SHPËRNDAJE

 
Une i kom pjellë pesë evlat. Katër i kom të martum, i pesti – Orhani – osht beqar. Jom rritë me nonë e me babë, me motra e me vllazní, me kusheri e me kusherina, me teze e me halla, ama asnjoni s’um ka dalë ma i ngatë se evlati. Evlati koka i shishëm si jeta dhe me ardhën puna ngusht, njeri po e jipke jetën për to. Une e kom Hajdarin të drejtë, se s’ i dhimet jeta për shokt e vet, po ata qert, si binaktë, ashtu dhe Halisja e Orhani, më kanë dalë mendetrashë.
I pari evlat që më ka dalë pi shpijës u konë Halimja.
Halimja dhe Hasani kanë lejtë për ni ditë, veç tre sahat mas njoni qetrit. Limja – se çashtu e kena thirrë Halimën – u rrit me koc të shtalbt. Edhe s’ ka faj, e ngrata, se s’ kishna tomël edhe për to, edhe për Hasanin. Ani qish me ia bo? Të paktën ta pshtoj Hasanin, i thojshna vetes. Halimja, edhe me dekë, nuk bohet qameti. Ҫashtu e prisha zemrën dhe Hasanit i jipsha ma shumë gji e Halimës ma pak. Thojshna – edhe me dekë Halimja, Hasanin e kom xhallë. Ma vonë, kur u rritën e ja nisën me shku në shkollë, ata qertë u çuditshim me mue, po çashtu jonë konë adetet. Në krye të odës ka ndejtë gjali, jo çika… Ҫika kurrë s’ ka pasë iftibar sa gjali.
Nuk e di mirë, po – para se me shku në Prishtinë – kish dalë Selver Bici, ai Selveri i trashë, edhe i kish kallxu Hajdarit se Faja, ni gjalë pi Miratoces, po do me lipë Halimën. Aha, po shfarë gjali osht, e kish pvetë Hajdari. Selveri i kish kallxu drejt – katundar, gjal i mirë, i urtë, i ndershëm. Në punë të ”dërzhavës”… Epo, mbasi koka i mirë, s’ prish punë që osht katundar. Ne ta çoje ni njeri te baba e ta shofim shka po thot.
Hajdari ndejti edhe njo tri katër ditë edhe shkoi në Prishtinë, po mua m’ i la brinat e dashit. Drejtoj si të mujtësh m’i drejtu!…
Ishke vjeshtë. Sa i patëm mbledhë mushmullat dhe ja patëm shitë ”zadrugës”, kur – hop – përpara derës na tebdiset daja Nezir. Hajde mirëserdhe, qysh jini, qysh i keni robt e shtëpisë, a e volët rrushin, a i bonët zahiret, e çeshtu me rend.
Dikur, daja Nezir e piti kafën dhe i ra shkurt.
” Kom ardhën, tha, me jav lipë Limën. Gjali osht shumë i mirë dhe shumë i ndershëm. Nimend osht jetim, po idaren e bon vetë dhe thitë i ka eksik.” Ai i kallxoi Plakit se Selveri kish folë edhe me Hajdarin, gjalin e madh, dhe Hajdari s’ i kish thonë jo.
Po shko e mushja mendën Plakit tem! Jo, që jo. Ai herifi paska lopë, paska dhen, paska bullica. S’ kom unë çikë për hyzmeqare. Shka ndodhë me ma shkelë bullicat çikën?
Tybestikfarë estakfurllah! Ku s’ i shkonte mendja! Shka s’ i pillke truni! Fol daja Nezir, fol aga Shukri, fol aga Malë – e memzi që u bo kail. M’ i kallxu dikujt që Miratoca s’ osht ma larg se 15 dakika pi Preshevës, ish knaqë tuj keshë. Ama Plaki jem nuk u keshke.
Ҫeshti, ata po dojnë me pru pare…
Ҫashtu u konë adeti. Burri bje pare, nusja bon çejiz. Atë ditë, kur vinë burrat dhe thojnë ”për hair”, shtrohet edhe ni drekë, hahet pak bakllavë dhe pihet ni kafe.
E mora dajën Nezir te dera i i thash:
”Daja Nezir. Kështu e kështu e kom mendu punën. Ma së pari pak bukë, tovona pak bakllave e – ma së mbrami – kafe.” Ҫato llafe ja thash edhe Plakit.
” Sa vetë dashkan me ardhë?” më pveti.
” Po njo tridhetë,” i thash.
Atina i kcynë rrebat. Shka s’ i vike në gojë. – A jon ne vete ata xhind? Për m’ i pru nizet mi banka, u dashka me ardhë krejt katundi. Hajde, bonjau naftën, se s’ po du mej av dhonë jap çikën fare.
E t’ u bo katran në ftirë. Si për nafakë, në ato dakika erdh nusja dajës Shukri, Shukri Kurbalijës, e i thash:
”Lum nusja agës Shukri! Mos shko sonte te shpija, se ka me më mbitë me llafe. Une s’ kom njeri me më prujt. Rufiki i abës Fetë osht i vogël. Orhani edhe ma i vogël. Faza mujtët me na pre teri sa të vijnë kojshitë. Foli pak, se s’ ta kthen fjalën.”
E mbet nusja agës Shukri dhe e kapërcimë diçyshne atë natë.
Të nesërmen erdh aga Shukri e po pvetë – ku osht Plaki.
” Shkoi teri në Postë,” i thash. ”Kish lipë Hajdari pak arra dhe shkoj me ja nisë me postë.”
Aga Shukri u konë shumë njeri i mirë. Kish dalë teri te Xhamia, e kish xhetë te ”Kafja e Tozës” dhe ishin unxhë me pi ka ni kafe.
E na u çumë dhe ja nisëm me e bo gati drekën… Dikur e bitisëm punën e po presim me na ardhë xhindja. Erdhën edhe xhindja e u unxhën te arra e agës Malë, ku i patëm shtru nja katër tavolina. Ju çitëm cigare, jav mbushëm gotat me limonatë dhe ata ja nisën e po bojnë muhabet. Prit se po vjen i zoti i shpisë, prit se po i përqafë e po ju thot ”hoshgjeldën”, po ai kurkund. Ai osht unxhë në kafe e po përlahet me agën Shukri.
Dojshna me pëlsitë. Më vike gjynah për Islamin e agës Selim, që pat ardhë me bo hyzmet. I pat hipë gjalit ni siklet i madh, po e majke veten. Ani, be nusja agës Fazë… Mos u mërzit be nusja agës Fazë… I praptë ka qëllu be nusja agës Fazë…
Eh, po qysh mos mu merzite, o gjalë?
Hiç mos u mërzit, se vijnë edhe pak..
Dikur, kur e pash që jemekët po ftohen, e bona zemrën gur e i thash Islamit: “ Ҫitju xhindes t’ i lajnë duart, se nuk pritet ma shumë.”
Tuj i lajtë ata durt, Plaki jem hini në oborr dhe u unxh karshi mysafirve. Nuk e mbaj mend se shka ju tha, po mbasi erdh, i harrova krejta. Si thotë aba Fetë – xhimsa e të keqes.
Islami ka me pa shumë hair. Ai s’ u anku asni dakikë dhe iu ndejti mysafirve si nuse. Ni herë ju shtruam bukë, tovona bakllavë. Erdhën edhe kojshitë e e kapërcym atë siklet, po desh pëlsita si kokrrat e kripës.
Une s’ e di sa vjet kom me ërrnu, po kojshive s’ mujtna me ju dalë hakit. As abës Fetë, as Islamit të agës Selim, as Nailes të agës Sali, as Hysnijës së agës Mal. Atë ditë nuk mu xhetën si kojshi, po sikur t’ i kishna pasë motra e vllazní. Pa ndihmën e atine, nuk kishna mujt m’ i dalë në krie gjith asaj xhinde, që ma pat mbushë oborrin.
Po edhe ai gëzim, që s’ ishke veç sa zogi pulës, ngordhi ndër grushtat e atij katilit, plakit tem.
Mysafirt i lanë parët, e pitën ka ni kafe dhe dolën pi oborrit të shpisë, po hala pa dalë te dera agës Can, përmi trupin tem krisën grushtat edhe shkelmat. A po më mbitë, po më mbitë. Kush të tha të ju shtrosh drekë? A nuk e pa që jom bo pishmon? A nuk p’e shef që s’ po du ta jap në katund? Unë s’ kom evlad për fikanakët e Miratocës.
Une – be e tërfe që s’ disha xho. Qysh me ditë shka mendojke ai?
E t’ um zuni për fyti e po do me më mbytë… Herë në njonin mur, herë në qetrin mur, po ma përplasë kriet…Edhe krejt kjo s’ po ndodh ni ditë apo ni javë masi ikën mysafirt, po aty për aty, sa dolën pi oborrit të shpisë… E Halimja e ngratë e pa që më rrehi keç, se më kishte plasë xhaki në krie, në hundë e nëpër qafë, ma solli ni shami për me fshi kriet dhe ja nisi me kajt si bebe.
“ Ah, ori nonë, ori none”, tha. “Me pasë ditë që do t’ hajsh çekaq grushta, nuk të kisha lonë me më dhonë te Faja. Me hongër gjith ketë qytek pa pikën e fajit, kjo ndodhë veç te na.”
Nuk shkoi shumë dhe Halimja u lig… E shka me ndejtë çika në krevet – shtatë javë me rend. E pa që Plaki më rrehi keç e nuk dojke me ërrnu… Dojke çika me dekë… Tovona, edhe masi u shndosh pak, ajo zaif – zaif, si thuprra e lejthisë…
Eh, kur um kujtohet sha na ka bo ai temerrut, nuk um dhimbet aspak. Ma mirë që vdiç e theu çafën, se kështu nuk u konë i keç, po tabiatin e ka pasë – katil. Se s’ osht mirë me rrejtë… Ҫato ditë që dojke me dekë, më vike gjunah… Tue pasë gruen, tue pasë tre gjem, tue pasë dy çika, edhe shfarë çika, ai s’ dike me e kënaçë vetveten. Nena Plakë, rahmet i paste shpirti, thojke se insani duhet me konë i knaqëm… Edhe kur ka, edhe kur s’ ka…
E tu lig Halimja e po do me dekë. Hajdari jasht, Hasani shkojke ne Shkollë të fiskullturës, Halisja e vocërr…
Hajt hajt, e erdh vakti me e përcjellë. Nuk po do me e përcjellë çikën mbas dreke, si bojnë dynjaja, po me sabah. – Pse çaç herët, o lanet? Po mbasi po do para dreke, çashtu po ja bojmë – thanë njerzia.
Halimja pat ra shumë zaif dhe veç hunda i pat mbetë. Ama mos paç punë me prekudin, se ta nxinë imrin… Ai s’ dike kurrë me u knaqë e me u keshë para xhindes.
Ҫashtu po do me bo edhe atë ditë kur erdhën dasmort me marrë çikën e ngratë.
” Hajde, shka po pritni,” po thotë, kur i pa krushqit.
Aba Fahrije, rahmet i pastë shpirti, u konë shumë e sertë. Shumë e mirë dhe shumë e sertë.
” Kadalë, ore prekud, kadalë,” i tha. Ajo i ditke adetet ma mirë se na dhe e përzuni përjashta. ”Kadale, se shumë frik do ta hipim çikën në kerr e do të bohesh rahat…”
Me çato fjalë e nxorëm Halimën dhe ia dorëzuam krushkës së madhe. Shkoi çika e u kurtalis pi ati katilit, plakit tem.
Ishke verë dhe ata të Fajës kishin pasë shumë bostan. Ha çika bostan, pi tomël të delmeve dhe e nxerr të keçen pi trupit.
E të ktheu Halimja e t’ u bo si arushë… Për merak… Zare pshtoi pi poterës e pi grushtave që hajke vend e pa vend dhe – e mur veten. E t’ u bo çika për merak. Ama edhe burrin e xheti të mirë. Ai kurrë s’ i thot Halimës ”sus”. Mazallah. Shka thotë Halimja, çajo bohet. Shumë mirë e çojnë. Ҫeshti e kanë shitë shpijën dhe dojnë me ardhën në Preshevë. Edhe mirë bojnë, se jonë të ri, po mue m’ pëlqejke ma shumë Miratoci. Agje e kanë pasë shpijën ujgun e të rrethume me krejta të mirat.
Faja osht gjal i mirë, ama Plaki jem s’ e dojke. Kur e shifke që po hinë në oborr, meniherë e mirke shatin e dilke në kodër. Njo di tri herë osht matë me shku e m’ u pa me Hajdarin, po s’ guxojke, se u tutke pi Policisë. Une kom shku di herë në Suedi. Ҫeshti jom plakë dhe po du me dekë. Si në mujt Hajdari me ardhë te shpija, mirë; jo, jo, nuk prish punë. Na kena marrë hallallëk me njoni qetrin dhe jena da për jetë të jetëve. Ai me Zotin, una me Zotin.

16. Ryshfeti

Te na ka hi ryshfeti. Kush e do ni letër, duhet me dhonë ryshfet. Kush do me hi në punë, duhet me dhonë ryshfet. Kush do me ndejtë te shpija e mos me bo askerllëk, duhet me dhonë ryshfet. Daja Riza, Rizahi Maliqit, ka di gjem, po asnjoni s’ ka bo askerllëk. As Xhevdeti i dajës Musa nuk ka bo askerllëk.
Hajdari s’ boni askerllëk. Ai s’ e dojke Plakin tem, po dike me mbajtë veten. Pi asaj dite që shkoj në Prishtinë e teri n’ atë ditë që hini në punë, ai nuk osht përlajt me to. I folke kapak, e msojke kapak, po nuk u përzihke në punt e babës vet.
Kur e bitisi shkollën, lipi punë dhe ia dhanë në Preshevë. Ҫaty punojke me zotni Ademin, Sylin, Ymerin, Ganijën, Raifin dhe Fehmijën e agës Ymer. Nuk kishke shumë muhabet me xhindën, se si vike te shpija, e mirke ni libër e dilke m’u shetitë. Ka ni herë, e kjo ka ndodhë ma vonë, kur dul pi burgit daja Qemal, Qemal Kallaba, ata rrishin në kodër e bojshin muhabet. Hajdari e ka deshtë shumë dajën Qemal, se daja Qemal nuk folke mirë për Jugosllavijën.
Hajt hajt – e erdh vjeshta e dytë. Ish çu Hajdari dhe kish pasë lipë me punu n’ Caravajkë. Ai dojke me punu në Karadak. Bezbeli dojke me shkru dishka, se s’ e kishke punën të keçe në Preshevë. Po shumë frik ata të Komitetit ndërrun mende. Nuk i thojshin ashiqare, qish folin burrat, që – s’ ki shka me lipë në Karadak, po e thirrshin Fazën e ndëryjshin kundra gjalit. Plaki po turrec. Desh i mbushi pantollet nga tuta dhe ja nisi me na xhujt me saçme. Se ku e kish pasë xhetë ni viron pushke e na xhujke me saçme. Dikur e çova Hasanin në Caravajkë me e lutë gjalin – aman, o Hajdar, hajde në Preshevë, se do t’ na qorroje me atë virone pushke.
Motmot ma vonë Hajdari shkoj në Prishtinë… Shkoj keshe me studju, po s’ u kthi mo. Me t’ i bitisë studimet, e mur dynjanë në sy dhe e xhet Suedinë. Me më pasë ngu mue, kish ndejtë në Preshevë, se e shkonte imrin me neve. Kështu, shkoi ku prendon dielli dhe s’ pa ditë të bardhë me sy. Nalet atine pareve që merr. Parja shkon e vjet, ama nonë e babë nuk të bëhet kurkush.
Hajdari na çeli punë. Jo veç Hasanit, gjalit tem, po edhe Fajes, që pat metë pa punë. Ni ditë, kur u kthi Hasani pi punës, ja nisi e po më kallxon – keshe Hajdari e paska shkru ni libër.
” Si ta çese atë libër, ka me më lonë pa punë,” tha Hasani. ”Aman, oj nonë, dil teri te poshta e fol me to… Thuj ne të rrije urtë, se Udba menxi po pret me më nxerrë pi punës…”
Ata kanë dalë pi ni barki. Hajdari osht ma i madhi, po osht ma azgën, ma i drejtë, se Hasani. Hasani osht ma i pashëm, po zemrën e ka të zezë dhe krejt hujet e Plakit i ka marrë. Sa ma shumë që po plaket, aq ma shumë po i ganë babës vet.
Vakte të çuditshme kanë ardhë. Do shiptarë, si Hasani jem, po kanë qef me unxhë kryet e me siguru bukën e gojës. Do shiptarë qerë, si Hajdari, Fehmia i ages Imer, daja Qemal, Mark Gashi e Hajdari jonë nuk p’e dojnë Kumenizmin.
Nejse, njo katër vjet ma vonë morëm vesh se Hajdari e kish pasë bitisë shkollën dhe punojke në Suedi. Ai e kish pasë xhetë ni suedeze dhe ish martu me to. Po na s’ kishmi pse m’ u mërzitë, se gjali vetë e kish pasë xhetë nusën, vetë e kish begenisë, vetë i kish thirrë mysafirt dhe vetë i kish pagujt harxhet.
Neve, po, na patën mbetë edhe tre evlatë mi martu dhe s’ dishmi me cilin me ja nisë. A me ia nisë me Hasanin, që e pat bitisë shkollën e punojke si msues i fiskullturës? A me ia nisë me Halisën, që e lipshin ditë për ditë? Apo me ia nisë Orhanin që hala s’ e pat marë zanatin dhe dojke me shku në Gjermani?

17. Turpi

Nuk osht mire me folë keq, se ashtu ja marr gjynahet, po Plaki jem u konë i prapë. Krejt dynjanë mujke me dashtë, me secillin maxhup mujke me ndejtë, po jo me dhondrrin e vet.
“ Katundari,” thojke, “ osht qorr. Katundari di mu çu n’ sabah, di me ju dhonë xhove ujë, di me dalë e me thy duhon, di mu nxhitë në mal e me prejtë dru, po nuk di me shkrujt emnin e vet.”
” Mos, more, mos hin në gjunah, se as na s’ jena ma të mirë”, i thojshna.
Jo që jo.
” Katundari ka sy, po s’ di me pa… Katundari ka durë, po s’ di me shkru… Katundari ka komë, po s’ di me ecë,” thojke.
Elhiqmiral!… Krejt dynjanë mujke m’i dashtë, po jo miratovcalitë. Krejt dynjanë mujke m’ i dashtë, po jo me miqt e vet. Me çat mende ma ka marë ftyrën dhe nuk um ka lonë vend në mexhlis. Po pse i bojke gjithë ato prapshti? Ato s’ e di, se s’ kom shku në shkollë, po aga Durak, rahmet i pastë shpirti, ja pat xhetë emnin.
“ O, ai osht mexhnun,” thojke aga Durak. “ Kur i hipin ata të vetët, Faza s’ njeh as gjynah, as marre, as din, as iman. Ai do veç të vetëm me çu, dhe s’ i dhimesh as ti, as evlatët e tij.”
Halisja u pat bo sa ni pelë. Dikush duhej me ja xhetë ni derë të mirë, se Hasani, ani se pat hi në punë, hala s’ e pat bo askerllëkin. Ai sa e pat bitisë shkollën dhe punojke në Preshevë. Orhani, po, e pat nisë gimnazin dhe dojke mu bo kovaç.
Ҫashtu u çel ni varrë që s’ e kishna pa ondërr. Halisja po – e re. Shkojke te aba Fetë, te aba Ramize, te ata të agës Durak, po no çilke pune me atë prekudin, plakin tem. A po e mbitë çikën, po e mbitë. Shka s’ e shajke. Pak me dalë çika pi oborrit, dojke me ja shkulë arrën e fitit. Dikur ju mbush mendja çikës se ai s’ e ka ndër mend me e martu dhe, ndashta s’ e kishke gabim, se plaki nuk e përmendke as punën e Hasanit.
Si për bela, Faja ishke në Miratoc. Ai motër nuk e kishte, po dojke me e rehatu dikund, me ja xhetë ni njeri të mirë… Problemi ishke se familja e Qazimit ishke e madhe.
” Gjali osht shumë i mirë”, thojke Faja. ” Nimend pak ma plak se çika, kallaballëk i madh, po derë e mirë.”
Jo, ajo punë s’ bohet kurrë. – Nuk e jap që nuk e jap. – Jo pse nuk dojke me dhonë, po atë dakikë që e shifke Fajën, atina i nxiheshin sytë. S’ kom unë çikë për katundar. Ҫika jeme nuk osht qorr, nuk osht sakat. Si të jetë për ni kashore bukë, ato ja jap vetë, se për çaç po punon edhe ketu.
Ma së mbrami, Halisës ju bo mendja top se ai s’ dojke me e martu dhe i tha Hasanit:
” O, vlla, shka po pritni që nuk po më japni?”
Hasani i ngratë ra në hall. As ishke me dhonë, as ishke me mbajtë. Fundja, ni ditë ajo mujke me ”ikë” e me na koritë. U matëm sa u matëm dhe – ma së mbrami – e thirrëm Fajën e e dhamë çikën në Miratoc. Po pa mare leje pi Plakit.
Na e dhamë, po ma mirë të mos kishim dhonë, se krisi qameti. Sa mur vesh që e kemi dhonë çikën, po do na mbitë… Kush jini ju qe e jipni evlatin tem? Nuk osht evlati juv, që ta mirni në qafë…
Të katërt ramë në hall, se nuk like as pare me pru, as çika me u bo gati. Rrike Halisja durkryq, po as ni mindil s’ mujke me qindisë…
Atë vjeshtë na ra edhe ni bela qetër: Hasanin e çun me punu në Miratovc dhe vendin e tij e zuni Elmia i agës Feriz, pa kurrfarë diplome dhe pa konë mësus i fiskulturës. Mësusin e fiskulturës e çunë në katund, dibiduzin e prunën në Preshevë… Jo për qetër, po se Hasani ishke vllavi Hajdarit – e Hajdarin e kishin shti në listën e dushmonëve të “dërzhavës.”
Hasanin e mbajtën në Miratovc njo dy vjet… Teri sa erdh vakti me e çu asker.
Ra në hall Hasani i ngratë. Rash e dhe une, se Plakit tem s’ i bohej vonë. E vishke ni virone pelerinë e u shtrihke te arra agës Idriz. Ajo edhe nuk u konë e vogël, po ibret e madhe… Krejt oborrit i patë hipë si kulshedër. E vishke, pra, pelerinën e shkojkë u shtrihke përmi zallë. Se ku e pat xhetë ni sakicë të vogël, edhe ato e mbajke ngat veti… Gjithë ditën e lume kshirke kur do të dalmi përjashta e – me na mbytë. Ku ta dish se shka kishte ndër mend? Ja dojke me na pre, ja dojke ma na mbytë, se për badihava nuk rrike n’ atë vend. Hasani po – në Miratoc.
Sa dilke Hasani, na e mshelshim derën me bravë dhe çaty pritshim teri sa vike Hasani pi punës. Ҫatëherë dilshim përjashta. Ai, po, sa e shifke Hasanin n’ oborr, hajt e mirke sakicën dhe – shkojke në kodër, e na – ngutu, ngutu, ngutu – t’ i bojna puntë e shpisë. Atë kashore bukë që e kishmi, nuk e prekshim, se na vike gjunah pi Hasanit, që shkojke e vike, pa e hongër asni kashore buke. Shumë gjunah na vike…
Hajt, hajt – e erdh vakti me e përcjellë çikën, po ai s’ po laget. Hemen ni motmot e xhims pat shku, po çika rrike si bushtra në stel. Na s’ kishmi pare m’ i dhonë për çeiz, ata dhe ishin fikanakë. Ata fikanakë, na fikanakë…
Ni ditë, erdh Faja e po na pvet – a ka bo Halisja ndopak çeiz?
” Jo, o gjalë”, i thamë. “ Ҫato pare që na ka çu Qazimi, i kena harxhu për hedije. Secillit ia kena ble ka ni peshqesh. Ata dhe s’ jonë pak. Ni kerr me burra. Ҫeshti, si ta ketë rendin Qazimi, ne të vije e ne ta maré.”
E kish shku Faja e i kish kallxu Qazimit. Epo, masi konka ashtu, po e marr, kish thonë herifi. Erdh Faja e po më vetë mue – ku osht Hasani.
” Ka dalë në kodër me thurrë gardh,” i thash. “Po shka po të duhet, o Fajë?”
” Duhet me u marrë vesh me njoni qetrin e m’ i kallxu Plakit, se ata herifat po dojnë me ardhë me marë masë. Pa ja marë masën Halisës e pa i pre fustan, ajo s’ mujtet me hi nuse.”
“ Ani hajrli koftë. Po shkoj e p’i thirri të dytë.”
E shkova m’ i thirrë. Edhe Plakin, edhe Hasanin. Qish me ditë une që ai vampire ia kish shti pleshtat edhe Hasanit?
Ai po, tue ditë që Halisja duhet me shku nuse, e kish xhetë ni sebep me e shitë evlatin e vet. E çashtu, tuj thurr gardh e tuj kuvendu me Hasanin, i kish thonë gjalit se – nuk e jap Halisen pa m’i dhonë edhe nizetmi banka.
“ Mos, babë, se po na merr ftyrën.”
“ Hajt, hajt, se ftira jote nuk osht ma e bardhë se e jemja. Mos e hap gojën, se vetë e bitisi atë punë.”
Qashtu i kish thonë. Tovona, sa për me e ndu Hasanin në xhum, kish shtu. “ Ato pare nuk po i du për veti, po per ty. Me ato pare du me shku te ”matiçari” e me ta ndrru datëlindjen, se po du me të kurtalisë pi askerllëkit. Ҫeshti kurkush nuk po do me shku asker.”
E une – o, Hasan, o Hasan. Hajde se po ju do Faja.
Erdh Hasani dhe, kur mur vesh sebepin, shkoi dhe e mur Plakin. Qish je, o gjal, qish osht Halimja, a e mblodhët kallamoqin, a i korrët tallat, e qashtu me radhë…Dikur, Faja ia prejti shkurt.
” Aga Fazë,” tha. “ Une kom ardhë me marë masë.”
” Duhesh me pritë edhe pak, se hala s’ mu ka rritë çika për burrë,” i tha ai mexhnuni. ” Dhe pa m’ i pru nizetmi banka, Halisja nuk del pi ksaj shpije. Krejt dynjaja m’ u praptu.”
O, Allah i Shijshëm! Kurrë s’ u ngop me prapsina. I boni Faja sytë sa mushmullat, po s’ kishke kah ja mbanë. Gjalë i mirë osht dhe shumë i drejtë.
” Shumë i prapë koke konë,” i tha Faja. ” Po pse s’ folshe, bre burrë, e na mbajshe në konop? Jo nizetmi banka, po pesëdhetmi banka t’ i kishna pru, veç të mos ia tharrtoje jetën evlatit tond. Se ajo çikë s’ osht e jemja, po e jotja.”
E ta boni Faja për pesë pare. Po ati prekudit s’ i hongri palla. E tha të vetën dhe – hajt – shkoj në kodër.
Shkon Faja te ata të Qazimit dhe i kallxon Bexhetit. – Ҫeshtu çeshtu osht puna.
” Auuu, s’ koka ndoni punë e madhe,” i thotë Bexheti. ” Mos po do t’ i jap paret meniherë?”
” Jo, jo,” i thot Faja. “ Duhesh me ardhë me mue, se ku me ditë ku të shkon mendja. Po mue po më dhimbet Liska, jo qetër. Gjunah…”
Kurrë s’ e harroj atë natë. E kish marrë Faja Bexhetin e erdh te na me ndejtën. Me ndejtë – i thashin, po ai erdh m’ i pru paret.
“ Qysh jeni, oj nusja agës Fazë? Qish jonë gjemt? Qysh jonë çikat?” po më pvetë gjali dhe nuk po më sheh në sy.
“ Mirë jena, o Bexhet, mirë,” i thash. Ama lotët s’ po muj m’i mbajtë. “ Pasha Zotin, o gjalë, na s’ kena dorë në ket marre. Jav dhamë evlatin me ymit se do të rahatohet me burrin e vet, po dexhallit s’ po ja xhojmë ilaçin. Na boni hallall, o gjalë, se ai prekudi s’ kish pasë qetër punë, veç me na nxi faqen.”
” Hiç mos u mërzit,” tha gjali. ”Kjo s’ osht ndoni punë e madhe. Mirë ish konë të na kallxonte, po as çeshti nuk osht vonë.”
E hongër gjali darkë dhe pak para se me ikë në Miratoc, i nxur paret e ja dha Fajës.
” Jepja agës Fazë dhe kallxoj që po na duhet masa,” i tha.
Ҫeshti s’ na mbet qetër, veçse me e thirrë në odën e madhe e me ja dhonë paret, po ai s’ po vjen. Osht idhnu e po çon huje. Shka me bo na, hajvanat? U çumë e shkumë në oden e vogël. Agje ka ndejtë gjithmonë.
Kur e hap Hasani derën, po shtiret se po fle. Tybe istikfarë, si me konë bull e jo gjali i atij Rexhep Osman Kurtit, që kishte vra xhind për dy gishta ftyrë. Me thonë që s’ kishke bukë me hongër, hajde, hajde. Po na, shiqir zotit, e kishmi ni shtëpi. E vogël, e madhe, ajo e kishke ni kulm. Tue pasë shpijën e vet, tuj pasë di oda të shtrume me qilima, rrike si kallugjert e Serbijës.
Po Faja s’ e hupi davanë. Hini mrenda dhe mbasi e pveti qysh je, tek je, ia prejti shkurt.
” Mbaje dorën, aga Fazë, se t’ i kanë pru paret,” i tha.
” Jepja vjehrrës, se ajo ta ka dhonë çikën,” i tha.
” Jo, jo. Vjehrra jeme nuk um ka lipë pare. Ajo dhe gjali saj ma kanë dhonë çikën si burra, bile pa e çelë gojën aspak. Ty po të konden paret, urdhno e meri e jav pafsh hajrin.”
E i nxur gjali paret e ja njehi para syve tonë. Njo – dy – tre – katër – pese – xhashtë – teri sa u bonën nizetmi banka. Kurrë s’ e harroj atë marre!.. E ja ndoj Faja përpara, kurse ai, keshe s’ po do m’ i marë – i shtyni pi vetes – e jo, nuk i du, nuk i du, dhe i shtyti ndër komt e kaftorit.
Me ta mbaru punën, Faja shkoj në odën e madhe, ku e patëm lonë Bexhetin dhe Halisën. Une, pra, mbeta në odën e vogël dhe menxi pritsha me ja marrë ato pare e me ja dhonë prapë Bexhetit. Na, shyqyr Zotit, kishmi pare. Po qysh ma mori Dreqi mendjen e dola me marr dru, me ja kallë kaftorin. Kur u ktheva mrapa e po du ta mbushi stufën me dru, ai i kish marë paret dhe i kish rrasë në xhep. Shkoj e merja si të mujtësh…
Tovona s’ u ndi mo i xhallë. Si i rrasi paret në xhep, e harroj edhe Hasanin, edhe atë “matiçarin” që duhej me e kurtalisë pi askerllëkit. Njo tri javë ma vonë e hipëm Halisën në kerr dhe e përcollëm te burri i saj. Pak ma vonë nisëm mi mbledhë mushmullat. Falë ati Qazimit të trashë, që burri jem e thirrke katundar, edhe Halisja lishoj rrojë në Miratoc dhe i boni katër thmi. Di gjem e di çika…
Ama na mbetëm me marre. Kurrë s’ jena konë çaç ngushtë sa me shitë evlatin me pare. Shiqir Zotit, katundart dolën burra e kurrë s’ ja përmenden, po ajo s’ ka lidhje. Bagla s’ lahet me shurrë dhe varra nuk shnoshet me llafe.
Ku osht Faza sot? Mos i mori paret me vedi? E kanë shti dy metra në tokë dhe s’ ka qetër jemek pos dhevit të zi. Kini me më kajtë, thojke. More, as po të kajnë, as po të dinë që je konë xhallë. A shkove agje ku s’ je konë? Kanë me të harru hala pa ra bora e parë.

18. Tenxhereja dhe kapaku

Shumë, për ibret shumë, ka ndrishu mahalla. Jazi agës Idriz osht prishë dhe “reka” s’ po vjen si dikur… Ai mullini agës Maksut osht ërrxu… Veç mullini Rashës ka metë… S’ po blun mo kush nëpër mullij… Ҫeshti mullitë jonë bo batall dhe krejt po hanë miell fabrike. S’ pe dojnë miellin e kallamojt… S’ ka mo kërlanë… M’ i pa çysh jonë azdisë shiptart, mendja e kryes të lun… Ҫikat tona me bukë po xhuhen… Kur po ju kcejnë rrebat, me kore të bukes p’ i bien njona qetrës… Për çato kurrë s’ kanë ma pa ndoni hair dhe krejt jetën kanë me shku si lingurka…
Atë vjet që e përcollëm Halisën, e morën edhe Hasanin asker. Dimbdhet muj e mbajtën dhe kur e lishun, ai kish nisë me u zbardhë. M’ erdhi keç, se Hasani u konë zeshkan, si daja Lazi, dhe ishke i pashëm. Me të ardhën te shpija, i kallxova se Haliti abës Bibë, kojshia i parë, ia kish xhetë ni raincake. Ato s’ e kishin lonë pleqët me shku në shkollë, po ish konë e urtë dhe e heshme.
“ Si mos ta shof vet, nuk e marr,” tha.
“ Ani pse me pritë aq gatë? E marrim lokalin dhe shkojmë e e pimë ni kafe me pleqt e saj?”
“ Shkojmë,” tha ai. Ama nuk um dha fjalë që bohet. ” Për pa e pa çikën, nuk muj me të dhonë xhevap.”
Hilexhi. Jo me më kallxu drejt, si kallxon evlati, po si sorra nëpër degë të mollës: herë po do me lipë raincaken, here po do me lipë atë kazezkën e Bishbishve, që e ka shpijën te Mahalla e maxhupëve. Ajo katundarka i pëlqejke ma shumë, se e bardhë, sylarme, e urtë si melaqet, kurse kjo qetra sypshurrtë dhe gjithë ditën në ballkon, tuj u kreh e tuj i mate burrat me sy…
Ai pat zone punë në Preshevë dhe përditë vike te shpija për drekë. Ҫeshti ishmi ma rahat, se çikat i patëm martu, kurse Orhani edhe punojke, edhe shkojke në shkollë. Abedini, gjali i haxhi Isait, ishke drejtor i shkollës.
Ni ditë erdh ma herët te shpija dhe, mbasi honger bukë, po më thotë me shku te nifarë Salihi dhe me e pvetë për çikën e nifar Zeqir Bishbishit. Ai Salihi ish konë farefis me Bexhet Bishbishin.
“ O, Hasan,” i thash. “ Na folëm me Halitin dhe e pamë atë raincakën e ngratë. Nuk i dhamë fjalë, po nuk i tham as që nuk bohet. Mue nuk po më pëlqen kjo punë. Kur nuk e kishe ndër mend me marë, nuk kishe nevojë as me i shku në oborr. Si t’ ja bojsh edhe kete përroçkë, Halitit ka mi mbetë hatri. Bile ka me t’ u idhnu për jetë.”
Ai po e kishte pjekë kulaçin dhe, si baba i vet, dojke me më rrasë nëpër lluga.
” Hajt, hajt, se ato e kena hazër,” tha. ” Ta denedismi këtë qetrën, të bijën e Zeqë Bishbishit.”
Ku me ditë une, që ai i kish pa të dyja, edhe njonën, edhe qetrën. Une s’ e kishna pa atë lingurkën e Zeqës, ama ai e kish pa dhe e kish kshyrë bajagi mirë.
Eh… Ku s’ të çon evladi?!.. Shkova te Salihi e po e pves – ku e ka shpijën Bexheti. Si për nafakë, ai Bexheti e kish pasë shpijën aty afër.
“ Ore, Bexhet,” i thash. “Më ka çu Hasani me të pvetë a po na japin ata Bishbishtë çikën apo jo? Se si mos të na japin, ne të na kallxojnë, se e kena xhetë rob qetër dhe ajo po na doket e mirë. N’ e paçin ndër mend me na dhonë ni xhevap – mirë… Jo, jo, Hasani po do m’i dhonë fund ketij pazari.”
“ Po shkoj sonte e po i pves,” tha Bexheti.
Kur ka shku Bexheti te ai Bishbishi, ai – kllap – ja jep dorën meniherë. Dhe pse mos me ja dhone? Ku mujke me xhetë gjalë mat ë mirë se Hasanin? Shpi – po, oborr – po, kodër – po… Edhe ato në midis të Preshevës…
E na dhanë dorën, kurse raincakja mbet me marre. E mbarroi Hasani jem pa pikën e fajit. E mbarroi pa asni sebep. Shkumë e pamë çikën, po nuk e morëm.
Ani ajo hahej, se kismet i çikës osht dera huaj… Shumë xhind e lipin dhe njoni e merr… Po tovona krisi belaja… Sa herë që ajo lingurka e Bishbishit e nxirke llapën, Fazlia m’ u turrke mua – ti i ke fajet. Njo, dy: ti shkove dhe e lipe. Ti ma prune belajën te shpija.
” Jo, more njeri, se vetë e dojke. Ni herë – mule të shkojmë në Raincë. Shkumë dhe e pamë çikën e ngratë… Edhe ai vetë e begenisi çikën… Ҫeshti çe ku e ka dhe shka të doje le të boje… Për mua, ajo bon mirë edhe me rrehë, se çato e lipke…”
Ta lipësh me të drejtë, Hasani u dashtë vetë me e bitisë atë punë.. Vetë me e xhetë, vetë me e lipë dhe vetë me e mare. Ajo çikë s’ ishke pa babë… Zeqa u dashtë vetë m’ i thonë të bijës – oj çikë, dil e shifu me atë herifin… Fol me to dhe mernu vesh, se nesër mujtën me dalë llafe… Ama jo. Ҫeshti, ajo krushka, nona saj, po nxerr turli turli llafi… Jo po kështu më tha krushka, jo po kështu më tha krushki, ama llafet jonë bo xhade…
Une, Mina e Shabanit Sulës, jom plakë. Shtatdhet e sa vjet i kom bo. Deri sa t’ mujtna, s’ e kom ndërmend me ju bo qurr kurkujna… Ҫashtu, me çe ketë takat që e kom, çohna dhe e zij ni kafe. Mue s’um bie të përzihna në punt e të rive. Se sot jom , nesër nuk jom. Ama edhe të ritë duhen me na rujt neve. Po me vjen zor me thonë, po evladi jem më prishi me kojshinë ma të ngatë e ma të mirë. Thu se çikat e hallkit jonë lopë. Ku ta dish… Bon vaki që ajo çikë që na çiti Haliti ishte njeri i mirë… Nimend katundare, po e urtë. Pse osht katundare, nuk prish punë. Njeri duhet me ja kshirë karakterin, me ja kshirë tabijatin, me ja kshirë zemrën. Se me llafe, krejta jonë të zoja.
Kjo e Bishbishit osht tamam shehërlikë, se osht rritë në Mahallën e Maxhupëve dhe, me folë kah del shpirti, edhe erën e ka të maxhupkave. Se qish ja boni mendën kos Hasanit, ato s’ e di, po çeshti Hasan Aga duhet me u mbajtë, se ja ka pjellë edhe dy rryçka: njonën katran të zezë, qetrën pak ma të bardhë, po tinzare si ato bardhoshkat e Bishbishit. Ҫashtu ndodhë me ata që i marin gratë që gjith ditën rrinë në çardak dhe kshiren me burrat e botës. Hasani u dashke m’ i ra krijës, edhe ato, bajagi shumë, para se me hi në krevet me atë hastallëk…
Nena Plakë, rahmet i pastë shpirti, thojke: dardha bje ndër dardhë. Mue po ma do qefi me folë mirë për gjalin tem, po ai ka çillu si Faza: hiç s’ i kërset as për mue, as për vllaznit e vet. Ai ka mujt me ja xhetë jo ni nuse po pesë nuse Orhanit, po s’ e ka lujt as gishtin e vogël. Atij ma shumë i intereson me lonë vllavin zangoc, se me martu e me bo me familje.
Ma e keqja osht se ajo kralica e Bishbishit s’ po mi do çikat. As Halimën, as Halisën.
” Ev, ne të vinë çikat”, po thot. ” Po ne të vinë vetë, pa ata qurravecat e Miratocës. Si unë që po shkoj te nona jeme pa çikat e mia, edhe ato ne t’ i lonë evlatët e vet te na.”
Po më vjen shumë keq për Halimën, se ajo s’ ka kurrfarë kunate. Edhe ma keç po sillet me Halisën. Ata gjemt e Halisës po gjem, po dojnë me ardhë te dajallarët, te gjyshi, te nena… Mu konë për çikat e veta, ajo përditë i mer te nona e vet, ama nipat e mi s’ do mi pa me sy. Sa ta shofe Mizaferin edhe Hidaverin, ftira i bohet kusi. Ma përpara hinë ndër tokë, se jav zgatë ni tas me ujë…
Shka t’ i boj Orhanit që shkoj edhe mbet në Gjermani? Në vend se mu kthi në Preshevë e me kshirë shpijën e vet, kodrën e vet, vllavin e vet e mu çu kur do vetë, e me ra kur do vetë, ai pi run kurvat e Hamburgit dhe pi prish paret tuj pi raki… Po, s’ i dihet kësaj jete… Ndashta bohet pishmon… Ishalla kthehet ni ditë e bohet njeri, se Gjermania e ka nxerrë në fushë.
Hasani ka shumë qef me gjezdisë, po jo me xhepin e vet. Ni herë ka shku teri në Suedi dhe ka ndejtë plot tre muj ditë. Tovona, kur u kthi në Preshevë, ata t’ Udbës ja lipshin adresën. Nuk po hi në gjunah, po ai ju thojke se Hajdari ka ndërru adresë dhe kur t’ na shkruje ni herë qetër, ka me jav dhonë. Ama plaki, po du me thonë Fazlia, gjithsecillit qi ja jipke. S’ i shkojke ndër mend që “dërzhava” mujke me ja vra Hajdarin. Secili njeri që e zatetëke në pazar, secili njeri që ja lipëke adresën e gjalit, ai ja jipke me gjithë qef dhe i thojke – lutne Hajdarin të kthehet në Jugosllavi. Se ku i xhojke ata torbesh, se ku i xhojke ata dilinxhi, nuk e di.
Hasani ka shumë të kqia, po e ka ni të mirë. Atina i kanë mbetë shumë tesha të Hajdarit. Ai blen edhe vet, se pllatën e ka të mirë. E i thojke babës vet – pse, bre babë, nuk po vishesh si bota, po po ecë si Mehmet Dajka, me di kundra të ndryshme. Qe ku ke pantallone, setra, guja, fanulla. Vishu si dynjaja.
Jo, nuk dojke Faza. Sikur s’ kishte qysh me ja marrë ftyrën gjalit dhe duhej mu vesh si gabelt e Surdulicës.
Atë natë që u nis në Vranjë, ia veshëm pantallonat e reja, ia veshëm setrën, ni kmishë të mavitë, taze të re, ia veshëm gujën e Hajdarit, çarapat e reja, dhe s’ ishke ai Faza që e kena njoftë. Edhe Bida, kojshika jonë, i mur lakmi.
” Po pse, ori motër, shkojke si lypës, kur i kishte gjith ato tesha?” më tha mue. ”Me t’ u vesh me teshat të reja, u bo qetër njeri.”
“ Nuk e di, oj motër,” i thash. “ Edhe Mehmeti u konë ma i pasmi i Preshevës, po s’ dojke m’ u veshë. Ashtu dhe Fazlia.”
Mue kurrë s’ um ka pëlqy nepsi i burrit tem. Mu konë të vishej si dynjaja apo t’ i harxhojke paret mas kurvave, ndashta edhe ju kishna idhnu, po ai – ndoshta pse u rritë jetim – gjithmonë e kishke synin te parja. Pare, pare, pare – veç pare lipke. Nuk e di kush e kishte msu, po edhe Hajdarit i kishte shkru e ja kish lipë njo katër miljonë… Meri ku t’ i marësh, i kish thonë, po duhet të mi çojsh sa ma frik, se po du me e nxerr Hasanin pi shpijës…
El hiqmiri lah! Po pse me nxerrë gjalin pi shpijës, o prekud? Atë shpi gjali s’ e maroj me zor, po me izën tonde. Me folë kah del shpirti, ai kishke nevojë për ni shpi ma të madhe dhe vetë, para syve të mi, ja ka tumirë 200 metra vend… Jo ma shumë – dhe jo ma pak – po 200 metra vend… Ҫeshti Hasani po shet mend se baba ia ka dhonë 350 metra dhe vet, me paret e veta, e ka maru atë shpi… Ҫaty ka rrejtë, se pa xhepin e Fazës, ai s’ kish mujt me ja shtru as cokllën, jo mo me ja çitë kulmin… Po ajo osht ni punë qetër dhe une kom me kallxu kur të vjene vakti…
Pse po e kallxoj ket punë? Se sod jom e nesër s’ jom. Kush osht tue ruajt atë kodër? Hasani… Edhe po e runë, edhe po e ha…. Me ni onë po shtiret që osht da pi babës vet, se ka shpi të vetën, se ka numër të vetin, ama knejna p’e ha djersën tonë… Hallall, se po kujdest për to… Mos i raftë Orhani mas, ne t’ i bije Hasani… Vet Hajdari, gjali jem, i ka thonë – mbasi pe kshyr, të bofshin mirë ato molla e ato dardha… Une s’ jom ngusht ma shumë se për ni copë vend…
Edhe çashtu osht, se une i njof thmitë e mi…. Hajdarit s’ i duhen mollat edhe dardhat, po vllaznit e vet… As Orhanit… Ama njerit pi vjen inati, se bahçen e Fazës nuk pe hanë evlatët e tij, po ato surratzezat e Bishbish Qorrdelijës. Natë e ditë, pi të hones e teri te e honjae, ato n’ oborr të Fazës i ke…Edhe ato, edhe atë mercedesin e tyne…
Shënim: Autorja e këtyre “rrëfimeve” u lind në vitin 1905 dhe vdiq në vitin 1998. Ajo nuk shkoi kurrë në shkollë dhe nuk mësoi kurrë ta shkruaj emrin e saj. Në rrëfimet e saj, ajo dëftonte për njerëzit me të cilët i kishte ndarë hallet e përditshme. Të gjitha “përrallat” e saj janë dëftuar në një shqipe që është folur në vitet 70-të shekullit të kaluar dhe të cilat i kam i inçizuar në kaseta të manjetofonit.
Kjo është shqipja që fliste një nënë shqiptare dhe shpresoj që gjuha e saj do të jetoj edhe në të ardhmen. Duke i shkruar ashtu siç m’i dëftoi me gojën e saj, kam shpresa se ato do t’ iu hynë në punë atyre që merren me historinë e gjuhës shqipe.

Shkruan: Ramadan Rexhepi