetë botës së tij qiellore.
Andaj duhet të jemi të vetëdijshëm që secilës t’ia japim atë që është e vetja. Kur njeriu e kupton vlerën e tij, dhe e kupton fshehtësinë e Zotit në të , dhe gjykon ana e tij qiellore anën e tij tokësore, atëherë ai mund të arrijë në kategorinë e engjëjve.
Dhe nga kjo  All-llahu xh.sh. obligon agjërimin që të lirohet njeriu nga insikti i tij, të mbizotërojnë në epshet e veta, dhe të ketë nën kontroll gjithë qenien e tij.
Atëherë nuk është për tu habitur që shpirti i agjëruesit të ngritet në vendet më të larta te Zoti, t`i trokasë dyert e qiellit me lutjet e tija dhe ato të hapen. E lut All-llahun dhe All-llahu i përgjigjet atij duke i thënë: Urdhëro o robi im urdhëro, për këtë kuptim Muhamedi a.s. thotë : “ Tre grupeve nuk u kthehen prapë lutjet e tyre: Agjëruesi deri në kohën  e iftarit- udhëheqësi që punon me drejtësi- dhe ankesa e të dëmtuarit”
Pasi që agjërimi e forcon shpirtin e njeriut, ai e forcon edhe trupin e njeriut, sepse shumica e sëmundjeve vijnë nga ushqimi i tepërt.
Mjekësia konstaton se agjërimi është parandalim për shumë sëmundje, por edhe shërues i një sërë sëmundjesh. Me anë të agjërimit bëhet pastrimi më i mirë i organizmit, gjë që në këtë mënyrë arrihet gatishmëria për funksionim të mëtejmë.
Çdo ç’rregullim i lukthit është burim i çdo sëmundje, kurse dieta është ilaçi më i mirë. Këtë e dëshmon edhe fjala e Muhamedit a.s.:’ Barku është shtëpi e sëmundjeve, kurse dieta ilaci kryesorë”
Mjekësia bashkëkohore në vende të ndryshme të botës i ka dhënë rëndësi agjërimit si mjekim, terapi efikase për shumë sëmundje, dhe janë ngritur institucione shëndetësore, ku pacientët shërohen në mënyrë të rregullt dhe me metodën e agjërimit.
Agjërimi gjithashtu përmirëson moralin  te besimtarët, që është cilësi më me vlerë për tanë jetën e tyre. Për këtë Muhamedi a.s thotë:
“ Agjërimi është mbrojtje, dhe nëse dikush është duke agjëruar, mos të përdor fjalë jo të mira, mos të bërtasë, dhe nëse dikush e fyen atë ose e sulmon le të thotë : “Unë jam duke agjëruar”.
Morali është gjëja më e shenjtë me të cilën njeriu  e ruan qenien  e tij, dhe pozitën e tij në shoqëri dhe atdhe. Poeti arab thotë:
‘ me të vërtetë popujt do të jenë( ekzistojnë) deri sa të kenë moralin, e nëse  humb morali i tyre edhe ata do të humbin”.
Gjithashtu edhe Muhamedi a.s. thotë:Qëllimi i dërgimit tim është vazhdimësia e ngritjes së moralit”.
Nëse njeriu pajiset me moral të plotë, atëherë do të jetë në gjendje ti përballojë të gjitha vështirësive, do te pajiset me edukatë, kulturë dhe durim. A nuk është moral dhe durim që agjëruesi sado që të jetë i uritur, dhe e ka ushqimin para vete por nuk e ha, e ka ujin dhe nuk e pi, ka mundësi ta bëjë shumë gjëra tjera, por me durimin që ka, për hir të All-llahut nuk i bën. Me këtë e shohim se ramazani na OBLIGON, që të mësojmë moralin, durimin, kontrollin e vetvetes kur jemi nervozë, përballimin e vështirësive të ndryshme etj.
Kështu ne, nuk do të gjejmë asnjë institucion në botë ku në mënyrë obligative e shtyen njeriun, mësimin e këtyre virtyteve, pa dallim kombi, moshe, rase apo gjinie.
Me anë të agjërimit mësojmë se si ti vlerësojmë të mirat e shumta që na erdhën prej All-llahut, dhe ta falënderojmë për to. Dhe vetëm me agjërim mësojmë hallet e të varfërve e të uriturve. Pse ne kemi dhe jemi ngopur, mendojmë se të gjithë njerëzit kanë, dhe se nuk ka uri askund në botë.
Ne kur kem uri në ramazan, duhet të na shkojë mendja te ta, atëherë zbuten zemrat tona, dhe kemi mëshirë ndaj tyre. Këtu duhet menjëherë të aktivizohemi dhe ti ndihmojmë ata, me lëmosha (sadaka) të ndryshme, që me anë të kësaj  vepre humane të fitojmë te All-llahu xh.sh. vlerën e farzit(adhurimit obligativ). Muhamedi a.s. thotë: ‘ Kush e kryen një punë të mirë në ramazan sikurse kur e kryen një farz jashta tij”.
Në ramazan duhet të punohet dhe të vazhdohet jeta normale, nuk duhet të jetë ramazani shkaktarë që të ndërpritet puna për kafshatën e gojës.
Duhet të punohet sipas mundësisë dhe të kryhen obligimet e Zotit, sepse Zoti na përcjellë në gjithçka që veprojmë, e veçanërisht në ramazan.
All-llahu në Kur’an thot : “ Dhe thuaj punoni, se All-llahu do ta shikoje punën tuaj, edhe i dërguari i tij edhe besimtarët”.
Prej shumë punëve qe i kemi në ramazan është edhe dhënia e vitrave, gjithashtu rekomandohet edhe dhënia e zeqatit në këtë muaj.
Nëse jepet zeqati prej myslimanëve, i cili është kusht i tretë  dhe shumë me rëndësi ne fenë islame, e që luan rol shumë të madh në shoqërinë islame, atëherë kurrë nuk do të ketë varfëri në mesin e myslimanëve.
Shkencëtarët myslimanë thonë: ‘ Namazi e rregullon moralin e individit, kurse zeqati rregullon dhe ngrite shoqërinë. Nëse shikojmë se si kalonin myslimanët e mëparshme muajin e ramazanit, atëherë shohim se historia flet për ta dhe i ngrit në kategorinë e engjëjve. Thuhet për ta se:
Dita e tyre ishte gjallëri, punë e prodhim, kurse nata adhurim, Kur’an dhe vizita në mes veti, ishte muaji në përgjithësi shkencë, adhurim, dhe bamirësi. Gjuhët e tyre agjëronin dhe nuk flisnin fjalë të palejueshme. Veshët e tyre agjëronin dhe nuk dëgjonin rrena përgojime shpifje të ndryshme dhe fjalë të tjera jo të mira. Sytë e tyre agjëronin dhe nuk shikonin ne haram. Duart e tyre agjëronin dhe nuk zgjateshin për te dëmtuar. Mendjet dhe zemrat e tyre agjëronin, dhe as që mendonin për ndonjë gabim apo mëkat. Kështu ishte agjërimi i tyre, ku edhe ne duhet të marrim shembull nga ata, dhe agjërimin tonë ta përngjajmë me agjërimin e tyre.
Ne nuk guxojmë të jemi prej tyre të cilët nuk kanë fituar prej agjërimit, nuk na lejohet ne asnjë mënyrë qe mu në ramazan te na shfaqen probleme të natyrave të ndryshme. Myslimanët e mëparshëm shumicën e betejave i kanë zhvilluar edhe i kanë fituar në ramazan, për shkak se ndihma dhe mëshira e All-llahut në këtë muaj është më afër se kurdoherë.
Kështu që ramazani duhet të jetë shans për çdo besimtarë që të rifillojë një jetë te re, dhe të kthehet nga ajo e cila i bën thirrje All-llahut xh.sh duke i thënë Muhamedit a.s. “ E nëse robërit e mi të pyesin ty për mua, unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi me lutet, pra le të më përgjigjen ata mua dhe le të më besojnë mua.”
Nga  e gjithë kjo që u tha rreth agjërimit të ramazanit. Ne, atë duhet ta kuptojmë para se gjithash, një ibadet ndaj All-llahut xh.sh. sepse All-llahu urdhëron, dhe ne duhet t`i nënshtrohemi çdo urdhri që vjen prej Zotit, gjithashtu duhet të jemi ata  të cilën e kanë në kontroll këtë jetë, dhe ta e kuptojmë, se jeta e kësaj bote është një përgatitje dhe një urë që të shpien për ne botën tjetër.
Sa më tepër që veprojmë pozitivisht në këtë botë aq më tepër i kemi përgatitur vetes siguri dhe kënaqësi me shpërblimet e Zotit.
E lusim All-llahun fuqi-plotë që të na udhëzojë në çdo vepër të mirë, të na ndihmojë, dhe të na shpërblejë në ahiret me shpërblimet  e tija më të çmueshme…
   
VELHAMDULIL-LAHI RAB-BIL-ALEMIN
 
 
Mr. Ragmi Destani