SHPËRNDAJE

Organizata gjermane GIZ (Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit) ka filluar punën e saj para 50 vitesh dhe në ndërkohë shtrin aktivitetin e saj në 130 vende të botës. Rreth 70% e 17000 punëtorëve të saj janë punëtorë lokalë, të cilët krahas ekspertëve gjermanë punojnë në realizimin e projekteve të ndryshme, iniciatorë të të cilëve janë: Qeveria gjermane, Bashkimi Evropian apo Kombet e Bashkuara.

Edhe në vendet e Ballkanit organizata me seli në Bonn dhe Eschborn, ka realizuar projekte të ndryshme duke u fokusuar në shtytjen e procesit të demokratizimit, zhvillimin ekonomik, funksionalizimin e administratës publike, ngritjen e nivelit të arsimimit, ruajtjen e ambientit e në shumë sfera tjera. Në Shqipëri, GIZ filloi aktivitetin në vitin 1998 e një vit më vonë edhe në Kosovë duke punësuar një numër të konsiderueshëm të punëtorëve lokalë në të dy vendet.

Projekte të shumta janë ende duke u realizuar në të dy vendet derisa vala e refugjatëve në dy vitet e fundit shtyri edhe në rritjen e numrit të projekteve në gjithë Ballkanin Perëndimor. Edhe „Agjenda 2030 për zhvillim të qëndrueshëm“ e nënshkruar në vitin 2015 nga anëtarët e OKB-së, do tu sjellë vendeve ballkanike mbështetje në zhvillim.

6 muaj për të mbledhur të dhënat themelore rreth shqiptarëve në Gjermani

Një rol të rëndësishëm në këtë zhvillim ekspertët gjermanë e shohin edhe në diasporën shqiptare në Gjermani por për të cilën ekzistojnë të dhëna shumë të pakta mbi numrin, strukturën, moshën apo shkallën e arsimimit të tyre. Mungesa e informatave mbi diasporën shqiptare kishte shtyrë GIZ-in të angazhojë zonjën Karolina Novinščak Kölker, eksperte në fushën e studimeve mbi emigracionin, të bëjë një studim të diasporës shqiptare me prejardhje nga Shqipëria dhe Kosova. Rezultatet e studimit janë prezantuar të enjten në Köln, në një aktivitet të cilin e ka përcjellë albinfo.ch. z. Novinščak Kölker në fillim të prezantimit tha se koha prej gjashtë muajsh kishte qenë e mjaftueshme vetëm të bëj studimin e diasporës shqiptare të mbledhur pranë organizatave e shoqatave të ndryshme, me të cilat në muajt e fundit kishte pasur një kontakt intensiv.

Pasi në studim nuk ishin përfshirë shqiptarët që nuk janë aktiv në shoqata e që me siguri janë të shumtë, studimi nuk mund të vlerësohet reprezentativ por ky ofron ndoshta për herë të parë shifra interesante për numrin e shqiptarëve dhe vendndodhjen e tyre në Gjermani, për moshën apo prejardhjen e tyre, numrin e studentëve shqiptarë por edhe mbi format e organizimit të tyre. Zonja Novinščak Kölker kishte analizuar edhe profilin e emigrantit shqiptar duke filluar qysh në vitet e gjashtëdhjeta me migrantët intelektualë si Martin Camaj e Musledin Gjina deri te refugjatët e viteve të fundit. Në përgjithësi, pa dashur të vlerësojë shkallën e integrimit të shqiptarëve në Gjermani, ekspertja foli se kishte takuar një komunitet dinamik e kreativ të organizuar mirë në shoqata e organizata të ndryshme disa nga të cilat edhe u prezantuan në këtë pasdite.

Shumica deklarojnë se nuk do të investojnë në Kosovë!

Ajo theksoi se në shoqatat me karakter studentor (OASA), kulturor (URACult), humanitar (“Sali Çekaj”), sportiv (FC Kosova Hamburg) apo ekonomik (IDEAL apo Unioni i bizneseve shqiptaro-gjermane) e në shumë shoqata tjera, kishte takuar shqiptarë me prejardhje nga të gjitha trojet shqiptare të cilët u takonin religjioneve të ndryshme, shkruan albinfo.ch Qëllimi kryesor i studimit ishte të mësohet më shumë për marrëdhëniet e tyre më shtetet nga vijnë dhe gatishmërinë e tyre të ndihmojnë e investojnë atje. Gati të gjithë të intervistuarit kishin folur se nuk planifikojnë ndonjë investim në vendlindje. Mosgatishmërinë e tyre për investime e kishin arsyetuar me mungesën e kushteve si siguria, burokracia, korrupsioni apo mungesa e lëvizjes së lirë. Pas vlerësimit të studimit ekspertja do ti bëj sugjerime GIZ-it se në cilat sfera duhet të fokusohen projektet e ardhshme në Shqipëri dhe Kosovë ku mund të involvohet edhe diaspora.

Se GIZ-i është shumë aktiv në dy vendet dhe ka projekte shumë atraktive, dëshmoi edhe prezantimi i koordinatorëve të GIZ-it nga Shqipëria (Olinga Rafat) dhe Kosova (Xhelal Derguti). Me programin “Migrimi për zhvillim” të organizatës CIM (pjesë e GIZ) parashihen një varg masash për të inkurajuar individët, bizneset apo organizatat shqiptare nga Gjermania të ndihmojnë në zhvillimin e Shqipërisë dhe Kosovës duke investuar atje në forma të ndryshme.

Oferta e parë e CIM ju drejtohej organizatave dhe shoqatave shqiptare në Gjermani që në bashkëpunim me partnerët e tyre ne Shqipëri dhe Kosovë të ndihmojnë në transferimin e përvojave, dijes dhe teknologjisë. Deri në 40000 EUR shkon shuma që sponsoron CIM për një projekt.

Oferta e dytë ishte për punëtorë të kualifikuar (“returning experts”) që nuk kanë qëllim kthimin në vendlindje por me projekte me kohëzgjatje deri në gjashtë muaj të ndihmojnë me aftësitë e tyre profesionale kolegët e tyre, shkollat, univerzitetet apo kompanitë në vendlindje.

Ndërsa oferta e tretë vlen për të interesuarit që dëshirojnë të kthehen në Kosovë e të jenë aktiv si “agents of change” (agjentë të ndryshimeve) e të investojnë duke hapur ndonjë kompani të re e cila do të bashkëfinancohej nga GIZ-i.

Brengos numri i vogël i të interesuarve

Mbetet të pritet se çfarë do të sjell ky studim në qasjen e ekspertëve gjermanë në ndihmën Shqipërisë dhe Kosovës në të ardhmen. Për çdo lëvdatë ishin ofertat atraktive të CIM të cilat dukej se kishin zgjuar interesim te të pranishmit. Në biseda të ndryshme pas prezantimeve pati edhe pyetje për projekte konkrete. Mjerisht interesimi për këtë prezantim ishte i vogël. Derisa në München dhe Köln numri i të interesuarve ishte rreth 30, në Stuttgart ishte i pranishëm një numër shumë i vogël i shqiptarëve. Ndoshta kontaktet e krijuara në muajt e fundit do të ndihmojnë në gjetjen e mundësive për informim më të mirë të diasporës shqiptare në Gjermani potenciali i së cilës vlerësohet si shumë i madh.