SHPËRNDAJE

Kuvendi i Rumanisë sot me 95 vota “për” në seancë plenare ratifikoi protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Në seancën e ratifikimit në Bukuresht ka marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, i cili mbajti fjalim para deputetëve rumun.

“Rumania sot edhe një herë e tregoi vendosmërinë, miqësinë dhe mbështetjen për Maqedoninë e Veriut, për realizimin e qëllimit të saj të përcaktimit euroatlantik. Më lejoni që në emrin tim personal, në emër të deputetëve të Kuvendit dhe në emër të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut t’ju falënderoj për miqësinë e vërtetë”, tha Xhaferi. Rumania është vendi i shtatë i NATO-s që ratifikon protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

E para protokollin ratifikoi Greqia, ndërsa më pas Sllovenia, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia dhe Mali i Zi. Nesër pritet që këtë ta bëjë edhe Lituania, ndërsa siç është paralajmëruar nga Kuvendi, Talat Xhaferi do të jetë pjesëmarrës edhe në Kuvendin e Lituanisë.