SHPËRNDAJE

Une, Mina e Shabanit të Sulës, kom lejtënë Tërrnoc. Baba jem – rahmet i pastë shpirti – u konë njeri i mirë, po diç i ri. Shumë i ri. Ma vonë diç edhe nona. Mas nonës diç Nona Plakë. Kështu e kishte emnin nona e madhe. Në fund vdiçedhe Axhi…Ate e mbitën shkijet e Llapardincës… Krejt ikën… Pi plakave ka mbetë veç Nusja Axhit. Ajo i ka tre gjem edhe tri çika. Krejt jonë martu…
Edhe nona jeme u konë pi Tërrnocit.Veç ni vëlla e ka pasë – dajën Culi – dhe ai ka dekë. Gjemt e dajës jonë xhallë… Osmoni, Sabi, Beqiri… Të tretë jonë shnosh e mirë…Daja Osmon ka dalë në penzi, po ata qertishqehen me tishlerllëk… Daja Osmon u konë katil… Çatëherë, kur u përzi Jugosllavia, e kish pasë prishë xhinden në qytek… Ai m’ dokët u konë kumenist?!. Se mos ishte lehtë për shiptart e ngratë?! Kush s’ i ka prishë në dru…
Dajës Osmon i pat dekë gruja e parë dhe u pat martu me ni gru të ditë… Ai ka edhe gjem, edhe çika… Njo e ka me grujën e parë, tre i ka me grujën e ditë… Çeshti i ka martu të katërt…
Daja Sabi osht tishler. Atë zanat e kish pasë mësu pi ni shkavi të Vrajës. Edhe daja Beqir osht tishler… Daja Beqir e ka mësu zanatin pi dajës Sabi. Të dytë kanë gjem e çka e nipa e mbesa…
Pi atyne të babës ka mbetë veç Nusja Axhit. Ajo ka tre gjem e tri çika. Ma i madhi pi gjemëve u konë Sylimoni… Tevona u konë Sadiki dhe – mas Sadikit – Osmoni…
Sylimoni e ka punën mirë. Ai ka dalë te Livadhi Alës. Ashtu e ka emnin ni livadhi Tërrnocit… Agje ka maru shpi, ka çelë bunar, ka shti pumpë dhe e bahçen e vaditë me ujë të vet…Ata dy qert kanë mbetë te shpija moçme… Osmoni e ka ni brigadë me gjem e me çika…
Nusja Axhit u konë pi Rogoçicës. Rogoçicë osht ni katund i madh dhe xhindet përtej Konçulit. Ajo rri me Osmonin, gjalin e vogël… Xhashtë thmi i ka Osmoni… Sadiki, gjali ditë,ka njo shtatë a tetë thmi dhe krejta jonë çika, pos ni gjali…
Nusja Axhit e ka pasë ni vëlla – dajën Musa – po edhe ai ka dekë. Baba i saj – daja Islam – kish pasë di gra. Me nonën e Nusës së Axhit e kish pasë ni çikë e ni gjalë – Nusën e Axhit e dajën Musa – kurse me atë qetrën i kish pasë tre gjem… Nuk e di pse, po ata di të mëdhejt i kishin dekë, kurse gjali vogël – atij ia kom harru emnin – kish pështu. Atë gjalë e kishin martu dhe ai e kish lonë ni gjalë, po edhe ai ka dekë. Ama nusja e atij gjali osht xhallë dhe p’i rritë thmijët. Ajo i kish tri çika. Di pi çikave ishin shnosh e mirë, po e treta ish e pagojë. Ajo p’e shpijën e burrit. Po du me thonë se mallin s’ e kanë shitë, po xhindja kanë ran ë fushë… Jonë shprishë si zojt e malit…
Daja Musa e ka lonë ni gjalë dhe ai vjen shpesh te na.Qemal e ka emnin dhe punon si msues. Ni kohë, daja Qemal u konë në burg për politikë… Bashk me Mark Gashin, babën e Mirkit, u konë… Çeshti po punon në Rahovicë… Qemali, pra, osht gjali dajës Musa. Ai e ka edhe ni vëlla në Kamenicë dhe nona e tij por rrika me to… Ajo kurrë s’ ka ardhë në Preshevë… Bezbeli s’ e do nusja dajës Qemal, se kish ardhë… Sot kurrkush s’ pe do plakin….
Daja Qemal e ka martu çikën me gjalin e Jup Corroticës. Shumë çikë e mirë… Se kur osht njoftë daja Qemal me Jupin s’ e di, po çeshti jonë miq… Se edhe Jupi ka punu si msues…S’ e di a e mbani mend, po kaniherë daja Qemal vike me Raifin dhe unë shumë u ngushtoshna… S’ kishna me shka m’i sajdisë veç me molla, ndoni ftu apo mushmulla…Çikën e dajës Qemal e kanë kallxu të heshme… Si lum ai gjalë qi e ka marë!..
Baba jem e ka pasë shpijën karshi shkollës. U konë ni shpi e madhe, me shumë oda, po çeshti ka nisë me u rrxu… Ni vakt ama, axha,kur ishte dajtë pi babes, e kish marë xhimsën e shpisë, se s’ kish pasë pare me bo të re… Para shpisë e kishin pasë edhe ni arë të madhe dhe vendi ish konë i të dive… Çeshti ajo arë osht bo mollë e sherrit, se gjemt e Axhit p’ e lipin për shpia,poLazi – vëllavi jem – s’ po jav jep. Po ju thot– pagumna vendin, pastaj maroni shpija…Ata, pra,s’ po kanë me shka me ja pagujt dhe çashtu ju shkoj imri… Tuj u hongër midis veti…Kurse shpija e moçme po rrxohet…Kam frikë se do të rroken e do të vrahen për ni copë vend…
Sadiki, gjali i ditë,e ka maru ni shpi të madhe… Allah, Allah!.. Shumë shpi e madhe… Mos kofsha gabim, ai ka shtatë çika e ni gjalë… Edhe gjali osht berber… Ai e paska lonë gjalin në dyqan dhe boka shpekullaci… Me marka të Gjermanit… Hem berber, hem shpekullant… Osmoni, ai taksiratlia, e ka punën ma ligsht, ama po mbahet, po xhallnon… Ma së miri i ka punët Sylimoni, ai ma i madhi i gjemve të Axhit… Edhe ai e ka gjalin berber dhe ka çelë dyqan në Tërrnoc… Ka dhe ni nip, po ai hala s’ i ka mushë dhetë vjet…
Une kom dy vllazën e pesë motra: Ademin, Lazin, Xhemkën, Çelebijën, Gjilkën, Fatimën dhe Zyhrën. Ademit – vllavit tem – s’ i kanë lejtë thmij… Priti… priti, po gruja s’ i bojke…Atëherë, s’ pat çare pa e marë ni birshpirt dhe e mur Qanijën, gjalin e dytë të vllavit tem. Edhe Qania osht gjalë i mirë…
Ma i madhi pi thmive të Lazit osht Skenderi… Lazi e ka shitë ni arë – nond miljon dinarë – dhe ia ka maru ni shpi te dirt e vjetra… Nalt i ka di oda e nji gjizenti, posht i ka tri oda e di duqane… Dojke me ju çelë punë keshe, ama ata,hairsëzat,s’ e kishin synin e Mekës… Çeshti duqanet jonë gati, po gjemt e Lazit jonë shprishë si delmet…Skenderi, ai ma i madhi, ka di çika e ni gjalë…Pasha ka ikë… S’ e di ku e ka thi qafën, kurse Avnia – sa ishna në Tërrnoc – shkoi keshe me punu në Bugari, po mbet shehit te bitha e ni bugarke… Agje ka mbetë…
Pasha e ka marrë ni bijanovcalikë… Shumë çikë e mirë dhe e ndershme… Shadie e ka emnin… Ajo e ka ni çikë e ni gjalë… Burri saj osht mirë me shnet, po hairsëz i madh… Kurrë s’ e xhonë te shpia… Falë tërrnocalive, qi e dojnë Lazin, Shadën e kanë punësu në shkollë… Bukë po ju danë thmive… Po thojnë se gruja e direktorit e kish të vetën dhe ia kish zgatë dorën…Se thmijtë e shkollës s’ hanë nisoj… Do hanë, do s’ hanë… Krejta bukat e gjathat e  marmallatat qi i teprokan i çoka te shpija… Elhamdrilah… Nizetmi banka p’i mirkenë muj… Boll për ni krahthatë si Lazi… Se edhe Lazin e kishin shti polak e dimdhetmi banka pi nxirrke…Ndashta s’ jonë shumë, po pa hiç edhe ma zor… Ai qetri – Ademi – e ka rendin shumë mirë. Ka dalë në fushë dhe agje e ka maru ni shpi të madhe…
Po, pra: ma i madhi i htmive të Lazit osht Skenderi. Mbas Skenderit vjen Pasha… Mbas Pashës Qania… Mbas Qanijës Avnia…Mbas Avnijës vjen Samia… Mbas Samijës vjen Agimi… Krejt ata qi kanë lejtë mbas Qanijës jonë konë të vocërr dhe s’ i maj mend… Atë Samijën e ka marrë Sadetja në Prishtinë… Ai, edhe mos e ndihmoftë Lazin, ka me dalë në selamet…
Nusja e Lazit osht pi Kranidelli. Une s’ jom konë agje, po thojnë se osht katund i mirë… Mirë, ama,krejt kranidellsit kanë zhdripë në fushë… S’ e di ku kanë zonë vend…  Ajo xhimsa e Lazit e ka ni vlla e ni motër dhe të dit jonë në Tërrnoc… Ajo motra i ka gjemt  shumë ngucakeqa. Gjali saj – mos um pvet,se s’ ja di emnin – e kish marrë ni nuse pi Lluçanit… Nusja e mirë, e urtë, e pagojë, ama ai – hairsëz, ngucakeq… Tuj e pasë grujën shiptare, kish shku e e kish marrë edhe ni shkinë dhe e kish përzonë shiptarkën… Dhe sikur kjo t’ ishte pak, i kish ndu kusht. Unë po të përzo – i kish thonë – po ti mos gabo mu martu, se të vras…Hec e bjeri n’ fije kries së Shqiptarit!.. Edhe po të përzo, edhe po të ndoj kushte.
Ai baba i nuses ish konë kriefortë. E kish marrë çikën, e kish mbajt njo katër muj dhe e kish dhonë në Nasalcë. Tek e mbrama, ki e kish përzonë nusën… Ai burri i ditë s’ kish dit xho… Kish dalë në Bijanovc me ble dishka dhe – tuj u kthi te shpia – i del ki hajrsëzi dhe – dang e dange dang – e mbitë herifin me ni bisht të shatit… Pa pikën e fajit… Çeshti ja kanë pre xhashtmbdhjet, po ai taksiratlia nuk ngjallet… Nalet hapsoneja, kur thmijtë i kanë mbetë jetima dhe shkinapa burrë…Kur ta kshirsh, kjo puna jonë rrokotel… Çeshtu po bojnë shiptart e sotit…Turli turli hataje…
Çeshti do të kallxoj për nipat… Skenderi punon në Bijanovc… Aty ku e shkrinë hekrin… Pasha ka rrokë diku… Nusja e Lazit po thotë se ka shku në Bugari, Qania në Poloni… Ku ta dish se ku osht ajo dreç Polonie… Aqe po shitka vjetërsina… Mue m’ kallxoj nifar Refiki, qi punoka në Poloni… Polakt kokan tyxharë të mdhaj dhe shitkan lloj lloj vjetërsinash… Edhe gratë p’i nxirrkan në pazar e p’i shitkan me pare…Çashtu po thojnë.
Une i kom pesë motra. Njona motër, Xhemka, osht martu n’ Konçul… Motra qetër, Çelebia, osht martu n’ Corroticë… Motra tretë, Gjilka, osht martu në Tërrnoc… Motra katërt, Fatimja, osht martu në Çukarkë… Kurse e pesta, Zyhra, osht martu në Lluçan…
Ma e mira pi motrave osht Gjilka… Gjilka u konë thmi kur e përcollën te Ibrahim Topalli… Aga Ibrahim ishte zengin dhe kishte ara, livadhe, lopë, delme e çeshit çeshit shpendi. Ama Gjilka çilloishterrpë…S’ e di kush e kish fajin, po motra jeme s’ bojke thmi dhe ai – për me rujt namin e derës, e mur ni birshpirt.
Sa ishte i ri, Ismeti ishte xhevair, po me të vdekë aga Ibrahim, ia mbathi në Poloni… Agje kish shku, se i pëlçejshin polaçkat… Ai ka shtat thmijë… Me Gjilkën dhe nusen e tij bohen nondë… Si Gjilka, ashtu dhe nusja, kalben tuj mbledh duhan, kurse Ismeti endet me limuzinë… E pat sjellë njo pi Polonie dhe gjithë ditën shtiste nëpër Gjilan, Preshevë, Shkup e Prishtinë…
Si e re, ashtu dhe plakë, Gjilka ka mbetë hyzmeqarkë. Ajo e rriti dhe e boni burrë, çeshti po ja rritë thmijët… Arifi ju ka bo sa ni plep, ma i gatë se Ismeti, Zyhra nisoj… Erdh ni herë e ma lipke adresën e Danit, po unë s’ ja jipsha, se s’ i zisha besë…
Dikur e kish shitë limuzinën dhe prap kish shku në Poloni… Repu Gjilka nëpër ara të duhanit, repu nusja, repu thmijët, qi Ismeti të shalkakatet me limuzinë… Ket qetrën e kish marrë veresi… Tevona i zoti po ja lipë paret, po ai s’ po ka me ja pagu… Ma së mbrami e kishin shitë ni arë dhe ishin la…Veçse apet s’ i kish ndejtë bitha rahat…Prap kish shku në Poloni… Kish ndejt sa kish ndejtë dhe ish kthi me ni qetër limuzinë…
”Ori teta Minë,” më tha nusja. ” Ma plasi të idhtën e barkit.Atë njeri e ka falë zoti budallë, se osht bo taksist pa pare. Hajde Ismet në Shkup, Ismeti – peqe. Hajde Ismet në Prishtinë, Ismeti – peqe. Ama limuzina dashka benzinë, rrota,sigurime, ”porez”… Na fiku, oj teta Minë…”
Erdhën ni natë dhe ndejtën deri n’ sabah… Kështu osht parja që s’ fitohet me djersë…Ismeti s’ i ka fitu ato ara vet, po ja ka lonë Ibrahim Topalli…
Aga Ibrahim ka vdekë çe shumë vjet. Ai, kur i kish dalë çibani në bark, i kish kallxu Gjilkës qi do t’ bohet operacion. Atëherë kishin shku Lazi dhe Ademi dhe i kishin thonë:
“O, aga Ibrahim! Ata qi hinë në brisk të doktorit lujnë me jetë… Ka burra qi pështojnë, po ka dhe që vdesin. Na Gjilkën ta kena dhonë qish kur u konë katërmbdhet vjet… Mirë qipo shkon në Shkup,veçse me vdekë në spital, çohet gjali jot e na nxjerr motrën në sokak.
”Ani shka me bo?” kish pvetë plaki.
 ” Valla, ma mirërri në Tërrnoc,se hin në brisk të doktorit”.
Atëhere ish çu aga Ibrahim dhe kish shku në Vrajë e ja kish shkru Gjilkës xhimsën e mallit. Kur ish kthi te shpija, i kish thonë motrës teme:
“Ruje ket letër dhe lutu të kthehna shnosh e mirë pi Spitalit.”
Ai e kish pasë imrin e gatë. Shkoj në Shkup, u bo operacion, e nxorri të thatin, dhe u kthi shnosh e mirë. Ai u konë vërsnik me babën tem, Shabanin e Sulës…
Çeshti Gjilka po rri me thmijtë e Ismetit. Ata p’e mbajnë mirë, se xhimsën e mallit e ka n’ emën të vet. Ama edhe ajo s’ po pushon. Punon se me konë çikë e re… Me jav kallxu serin, nusja e nderon shumë.Vet nusja, kur po vjen në Preshevë, po kallxon… Po thot:
“ Me desht me shku dikund, Nona Gjilkë s’ um bohet prag. Bile edhe pare më jep për hedije. Une s’ jom ngusht, po ajo po ma mbanë hatrin.”

2. Lagjja
Më pveti ni ditë Jonaqish e ka emnin mahalla jonë?
U mata t’i thom MahallaRekës, po s’ guxova. Mahalla jonë osht si strajca e Saxhit Maxhupit. Ka këtu kajallarë, mutish, kelmendë,shehalilë, hanucë e karadaklinj të ramë mbas lufte.Kojshitë e mi jonë kajallarë. Do jonë kajallarë, do karapanxhë, do karadaklinj. Ata t’ agës Kadri jonë karapanxhë… Ata t’ agës Durak e t’ agës Isa jonë kajallarë, po aba Fetë po ju thotëberberë… Bezbeli ndonjoni e ka pasë emnin Kajan… Kur e kapërcen shpijën e Riza Maliqit nisin Shehalilët…
Në mahallën tonë ka edhe shkie – kështu ju thojnë sërplive të ardhun para Luftës… Ruska, Danica, Radoshi, Misha e Shkijet e Lazit jonë serbë të ardhun çat herë kur shqiptart nisën me dalënë Turki…
Përtej mahallës tonë nis mahalla e Hanucëve… Edhe ata jonë shumë… Përtej Hanucëve vinë Qutët, Kekincët e Karapanxhët… Pak para Centrallës vijnë Maxhupët, ku jetojnë ata të rejës teme… Agjediku jetojnë do Qorrveli, po jo krejt… T’ mi falni kusuret, po ata të rejës temekanë jetu dikur në krah të Rahovicës, te Maxhupt e Poshtëm…
Pak para se me dalë te Maxhupët kini mujt me pa shpijën e agës Sherif. Aga Sherif u konë karapanxh, po kojshitë e thirrshin “miratocas”. Ai ka hi e ka dalë me këta të agës Kadri… Kadri Mullinxhiut… Ndoshta u konë miratocali, po ish bo “karaponxh” në hise të grujës… Presheva, ama, ka qorrvelias, karavelias, berraj, derraj, e dreqën me brina. Karaveliajt jonë farefis me nusën e agës Muharrem… Përtej bahçës se Emin Seferit jonë rrutencët… Daja Xhemi e daja Shaban jonë rrutencë… Ata jon farefis me Alijën e  Mehmetit… Përtej Alijës ka jetu aga Hysi dhe ata të Ymer Efendiut… Ata jonë konë mutish… Daja Xhemi e daja Shaban mbahen shehalilë… Se shehalil jonë edhe ata të agës Ymer, po vetes p’ i thojnë kelmendë…Ni zot e di shka jonë… Më doket se ata të Shaip Efendiut, aga Shaip e aga Tefik, jonë farefis me gjemt e agës Imer…
Une s’ i di mirë mahallat e Preshevës… S’ kom pasë vakt me dalë nëpër shehër… E di se kjo mahalla jonë shkon deri te Kozari, ku e ka pasë shpijën Daut Karbalia dhe, sa e kcenplemen e Tozoviqëve, nis mahalla e Shehalilëve.. Agje diku e ka shpijën Skenderi i abës Lickë, Qani Berberi, zotni Ademi, Mita Kovaçi dhe maxhupt e Mita Kovaçit…
Mahallat e Tërrnocit, ama, i di ma mirë, se agje jom rritë. Mahalla jonë u konë mahalla Dervishallarëve… Ata të mahallës së dajës Culi jonë konë Terzias… Tevona, ata qi i kishin shpijat kah xhamija i thirrshin Hysallarë… Do qerëve ju thojshin Kallaj… Pak ma nalt kanë jetu Shtekajt… Çaqe diku jonë Duqajt edhe Strukarët… Agje e ka pasë shpijën edhe Alija i tezës Habibe…
Po, embaj mend ni xhol qi u konë ngat Shkollës… Atij i thojshin Xholi Sahitit… Çeshti Xholi Sahitit u thajtë, se tërrnocalinjt kanë maru shpija ati… Ai Sahiti ish konë maxhup dhe kish maru qerpiçë… Zare në vaktin e Turkijës… Maro qerpiç e shit, maro qerpiç e shit, deri sa e kish bo ni grope të madhe për ibret… Tovona e kish lishu prronin dhe e kish mbushë me ujë… Kur mbushej xholi me ujë, përroni shkojke prap çandej kah ka shku përpara… Ai xhol rrike gjithmonë plot dhe ati laheshin bullicat e katundit… Çeshti ai krah osht mbushë me shpia…
Midis Lluçanit e Tërrnocit osht Turija… Ni katund i vogël… S’ e di a ka pasë shkollë përpara, po çeshti kishin maru edhe shkollë… Une kurr s’ jom konë në Konçul, po agje osht martu Xhemka, motra jeme. Avtobusi p’ i mirke pesmdhet banka deri në Lluçan… Edhe pesmdhet qera për Konçul… Ni herë duhesh me kapërci nëpër Lluçan e masanejna me vazhdu për Konçul… Mas Lluçanit vjen Nasalca, Lotovica, Rainca, Corrotica, Rahovica dhe Presheva. Ki krahi qetër të çon për Tërrnavë, Miratoc, Llojan, Vaksincë, Sllupçan, Alizar, Mateç e ku ta dish ma larg… Se shiptarët jonë si gruni dhe kurkund nuk marin fund… Edhe karshi Preshevës ka katunde… Çukarka osht ma së ngati… Tovona vinë Gerajt, Golemidolli, Lerani, Bushtrani, Bilaçi e Brodosellca…
Dikur, në vakt të Turkisë, Bilaçi ish konë shehër dhe krejt bilaçlitë kishin folë turqisht… Çeshti po folin edhe shqip, po ata të vjetrit folshin veç turqisht… Une e kom pasë ni hallë në Bilaç, hallçën Nexhkë, po ajo ka dalë në Turki… Në Bushtran ka edhe shkie, edhe shqiptarë… Ma shumë shiptarë… Edhe në Golemidoll ka shkie… Niherë pata kapërcy nëpër Golemidoll dhe pash kotare të thive… Agje e ka shpijën Nezaqeti, çika abës Nifë… Edhe Shukën e kanë dhonë agje… Dy motra me ni vend…  Hamdushi u pat martu në Leran… Mirë ishke,si kralicë, po burri saj – kudreten – kur kish hi ndër ni lis, e kish vra reja… Mërzitej për qamet. Tovona – nuk po ha bukë… S’ po do me rrnu mbas burrit të vet… E kish marrë kunati, burri Nurkës, dhe e kish çu në Vrajë… Kur e kishin kontrollu, i kishon thonë se iu kanë nxhitë zorrët… Tovona ilaçe, ilaçe, ilaçe, deri sa ju kishin gërditë… Dikur i kish kapërci dhe e kishin martu në Corroticë… Çeshti agje po jeton.

3. Rrësku i gruas
Dikur, kur isha e re, grat hiqshin shumë.Të shitke baba si lopën e grazhdit. Mos u ndafsh pi burrit, se s’ të pritke ndoni qetër , edhe ma i zi se i pari. Ndoni plak, sarhosh apo batakçi. Për çato burri jem edhe m’ ka rrehë, edhe m’ ka shajtë, edhe m’ ka përzonë sa herë ka dashtë. Se rrëski i grujës ishke për ibret.
Tue konë se Tërrnoci ishke larg, ai mujke edhe me më mbitë e kush mos me ditë se shka ka ndodhë. Çeky u konë rrëski jonë… Pi atij vakti kanë kapërci katërdhet vjet po shiptart hala p’ i blejnë gratë me pare… Çeshti edhe ma bet…Qera herë u lipke dora e çikës dhe atë punë e bojke mësiti… Kush kishte i bonte çeiz, po kush s’ kishte e mirte me atë bohçe qi ja jipte familja. Burri, simbas rendit qi kishte, i çonte pare dhe nusja, para se me hi n’ kerr, blejke hedije…
Çeshti mësiti s’ po kënaçet me pak. Po goditën si n’ pazar të Bijanovcit… Num dhash çekaç – bohet, mos um dhaç – s’ bohet. Ka dalë ni adet i flliçtë… O Allah i Shijshëm, falnaj gabimet! Ka tre katër miljon, pesë miljonë, po shkon çika. Edhe gratë e veja pi shesin, jo mo çikat e reja… Evet, efendëm, ka hala të ndershëm, po jo si dikur… Tamam si po thot mixha Ramë: gruja e ka hallin ma keç se lopa. Se lopa jeton dhe, kur plaket, e presin… E bojnë pastërmë… Po gruja s’ bohet pastërmë… A shitet evladi, more jahu? A hahen paret e mishit tond? Tibistikfarë, Nena thojke: kur të desim,i Madhi Zot ka me na shti mi hongër mish evlati.
Dikur njerzia s’ kishin as bukë me hongër, pothmijët e vet s’ i shitshin si lope.Mazallah. Aq sa kishin takat, çojshin. Burri jem, Fejza,m’ i solli pesqind banka… S’ kishte ma shumë… Ato s’ ishin pare të mdhaja, po unë i bleva dy qilima dhe e mlova sobën e vogël. Me çat çeiz erdha nuse…Po du me thonë se xhindja s’ hajshin pare… As në Tërrnoc, as në Miratoc, as te Gerajt… Ama çeshti, si kanë dalë xhindja n’ Gjermani, shtrejt po shkon pazari.
Se kush u bo sebep e më lipën në Preshevë, nuk e mbaj mend. Më doket qi ishte aba Arife, tezja e burrit tem, qi e kishte shpijën te Shtekajt. Ishte vakt i keç, Sërpi i Parë sa pat hi në Tërrnoc,dhe kojshitë tonë patën nisë m’ i shitë shpijat e me dalë në Turki… Kush kishte vakt për dasma e familje, kur Sërpina i mirte gjemt asker dhe na, çikat, s’ kishmi me ko mu martue? Une i pata mbushë tridhet e sa vjet dhe, si ma e madhja, ja pata zonë udhën Ademit edhe Lazit. Si për bela, s’ isha as e heshme qi me m’ ikë dikush… Gjith ditën e lume nxhitshim duhon. Jo veç ne, çikat, po edhe vëllaznit e mi. Çoheshim me këndusat e parë dhe, pa asni kore bukë në gojë, dilshim nëpër ara e thejshim duhan. Deri sa dilke dielli dhe djersa na mlojke trupin. Tovona shkojshim te shpia, hajshim pak bukë dhe ia nisëshim me nxhitë. Ka katërdhetmi – pesdhetmi fije duhon i mbillshim, se ndrishe s’ jitshim xhallë.
Bon vaki qi Fejza, me pasë ditë qi isha shtat vjet ma e madhe, nuk më kishte marrë.Une i pata mbushë tridhet e sa vjet dhe s’ isha e hjeshme si motrat e mia. Po Lazi, vllavi ditë, u konë dreç dhe kur e kish pvetë aba Arife ”cila pi çikave osht Mina”, ai e kish rrejtë. Çajo e holla, i kish thonë, tuj bo me gisht kah Çelebija. A, po koka e heshme, kish thonë aba Arife.
Mbarre me thonë, po rrëski jonë u konë shumë i keç.Na jipshin e na martojshin – të mos thom na shitshin – si lopt e pazarit. Iu kish pasë tekë Azizit të Hisen Drizës me nxerrë do pare – se qasi punë bojke – dhe kish shku te daja Tuki e i kish kallxu për mue… Çikë e mirë, e ndershme, e ku ta di shka i kish thonë. Babës tem, pra, i kish thonë se Fejza ishte gjalë i vetëm… As kishte vllazën, as kishte motra… Veç ni nonë plakë…
Daja Tuki u konë burrë i mirë, ama çaç të ngatë s’ e kishte Fejzën… Kusheri hesapi… Ashtu si e kom unë Osmonin, Sabin e Beqirin… Nona vet – vjehrra jeme po du me thonë – e  kisha pasë kusheri të ngatë… Ata, pra, kishin folë me Zizin dhe baba më dha n’ Preshevë… Keshe ni gjalë për mallë… Keshe ni burrë i ndershëm… Çeshti po dinë hallki me të livdu e me ta bo menden kos… Si mos të livdojnë hallki, nuk të merr kurrëkush…
Po masi u bo fejesa, ndrishun llafet. Axhi, rahmet i pastë shpyrti, e pat vrajtë ni ”posllajnik” shiptar, nifar Idrizin, dhe baba u dashke mi mbajtë di familje. S’ dinte kah me u çajt…
Ni ditë i kish thonë nona:
”Shko, more njeri, e kshire atë familje, se po më doket e morëm çikën në çafë”. 
E kish shku baba n’ Preshevë dhe e kish pa edhe Fejzën,edhe abën Ajshe. Kur vjen te shpia, i thotë nonës:
” Me më ngu mue, e prishmi këtë fejesë, se po m’ doket e kishmi marrë Minën në çafë.”
” Po pse?” e pvetë nona.
” Yqmirilah, po Zizi na kish rrejtë. Ai s’ kish kurxho pos ni kodre të veshun me shkoza. Edhe shpija, ni shpi e madhe, ish tu i ra. Mazalla, me e marrë shkijet asker, çika duron për bukë.”
Çashtu kish thonë baba. Po Nena, qi u konë pi Masurice dhe e ka ditur Koranin përmenç, kish kundërshtu.
“ Jo,” kish thonë Nena, “ s’ bon me e prishë fejesën. Hallki s’ thojnë qi e dajtëm ne, po se e la i Preshevsi. Ashtu i qesim fjalë.Çika duhet me shku te burri, se çato e ka pasë rrësk. Ju kini bo gabim dhe u dashtë me pvetë para se ta fejoni. Çeshti osht vonë. Edhe piatij qi e ka lipë, edhe pi Zotit.”
Çashtu hipa në kerr e u bona nuse. Në Preshevë – fukarallëk i madh. Fejzapunojke në manapoll, vjehrra rrinte te shpia.Ai i kishte flokët të kuq… Për çato e thirrshin Leshkuç… Në fillim ishte shumë i mirë, s’ boni poterë, po kur shkum te Miftia me lidhë kunorë, e kuptoi qi Lazi i kish mashtru. Edhe ate, edhe tezën Arife, edhe dajën Tuki.
Hajt, hajt e erdh dita me shku në të pame. U çu vjehrra e më përcull deri te çezmja e agës Demir Ali. Aga Demir Ali e ka pasë shpijën ati ku u konë dikur çeshmja. Vjehrra, anise fikanake,  ka pasë shumë muhabet.Kur mrrina në Tërrnoc, ata ja nisën e po m’ pvesin: Qish po sillet me ty? Mos po të rreh? Mos po të shanë? Dhe a kish pare?
Unë – pa e ditë se ku e kishin hallin – ju kallxova drejt. Nuk e shtova e nuk hongra asni llaf. Si më ”kërstitën” mirë,e prejtën me më dajtë pi burrit.
” S’ ki shka shkonnë Preshevë,” më thanë. ”Ai koka qil fukara.”
Mu n’ çatorë erdh Nena, nona e dajës Culi.
” Shka po t’ thojnë, mori, këta morrat?” më pveti.
“ Po ma zonë kriet, ori nenë, qiFejza osht fukara. Ai, nime, llafet i ka si kodrat mas bregit, po mue nuk um ka sha, nuk um ka rrehë. Tovona e ka ni cope vend e po do me mjellë me molla, dardha e mushmulla dhe ditë për ditë, masi po vjen pi manapollit, po bon gropa…”
” Oj bi,” tha Nena. ” Ngoje ti Nenën e shko te burri. Se na jena pi Masurice e kurrë s’ ju kena qitë marre baballarve tonë. Ty Allahi çashtu ta ka pre nafakën… Ai e ka begenisë atë burrëdhe ta ka caktu tie…Mbaj mend fjalt e kësaj plakës!..Ni gru e mirë, qi s’ e banë ni burrë të keç, nuk oshtgrue e mirë… Po dhe ni burrë i mirë, qi s’ e ban ni gru të keçe, nuk osht burrë i mirë… Shko nenës në Preshevë dhe ruja nderin burrit, se Allahi ta kallxon udhën… Përndrishe, hallki thojnë se çika e Shabanit të Sulës ishe paftirë dhe edepsëzkë… Shko në Preshevë e rahatou, se Allahi i di rrugt e veta.”
Nena kishte të drejtë. Shka me bo në Tërrnoc? Se mos ishin vllaznit e mi ma të hajrit? Do t’ um mbajshin njo di tre muj, deri sa ta mblidhshin duhonin, tevona hajt martohu me ni qetër.
Mirë e ka Nena, thash. Ma mirë ta ruj burrin tem, se të martohem me ndoni plak e ti ruj thmijt e botës. Ai i miri nuk um mirke… Ja ndoni burrë me ortake, ja ndoni burrë me jetima, ja ndoni plak… Kështu do t’ ishte nafaka jeme.
Edhe çashtu më shkoi. Si më lejti Rexhepi, Fejza ndrishoi shumë. Kuku, sa katil qi ishte… A po do me më shajtë, a po do me më rrehë, sa jo ta dajsh, po edhe ta mbitësh ishte pak…
Ama evlati s’ po u like kollaj.Leje n’ dash me pa dhimtë me si!.. Ki p’i sakaton thmijën para sive të mi, thojsha. Po me ikë në Tërrnoc, ki i mbitë në vend. Ai s’ u tutke mo, se mas Rexhepit lejti Dani, mas Danit binakët, mas binakëve Miska, mas Miskës Osmoni, mas Osmonit Jakupi, dhe une rashë në gropë. Si baldosa kur bje në kurthë…Ai ma i madhi – Rexhepi – diç kur ishte di vjet e xhimsë…Sa Jakupi… Bile ma i madh se Jakupi ishte… Ama diçkudreten, pa pritë e pa kujtu…
Atë verë aga Idriz e pat pruni viron çen dhe e pat lidhë me ni zinxhir qi shkojke deri te mullini. Pat ardhë nusja agës Jahë pi Shkupit dhe kishna qejf me pa.Nata e gatë, gjali u mërzitke, kurse Fejza pat nisë me shku me ni kurs të natës… Se edhe pa ardhë gjermanët, burrat mësojshin me shkru. E Fejza shkojke mbas darke, mbasi vike pi Manapollit…
Ni natë, kur u vesh me shku,  i thash:
” A po më lishon te aga Kadri, se gjali po ka qef me dalë?!.”
” Ani,” tha. ”Rri sa të rrish e kur ta bitisi kursin, vi e të marr.”
Dhe Fejza e veshi setrën e shkoi, kurse unë mbeta me veshë gjalin e me shku te aga Kadri. Atëherë, ata të agës Kadri i kanë pasë ni parë dier me thuprra.
Une e mora gjalin dhe dola n’ oborr. Tue çelë derën e madhe më ra ndër mend qi e kom harru drynin e derës. E lash gjalin ndër arrë, po ai – si krejt maksëmt e botës – e kish çelë derën vet dhe po pritke te dera agës Kadri…
Kur dola përjashta,gjali ja tha vajit. Zare ish ograisë po diçkahi, se teri n’ atë orë ishte mirë. Kap unë gjalin në grik – e nëpër rekë – e nëpër rekë – e hina te ajo oda ku rrike plaki. Hina mrenda, ju fola grave – a jini, qish jini – dhe u unxha te dera, me Rexhepin para vedi.
Gjali, pra, nisi m’u tremë. Po ti, mori budallicë, çoje gjalin te doktori, ama Dreqi ma kepi gojën. El hiqmirilah, po kishna marre pi doktorit… Isha budallë… Zare ishte shkru me më dekë gjali… Nimend, s’ kishna shume tesha me veshë, po e mbaja si kukëll. Ai u konë di muj para Sahitit, po Sahiti ishte i shnoshë, i madh… E mora, pra, gjalin dhe e unxha para vedi…
Aga Kadri ma preku gjalin në faqe dhe e veshi gujën me dalë. Pak para se me këcipragin, iu drejtu nusës agës Jahë. Ai u konë njeri i mençëm dhe dike me folë tyrçe.
” A pe sheh nusën e Fejzës,” tha. “Kurrë s’ ja kena pa gjalin të paveshëm e të palamë. Kurrë s’ ja kena pa cullak.. Na, si me pasë e mos me pasë, gjithmonë bithjashtë. Kurrë s’ i veshmi thmijëtsi duhet. Kshire sa mire p’ e mbanë gjalin!”
Ama gjali s’ pushojke së qari.Bezbeli ma msyshi aga Kadri, se ai u konë sylarëm…Ndashta matremi ai viron çeni… Ku ta di e ngrata, po pi asaj ore gjali nisi me u tremë, me u tremë, me u tremë… Bre, e mori Nona Gjalit ni kërpë e ja fshini ftirën… Bre, i shimi gaca… Bre, i frytëm te aba Bahtë, po trema s’ ju hoq…
” Hajde, oj abë,” i thash Nusës Gjalit.” Çom te shpija, se ki djalë po më doket i lig.”
E erdha te shpia. Po gjalit s’ ju ndalej trema. Ai – tremu, tremu, tremu – deri sa u vilanos.  Po ti, moj budallicë, çoje te doktori…Une s’ e kishna çu, po Fejza…Ai tovona u lig edhe ma shumë. Kur ja jipsha gjinin, e thithke, po kur e lisha, nuk ma lipke mo. Edhe s’ disha shka me bo, se ishna e re…
Ni ditë erdh daja Culi. Rexhepi ishke ratë dhe luhatej midis jetës e dekës. E rujshna natë e ditë…Bile edhe kur shkojsha me pjekë bukën, nuk e derdhsha hinin, se s’ dojsha me lonë vetëm.
Daja Culi më tha:
” Ngo, dajës, shka po të thom. Mos e le gjalin pa ja lagë buzët me ujë, se i thahet guha e vogël. Me bo mi kapërci, gjali ka me mbetë ja shurdhan, ja i pagojë.”
“ Jo, dajo, gjali osht mirë,” i thash.
Hallbuqi daja Culi kish të drejtë.
“ Ti mos um kallxu mu, se di pak ma shumë,” tha.
Edhe une vazhdova me rujtë. Njo tri katër javë i kom ndejtë te krija. Dikur e mur Fejza dhe e çoi te doktori, po ish vonë.
“ Ki thmi, s’ e ka imrin e gatë, ” i kish thonë doktori. ”Ma mirë osht me dekë se mu çue.”
” Po pse kështu” e kish pvetë ki.
” Ki thmi ka kapërci ethe të forta dhe ma mirë osht me vdekë se m’ u shnoshë. Si të shndoshet, ka me mbetë ja shurdhan, ja i pagojë, ja budallë.”  Çashtu i kish thonë doktori.
Mue, pra, m’u dhimke, se e kisha evlat. Veç ta kisha xhallë.
Po ai diç dhe kjo na helmoi shumë. N’ atë vakt Fejza ishke i urtë. As um shajke, as um rrehke. Ajo rroga qi mirke n’ manapoll s’ na dilke as për bukë e kripë. Hiqshim për bukën e gojës.
Vëllaznit e mi po – nepërka.S’ mendojshin qi kanë me vdekë. Kishin ndi qi m’ ka vdekë gjali dhe e kishin marrë Zihrën, Nusen e Axhit e Lazin dhe erdhën – keshe – me pa. S’ kish tri katër ditë qi e patëm shti gjalin në dhe. Fejza ishke në Manapoll.
“ Hajde bonu gati,” po më thotë Lazi.
“ Po pse me bo gati,” e pveta.
“ Se do t’ shkojmë në Tërrnoc,” tha. Ti t’ ka vdekë gjali e ndashta po mërzitesh. Hajde, ndërro hava e ktheu pastaj. Deri sa t’ kapërceje mërzia.”
M’ erdh keç me lonë burrin, se atë evlad e kishim të parin. Megjithate, mora leje me ndejtë plot dhetë ditë.Paçka se ata kishin ardhë me më ndajtë pi tij.
I mora teshat dhe dulëm në Tasjan. Kur u bo e shtata natë,motrat e mia po marojnë havëll e po ciritën si dhelpnat. Se m’ kish vdekë evladi dhe ato do t’ ma shnoshëshin plagën.
Kurrë s’ e harroj atë poshtrim!.. Erdh Lalka e agës Fetah me ndejtë, kurse motrat e mia po gatujnë për të shtatat… Po zijnë groshë e po gatujnë havëll…Çatëherë më mbitën lotët… M’ u dok qi u praptu qielli… M’ erdh mbarre pi vetës, pi burrit dhe atijevlati qi e kisha nisë për xhenet.
Lalkës i erdhë keq dhe brofi n’ komë.
” Rri, Lalko, ku po shkon?” i thash. Fundja, ajo s’ ma kishke fajin. Mue m’ kish dekë evlati, jo asaj. Për çato e luta katër pesë herë. ”Rri, moj, ku po shkon?”
” Jo, jo, po shkoj,” tha.
Motrat e mia, pra – çeshti s’ po më kujtohet shka kishin gatujt – e shtrunë sofrën. Kur e vndunë havllën, une mazallah qi po muj me prekë. E kur t’ ia nisa me kajt… Si ai shiu qi vjen në vjeshtë e s’ di mu ndalë…
Baba – rahmet i pastë shpyrti – u konë i urtë.
” Shka i bonët, bre, çikës qi po kanë?” tha.
” Kurrxho, kurrxho,” tha nona. ”Po kanë për atë gjalin qi i ka vdekë.”
” Po për shka, moj edepsëzka, e sollët këtu?” i pveti baba. ”Pse s’ e latë çikën në Preshevë? Ndashta ka pasë qef me ndejtë te shpija vet. Pse s’ e latë me niqahin e saj?”
” Çashtu osht, o babe,” i thash. ”Për shka me bo të shtatën n’ Tërrnoc, kur kom mujtë me bo në shpinë teme? Erdhën e më morën pa ditë se sha kanë ndër mend. Çeshti edhe po dojnë me më martu…”
” Po pse, moj edepsëzka, po përzihni ku s’ e kini vendin?” i qortoi baba.
Une u çova dhe dola përjashta. Shti s’ e mbaj mend sha ndodhi mbrenda, po menxi pritsha me ardhë Fejza.
Ama vllaznit e mi, si Ademi – ashtu dhe Lazi – s’ po dojnë me ditë për atë punë. Bile ma kishin xhetë edhe ni plak dhe menxi pritshin me më dajtë. Ai burri ish konë pi Strezofcës dhe i kish pasë pesë jetima.
Unë s’ jav disha menden, po më kallxoj aga Isuf – rahmet i pastë shpyrti.
“ Hapi sitë, axhës, se po dojnë me të martu në Strezofc,” më tha.
“ Kuku, e mjera për këta vllazën,” i thash.
” Ani qish po thu? A po do m’ i ngu vllaznijën a po do me shku te burri?” më pveti.
“ Po pse po pvetë, o aga Isuf,” i thash. “Une s’ jom bushtër e m’ i ndërru burrat për çdo vjet. I keç, i mirë, une e kom ni burrë. Pse m’i rujtë ploncat e huj, kur mujtna m’i rujtë të mitë? 
Kish shku aga Isuf e i kish kallxu babës. Baba jem, ani se fukara, nuk i dojke prroçkat.
” Ti, si t’ jesh çika jeme, shkon në Preshevë,” më tha.
Dhetë ditë ma vonë erdh Fejza dhe unë u vesha me dalë në Bijanovc. Kurrkush nuk dul me më përcjellë. Baba pat shku n’ Vrajë mu pa me Axhin. Po pse s’ dolën? Se s’ i ngova me lonë burri.Qasi ftire kanë pasë ata. Tovona s’ erdhën hemen ni motmot me më pa. Nona, pra, sa herë qi zatetej me ndoni preshevare, ma çojke ka ni selam.
” Ani, ani”, thojke. ” Ka m’ i ra pishmon, po do t’ jet vonë.”
Ma vonë më lejti ni qetër gjalë. Mas gjalit më lejtën edhe dy binakë, ni gjalë e ni çikë, mas binakëve edhe ni çikë e di gjem. Çashtu lishova rrojë në Preshevë dhe u bona preshevalikë. Mas secillit evlat qi m’ lejke, une e ndisha veten ma të fortë.   ( vazhdon )

Shkruan: Ramadan Rexhepi