SHPËRNDAJE

 
Une, Mina e Shabanit Sulës, nuk e di se kur jom lejtë dhe sa vjet i kom mbushë, se n’ atë vakt s’ ka pasë shkolla. Shiqir Zotit, ato qi kanë ndodhë, prej se ka hi Sërpi i Parë, i mbaj mend dhe – bon vaki – s’ kom m’ i harru teri sa ta ndoj kriet në gropë të vorrit. Ҫeshti qi m’ ka dekë burri, po duhet me shtrëngu zemrën e me kallxu drejt, se nona – edhe niçind vjet me ërrnu – ajo duhet m’ i msu thmijët për të mirë. Po kani herë s’ paska hyqëm, se hajduti – si shkoj a nuk shkoj në shkollë – nuk po lipka veçse plaçkë. Ҫashtu po më vjedh edhe evlati jem.
Ai rahmetlia, burri, vdiç po e ka lonë ni shpi, e ka lonë ni oborr, e ka lonë ni bahçe dhe e ka lonë ni varrë qi s’ ka mu m´u mshelë edhe niçind e pesëdhet vjet. Po du me kajtë, po sytë nuk po më kanë lotë. Po bohen çe katërmbdhet vjet që m’ ka dalë ni kancer në fyt e s’ po mujtna me nxerrë përjashta, se evlati më ka qillu tutkun, më ka qillu xinxar, dhe ajo që po bon shka po do në shpijën teme oshtë – delihojka e Bishbishëve. Kështu konka kur plakesh dhe as evlati s’ ta zgatë dorën. Kshtu konka kur çikat i ke përcjellë n’ dier të hallkit, ni gjal e ke karshi shpis dhe di qerë në fund të dynjasë… Njoni n’ Suedi, qetri n’ Gjermani… Fol sa të dush, se secillën mollë, secillën dardhë, secillën arrë, secilën mushmullë që e ke mbjellë me durt e tua, ta hanë thitë e Radoshit. Kush ju ka dhonë izë? Kurkush, veçse gjali jem. Ajo po fol me izën e gjalit tem. Natën – ajo pi jep izë atina. Ditën – ai pi jep izë asaj. Kshtu osht në ket dynja: kush e ka krahin të gatë, ai ha petlla. Kush e ka krahin të shkurt, i lipin gishtat.

2. Oborri i shpijës

Atë muj që më hipën në kerr, u konë verë, se e mbaj mend që aksham për aksham e shkundshim mondat. Ajo rahmetlika, vjehrra jeme, e kish çu Nonën e Gjalit dhe njo di tri gra qera, po ato as knojshin si knojnë krushkat, as i bishin dahirës. E pitën ka ni kafe n’ oborr dhe, masi morën izë pi babës Shaban, më hipën n’ atë viron kerri e u nisën drejt Lluçanit. Më hipi nifar vaji e s’ dishna qish mi ndalë lotët, se e lash babën, e lash nonën, i lash motrat, e lash Tërrnocin, po s’ ishna pishmon qi kisha hipë në kerr. Une i pata mbushë tridhetë e sa vjet dhe xhindja nuk um lipshin… Tona, kuna i shkojke ndër mend m’ u martu n’ atë vakt?.. Krali e pat mbushë vendin me shkije dhe na pat ndu zorin me dalë në Turki.
Bash çat ditë, tuj shku në Preshevë, mora vesh se ata të agës Kadri ishin konë tuj e shitë shpijën e me dalë në Turki. Edhe ata të agës Durak. Edhe ata të agës Isa. Edhe ata të agës Imer. Po une nuk e njifshna asnjonin… Veç i ngojsha gratë kah folin… Nuk e njifshna as Fazlijën, burrin tem, jo mo kojshitë që i kishte okolla, ama u pata bo ikail me e marë, se thojshin osht fillikati vet dhe nuk ka as vlla, as motër. Mirë e kishke Nena Plakë. I keç i mirë, çat rrësk ma kish pasë dajtë Zoti. Po edhe mu, si grave qera, më pat hi tuta se do t’ ma marrin asker. Krejt thojshin që po vjen Gjermani. Aman, veç Bugari mos të mos vinte, se Gjermanin e kallxojshin të mirë.
Ҫashtu shkova në Preshevë.
Ai oborri Plakit tem – sa ”igralishta”. Veç ni arrë – kah aga Idriz, ni mond i bardhë, i trashë, edhe ni dardhë turke. Ukubet e trashë. Ama knejna kah aga Malë – çelovë e madhe. Se atherë s’ e kena pasë kojshi agën Durak, po agën Malë. Dani u konë në Prishtinë kur e kena ble bahçën e agës Malë. Ai oborri i shpijës ”igralishtë”, po pa asni spec, asni patlixhan, asni kepë s’ e shifshe as për ilaç.
Njo dy tri ditë s’ e mërzita Abën, se ishna e re dhe u dashke me pjekë kafe, me gatu jemek, me fshi oborrin, po kur kapërcej ajo ollovina e madhe, i pveta vjehrrën – oj nonë, çish e kini lonë gjithë ket oborr pa mjellë? Ju ujë paski, vend paski, vada po ju kapërceka napër oborr. Pse s’ kini mbjellë dishka?
” Une jom plakë,” tha Aba. ” Si të dush me mbjellë e me prashitë, vend ki sa të dush. Rixhanë ta kam mos um pvet mue, po pvete burrin tond, se me ato ki hi në dyshek. Po mos harro se ai s’ ka vakt me të nxhitë dorën. Shumë frik ka me ju ërrxu shpija. Për çato ka zonë punë e po mledh pare. Mos me konë ajo ”pllata” e tij, të dyja kishmi cofë për bukë…”
Une u habita pak. Me pasë njeri gjithatë oborr e me ble speca, patlixhana, bathë, krastaveca e arashka, s’ kishna pa veçse te burri jem. Ai duvari i agës Idriz, po, s’ u konë i naltë. – Ma vonë marun qerpiç edhe e çunë përpjetë. Po, pasha Zotin. Ҫati e kish pasë mledhë Fazlia ni truç me gurë, se ajo shpija moçme, ku shkova nuse, kish nisë me u ërrxu. N’ dash zini besë, n’ dash mos zini, po n’ oborrin tonë rreziteshin xharpnit, se kurkush s’ kapërcejke atipari. Se mo kodra – ajo kish pasë mbetë shkret… Kurxho s’ ka pasë, veçse njo tri vojsa dhe nja tri katër arra që ishin te Qoshi agës Durak…
Plaki s’ ma prishi qefin.Ai bile, kur nditi qi dojshna me e mbush shpijën me arra e qurshia e mushmulla e ftonj, u gzu shumë. Ai e ka pasë dorën e lehtë dhe dike me shartu… Nuk e di ku kish pasë msu, po shka prekëke me dorë, i zike dhe shkojke përpjetë, kah Zoti. Se na jena poshtë, Allahi osht nalt…
“ Ani” tha. “ Ditën jom në manapoll, po n’ aksham, kur të kthehna pi punës, do t’ ja nisi me shkulë murriza. Ti, mos prito me m’ i çelë gropat, murrizat i mbjell vet, dhe nëmot, kur të nxerrin filiza, i shartoj. Ni herë do të mbjellim murriza, tovona qurshia, tovona ftoj, dardha, molla, arra edhe vojsa…Shka të na vijë për dore…”
Ҫeshtu e nisëm. Majspari e prishëm atë shpijën e madhe…Tovona shkoi dhe vdiç Aba, vjehrra jeme… Tovona u dasht me nisë shpijën e vogël, ato ku jon rritë evlatët e mi.. Teri sa hini Bugari hiç s’ e kena ndalë punën… Krejt gropat që jonë çelë pi Pusit të agës Can e teri te Udha e Norçës i ka çelë çekjo Mina e Shabanit të Sulës… Të dytë kena punu si xho, ama për kond? Për të bijën e Bishbishit, që erdh e i xhet gati dhe po më shitet gazdaricë n’ oborrin tem.
Une shtatë thmi i kom pjellë në atë oborr. Jo mrenda në shpi, se m’ ka ardhë marre pi thmive, po kom shku te vada dhe agje i kom lejtë edhe çikat, edhe gjemt. Kurrë s’ e kom thirrë ni gru me më ndihmu… Jo, vetë i kom lejtë, vet jav kom pre kërthizat, dhe vetë i kom veshë… Di pi gjemve të mi, Rexhepi edhe Jakupi, m’ ikën herët, po qert i kom xhallë dhe, shiqir Zotit, shnosh e mirë… Do jonë në Jugosllavi, do në gurbet…E kur vjen e bija e Qorr Bishbishit, që kurrë s’ ka hipë as teri te Vojsa e Tharrtë, dhe më kallxon që çika jeme duhet me ardhë vet, pa ata ”ploncat” e saj, mue më vjen me thirrë me t’ madhe:
” O, i Madhi Zot! A ki si me pa?Sa murriza, sa vojsa e sa hardhi i ka mbjellë kjo lingurka e gjalit tem, që ma ka bo oborrin pazhik me ato motrat e veta? Vinë ato e rrinë ditë për ditë, ama nipat e mi – dhe mbesat e mia – që s’ janë ma larg se n’ Miratoc, s’ guxojnë me hi në oborrin e gjyshës vet?”

3. Mallkimi

Une i kom pasë di vllazën, po ma shumë e kom dashtë atë voglin, Lazin. Lazi u konë i xhymert, i dashëm dhe zevzek i madh. Na dhe shumë veta – dhet frimë me Nenën Plakë. Shtojav ata të Axhit – e i kapërcejshim nizet veta. Se axhi e pat vrajtë Idrizin, ni ”posllajnik”, dhe baba Shaban u dashke m’i mbajtë di familje.
Ni ditë, nuk e di vaktin taman, Lazi ish rreh me Meleken, kusherinën teme. N’ atë vakt Zihra ishke e vogël dhe nona e ksih nxerrë shkallët. Ata po desh po coptohen me njoni qetrin… Bjer Lazi, bjer Meleki… Ajo me grushta, ai me shkelma… A po mbytën? Po mbytën… E mos ta shkelin Zihrën e desh e mbitin në vend… Tuj u rreh me njoni qetrin… E të stërkuqet çika, të saritohet e të kapërcehet… A vdiç? Vdiç… E t’ i hip Abës ni vner i madh dhe e nemë Lazin me kujë. Pi së keçi ama. Jo me zemër…
“ He, bre gjal,” thot nona. “ Shkofsh agje ku thejnë çafën dhe kriet mos e prufsh!”
Dikur i kapërcen Zihrës, po nema jet. Ҫashtu ndodhka kur të nem baba ose nona.
Hajt, hajt, e Lazi shkon asker. Këta të ritë p’ i thojnë ushtar, po te na i thojshmi asker. Lazi kish shku vet, dobrovolno, pa e thirrë kurkush, se dhe baba Shaban u tutke qi do ta vrasin ata të Idrizit të Strukarve.
Shkon, pra, Lazi asker dhe ata e caktojnë në ”konjicë”. Ҫashtu pi thojshin shkijet suvarijës.
Kur shkon Lazi në shtallë me e marë kalin, se u dashke me e krehë, me ushqy e me e hipë, i thotë ai askei qetër, qi e kish pasë teri n’ atë ditë:
“ Lazi! Hapi sitë me ket kalë, se ka huje. N’ dash me kapërci mirë, para se t’ i japish me hongër, duhesh ta rrehish ka pak. Ndrishe, ka me t’ mbitë me komë të para.”
Edhe Lazi çashtu ja bon. E mer tërkuzën dhe e rreh kalin mirë e mirë, tovona i jep taxhi. Ama dikush e kish pa, bebzbeli ndoni oficer, dhe e mer Lazin në barakë. Pe pvetë Lazin – për shka e rrehe kalin? – Po çashtu më tha qetri. – Ashtu a? Po ti çysh të vjen kur ta mshoj une?
E t’ ja lidhë Lazit njo tri katër shuplaka dhe e përze përjashta. Përjashta – natë, vend i huj, kurse ki sersem i madh. Au, për shka me m’ ra Shkavi shuplakë?S’ i bona kurxho. E Lazi, pi sëkëlldijës shtrihet në krevet, po veshi po do me mbitë. Ou, kuku veshi! Ou, kuku veshi.Ou, kuku veshi. Veshi po do me mbitë… E çohet natën e shkon te doktori… E kshir doktori dhe i thot se ni koc ju kallë. – Ama t’ kapërcen, i thot. – Shko në barakë dhe pusho teri nesër. Tovona, si mos të ndalet, hajde prapë.”
Shkon Lazi me pushu, po dhimta s’ pe lishon. Veshi po do me mbitë. Del pi barakës, ama çeshti për me xhetë atë Shkavin qi e kishte goditë me shuplaka. Ai ndashta ishte mbushë në Shkavin e s’ mujke m’ u bo rahat. Po shkijet e kishin diktu dhe e kishin lidhë me rripa.Ҫashtu e kishin mbajtë teri n’ sabah, kur e marin edhe e çojnë te doktori.
Ti s’ e ki pa dajën Lazi.Ai krejt atë kocin e veshit e ka gropë. Ja kan pre ashtin dhe ja kanë dlirë. – Kur um lidhën me rripa e nisën me ma pre kocin e veshit,” kallxojke daja Lazi, “ më ranë ndër mend fjalt e Nonës… Shkofsh asker e krijet mos e prufsh… N’ atë sahat m’ u soll Spitali dhe thash – maroj puna jeme.”
Po s’ maroj puna tij, se shkiet ja kepin veshin dhe e lishojnë silah. Mue, po, sa më kish dekë gjali… Rexhepi… Shumë u mërzitshna… Gjithë ditën kajsha…
Se kush ish konë në Tërrnoc dhe ju kish kallxu atine të mive: edhe ata, hala pa kapërci java, erdhën me më marë. Ta kam kallxu atë mesele. Ti i ke pasë dajallarë, po bërlloga jonë konë.
Nejse… Ndejta sa ndejta dhe po pres qi po më përcellin te shpija. Mesele, ata m’ kishin marë dhe ata duheshin me më kthie.Ama ata s’ po livritin. Jo, jo. Ai i madhi, Ademi, kish shku e ma kish xhetë ni plak dhe po do me më dajtë… Me më martu… Ai burri ish konë pi Strezofcit dhe i kish pasë pesë thmi… Une dhe s’ ja dishna menden, po më kallxoj aga Isuf – rahmet i pastë shpirti.
“ Hapi sitë, Mino, se vllavi jot po do me të martu,” tha.
“ Kuku, e mjera. Po une e martume jom,” i thash.
” Ani qish po thu? A po do me ngu Ademin a po do me shku te burri?” më tha.
“ Po pse po vetë, o aga Isuf,” i thash. “Une s’ jom kuçkë m’ i ndërru burrat për vjet. I keç, i mirë, e kom ni burrë. Pse m’i rujtë ploncat e botës, kur mujtna mi rujt të mit?”
Kish shku aga Isuf e i kish kallxu babës Shaban. Baba jem u konë i ndershëm. Hiç s’ i dojke prroçkat.
” Si t’ jesh çika jeme, shkon në Preshevë,” tha. ” I kom çu fjalë burrit me ardhë me t’ marë.”
Nime, njo shtatë ditë ma vonë erdh Faza dhe unë u bona gati me dalë në Bijanoc. Kurkush nuk dul me më përcjellë. Baba, po, pat shku në Vrajë me pa axhin. Po pse s’ bonën kabull as teri te dera? Qe po të kallxoj… Se s’ deshta m’ u da pi burrit… Ҫasi ftire kanë pasë… Tona s’ erdhën njo ni motmot, kurse Aba, sa herë qi e zatetke ndoni gru, ma niske ka ni selam. – Ani, ani, thojke. Ka m’ i ra pishmon, po do jet vonë.
Shiqir Zotit, nuk i rash, se më lejti ni qetër gjalë. Mas atina, i bona edhe di binakë. Limonin dhe Lemanën. Mas binakëve e bona edhe ni çikë… Masandej i bona edhe di gjem… Dhe çashtu lishova rrojë në Preshevë.
Po du me thonë se rrëski grues osht sa lejthia. A u dajte pi burrit, s’ kishe ku me thi çafën, veçse te ndoni plak. Ҫajo punë i dha tërkuzë burrit tem me më rrehë – e me më shajtë – sa herë qi gabojsha dishka. Rashë në hyqmin e tij. Tu e pa që ata nuk um shkelshin në derë, Fazlia mujke me më mbitë dhe kush mos me marë vesh shka ka ndodhë. Ai edhe ja nisi me më rrehë.
Kanë papërci tridhet e kusur vjet, ama shiptart hala pi shesin e pi blejnë gratë.Ҫeshti edhe ma bet. Qera herë dini u konë ma i fortë. Kush ka pasë, e ka përcjellë çikën me çeiz. Kush s’ ka pasë, e ka përcjellë çish ka mujtë. Ҫeshti punët po bohen me pare. Msiti po do çekaç… Baba i çikës çekaç…si t’ japësh çekaç, bohet puna.Jo, jo, the çafën, ku je nisë. Eh, tre miljon, katër miljon, pesë miljon po bon çika. Edhe gratë e veja pi shesin, qorrkat, topallicat… Taman çish po thotë mixha Ramë… Tibe istikfarë! A shitet evladi, o gjalë? A hahet parja evladit? Dikur xhindja jonë konë edepsëza, rezila, zemërkatranë, se kanë vra, ama pare s’ kanë hongër për evlatët e vet.

4. Shtëpia e vjetër

Ajo shpija e madhe, përskej plemes agës Zekë, ish konë e Doshlakëve. Ato e kish pasë ble Osman Kurti hala pa ardhë në Bilaç, se ish konë i martum me ni preshevalikë. Nuk e di taman pi kujna, po e kish ble krejt trullin, shpi e kodër bashkë. Shka mer pi Pusit agës Can e teri te Udha e Norçës.
Ajo viron shpie u konë e madhe, ka pasë ni kerr me oda, po s’ u konë shumë e fortë. Ma shumë dru e lloç se gurë… Kur ja nisëm me prishë, shka s’ xhojshim mrenda… Bezbeli, ustallart s’ kanë ditë si sot, se shpesh e kom pvetë veten – çish i ka majtë gjithë ato oda pa gurë e pa çiment?! Ajo shpi u konë te vada, ngat “arrës agës Mal”. Aba, nona e Plakit, thojke se Osmani ish konë në xhak dhe, për mi pshtu të keçës, kish lipë me pru në Preshevë. Grujën, ama, e kish pasë pi agjehit dhe ata ishin konë familje e mirë. Ma vonë, ajo gruja des dhe Osman Kurti e mer ni çikë pi Hogoshtit. Ai kish pasë shumë jarani me nifar Sali Hogoshtin dhe kur vjen vakti me e martu Dalijën, gjalin e ditë, e marton me motrën e Salihit. Ato di gra, pra, hallë e mbesë, e kanë rritë Fazën, kur kish mbetë pa babë… Une s’ jom konë në Hogosht, po kom ndi qi osht katund i madh… Edhe Dalia, vllavi Rexhepit, ish pasë mbajtë me karadaklinjtë…
Njo katër pesë vjet ma vonë në shpijën e Osman Kurtit kish ardhë edhe axha Jakup, vllavi Osmanit. Ai ja kish pasë nisë me bajtë gurë me maru ni shpi, po nuk ish konë e shkrume me e gëzu. Ai kish dekë i ri dhe e kish lonë ni çikë. Zimkën…

5. Sërpi i Parë

Une jom konë gjasht a shtat vjet kur hini Serpi i Parë. Edhe sot i mbaj mendet kerrat, i mbaj mend loptë qi i patën lidhë hallki mas kerrave, edhe krejt atë virone udhë qi e bonëm teri në Selanik. Po badihava që shkum, se s’ ish konë e shkrume me dalë në Turki.Ҫashtu çish u nisëm, çashtu edhe u kthimë. Ma e keçja ish se krejt ai milet u dashke me ngjekë xhaden edhe me jav lishu udhën askerëve. Asker, asker, asker sa të dush… Do napër kerra… Do me kuval… Do në komë… E kur na shifshin që jo afrohmi, ata u ndalshin ne vend dhe, masi i shparthakojshin pantollet, na kallxojshin atë sendin qi e kanë burrat dhe vikatshin tri herë: Duhaaa… Duhaaa… Duhaaaa… Ku e dishim na, shka ishte ai llaf…
Ka ni herë e nxirrshin ndoni gjal të ri po rendit, ndoni burrë plak apo ndoni gru dhe “taaak” e vrajshin në vend. Pa ju bo kurxho. Veç pse ishke shiptarë edhe myslimanë…
Ҫat udhë e ka bo edhe Aba, nona Plakit tem. Ni herë ishin ndalë në Shkup, po kur çohen turçelit e nisen për Selanik, edhe këta ju shkojnë mas. Vjehrra ish konë me do të vetët, me nifar Ahmet Gjonin e Kadri Gollomehin… Kish pas kujtu që Rexhepi i Osmon Kurtit ka dalë në Turkije. Pritke ajo në Selanik e burri në Preshevë. Mshehu këtu, mshehu agje dhe ni ditë kthen te Uroshi, ni shka, edhe e pvet – o Urosh, çish pi thu ksaj pune? Uroshi i kish thonë “rri”, po Rexhepi ish konë i knushëm dhe nuk i kish zonë besë Shkavit.
Ma vonë ai edhe ja çon vesikat, po Aba nuk livrit pi Preshevës. Tuj ardhë udhës i kish dekë Sanija, në Preshevë i des edhe Yzehiri. Ajo zare u konë pak delihojkë, se gruja hajrit s’ bonë ashtu. Ni herë kish provu me marë kunatin, por kur ja kallxon Dalija vendin, ajo – kodrës përpjetë – e shkon në Norçë. Agje dhe ish konë daja Isuf. Daja Isuf ja jep do shuplaka dhe e nis në Preshevë, po ajo s’ po guxon me shku te shpija po kish ndejtë te aba Hatixhe… Teri sa Dalia, kunati saj, bohet zaptie dhe shkon në Gosponicë. Ata dhe të kqi, gosponicalitë. Niherë ja kishin mledhë betë dhe, kur e çesin Dalijën me rujt diku, i dalin në pritë dhe e mbitin në qytek. E vjen Dalia në Preshevë, ërrnon njo tri katër ditë dhe vdes nga xhaki qi i kish ra në zemër…
Kur ndinë Aba qi ka dekë, kërrrrk, vjen e rraset në shpinë e burrit. E çaty jet teri sa erdha une.
Për çato më vike inati, se kur zunën thmia m’ u rritë, Fazës s’ i bike ndër mend sha ka hekë vetë, si jetim, pa na rrihke si xhotë. Se të kom kallxu. Daja Isuf ish konë kaçak… Ni herë, kur shkon milicia me hallakatë, atina ja kallin shpijën. Gruja, po, për mos me ju gjegë evlatët, turret përjashta, po ata – taaaak – i rrinë pi s’ largu dhe e vrasin në vend. E daja Nezir e teta Sabile jonë motër e vëlla. Ata ishin rritë çashtu, herë te daja Rexhep, Rexhep Norça, herë te na…
Na, pra, u kthimë në Tërrnoc. Ҫeshti krejt shkijet u bonën “dërzhavë” dhe na morën tokat qi i kishmi në Llapardinë, Turi, Bijanovc edhe Lluçan.
Bijanovci u mush me shkie… Krejt imri jonë u bo duhon… Pi pranverës e teri në dimën. Kush nuk millke duhon u dashke me hecë pa kundra. Krejt shka na u dashke për xhallnim u dashke me ble në dyqan.. Bukë jo, veçse kripë, shiqer, kafe, këmisha, kundra, gjithëshka. Dinari, ama, ishke i fortë. Ni dinarë – ni kille kripë. Ni dinar – ni kille shiqer.
Pak para se me hi Gjermani, e mlumë shpijën e vogël. Plaki dojke me bo ni shpi të madhe, se kishmi gurë, kishmi direkë, kishmni zallë, po si për bela, dërzhava i thirri burrat në “vezhbë” edhe xhimsën e tranave, dërrasave e qeremideve m’ i vodhën hallki. Vjehrra pat dekë, kurse une ishna nuse dhe s’ guxojshna me dalë përjashta. Shiqir Zotit, ustallart ishin xhind të mirë, se i çelën temelet, e marunë shpijën – pak me gurë e pak me qerpiç – dhe e mlunë me qeremide. Punojshin kadalë – kadalë, si mi pas thirrë angari, se e dishin qi Jugosllavia do të prishet. Për ni bukë të furrës u dashëke ni grusht me pare.
Nejse, kur hini Gjermani, na ishmi si qyqet. Krejt kodrën e patëm mjellë me molla, dardha, murriza, ftoj, qurshia dhe hardhi të rrushit. Ndoni bereqet s’ e patëm pa, po e mbajshim veten me ymyt.. Une ishna me bark, Plaki pa punë. Lufta pat krisë dhe kurkush s’ e dike shka do të bohet me neve.
Gjermani e prishi Jugosllavijën, po s’ ndejti as ni javë në Preshevë. I la njo katër asker dhe u turr kah Makidonija, ama na mbetëm ndër Bugarin. Ҫeshti s’ po më kujtohet mirë – se kush dreqin nuk vike në Preshevë – ama krejt përplaseshin te ajo virone villë, Villa Letafet, dhe burrat patën ra në hall. Keq me ndejtë te shpija, keq mos me ndejtë, se bugart mujshin me na bo rezil. Bugart jonë ma edepsëza se shkiet.
Ata ndejtën di tri vjet… Bugartë… Verë për verë, kur vishin të korrat, ata i mlidhshin gjemt dhe i çojshin në Bugari me korrë, me fshi e me mledhë drandafilla. Ama s’ i pagujshin, po i mbajshin angari. Edhe Gjermani – i çuditshëm. Tu konë çaç i fortë, s’ na mbajti vet po na la në hyqmin e bugarve. Krejt shka mer pi Vrajës e teri në Shkup, e mur Bugari…
Kosova u bo Shipni. Ajo vike teri në Kurbali, Maltërrnoc, Rogoçicë e Gjillan. Ҫeshti s’ muj me ditë, se krejt punt patën ra përmi mu, po e di se Bugari pat hi në Vrajë, Bijanovc, Preshevë, Kumanovë edhe Shkup. Po xhindja dilshin, shkojshin napër mal, napër mal, napër mal – i hishin në Shipni.Agje blejshin tesha, duhon, alltija, fishekë, akllëk, zhivë, kundra edhe shporeta.Bojshin shpekullaci.Ademi, vllavi jem, fitojke ma së shumti. Ai mirke pare uha pi agës Ibrahim, Ibrahim Topallit, blejke mall dhe e shitke në Bijanovc, Preshevë, Komanovë… Shkojke edhe teri në Shkup…

6. Ikni, se po vinë shkiet

Aba Licë, rahmet i pastë shpirti, thojke – dushmoni na ka ardhë gjithmonë kah Udha e Frengit. Edhe nimend çashtu u konë. Kah Udha e Frengit na ka ardhë Gjermani… Kah Udha e Frengit na ka ardhën Bugari… Kah Udha e Frengit na erdhën edhe partizant… Mirë, ama, partizant jonë konë dy çeshit. Ka pasë partizanë qi jonë konë shkie të përzimë me shiptarë dhe ka pasë partizanë qi jonë konë bugarë të përzimë me makidonë të Bugarisë.
Une, me jav kallxu serin, s’ e mbaj mend cillët ishin shkie e cillët ishin bugarë. Ni herë desh na faroj Jagoshi. Ai u konë shka po punojke për bugartë. Se kush ja kish shti ndër mend me na sakatu dhe ai, me njo nizet e sa shokë, e kish rrethu Xhamijën e Poshtme, dhe kur kishin hi burrat m’ i falë taravijat, i fërfllojnë nja katër pesë bumba në midis të xhematit, nuk e di. Po e di që njo katër pesë vetë i kishin mbitë në vend – e njo tetëmdhetë i kishin lonë sakat. Au, kush e boni, au pse e boni, dhe teri sa e morën vesh shiptart, Jagoshi kish dalë në Pçinjë. Ama çashtu ishin vaktet dhe çeni s’ e njifke të zotin. Secilli njeri qi e kishke ni pushkë mujke me te vra. Taaaak – dhe udhambarë! Për çato u morën vesh xhindja me rujtë natën dhe kur ta shofin ndoni të huj, meniherë me hipë në xhami e mi kallxu miletit.
Ni ditë u hap xhevapi se po vinë partizant e Bugarisë. Ata kishin mbrri te Gerajt dhe shiptart, ku ishin e ku s’ ishin, duheshin mi marë malet. Po ku t’ ikim se?Kurkush s’ e dike.Tovona, s’ kishin xhindja sebep me ikë, se kurkond s’ e kishin vra apo pre me thikë.Une, pra, e kishna Danin të vogël dhe u pata mërzitë me t’ikme.Sa herë qi vijke ni shka në Preshevë, m’u dashke me ikë kodrës përpjetë e m’ u mshehë te Qoshi agës Durak. Kur… Pa prit e pa kujtu, vjen Faza e më thot:
“ Mino, nxiri plaçkat dhe shtroj dyshektë, se kena mysafir.”
“ Kush mysafir, more, qyqe t’ pafsha? Kond e ka lonë mendja me na zonë derën?”
“ Robt e agës Halil dhe agës Hysi,” tha ai.
“ Po shka po lipin, more, te na? Pse bash te na që e kena shpijën të vogël? Pse s’ i çove te ata t’ agës Kadri apo agës Selim?”
“ Se e kena kodrën ma ngat,” tha Plaki. “ Kishin ndi që bugart jonë tuj ardhë, po kurkush s’ osht tu ditë kah dojnë me shku. Kta të Halil Agës e kanë shpijën në shehër e, me ju tekë bugarëve, i bojnë rezil. Sonte do t’ rrinë te na. Na po ngjitemi te qoshi agës Durak e do të mbajmë vesh, ju flini ktu poshtë. Me na ra në sy dishka, vimë e ju marim.”
Nimend, hala pa ra terri, mrrinën… Aba Shukrije, çikat e agës Halil, çikat e agës Hysi edhe di çika të agës Abdulla. Hinën ato në sobën e madhe, i shtrunë dishekat e po dojnë me ra. Une e mora Danin, se e kishna të vogël, e hina në sobën e vogël… Ni Zot e di sa u bonëm… Aba Shukrije, gruja Halil Agës, gruja Talatit të agës Hysi – atherë Talati sa u pat martu – Zehra, Zeqaveti… Po qi po dojnë m’ u shtri – mazalla. Hajde edhe ti. Jooo, nuk të lona vetëm… Ti me fletë vetëm e me u tutë e na me bo kokrrën e xhumit, ajo s’ bohet. – Jo, Shukrije Hanëm, une s’ kom frikë. Vallahi jo… Bilahi… Shpija osht plot me xhind… Pse m’ u tutë… – Jo, jo, jo. Ҫati ngat neve ki me me fletë…
E ramë na me fletë, se burrat ikën në kodër. U shtri edhe Talati me neve.E kto kurrë s’ e harroj… Nusja Talatit ja nisi me kajtë… Aj… aj… aj… aj… Po pse? Ish konë përla me Talatin… Po pse?Se s’ e kishin marë edhe nonën e saj. Vijnë shkijet e ma mbytin nonën… Ai – bebzbeli i ka thonë që s’ ka mujtë, po ajo s’ dike mu ndalë… Kur na doli gjumi në sabah, aba Shukrie po më pvetë – A, gjelin, a e ndite kur kajke nusja Talatit? – Po, ori abë, i thash. – Eh, i kish thonë Talatit me shku me marë edhe nonën e saj, po ai s’ dojke. Për çato ishin zonë me njoni qetrin…
Une u çudita. – Po pse, ori Aba Shukrie, nuk shkoi me marë? Ku ndejtëm na, rrike edhe ajo. – Jo, ati i vike marre. Talati osht alltën. Krejt ata të Hysen agës janë alltëna. Talati, Iba, Esati…
Ҫashtu i kapërcimë ato tri katër netë. Tovona shkun, se brigada e bugarve kish laku kah Bijanovci, kurse n’ Preshevë erdhën nja katër gjermanë. Kurrë s’ e harroj atë ditë, se erdh Ilka dhe i tha Shukrie abës – ane, ane, almanlar gelmish… Bize atash gidelim… None, erdhën gjermant… hajde shkojmë te shpia…
Nime, ata erdhën po s’ ndejtën shumë. Gjermani e kish pasë hupë luftën. Sa pat hi pranvera dhe menxi pritshim me ardhë Shin Gjergji. Kur vjen Shin Gjergji, mali vishet si për darsëm. Ҫat here gjemt shkojshin te mullini Maksutit dhe mbushnin ujë të rrota e mullinit. Tovona, masi e mbushnin ka ni ibrik, prejshin shelgje dhe shkulshin kungi të egër… Se aj uji që e sillshin pi mullinit dhe kungit përziheshin në kusi të madhe. Të nesërmen, hala pa dalë dilli, krejt gjemt laheshin dhe nxhiteshin te shpella e Rrethit… Ashtu u konë adeti… Verë për vere me u nxhitë te Shpella e Rrethit dhe me e kapërci napër ni vrimë të ngushtë… Krejt ata që mujshin me kapëri vrimën, nuk ligeshin verës.
Ҫashtu thojke aba Fetë, nona Refikit, po ndashta s’ u konë përnimend.

7. Pjella ime

Ni herë, kur erdhi pi Prishtinës në Preshevë, Dani më tha se – paska lejtë në vjeshtë, edhe ato, çatherë kur mlidhen mushmullat. Ai osht jangllësh, se unë e kom bo Danin, jo Dani mue. Ai ka lejtë tri javë para Shin Gjergjit. Edhe binakt, Hasani dhe Halimja, kanë lejtë para Shin Gjergjit. Halisja, ama, ka lejtë në verë… Edhe Asllani… Ai, rahmetlia, Jakupi, ka lejtë në dimën. Pak para se m’ u pjekë vojsat.
Sa ishke i ri, Plaki s’ u konë i praptë. Mue më vike shumë gjunah për to. Me thonë qi kishke motër, jo; vëllazni, jo; kusheri jo. Edhe me çat çikë të mixhës, që e kishte në Bushtran, nuk kishke të hime e të dalme. Taman puna me u mërzitë edhe me mue, qi ja majsha shpijën dhe ja kshirsha kodrën.
Ai shkojke në Manapoll, po as une s’ rrishna badihave.Se ishke dita e gatë, pi sabahit e teri n’ aksham, une me tarnakop e hashov në dorë. Atë dakikë qi e piqsha bukën, kap hashovin dilshna në kodër. Ma vonë, kur e mbollëm kodrën, ditë për ditë i prashitsha mushmullat dhe i shkulsha barishtat.
Po s’ shkoj shumë dhe ai ja nisi m’ u rrebavë. Sa e kishmi veç ni thmi, ai s’ kishke vakt me ndejtë te shpija. Ni herë lufta, mas luftës fukarallëki, mas fukarallëkit otkupi, mas otkupit papunsia. Po kapërcejshmi…
Dani u konë i urtë dhe s’ u ngucke. Po kur lejtën binaktë dhe ja nisën mu rritë, Plakit i plasi livorja. S’ ishin veçse thmia, se thmia jonë thmi, po edhe zullumi.Ditë për ditë kapercejke Anta toboshari dhe kallxojke sha duhet me bo. Mos i çoni thmijën te aba Habibe!.. Mos ndoni peçe!.. Mos vishni hirama!.. Mos mbani dhi! Mos mlidhni miell!..Rendi i jasakllëkit shkojke teri te Rasadniki.
Mirë ama, lufta u bitis dhe shkollat u çelën. Dani shkojke çagje te Xhamia Poshtme, ati ku patën çitë Jagoshi bumba, kurse binakt shkojshin ma ngat, te “srezi”. Sa ishke verë, nom, s’ kishmi zerzele, po kur vike dimni dhe thmia ziheshin me njoni qetrin, athere Faza dilke pi likurës. Kuku, more gjal, sa katil u konë. Se ku i prejke do thuprra të shkozës, se ku i xhojke do shtaga të thonës, ama i sakatojke thmijën e ngratë. Ata të kojshive po dreqa. Aga Fazë! Hasani dhe Halimja jonë konë përjashta. Gjithë ditën kena lujtë. Aha, po une ju kom thonë me ndejtë mrenda. Kush ju tha me dalë te shpia agës Can?..A ju kom thonë me ndejtë n’ oborr? E kur t’ iu hike me shtagë, o gjalë, s’ dike me u ngi. Teri sa jav bojke shpinën xhak. Kjo pak… Ka ni herë i nxirke edhe zbathë në borë… Pa kundra, pa çarapa… Mu dhe më vike keç… S’ kishna çare pa i marë mbrenda. Atëherë kriske qiteki përmi mu… Ani falë i kofshin, se çeshti ka dekë e s’ bon me ja përmendë, po si thojke Nena plakë – edhe sikur ta kepish gojën me xhilponë, ajo folë, do m’ i nxerrë të kçijat përjashta…
Tovona m’ u thajt njoni krah. Dani shkoj n’ Prishtinë dhe na mbetëm në hyqmin e Fazlijës. Ai na rrehke, na sakatojke, besa mujke edhe me na mbitë… Thu se s’ ishmi robt e tij, po xharpni të malit. Ҫashtu ndodhë kur asni kojshi s’ guxon m’ i thonë – heeej, ndal more njeri, se ata jonë xhind, nuk jon lopë. Ata dhe s’ i bishin shkollës.As Hasani, as Halimja. Se kush ja kish shti në vesh e njo ni motmot ma vonë e çoj Hasani te hefëz Nexhatia, kurse Limën e ndali pi shkollës. Ajo – edhe vet nuk dojke me shku, se e rrehshin thmia. Licka, pra, dojke me shku dhe u konë e meçme, po as ato s’ e la me shku mas klasës katërt.
Dani nuk ju dajt shkollës. Ai punoj njo di vjet në Preshevë dhe krejta paret qi i mblodhi, dinar – dinar , plot nizetmi banka, ja la Plakit në dorë… Me çato i blejtëm njo tridhet copa delme e jena arnu teri sa Hasani e bitisi shkollën.
Mue s’ um bje me folë, se jom plakë, po si dul Dani n’ gurbet, na e morëm teposhtën. Menxi pritshmi mu kthi në Preshevë e me na nxhitë dorën. Për çato njeri e bon evlat… Per çato njeri e rritë evlatin… Po ai e kish pasë laknurin ndër saç dhe kur e kish pa qi po i bohet shkrum – kish çu dorë pi gjithçka… Dul në gurbet hala pa e bo askerllëkin dhe s’ u kthi mo. Ҫikat mo – dera e huj. Ҫashtu u konë përpara, çashtu po shkon edhe sot. Tovona, krejt imitet i mbshtetëm te Hasani dhe ai ma i vogli – Asllani.

8. Ajo ishte melaqe

Ah, me ditë ju sa kanë hekë thmitë e mi, edhe ju kishit nisë me kajtë. Mos të raft në hise njeri i rrebavt, se imrin ta bon katran. Mue mi dhimet shumë Dani… Më dhimet edhe Hasani, se evlat e kom, po ma së shumti më Limka… Ajo oshte melaqja e Allahit, Gjilishan uhu.
Se Fazën p’e bojnë të mirë, ama u konë katil i madh. Qish mujtët me konë ni njeri i mirë qi i rreh evlatët e tij pa kurrfarë faji? Ai e boni iletli çikën e ngratë. Krejt e dinë qish folë Halimja. Bi – bi – bi – bi – si shota e vocërr. Po pse ma kish rrehë çikën çaç shumë? Veç pse kishin hi ato virone dhi në vneshtin e Tozës…
Dani s’ u konë në Preshevë kur ka ndodhë kjo punë. Ishke vjeshtë po më doket dhe pat ardhë vakti mi nxerrë dhitë në kullotë, se ai gjali qi i rujke dhent nuk guxojke m’ i marë dhite me veti. Dhitë i pat bo “ dërzhava” jasak. Ani shka me bo? U dashke m’ i nxerrë vetë në zabelin e Kishës. Herë agje, herë në Gropën e Hurdhës, herë te ato shkozishtet qi jonë përmi vneshat e agës Durak e agës Isa…
E i çova binakt e – kadalë kadalë – tuj folë e tuj porositë, u nxhitëm kah qoshi agës Durak. Faza pat shku te doktori për m’ u kshirë dhe me ble do ilaç.
Hasani u konë majmun i madh. Foli sa të dush, se ai kriet – si baba i vet. Une po – porosit, porosit, porosit – kshirni nonës dhitë, mos i lishoni shumë larg, ndiqni hap mas hapi – hallbuqi dhitë ishin të mdhaja e këta të vocërr… Thmij…
E i çita une teri te vneshti agës Hajrulla e jav dhash dhitë, njonit Shutën e qetrit Larën, e i porosita t’ u shkojnë mas, se ato vironet mujtën me kci gardhin e me hi napër vneshtë. Tuj zhdripë teposhtë, e pashë Plakin që kish ardhë pi doktorit, po ma mur Allahi gojën e s’ e pveta ku ishke nisë. Kujtova që ai ishte nisë me shku me thmijën…
Hallbuqi ai e kish marë atë ilaçin qi ja kish dhonë doktori dhe ish unxhë te vojsa për mi lye likurën. S’ di shka i kishte dalë në likurë.
E mos të hinë ato virone në vneshtin e Tozës e t’ ja bojnë berbatë. E Toza mo kush e di sha ka shajtë në shkenisht, se u konë i flliqtë kah goja, dhe Plaki jem e kish ndi. Po shka me i bo Shkavit? Toza – shkâ, e me shkaun s’ pi mujtët bitha. Atherë – mule – ta nxerr inatin te binakët… E rreh njonin, e rreh qetrin, po nuk po ngihet… Kurqish me u ngi… Dikur Hasani i del pi durve, ama Halimja jo… E t’ ia kish bo çikës shpinën katran… Pi atherit, Halimja fol si shotat e vogla, bi bi bi bi, se s’ ka zo në trup…
Ani – bereqatversën – ajo kish pasë nafakë, se e lypi ni njeri i ndershëm. Faja e ka pasë rendin e mirë… Nime katundar, po ka qillu shumë i drejtë dhe i ndershëm. Shumë gaboi qi e shiti shpijën e dul në Preshevë. E shiti shpijën, e shiti tokën, i shiti arat, krejt i shiti… Ani e patën ble ni mator e e patën shti në bunar e nxirrke ujë sa të dush… Se harrova, ai e pat maru edhe ni pleme, e pat ble ni lopë… Lopën më doket se e kanë edhe sot, ama yshimin duhen me ble.
Faja i ka pasë punt mirë… Po shkoi e u pëla me ni kusheri të vetin e i prishi kejt punt… Ai më doket për çato nuk ndejti në Miratoc po dul në Preshevë. I mirë osht si njeri.Sa herë shkon në Miratoc, ai ju ndihmon shokve të vet. Tovone, ata po ja xhojnë ndoni punë si msus… Pi japin kapak sa me mbetë idare… Po ditë për ditë s’ ka punë… Eja, shko, eja, shko… Tridhet e pesë banka pi jep me shku teashtu, tridhet e pesë banka për m’ u kthi. Shtatdhet banka pi bje m’i dhonë veç për aftobus… Pare e madhe…
Une çikë e kom edhe Halisën, po burri i saj e ka punën mirë, si veshka në vjamë… Qazimi e ka pllatën nimbdhetmi banka në muj… Hasani e di, se une s’ e kom pvetë kurrë… Ata vllaznia po ja lonë shtesat e thmive, shpija kanë boll, bashk po jetojnë dhe s’ po shkojnë me kallxu që Qazimi osht da pi vllaznive… Edhe me shku të “dërzhavës” e me kshirë, s’ mujtën me xhetë ndoni gabim… E ai ka nimbdhetmi banka p’ i lika te shpija, pa “dodatkat” e thmive… Mirë e ka hallin… – Po, Qazimi p’ i bje ka tridhetmi banka pastra – tha Halisja. Kësi pare t’ reja, se ato qerat s’ i njof. Ai mirë e ka punën.
Edhe Faja osht mirë me idare.I ka çata kashore thmi… Gjali ju ka rritë, mashalla, tetmdhet vjet ju ka bo… Si t’ jet kismet, ai ka m’ i nxerrë në selamet. Edhe ai i Hidaveri osht rritë, s’ di sa vjet i boni. Mizaferi – ma i vogël. Po xhallnojmë diqyshne. Nimend jo kushedi sa mirë, po çashtu.
Edhe na e kena kci fukarallëkin. Ҫeshti Hasani ka ble meble të reja…Veç thitë i ka eksik… Me ardhë kush me ardhë, ai shpijën e ka plot… Shpijën e ka plot, ama kriet kurkund… Ai s’ ka vakt me ju shkru vllaznive letra, se “Jovanka” s’ i le vakt për kurxho… Zare i ka kallxu që po bohna gati e s’ po bon kabull me më pvetë çysh jom… Për Asllanin s’ di xho… Si mos ta kenë thirrë, ai s’ ka pse shkon në Preshevë…
Shënim: Autorja e këtyre “rrëfimeve” u lind në vitin 1905 dhe vdiq në vitin 1998. Ajo nuk shkoi kurrë në shkollë dhe nuk mësoi kurrë ta shkruaj emrin e saj. Në rrëfimet e saj ajo dëftonte për njerëzit me të cilët i ndante hallet e përditshme. Të gjitha “përrallat” e saj janë dëftuar në një shqipe që është folur në vitet 70-të shekullit të kaluar dhe të cilat i kam i inçizuar në kaseta të manjetofonit. Kjo është shqipja që fliste një zonjë shqiptare dhe unë shpresoj që gjuha e saj do të jetoj edhe shumë shekuj në të ardhmen. Duke i shkruar ashtu siçm’i dëftoi me gojën e saj,kam shpresa se ato do t’ iu hynë në punë atyre që merren me zhvillimin e gjuhës shqipe.

Ramadan Rexhepi