SHPËRNDAJE

Nena Plakë, rahmet i pastë shpirti, nuk i dojke katilat. As axhës tem, që e pat vra ni njeri, nuk ia falke gabimin. Pushka nuk zgidh kurxho, thojke. Katili, i cillësdo feje koftë, s’ ka vend as këtu, as n’ ahret. Ai që osht “insan” miret vesh me llafe. Për çato i Madhi Zot na ka dajtë në “insan” dhe “hajvan”. Xhindja jonë insanë. Lopët dhe bullicat jonë hajvanë.
Këto isharete po më lonë pa xhum. Çohet nusja jeme, e pi ni sërçë me tomël dhe – kadalë kadalëlë – vjen te shpija e moçme. E bija po, ajo e madhja, osht çu tre sahat ma përparta dhe ka ardhë e më përzihet nëpër komë.Si pordha nëpër done. S’ kom pa thmi ma të prapë: ni kashore, ama guhën nepërkë.
Në vend se me shujtë, i thotë nonës vet – shka erdhe, mori?”
Au? Po kush je ti që po më thu “mori”?
E ta rrokë çikën për fyti dhe me zor e çon në komë.
“Çu në komë, bre gojëçarapë!
Ani ajo çohet dhe rri gaditu. Po nuk fol, nuk lypë falje. Këputja njonën krye, se i del qetra. M’ i hongër edhe shtatë kile qytek, s’ e nxerr ni lot.
“ A më thu edhe ni herë “mori”?
Ajo shunë.Mazalla.S’ e çelë gojën.Shunë si klyshi i trollit. Atëherë kris qyteki. Une, po, zemërbutë. Më vjen gjynah. Më dhimet.
“ Po eja, mori, te nena,” i thom. “ Eja, mori, çyçe të pafsha”.
Se me ardhë te unë, s’ ha qytek. Ajo e madhja, nona vet, osht e keçe, po nuk vjen me ma nxjerrë pi durve. Ama – jo. Durt i bien në tokë, po nuk thot – më fal.
Dikur, kur ishke ma e vogël, flike me mu.Çeshti s’ po do. Si diç plaki jem, po do me flejtë me nonën e vet. Njo dy – tri netë flejti me mu, tovona u largu. I dilke natën xhumi dhe ja niske me piskatë – “nonoo”, “nonoo” e une, dashtë e padashtë, ja çojshna nonës vet. Mbasi e ka pjellë, ne ta mbaje.
Ҫasi tuhafi oshte edhe baba i vet. Hasani keshe osht dajtë pi neve, ka maru shpi, ama dimën e verë te shpija moçme. Verës rrinë te shpija e vet, po dimnit kthehen prapa. Ajo e reja osht ma e nxehtë, po te kjo e vjetra punon “shporeti”. Edhe ata kanë “shporet”, po ajo po priton me e kallë. Fundja, pse m’i gjegë drutë e vet, kur i ka tonët?! Ma lehtë me e kallë shporetin une dhe ajo me e xhetë gati… Kështu osht jaradisë kjo dynja… Secili do me ta këputë ni copë mishi…
Une s’ kom qejf m’ u përla.As me Hasanin, as me të bijën e Bishbishit.Të dyve jav lishoj udhën.Po Faza s’ u konë si une, ai s’ e durojke kurrëkond. Me bo me jas kthy fjalën, e bojke qametin. Shka s’ i thoje nusës… Kurvë… Orospi… Hungulkë… Ҫaty hike në gjynah, se asi gruje nuk osht. Si krejta të rejat, ajo do me u veshë, me u kurulldisë, me dalë nëpër duqane, me shku teri në Shkup, me ble petka, me ndreqë frizurën, ama jo me bo punë të poshtra. Ҫashtu ka dalë moda. Po bash edhe badihava nuk rri. Fle sa fle, po dikur çohet dhe e rrokë fshisën. Une i boj punët e mia, ajo të vetat… Ajo i shkund jarganat, e fshinë odën, i rregullon dyshektë dhe, me t’ ardhën Hasani, do me dalë…
“ Hajde Hasan! A po shkojmë te “nana?”
“ Hajde Hasan! A po shkojmë te Musa Bina?
“ Hajde Hasan! A po shkojmë te motra jeme?..
Ani ndashtë! Se do me shku te nona vet, te mixha i vet, te dajt e vet, nuk osht gabim. Kryesorja, nuk po shkon për zullum, po për me kapërcy ditën.
Plaki, po, shumë sersem. Kur i shifke që po dalin, desh lujke menç. Ajt, këta jonë bo ma bet se shkiet… Ajt, këta po vishen ala franga… Ajt, ajo po del kryeshtrut… Po shka t’ ka rrokë zori ty, more prekud, se del me shami apo kryeshtrut? Kshyre, more, punën tonde, se sot je, nesër s’ je. Ajt, po del si shkinat e Kumanovës… Po ne të dale, more teveqel, se për me dalë e ka marrë Hasani…
Eh, sa kom hekë me atë njeri!.. Ҫeshti, me jetu edhe tri ditë, bereqat versën. Jetoj pa më sha kurrëkush…
Shkum ni herë te Binxha. Ai e ka grujën shumë të mirë, po midis veti jonë si askert e mretit. Gruja atina s’ ndihet e xhallë… Veç ta merr dorën, të vet ni herë – çysh jeni, si jeni – dhe e mshelë gojën. Te ata binxhallart s’ ka llafe. Aty gratë s’ kanë ma shumë yrt se me zi çaj. Çasi kulture kanë… E shkum ni herë te ai, pra, se nonën e kish pasë të smutë. Na pleqt dhe ata dy. E jom unxhë ngat plakës, se e ligë ish konë, kurse pak ma larg jonë unxhë burrat. Hasani, Faza, Muslia, Lutfia dhe Xheladini.
Une –velam – s’ e kom pa kur paska dalë Xhela, se s’ e kom zakon me i kshirë botën, po ai paska dalë përjashta dhe kjo e jona i paska shku mbas… Ҫe belaja!.. S’ u desht ma shumë se çekaç për me pëlsitë llafet… Plakit tem kurxho s’ im pshtojke.
“ A e pa kur e pëqafi?” po më vetë.
“ Po kond e perçafi, more prekud? Po s’ u bo qameti se ia ka çitë krahin përmi shpinë,” i thash. “Ai mbesë, more, e ka.Shka bohet se i përqafë Hasani çikat e Halisës?Shuj, more, se marre. Shuj, se po ndinë ajo sertikja e bohet poterë.”
Hiç s’ i bohej vonë. Ai ndashta as mu s’ um ka kursy, po shka me bo. Ai kërkond s’ e kursejke. Po une i kom ndejtë për riza të Zotit. Thojshna – kështu ma ka shkru Zoti. Sa s’ kishna thmi, thojshna – ma mirë me ni të trentë, se me ni ortake. E mora që e mora, ma mirë të rri me keto, se t’ um martojnë me ndoni plak. Tovona, kur um lejtën thmijët, s’ kishna qejf me e prishë xhumin me këto mendime. Ai rritke shorta, une rritshna evlad. Katër pi pesëve me dolën të urtë, veç Hasani më ka dalë llupc e dredhalak.
Ai s’ ka besë. Si e zuni të bijën e Bishbishit, sikur lujti menç dhe aksham për aksham shkojke te Bishbishët. Se shka bojke e marojke, nuk e di, po te shpija s’ vike teri në sabah.
Ni natë erdhi bajagi vonë. Kur ka hi në gjyzenti, u unxh n’ atë “kauçin e vet” dhe s’ po shkon me ra. Une, po, e kom xhumin të lehtë. U çova meniherë, se evlag. M’ erdh gjynah.
“ Oj nonë,” po më thotë. “ Halas’ paske fletë?”
“ Jo, o bir, çeshti u çova,” i thash. “ Po ti pse s’ po bie?”
“ Oj nonë,” tha. “ S’ po du me marë atë gru.”
“ Po pse, o bir?” e p-veta. M’ erdh rond, se ato e kishna evlad, jo bijën e Bishbishit.
“ S’ muj me të kallxu, se të kom nonë,” tha.
E kaça buzën. El hiqmiri lah, i thash vetes, për pa e ditë taman sebepin e asaj pune. Ai ndashta kish pa dishka, ani dojke melonë.
“ Ti e di punë tonde, o bir,” i thash.
Ama të nesërmen krisi potera. Sa i kallxova Plakit, ai mur flakë. Ma vonë, masi bonëm darsëm dhe e morëm te shpija, Faza u bo me vra veten, po vonë. Ato ditë desh ja nxori sytë Hasanit.
“ A ki ftirë, o gjalë,” i thojke. “ A ke din e iman? Gjithë atë sajgi që po na bon krushku, gjithë atë nder e gjithë atë muhabet, kurse ti po do me ja lonë çikën. Mere çikën e mos u ndi i xhallë, se ka me na keshë dynjaja.”
Mue m’ u dhimt gjali, po u dashke me shujtë; kurse Plaki virrke e piskatke në kupë të çillit. S’ ka që s’ ka me lonë.S’ bon me u prishë miqasia. Secillën masdreke, kur vike gjali pi punës, te ne s’ kishke qetër muhabet, pos asaj delenxhikës.
Une shujshna.Dikur, nuk e di as çysh dhe pse, ajo mesele u harru.Ndashta i folën ata Binxhallarët dhe Hasani ja nisi prap me dalë natën. Dilke në aksham e vike n’ sabah. Shkojke edhe Plaki. Herë në sabah, herë në drekë, herë në akshëm. Unxhu e pi kafe, thu se Bishbishin e kishke vëlla e jo presh në bahçe.
Ajo, po, kish pasë nisë m’ i dalë… Nusja… Kishte nisë me i pjekë kafe me dorë të vet… Me e marë me të mirë… Plaki vet më kallxojke. Gje ishna te Bishbishi dhe piva kafe… Pargje ishna te Bishbishi dhe piva kafe… Po une s’ i zishna besë. Edhe çysh m’ i zonë, që tërrnocalitë nuk e kanë adet me shku te krushku para dasmës?!..
Po ai nuk um kish rrejtë. Ni natë, pak para se me ra akshami, e kishin çu Valdetin, vllavin e nusës, me më marrë për darkë. Ai ishke i vogël dhe belbezojke ka pak.
“ Oj nenë,” tha.. “ M’ ka çu nona me t’ marrë për darkë.”
“ Nena kom burrë, o sokol,” i thash. “Kur të vjene burri, i kërkoj leje dhe si t’ um jape, vi.”
“ Ani, pra.”
Ai iki meniherë dhe une e kshira punën teme. Dikur zhdripi Plaki pi kodrës, i mbola dhent dhe i kallxova që më kanë thirrë për darkë.
“ Mbasi të kanë thirrë, shko,” tha. S’ di shka e xhet, se kurrkund s’ um lishojke. Zare kish ngordhë ni ujk…
N’ aksham, mbasi i dhash bukë,, u nisa. Ajo ish konë te ni motra e vet, përtej Alimetajve. Se mos e dishna që Bishbishi ish konë i martum dhe e kish pasë ni çikë ma të madhe? Ama shka me pa? Si ato sërplikat e Golemidollit, që vishin te Kisha dhe e mbushëshin malin me erë të livantës. E kish veshë ni etek të shkurt, komtë i kish nxerrë bitevi përjashta, dhe menxi shkelke në tokë. Kështu e mirë me pa, po e ftoftë, si xharpni kur ta pret udhën.
Atë natë m’ u dok e mirë, po dul që ishte hilexhikë e madhe. Pak m’ i hipë Laneti në krye, s’ dojke me të pa me sy, edhe pse une e Plaki ishim në shpijën tonë. Me mu e çojke ma mirë, se shujshna, po Plakin s’ dojke me pa me sy. Ai, po, u konë shumë i prapë… Atina s’ i pshtojke kurxho pi syve. Tybestikfarë, se po hi në gjynah, po do burra koka ma mirë me dekë, se me jetu e me ta nxi ymrin. Shka se une e kishna pasë kismet me jetu gat me to dhe me i bo shtat thmijë. Pesë jonë xhallë dhe dy m’ kanë dekë.Unë, për hatrin e thmive, jom konë gati edhe mishin tem me hongër, po mos me e pre në besë. Çeshtu m’ kanë msu pleqt e mi, që nimend jonë konë qorra, po neve na rritën me shumë kimet.

38. Poshtrimi

Ajo m’ i pat ndu spilet dhe u përlahke përgjithë ditë me mue. Kurrëxho s’ i bojshna, kurrëxho s’ i thojshna, po sytë s’ dojke me m’ i pa. Ditë për ditë shkojke te nona vet, pike çaj me to dhe, kur vike te shpija, meniherë i kallxojke Hasanit – çeshtu, çeshtu kish thonë nona jote për mue.
Se kur i nxirrshna gjithë ato biftane, tuj ndejtë gjith ditën e gatë te shpija, as vetë s’e di. Po e di se Hasani i besojke ma shumë grujës vet, se mue. Ai nuk e ndojke kriet në jastëk me mue.
“ Mos, mori gru, mos um çit biftan,” i thojshna.” Se boll jom mërzitë në këtë hapsone. Kurrëkund nuk po dal, me kurrëkond nuk po foli. Mos um bjer në çafë, se as Allahi osht i madh.”
Ku ta dish se shka gatujke në klryet e saj!..Zare dojke me e dajtë Hasanin pi neve dhe gjithë ditë lypke vong. Bile, bile, njo dy herë ma pat përmendën edhe shpijën me qira. Shka t’ i bojsh që çikat patën shku nuse, dy gjem i kishna në gurbet dhe veç Hasani na patë mbetë. Ai ishke gjal shpie dhe kishmi zemër m’ i thonë – merre ketë lahperkë dhe shko ku të xhojsh ma mirë. Ai punojke në Miratovc dhe hala s’ e pat përmendë punën e shpijës. Mue, po, më jitke hatri dhe gjithë natën s’ i mshelsha sytë.Kajshna si thmi, po s’ kishna kujt me ja kallxu hallin tem. S’ kishna kurrni njeri të ngatë.
Ni ditë, hop – erdh teta. Ashtu e kena thirrë nusën e axhës tem. Ajo e pa që s’ i mbajsha lotët dhe më tha – pse s’ po vjen njo dy tri net në Tërrnoc. Mirë bon me ndërru hava.
“ Jo, oj tetë, se Fazën e kom plak dhe s’ ka kush m’ i dhonë bukë,” i thash.
“ Hajt, se nuk des për njo dy tri ditë.”.
Hallbuqi – jo. Si s’ ju lut Teta, veç komt që s’ ia puthi, po ai rahmetlia nuk lujti nga e vetja. Zare e dike që po më zhugmitin dhe s’ dojke me më lishu pi shpijës.Tona, ai burrë ishke.Se mos ishke i zoti me shti bukë e me maru jemek?
“ Jo, s’ bohet ajo punë. Kjo s’ ka shka lypë në Tërrnoc,” i tha nusës Axhit.“ Na kena mbetë vetë, nusja agës Xhaferr. Këta të ritë s’ po dojnë me na i pa sytë. Mos ma merr për të madhe, po une v-des për ni kashore bukë.”
E shkoj nusja Axhit dhe i kish kallxu Abazit, vllavit tem. Hala pa kapërcy java – erdh Bazi në Preshevë.
“ Ndita se je mërzitë,” tha. “Kom ardhë me të marë.”
“ Punë që s’ bohet, o vëlla,” i thash.
Përjashta – pranverë. Patën mbetë edhe xhasht ditë për me ardhë 1 Maji. Bazi foli me plakin, po ai s’ lujti nga e vetja. Jo që jo. Ai edhe kishke të drejtë, po s’dojke m’i kallxu Bazit që ato ditë as Hasani nuk folke me mue. Me hesap s’guxojke pi grujës. Hiç, tak. Hike e dilke pi shpijës, pa ma thonë ni llaf. Zare e kish mbushë ajo stërvina dhe ai s’ guxojke me hi në lakna.
Del Bazi përjashta dhe unxhet me ta… Me Hasanin e atë lëpiskën e tij… Ju kallxon pse ka ardhë dhe shton se osht i mërzitun. Ai ka ardhë me marrë mue, po Faza osht plak dhe des për bukë.
“ Jo, daja Bazi, jo,” i thotë Bishbishka. “ Merre ti nonën, se une i jap bukë babës Fazë. Bile shko pa marak.”
Lipiskë… Si ato “glumicat” që ta lyjnë kriet me kos… Si për bela, bash çat ditë erdh Bija, motra jeme. Ajo kish ardhë me bujt ni natë e prap m’ u kthy në Corroticë. Kur e pa Bazin te na, u gxu shumë. Qysh je aga Bazi, qysh jonë thmija, qysh osht gruja, e çashtu me rend. Po Bazi kishke të ngutun.
“ Ti, oj motër, paske ardh me bujtë,” i tha. “ Aga kom ardhë në të kthymë. Kom ardhë me marrë Minën në Tërrnoc.”
“ Ani edhe une po vi,” tha ajo.
Çashtu dolëm përjashta e po rrimë me dy mende. Plaki n’ oborr. Ai bojke sikur po sharton, po zare dojke me pa shka do të boj. Kur e pa që e kom veshë mantillin e po du me dalë me Lazin, e mur sikur e preva në besë dhe kap “tarnakopin” e shkoi drejt kodrës. As “udhambarë”, as mirupafshim”. Kur mbrrini te vada, i shkova mbas dhe e luta për pak pare.
“ Bare njo niqind banka, sa m’ u kthy temas,” i thash.
Hiç bir shej… Ba ba ba, ja nisi me shajtë dhe iki përpjetë. Kur ju afrova derës po më pvet Bija shka pata.
I kallxova dhe m’ u mbushën sytë me lot.
“ Hajt se kom une,” tha ajo.
Bash në ato dakika na u afrun edhe ata dy hardhucat, gjali jem dhe Bishbishka. Po dojnë me na thonë “udhambarë”.
“ Ami, biro, njo pesëdhet banka,” i thash Hasanit. “ Se po rri njo pesë a xhasht ditë e po vi me lokal.”
“ Valla, be nonë, s’ e kom marrë “pllatën”, “ tha ai dhe e unxhi kryet. Ajo qetra, gruja vet, ju drejtu Çelebijës.
“ Kuku, mori teta Bije, jena shumë ngusht për pare. Pasha Allahin e pasha Babushin asni dinar s’ na ka mbetë”
“ Ani, oj nuse, ani,” i thash. “ Si të jetë për mue, Hasani kurrë s’ ka dinar. Ama shkoj për dekë, ama shkoj për dasëm, ai kurrë s’ bon kabull me më vetë – oj, nonë, a ki ndoni dinar në xhep… Jo, pasha Allahin… Po m’ u konë për Babushin tond, atina ja jep edhe tre çerekët e “pllatës”…
“ Ani shka,” tha ajo. “ Edhe n’ ia dhashtë, ja jep paret e veta. Nuk po ja jep paret e burrit tond.”
Me folë, keç. Mos me folë, edhe ma keç. Se ai njeri, që ajo e qujke burri jot, s’ ishke ndoni kodosh që jetojke me qira te burri saj, po vjehrri saj. Po, mbasi e kisha vesh hiramin dhe kisha dalë para derës agës Idriz, nuk deshta me çelë varrë. Bazi, po, më paska tuj folë me to dhe e e zuni Hasanin për krahi.
“ Ngo dajës shka po të thom,” i tha. “ Une do ta mbaj Minën teri në 1 Maj. Çashtu i thash edhe Fazlijës. Po ti, mbasi festa po bje të shtunën, merre nusën e hajdeni ditën e xhuma.Rrina pak, shmallemi dhe – teknejna – e mirni edhe nonën.”
“ Ani, daja Bazi, ani,” tha ai, tu ja zgatë dorën.
Çashtu u dajtëm pi tyne.
E lam keshe me ndejtë njo katër ditë dhe ata, ni ditë para 1 Majit, me ardhë e me më marrë me veti. Po erdh dita e xhuma, ata s’ erdhën.Kapërcej edhe 1 Maji, ata s’ erdhën. Si për bela, Bazi e kishte Pashën, gjalin e tretë, në burg dhe u dashke me shku teri në Beligrad e me ja ndreqë do letra.
“ Kuku, ore Baz, më more në çafë,” i thash ni ditë. Ai kish shku e kish marë pare hua diku. “ Mirë bone që erdhe e më more, po çeshti s’ po guxoj me shku… Kurse ti ke punë në Beligrad dhe ni Zot e di kur do të kthehesh.”
Abazi e ka xhepin të vogël, po shpyrtin të madh.
“ Hajt, mos ki gajle, se të çoj une,” tha. “ Rri e kënaçu me nipat tu, se krejta rregullohen. Une po shkoj në Beligrad, po nuk e di se kur kthehna. N’ ardhshin me të marë, shko; po, si mos ardhshin, rri te vllavi jot. Une hallexhi kom çillu, po motër t’ kom. Ku të ha une, do të hash edhe ti.”
Krejt, krejt, po kjo s’ um hynte në krye. U bonën gati se dy javë ditë, Bazi shkoj e u kthy pi Beligradit, po ata s’ lujtën. Kapërcej Shingjergji, duhona dha boj, ditët shkojshin, po ata nuk ndiheshin të xhallë. Tashti edhe Bazit i hipi ni mërzi. Ai me Fazën kurrë s’ ka shku mirë, po Hasanin e ka dashtë dhe e ka nderu me ato që ka pasë.
“ Hajde, motër, se po të çoj vetë,” tha ni ditë. “ Si të jetë për ate prapshtinën, burrin tond, atij s’ po ia zo për të madhe. Po Hasani po më habitë.”
E dolën gratë e na përcollën. Hajde udhambarë – e shumë selam nuses – e shumë selam Fazlijës – e doku prapë – e mos u mërzitë e – teri sa hipëm në atë autobusin që p’e qujnë “lokal” dhe shkon pi Preshevës në Bujanovc dhe pi Bujanovcit në Presheevë.
Shka me pa: n’ oborrin tonë – ni boshllëk i madh, i kobshëm. Ai plaki zare kish hipë në kodër, çikat kishin shku te daja Valdet, po dritaret ishin hapekrah.
Po shkojmë drejt gjyzentisë, asaj që i danë dhomat pi njona qetrës, po s’ pe ndimë asni llaf. Kur kena ardhë te pragi, p’e shofim Hasanin tu flejtë në kauç. Po e bija e Bishbishit ish konë çu dhe na kish pa pi dhomës saj.
“ Uuu, daja Bazi,” thirri me zo të naltë dhe pak dakika ma vonë na çeli derën e gjyzentisë, e përqafi Bazin, dhe na shtini mrenda. Abazi përpara, une mbas tij.
Ai e nditi të shoqen kur tha “ u, daja Bazi,” po hiç s’ livriti. Thu se Bazi, gjithë ai burrë plak, s’ e kish bo ni sahat udhë dhe i kish shku për xhezá. Abazi e kapërcej “kauçin” dhe u unxh përballë, në shkomin e plakit. Ajo u unxh te komt e burrit vet dhe po e likundë, p’ i kallxon se na kena ardhë.
Dikur i dul xhumi dhe na dorën. Erdh edhe Neliferi, ajo e madhja, dhe ju unxh në prehën.
“ A erdhe daja Bazi a?”
“ Erdha, be dajë, erdha. Po ti a mun u çove?” i tha ky. Bazi osht shumë i keç.E pash që me zor e mbajke veten.
“ Valla me zor,” tha Hasani.
Çeshti na u avit ajo lipiska e po na folë.
“ Çysh je daja Bazi? Çysh osht nusja? Çysh jonë gjemt? Çysh jonë ata të dajës Adem, te tetës Gjylkë?”
“ Mirë, mirë,” i tha Bazi. Kurse unë , tuj e prit rendin me m’ folë, i kom nxerrë njo dy voe që m’ i kishin dhonë gratë dhe po ja çëroj asaj të voglës. Ajo bishbishka m’ u afru e ma mur dorën.
“ Çysh je, none?” Çysh i la ata të dajës Bazi? Çysh e la tetën Gjylkë? Çysh i la ata të dajës Xhaferr?”
“ Mirë, krejt mirë,” i thash dhe ia zgata voet asaj surratzezës, mbesës teme.
Abazi priti që Hasani po ja thotë ndoni llaf, p’e vet për dishka, po i lipë falje, po ai hiç. Oshtë unxhë në “kauç” e po rri si hu.
“ A nuk po punoke sot?” e veti Lazi.
“ Po, more. Çysh jo, ” tha Hasani dhe, tuj e largu çikën, u nis kah dera. Po i veshë kundrat..
Atherë edhe ajo u çu në komë e p’ e ndjek përmas.
“ Hej,” po e porosit. “ Mos harro me çu ni nxans te shpia.”
“ Po pse?” e veti ai. “ Ku kena me shku?”
“ Te daja Avni, pra. Mos paske harru?” e qortoj ajo.
“ Ani,” i tha ai dhe po shkon kah dera. Po Bazit s’ i tha as “mirupafshim”, as “udhambarë”.
Ec e mos thuj që s’ osht dyftirshe. Une shkoj ku shkoj, rri sa rri, po kurrë s’ e kom pa me ma marrë dorën e me më thonë – hosh gjeldën, oj nonë! A mun erdhe?Si kalove? Ama atë ditë ma mur dorën dhe – atypëraty – e xhet dajën Avni. Po se kish ardhën daja i Hasanit, edhe ato pi Tërrnocit, pesë pare punë. Vllavi jem mujke me thy çafën andej kah kish ardhë.
Kur shkoi Hasani hemen te dera, ajo e pveti:
“ S’ po di a ta thirri babën?” i tha.
Ai murmuroi dishka, më doket se i tha “thirre”, dhe ajo meniherë piskati me sa i bonte zoni.
“ Babooo! O, babë!..”
Ai ish konë në bahçen e agës Mal. Po shartonte dishka.
“ Hë, mori, shka ki?” e veti.
“ Hajde se ka ardhën daja Bazi,” i tha.
“ Ani n’ pastë ardhë, shka?” i tha plaki. Keshe po bon hiner. Po kallxon kullturë.
Me folë kah del shpirti, trupi m’ u bo akull. Se Fazës s’ ia kisha droen, po vëllavit tem. Abazi osht shumë xhaknxehtë dhe sedërmadh.
Nuk shkun as tri katër dakika dhe ai erdh. Hini mrenda, po Lazit nuk ia zgati dorën, nuk i tha qysh je, nuk p’e bon mall. Mazallah! Sikur m’ i pas hi mrenda ni çen. Ai shkoi dhe u unxh në “kauç”.
“ Ku je Bazi?” e pyti me inatë. “ E more ketë gru për pesë ditë, po e mbajte pesë herë ma shumë.”
Abazi i zi, i zi, si katrani. Une, po, motër.S’ po di cillit m’ i mbajtë krah.Njoni burrë, qetri vëlla.
“ Une e mbajta, o Fazë, po jo për fajin tem,” i tha Bazi. “ Po ju, kur e patë që kapercej vakti, pse s’ erdhët me marë? Kjo motër nuk osht shterpë dhe gjalin e ka sa ni plep. Ani s’ u bo qameti, se ndashta s’ e ka lonë gruja. Po une, si e mora, çashtu dhe ta pruna.”
“ Po, po. Ti e prune ket rob, po mbasi ja dha Nasalcën, Lluçanin, Konçulin e xhimsën e Tërrnocit,” i tha Faza. Me ni të keshme të ftoftë në surrat.
“ Ani, be Fazë,” i tha Lazi urtë, urtë. “ Në pastë shku në Lluçan e Konçul e nëpër Tërrnoc, ka shku te motrat e veta. Tovona, nuk ka shku vetë po me gjalin tem. O, vllavi jem! Kjo s’ ka shku për rrospillëk, se i ka kapërcy të xhashtdhetat dhe shtatë evlat t’ i ka bo me ty. Po edhe kjo oshtë insan e ka mallë për familje. Ti mysliman p’i thu vetes dhe e di që sot jena, nesër s’jena…”
“ Jangllësh,” i tha ai qetra. “Na, preshevalitë, s’ i lishojna gratë sallamadi.Kur shalakatet gruja pa izë të burrit e qujna orospi.”
“ Phu, bre çen i biri çenit,” e shau Bazi dhe boni hyxhym e t’ ia shkule arrzën e fytit. Dhe s’ kishke faj, i ngrati. “ Bre, i poshtër! Po ti konke konë veç dynjasë, bre. Si s’ po të vjen keç për këtë rob që ta kena dhonë?”
Ai edhe ndashta do ta godiste, se boni hyxhym m’ i ra, po na hinëm në midis dhe nuk e lamë m’ i ra. E ta shtyni Bazi pi vetes dhe ajo bushtra, keshe p’e ftoritë ujin, e ngrehi në sobën e vogël. Çashtu e ka pasë emnin ajo oda ku flike plaki.
“ Hajde, babo, këtu. Hajde. Mos u nxeh badihava, se në shpijën tonde je dhe kurrkujna s’ i ke bop xho.”
Abazi më pa me inatë dhe brofi në komë.
“ Hajde, motro, vishe hiramin,” më tha.
Rash në hall.Pasha Zotin dhe pasha ata evladë.Njonin burrë, qetrin vëlla. Po motra osht kuçkë. Çashtu thojke Nena. Gruja, midis burrit dhe vllavit, ia mbanë krahin vllavit. Se ato e ka ma të ngatë dhe, mbas Kanunit, atina i mbaka krah. U çova dhe vesha hiramin…
Kur e pa ajo dyftyrshja se u çova, sikur erdh në vete dhe ja nisi po më qorton.
“ Ku po shkon, mori, ku po shkon,” më pveti. “ Ti sa erdhe. Ku po shkon kështu?”
Po mue m’ kish hipë ni perde në sy dhe kurxho nuk shifshna. Më kishte ardh ni vaj që s’ kallxohet me llafe dhe veç dojshna me ikë, me e mbytë veten diku. S’ e mirsha vesh shka kisha nxerrë pi barkit: gjalë apo ujk. Në vend se m’ u ndal e me më prujtë pi babës vet, gjali jem e rrasi bishtin ndër komë dhe iku. As ajo që bona, nuk ishke me mend, po njeriu i xhallë gabon. Une, në vend se m’ i thonë Bazit – shko kshire punën tonde – e vesha hiramin dhe i shkova mbas. Si capi te kasapi.
Abazi e kalli ni cigare dhe dul përjashta. Une e mora bohçën, çato që e kishna te komt, dhe e ndoça vllavin tem. Ajo dul teri te dera dhe shtirej e mërzitun. Ku po shkon, mori, ku po shkon? A je në veti? Ku po shkon? Po sa e kcymë urën dhe dolëm te dera agës Can, ajo e msheli derën dhe u rras mbrenda.
Ky ish konë rrësku jem. Sa herë që kom shku në shpi të babës, gjithmonë më kanë dalë llafe. Une kurrë s’ kom kërku gëzim, veçse zehër e të këçia.
Udhës nuk e ndërrum asni llaf. Une kaj, Bazi fshaj. Kur zhdripëm në Bujanoc, atina iu mbushën sytë me lotë.
“ Bon-ma hallall, oj motër, ” tha. “ Se erdha keshe për të mirë, po të bona keç.”
“ Pi tymit më shtine në zjarr,” i thash.
Çashtu mbeta dy muj e xhims te Bazi.
Ngat gjalit – pa gjalë. Ngat shpijës – pa shpi. Ngat mbesave – pa mbesa. Ma e poshtrume se ato kurvat e Turkisë që po shiteshin nëpër kafe të Stambollit. Prit se po i del xhumi atij Dushanit, gjalit tem, e po vjen me më marrë, po ai, ani se më kishte xhims sahati larg, s’ guxojke pi grujës me ardhë e me më vetë – shka ka ndodhë. Jo, asnjoni nuk lujti.As gjali jem, as nusja jeme, as burri jem.Asnjoni nuk i tha vetes – more ta kshyri çysh i ka hallet ajo gru… Dhe po dojnë me pa hair… Ata kurrë s’ kanë me pa hair. As në ketë dynja, as n’ atë qetrën…
Hiç, hiç, hiç.Thua se une, Mina e Shabanit Sulës, kurrë nuk kishna shkelë në Preshevë dhe krimbat ma kishin hongër mishin. Thua se atë shpijën ku hajke – e pike – e flike ajo pipiruqka – e kishke maru ai babushi i saj, e jo burri jem. Thua se ato mollat e dardhat e vojsat e arrat që i hajke e bija Bishbishit s’ i kishke mbjellë kjo plaka dhe ai komshtremti i saj, po ai burri që e çojke natë për natë te “nana” e saj. Asnjoni s’ mur mund me ardhë e me më vetë – shka ka ndodhë. Po dhe une budallë. Rri çaty te Bazi e mos e laj ftirën me lot…
Ҫashtu shkunë njo dy muj e xhimsë pa dhonë shej asni evlad i jemi. As gjali, as çikat. Bon vaki që do të shkojshin edhe dy muj qerë, po shyqyr Zotit, kjo punë i kish ra Fajës në vesh dhe ai ja kish çu ni letër Hajdarit. E Hajdari i ngratë, pi Suedijës, e kish marë me telefon zotni Sabrijën dhe e kish lutë me folë me Hasanin. Se mos m’ i pas ra Fajës në vesh, agje kishna mbetë.
Ni ditë, sa po nxhitsha duhon me nusën e Bazit, dikush e hapi derën dhe hini n’ oborr. Kush m’ u konë, mos Hasani? Fillikati vetëm. Pa asni shok me veti.
Ai hiç s’ e zgati veç ma prejti shkurt:
“ N’ dash me ardhë, hajde. Mos dash – rri.”
Jo, s’ kishna pse me ndejtë në Tërrnoc.E vesha hiramin dhe ju nxhita prapa. Njo tri katër ditë ma vonë, ai dhe ajo Jovanka e tij, u dajtën pi neve. Ishmi me ni shpi, flishmi ndër ni kulm, po ata hajshin veç, na hajshmi veç…
Kom ndi ma vonë që plaki jem, për me u shfajsu, ia kish çu Hajdarit ni letër dhe i kish thonë se nusja tij ma përzuni grujën. Ama bash çashtu nuk osht. Nesër kom me dekë dhe i du gjunahet e botës. Se shka i kanë thonë Fazës sa ishna në Tërrnoc dhe çysh ia kanë mbushë menden m’u da pi mue në pleqni, nuk e di. Por e di se ai që i cakrroj fjalët me Bazin, vllavin tem, ishte Faza. Por fajin ma të madh ja lo Hasanit. Ai nuk vike me më marrë – jo se i tutej Fazës, po se s’ ka dashtë me ja prishë qefin asaj mangall – kralicës, vjehrrës së vet. Ai babë s’ e ka pasë Fazën, po atë hyzmeqarin e Qorrdeliajve, që natë për natë e kish pasë rrasë me nasihat.

39. Dy bukë nën një saç

Se harrova me kallxu… Sa ishna në Tërrnoc, ai krushkuia kish mbushë menden Hasanit m’ u dajt pi neve. Ama as Hasani s’ ishke budallë. Ai s’ dojke shpi dërzhave, se s’ i jitshin pare për krushkën.
Çashtu ja nisëm me jetu të damë. Ata në odën e madhe, na në odën e vogël. Ni saç, po dy pite. Ajo gatujke veç, une veç. Une ni “shporet”, ajo ni “shporet”. Ajo makarona me gullash, une speca me voe.Une bukë, ajo bukë.
Njo dy javë ditë, ata hajshin bukë furre, tovona ja nisën me hongër bukën tonë. Ani, ndashtë, po çuditesha me të damen e tyne. Ata shtireshin të damë, po hajshin e pishin gjersën tonë.Une shtisha bukë për veti, e piqsha, po kur vike vakti me hongër darkë, kaniherë jitshim vetë pa to.
Çashtu e çumë teri sa u poqën mushmullat. Si për nafakë, erdh Orhani dhe ajo puna e të dajtmes u harru. Bile hiç s’ i kallxun gjalit se m’ patën lonë tre muj ditë në Tërrnoc.
Atë vjeshtë mushmullat i mblodhëm me Orhanin. Na mblidhshim, ata bajshin. Ai dhe Orhani. Kur erdhi vakti m’ i çu në Shkup, Orhani kishke qef vet me shku me kamionin, po Hasani s’ e la me shku dhe i tha plakit se ai osht “budallë” dhe makedonët e mashtrojnë lehtë. Dashtë e padashtë, Plaki i çoi vet, i dajti nizetmi banka, dhe ja pagujti biletën për Gjermani…
Çashtu u mshel ajo mesele.
Une jom plakë dhe s’ um ka hije me shtu. Pi çasaj vjeshte une dhe bija e bija e Bishbishit përlaheshim, po ndoni llaf për m’ u dajtë s’ e kena bo. Mos me jav bo çato puntë e mëngjesit, ndashta kishin folë, po une s’ iu jipsha sebep. Çohesha herët, e falshna sabahin dhe i bojshna punët e shpijës.Maisëpari e kallshna “shporetin”, tona e shtisha bukën, e hollojshna dhe, kur vike vakti m’ i pjekë, dilshna në mutfak, se agje i kishna saçat.Ajo vetë zike oriz ose bathë, kurse unë shtijsha mbrume, gatujshna laknorë dhe piqshna fli. Kishmi nizet copa dhen dhe tlynë sa të dush.
Une i bojshna punët çysh disha.Verës e nxirrshna “shporetin” e vjetër përjashta dhe gatujshna laknorë. E kena edhe ni “shporet” qetër, shumë ma të mirë se temin, po ato e ka marë te shpija e re. Ma mirë me përdorë atë temin, se të vetin. Prej se ka dekë plaki, Hasani s’ i ka rujt paret. Ka ble “shporet” të çingës, ka ble “shporet” me strujë, ka ble “frizhider”, ka ble maqinë me la tesha, dhe krejta i ka mbledhë te shpija vet. Po më vjen marre me ja përmendë, po teri sot nusja s’ ma ka lajtë asni kmishë, asni shami.
Ajo lanë tesha në koritë. Nuk e di pse, po kur po ja nisë maqina me bo nifarë zhurme, gërr gërr gërr, ajo e ndalë dhe i nxjerr teshat pi maqinës. Ma lehtë i vjen m’ i shplajtë me ujë të nxehtë. Se mos p’ i mungon uji?.. Çeshmën e ka para derës. Ani kaniherë ia qitshna edhe teshat e mia, po ato s’ i kshirke me sy…
Çeshti që Faza iki n’ atë dynja, teshat m’ i ka lajtë Halimja. Ajo ka ndejtë tri javë me mu dhe javë për javë m’ i ka lajtë… Ashtu osht kur je n’ huqmin e qetrit… Me deshtë – t’ i lanë… Mos me deshtë – nuk t’ i lanë… Ani s’ bohet qameti, se i laj vetë…
Aba Fetë thotë se edhe nuset kanë detyrime. Qysh jo… Ato qerat ndashta kanë, po kjo e jemja s’ ka. Kjo e ka veç kryet e vet. Mos shko ma larg se përtej oborrit. Ai Dushani, gjali jem, keshe e ka maru ni shpi të re, po gruja tij ha e pi në kolibën teme.
“ Ajo shpi osht e jemja,” po thotë. “ Aty s’ kini shka përzihni, se e ka maru Hasani me kredit”..
Mutin tem, me kredit. Se s’ osht mirë me flliçë gojën, po ajo po rrenë ashiqare. Me kshyrë mirë, Hasani e ka maru atë shpi me gjersën e atij plakit që ditë për ditë shitke qurshia e vojsa e mushmulla para kafës së Tozës, kurse krediti ka shku në xhepin e babës Bioshbish. Po kështu osht kur dikush do me ta plasë të idhtën në bark!.. Shka dreçin pruni ajo pi shpijës vet? E ka pru atë gojën e flliçtë me t’ cillën ma poshtrojke të zotin e shpijës. Ai u pat lodhë pi saj dhe dojke me e përzonë Hasanin pi oborrit. Krejt e dinë, edhe Faja, burri Halimës, edhe Selimi, burri Halisës, edhe kojshitë – se Faza s’ ia ka dhonë Hasanit ma shumë se 200 metra. Niçind herë, sa herë që përlaheshin, ai iu thojke:
“ A paski maru shpi për veti? Shkoni në shpijën tuj dhe mos u dokni ketupari.”
Çeshti n’ oborrin tem s’ po lujnë ploncat e bijave të mia, po ploncat e motrave dhe dajallarve të saj.Mollat, dardhat, mushmullat, arrat, vojsat e gushtojat që ka mbjellë plaki jem, po hinë në xhep të Hasanit.Por s’ po rrinë gatë, se po ja hanë krushqit. Kush ja dha ato të drejta grujës tij? Plonci jem. Se mos me pasë yrtin e tij, ajo s’ e kish nxjerrë guhën tërplote. Ashtu u konë gjithmonë.Kush e ka krahin të fortë, e ka dhe punën.Gjali jem i shet mushmulla dhe – paret e pemve “kërrk” i rrasë në xhep. Plaki jem i mblidhke dinarë – dinarë dhe, kur erdh fundi, krejta shkunë në fis të saj… Hasani mujtët me thonë shka të doje, po une e di se i kom pjellë pesë evlad. Kur të des une, ata ne t’ i vrasin njoni mas qetrit…
Atij të madhit, Hajdarit, s’ia kom gajlen… Ai s’ osht ngusht për kurrëxho… Kurse Orhani më dhimet, se osht i pasherr… Ai ka mbetë keç. Se shka mledh a nuk mledh në Gjermani, nuk e di, po Hasani duhet me ja rujtë xhimsëne e pareve që p’ i mer pi qurshiave, arrave, vojsave e mushmullave. M’ u konë vëlla si duhet, ia shtinë paret në bankë dhe ja runë për ni fejesë a martesë.
Po çasi burri nuk osht gjali jem. Çe shtatë a tetë vjet që mbanë punë dërzhave, po kurrë s’ kallxon se kur e merr “pllatën” dhe gjithëmonë fol me isharete. Kështu bojnë gjithmonë, kur vjen fundi i mujit.
“ Hajde! A po shkojmë te “nana”, i thotë ai.
“ Pse? Edhe sonte na paskan thirrë për çaj?”
” Po, de.”
Tona i marin çikat dhe shkojnë keshe me ndejtë. Po me të mbrritun te Bishbishi, ia lonë çikat asaj çafkës, motrës saj, dhe turren drejt Kumanovës apo Shkupit për me ble çarapa, kmisha, pantallone e blluza… Se krejt çejzin që p’ e bon motra saj, po ja pagun dhondrri. Për çato Hasani s’ ka me pa hair.Ai po mendon për çikat e hallkit, s’ po mendon për Orhanin e ngratë.
Ai osht plakë shumë… Hasani… Atina iu kanë zbardhë flokët para vaktit dhe i ka hypë ni hije e mavitë.I ri osht dhe ka qef me mbajt veten, po ajo egërcina p’ e mytë kapak kapak.
Sidokoftë, une s’ e kom veç ato evlad… I kom edhe katër qerë…Dy gjem e dy çika. Krejt i du nisoj, se të pestë jonë thmitë e Fazës. Ai, nimend, u konë i përgazt, po ka punu dhe e ka rujtëçat bahçe… Me çat bahçe na ka mbajtë xhallë… M’ u pas konë çaç i keç, kish mujt me ja bo Hasanit niçind të zeza, po s’ ka dashtë… Kish mujt me e përzonë pi oborrit të vet dhe mos m’ i dhonë kurrëxho… Ama e fejoj, e martoj dhe e ndihmoj teri sa iki pi ksaj dynjaje…
Aman, o bir, shkruj kto llafe, se harrohen. Une, Mina e Shabanit Sulës, kom punu katërdhet e kusur vjet për vjam të thivit… Badihava kom çelë gropa… Badihava kom mbjellë murriza… Badihava jom nxhitë n’ atë virone kodër… Se krejta po shkojnë në shpi të Bishbishit… Po ashtu s’ u konë amaneti plakit tem… Mbaj mend llafet e kësaj plakës…
( vazhdon)

Shënim: Autorja e këtyre “rrëfimeve” u lind në vitin 1905 dhe vdiq në vitin 1998. Ajo kurrë nuk shkoi në shkollë dhe nuk dinte të shkruante. Në rrëfimet e saj dëftonte për njerëzit me të cilët i kishte ndarë hallet e përditshme.Të gjitha “përrallat” e saj janë dëftuar në një shqipe që është folur në vitet 70-të shekullit të kaluar dhe të cilat janë inçizuar në kaseta të manjetofonit. Kjo është shqipja që fliste një nënë shqiptare nga Lugina e Preshevës. Duke i shkruar ashtu siç m’i dëftoi me gojën e saj, kam shpresa se po e shpalos një histori që ka perënduar në shekullin e kaluar, por shumica e personazheve janë gjallë dhe mund të mësojnë diçka nga rrëfimet e saj.
Rininë e saj s’ donte ta kujtonte se të gjitha gëzimet dhe hidhërimet e saj i përjetoi në një shtëpi përdhese dhe në një shpat ngjyrë smeraldi që gjendet përballë villës ”Letafet”. Atë shpat ajo – dhe plaku i saj – e veshën me lloj lloj frutash e pemësh që rritën në klimën kontinentale të Luginës.
Ishte dëshira e saj që trashigimtarët, pasi ta riparonin shtëpinë ku ajo e kishte kaluar një gjysmë shekulli, të mblidheshin verë për verë dhe t’ i dëgjonin përjetimet e saj. N’ atë mënyrë – shpresonte ajo – ata do të afroheshin me njëri tjetrin dhe do ta vlerësonin më shumë vendlindjen e tyre. Edhe pse kurrë s’ kishte dëgjuar për Kartën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, ajo zonjë fisnike, me ato që kishte përjetuar në jetë, gjithmonë fliste hapur kundër dhunës që ushtrohej në familjen shqiptare.
Tani, sa më shpesh që i shfletoj rrëfimet e saj, aq më qartë e kuptoj tragjedinë që luhej n’ at ambient të infektuar nga shpifjet, intrigat dhe thashethemet. Në oborrin e asaj zonje, që ma shumë i donte glasat e pulave se rehatllëkun evropjan, zhvillohej një shkelje e rëndë e të drejtave njerëzore. Ҫuditërisht,për të qenë aq e paarsimuar,ajo ishte jashtzakonisht largpamëse dhe të gjitha parashikimet e saj po dalin njëri pas tjetrit në mejdan.
Kështu ndodhi edhe me“kasollen” për të cilën bëhet fjalë në këto rrëfime. Në vend se ta ruanin shtëpinë e gjyshës, ku ajo kishte kaluar gjashtë dekada, ca nga protogonistët e këtyre “përrallave”, të frymëzuar nga juristët e korruptuar shqiptarë, e shfrytëzuan “boshllëkun” juridik të asaj treve dhe, sëpari, i shpikën gënjeshtrat e domosdoshme për ta përvetësuar pronën e saj, kurse më vonë, për t’ i këputur të gjitha lidhjet mekushërinjt eparë, e shembën dhe shtëpinë ku ajo kishte jetuar.Duke vepruar kështu, ata, edhe një herë, e konfirmuan se në gjenet e tyre ziente një farë e vjetër e krimit dhe servillëkut.
Por dielli nuk mbulohet me shoshë. Të gjithë preshevarët, që nga fqinjët më të afërm e deri te poetët, shkrimtarët, profesorët, doktorët e pushtetarët lokalë, e dinë se oborri i asaj plakës është trashigimi kulturore. Mjerisht, me përjashtim të poetit dhe shkrimtarit HE, një zotëri burrë, asnjë preshevar s’ mori mund ta ngre zërin kundër asaj shkeljeje të egër të të drejtave njerëzore. Dhe nuk është për t’ u çuditur, se një shoqëri që s’ guxon ta ngre zërin kundër dallkaukëve, ryshfetxhinjëve e kodoshave që shesin motrat e veta për pare,pak nga pak katandiset në xingonën e vetvrasjes. Një shoqëri që drejtohet nga juristë që kurrë s’ e kanë lexuar Kartën e OKB-s për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut dhe mbushin xhepat me pare duke i deklaruar njerëzit e gjallë si të vdekur, vetëvetiu e ka diskualifikuar vetensi shoqëri njerëzore.

 

Shkruan: Ramadan Rexhepi