SHPËRNDAJE

Wayne Rooney ka bërë shaka duke thënë se do të ishte “mirë” nëse sezoni i Ligës Premier do të anulohej dhe Liverpooli nuk do të shpallej kampion.

Reds kryesojnë kampionatin me një diferencë prej 25 pikëve ndaj Manchester Cityt përpara se liga të pezullohej për shkak të shpërthimit të coronavirusit.

Liverpoolit i duhen vetëm dy fitore të tjera për të siguruar titullin e parë të ligës në 30 vitet e fundit, me futbollin anglez aktualisht të pezulluar deri më 30 prill.

Rooney, i cili luajti për rivalët e Liverpoolit, Evertonin dhe Manchester Unitedin, beson se Reds do të fitojnë titullin e ligës këtë sezon.

Por, anglezi nuk ka ngurruar të bëjë shaka në kurriz të Liverpoolit duke thënë se do të ishte mirë që sezoni i Ligës Premier të anulohej.

“Liverpooli do të fitojë Ligën Premier”, ka thënë fillimisht Rooney për The Sunday Times.

“Por, siç mund ta imagjinoni, unë kam tifozët e Evertonit që më telefonojnë duke thënë: ‘Sezoni duhet të anulohet!’”

“Dhe, natyrisht, si një “Evertonian” dhe dikush që luajti për Manchester Unitedin për 13 vjet, ka pak në mua që mendon se do të ishte mirë të anulohet…”.

“Por jo. Liverpooli ka qenë fantastik. Ata kanë bërë shumë punë. Ata e meritojnë këtë titull”, përfundoi anglezi.